Dhe cilido mendimet i kishte për vete. Çastet e mendimeve për vete janë çastet më melankolike. Më të rënda, Se, sado që të përpiqej njeriu të numërojë gjer më njëmijë ose dhjetëmijë, sa të të zërë gjumi, është e pamundur, skenat e ditës i dëbojnë të tjerat.
Të burgosurit nuk janë si njerëzit që shohin diellin dhe yjtë. Kanë gjuhën e tyre. Kanë nervat e tyre. Kanë huqet e tyre. Edhe në shtëpinë tënde të jesh e, po të mbyllësh derën nga jashtë, të duket sikur s’ngopesh me frymë... Pale në burg, në qeli! Dhe, ngaqë trupi mbetet në vend brenda katër mureve dhe shpirti arratiset duke kërkuar gjurmët e djeshme të këmbëve, formohet në tru një mjegull e dendur, e dendur, si era e qelisë, si firoma e korridoreve të burgut...
Unë nuk e di se nga rrjedh kjo fjalë e rëndë me katër gërma: burg... dhe as që e di se kur njeriu mendoi këtë lloj dënimi për veten e tij.
S'ka kufi dëshpërimi, kur e shef se po largohesh nga vendi yt, i lidhur këmbë e duar, për të vdekur kushedi se ku, larg njerëzve të tu, larg qiellit të shtëpisë sate...
Me duar të lidhura në gjoks, prisja siç prisnin të gjithë. Gryka frynte me frymën e mistralit. Po gjithë këta pleq që rrinë kokulur ç'mendojnë vallë? Këta pleq me ato fytyra të vrazhda dhe të heshtura, ku e kanë tani mendjen! E rëndë është për një plak të mendojë se do të vdesë larg fshatit ku u rrit e ku u bë pjesë e pandarë e plisit dhe e gërxhit, e brazdës dhe e vatrës. S'kanë as duhan për të lehtësuar dhembjet e rënda... Ja si e ashpërsojnë fytyrën, sikur i thonë mortjes: “Mos! Këtu jo! Atje, atje, ku fryn era e maleve tona! Atje te ligjërimi i lumenjve që zbresin nga malet me dëborë. Pleqtë nisën të bënin kryqin kokulur...
Po të dënuarit, pa liri, pa krahë, edhe kur ha, i duket se s'ka ngrënë. Se trupin ia hanë hekurat, marrazi, ëndrrat, nervat...
Mendimet e mia ishin bërë shkrumb, si barërat e djegura nga dielli. Aty për aty s’dija se çdo të ngjiste. Po, me t'u afruar në derën e madhe të kështjellës, u ndalëm.
- Kjo është hyrja e kaluarit. Kalvar quhet kjo kështjellë. Atje lart, në atë vend të rrënuar, ishin shkruar vargjet e Dantes:
“Lasciate ogni speranza voi ch entrate!”
Mendimet ndiqnin njëri-tjetrin, disa herë duke i kapërcyer edhe hekurat e burgut.... Ky ishte mundimi më i madh: trupi mbetej gjithnjë në qeli dhe mendja fluturonte ku t'i tekej.
Të gjithëve i vinte keq që pakësoheshim. Na pëlqente të ishim si vëllezër. Të lidhur si me zinxhirë që na kishin bashkuar qysh në burgun e Tiranës...
Dilni, o kujtime të mia,
andej ku jeni hedhur
Me kaq dashuri e trishtim.
Dilni! Tani ju dua!
Të loz me ju,
të qaj me ju,
të rroj me ju!
O kujtime të mia,
tani ju dua!
I përgatiti për botim
bashkëpunëtorja e
Botimeve Shqiptare:





