Ciklone, cuname, tërmete dhe vullkane mund të shfarosin mijëra njerëz brenda vetëm disa minutave, ndërsa në shumicën e rasteve, statistikat e fundit të të vdekurve mbeten zakonisht dhe realisht të panjohura. Njerëzit sot janë viktima të katastrofave natyrore. Si paralajmërime të pafajshme të fatalitetit, logjika e hekurt e dinamikës së tyre, i ka shtrënguar të gjithë të qëndrojnë në një heshtje dhe në një pritje të ankthtë për çka mund të ndodhë në të ardhmen. Truri njerëzor është sot në një përleshje të frikshme me pamundësinë e tij për të parashikuar dhe për t'u vetëmbrojtur. Planeti ynë është vërtet i rrezikuar. Në të njëjtën mënyrë, e rrezikuar është edhe vetëdija jonë, jeta jonë dhe bukuria e saj shpesh e shpërfillur. për shkak të rreziqeve të shtuara, bëhet gjithnjë e më e vështirë të meditosh me optimizëm për zhvillimin e jetës sot, për përpjekje të mëdha, për përkohshmërinë, për teknologjinë, për arritjet e mëdha të njeriut, për fluturimet kozmike. Bashkë me planetin, të rrezikuar jemi të gjithë ne. Të rrezikuara janë virtytet dhe veset tona, varfëria fisnike anembanë dhe pasuria e rëndomtë, lufta njerëzore dhe paqja, zilia dhe mirësia. Mbase ky rrezik shumë shpejt mund të jetë i përbindshëm, për sa kohë ndodh me shpejtësi "ngrohja globale", ndërsa numri i tufaneve dhe cunameve rritet dhe tërmetet gjithnjë e më shpesh bëjnë kërdinë. Më shumë se i përbindshëm, ky rrezik është i paimagjinueshëm për ne dhe është vetë rastësia. A mund të luftojë njeriu kundër kësaj rastësie të kobshme? Këtë nuk mund ta dimë. Arsyeja kryesore është që nuk e njohim deri ku mund të shkojë zemërimi i madh i natyrës ndaj njerëzimit, por njohim kufirin e aftësive tona, s'na mbetet veç të presim, të durojmë dhe të shpresojmë. Sot na jepet mundësia të krahasojmë gjëmat e sotme me katastrofat historike të së shkuarës, për të krijuar një listë me më të këqijat dhe më vrasëset mes tyre. Në bërjen e kësaj liste janë marrë parasysh: Humbja e një jete mund të jetë ana më dramatike e një ngjarjeje të pa përjetuar më parë. Rasti i ciklonit befasues dhe shkatërrues "Nargis" në Mianmar, kurse dëmet materiale dhe kostoja rrënuese ekonomike në përgjithësi mund të jetë zhvillimi më i rëndësishëm krahasuar me një tjetër, si në rastin e tufanit "Antriu" në vitin 1992. Popullsia e botës u rrit në mënyrë dramatike shekullin e kaluar dhe një përqindje jo e vogël e saj jeton në vija të rrezikshme gjeofizike, që do të thotë se gjëmat shkatërruese të natyrës, stuhitë dhe cunamet, mund të vrasin më shumë njerëz sot nga ç'kanë vrarë në të kaluarën. Përshkrimet e ngjarjeve shkatërruese të së kaluarës janë më pak të sakta krahasuar me të sotmet. Duke patur parasysh të gjitha këto, do mund të prezantonim disa nga katastrofat më të mëdha të të gjitha kohëve, në një radhitje të kundërt kohe, pa krahasuar shkallën e fatkeqësisë njerëzore mes tyre. -Maj 2008 - Numri i të vdekurve që la pas cikloni "Nargis" mbetet ende i paqartë, por supozohet të ketë kaluar realisht shifrën 100.000. -2008 - Tërmeti i fundit në Kinë vret mbi 70.000 njerëz, ky numër mund të jetë shumë më tepër. -Tetor 2005 - Tërmeti prej 7.6 ballë i shkallës Rihter, vret mbi 40.000 njerëz në Pakistan. Katastrofa ishte kaq e madhe sepse tërmeti u regjistrua shumë afër sipërfaqes së tokës. -Gusht 2005 - Tajfuni "Katrina" vret mbi 1.800 njerëz dhe bëhet tajfuni më vrasës dhe më shkatërrues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më shumë se çdo katastrofë tjetër në Amerikë në dhjetëvjeçarët e fundit, tajfuni "Katrina" vazhdon të mundojë akoma dhe sot banorët në Neë Orleanit dhe shumë zona të tjera. -Dhjetor 2004 - Tërmeti prej 9.3 ballë të shkallës Rihter, në oqeanin Indian, që shkaktoi cunamin e tmerrshëm "Sumatras", vrau mbi 225.000 njerëz. Cunami goditi një zonë të tërë ndërkontinentale dhe vrau më shumë nga çdo katastrofë tjetër e kohës. -1992 Tajfuni "Antriu" vret 26 njerëz, por shkakton në të njëjtën kohë dëme të mëdha në pronat e banorëve, mbi 25 miliard euro, duke shënuar një nga dëmet më të mëdha ekonomikë të Shteteve të Bashkuara, prej fatkeqësive natyrore. -1985 Vullkani "Nevado del Ruiz" në Kolumbi shpërtheu dhe vrau 25.000 njerëz, shumica e të cilëve u bllokuan në lahar (masa të mëdha balte, llave dhe shkëmbinjsh). -1976 Tërmeti në qytetin Tangsan të Kinës, i madhësisë 8 ballë, vrau mijëra njerëz, me numrin e saktë të mbetur edhe sot i paqartë, që mund të jetë midis 250.000 dhe 600.000 sipas burimeve të ndryshme në atë kohë. Ky ishte tërmeti më vrasës i shekullit XX. -1931 Lumi i Verdhë në Kinë shpërthen dhe vret rreth 1.000.000 në 3.700.000 njerëz, vdekje të cilat u shkaktuan nga mbytjet, sëmundjet, uria dhe thatësira që pasoi. I njëjti lumë kishte shpërthyer në vitin 1887 dhe kishte sjellë pothuaj të njëjtat pasoja tragjike në vend. -1815 Vullkani "Tambora" në Indonezi shpërthen dhe 80.000 njerëz humbasin jetën për shkak të urisë pasuese. -1811 - Tre tërmete në Madritin e ri të Misurit, llogariten si disa nga goditjet më të fuqishme të natyrës në Shtetet e Bashkuara. Me madhësinë mbi 7.8 ballë të shkallës Rihter, këto tërmete u ndjenë fort deri në rrethinat e Bostonit. Nuk u shënuan dëme të mëdha, sepse popullsia në këtë zonë ishte ende e rrallë, por këto tërmete kanë provokuar historikisht një kujtim të trazuar mes amerikanëve që banojnë në këto zona, pasi ato kanë treguar se sa e frikshme dhe shkatërruese mund të jetë sot një zemërim i natyrës dhe deri ne ç'shkallë mund të arrijë sot niveli i katastrofave atje, me popullimin dhe superzhvillimin aktual. -1737 - Një ngjarje misterioze në Kalkuta të Indisë zhduku mbi 300.000 njerëz. Akoma dhe sot nuk është e qartë nëse aty ka ndodhur tërmet, tajfun apo diçka tjetër. -1556 - Një tërmet në rrethinat Saanxhi të Kinës, vret 850.000 njerëz. Askush nuk e di madhësinë e tërmetit. -1330-1352 "Vdekja e zezë" një epidemi e shkaktuar nga një mikrob "Yersinia pestis", vret rreth 75.000.000 njerëz, duke fshirë 30-60 përqind popullsinë e Evropës. -1138 Tërmet në qytetin Alepo të Sirisë, shkaktoi vdekjen e mbi 230.000 njerëzve. -1500 vjet para Krishtit, Ishulli Stroguli në Mesdhe shpërthen dhe një cunam i tmerrshëm tronditi qytetërimin Minoik të Mesdheut dhe shkaktoi dëme të mëdha njerëzore e materiale në atë kohë. Në vendin ku ndodhej ishulli Stroguli, sot gjendet ishulli i njohur grek Sandorini. Përgatiti KLARITA BAJRAKTARI
Home »
» Zemërimi i përbindshëm i natyrës





