Cana i kënaqur me barazimin

Lorik Cana thotë se edhe pse ka preferuar tre pikë ndaj Bosnjës, duke marrë parasysh kërcënimet e ekipit kundërshtar në pjesën e fundit të ndeshjes, ai është i kënaqur edhe me barazim.
Cana, i cili mbajti shiritin e kapitenit, ishte shtylla e mbrojtjes në takimin e mbrëmshëm eliminator për Euro 2012, duke bërë disa ndërhyrje vendimtare për të penguar sulmin boshnjak, madje edhe i lënduar në disa minutat e takimit të ndeshjes.
“Nuk di çfarë të them lidhur me rezultatin e ndeshjes, sepse përpara saj jam pyetur nëse isha i kënaqur me barazimin dhe të them të drejtën kam thënë jo. Por tani, duke parë si u zhvillua ndeshja, besoj se jam i kënaqur”.
“Kishim përballë një kundërshtar me kualitet shumë të lartë. Ata na krijuan vështirësi taktike. Jemi munduar shumë të japim më të mirën përpara tifozerisë sonë dhe kemi meritën që u rikthyem në lojë duke reaguar.
“Jam pak i zhgënjyer për pjesën e parë, sepse vetëm në një rast që kundërshtari pati, arriti të na ndëshkonte. Gjithsesi, kishim edhe pak fat në fundin e sfidës, por besoj se barazimi është i kënaqshëm për ne dhe plotësisht i merituar”, ka thënë Cana, siç përcjell Sporti Shqiptar.
Cana luajti duke çaluar në dhjetë minutat e fundit të takimit, por ende nuk ka një përshkrim të saktë të dëmtimit të tij dhe ende nuk dihet nëse ai do të jetë në gjendje për takimin e të martës, kundër Bjellorusisë.