Duro: Kombëtarja po krijon një bazë të shëndoshë

Klodian Duro Klodian Duro ka thënë se paraqitja e shkëlqyeshme e kuqezinjve në takimin kundër Bosnjës është falë një baze të shëndoshë që tashmë ka krijuar kombëtarja shqiptare.
Duro ishte golashënuesi i vetëm për Shqipërinë në stadiumin Qemal Stafa, duke neutralizuar golin e avantazhit të Bosnjë e Hercegovinës, të shënuar nga Vedat Ibisevic, për të nxjerrë kështu edhe një pikë që e mban Shqipërinë në maje të tabelës së grupit D.
"Mendoj se ishte forca e gjithë ekipit, dhe gjithë popullit shqiptar, e gjithë stadiumit të mbushur. Ekipi e kishte përgatitur mirë këtë ndeshje. Ne kishim një bazë të shëndoshë që nga puna e trajnerit Kuzhe".
"Kjo ishte baza që na çoi drejt suksesit. Ekipi luajti bashkë dhe arritëm me meritë të marrim një pikë. Siç thash, baza është e shëndoshë dhe mendoj se të gjithë duhet të gëzojmë. Kemi treguar se ekipi e meriton këtë mbështetje të publikut", ka thënë Duro për Televizionin Shqiptar pas përfundimit të ndeshjes.
Duro po ashtu ka thënë se kuqezinjtë ´duhet te mbledhim forcat´ dhe të përgatiten për ndeshjen e radhës, atë kundër Bjellorusisë.