Rritje e ëmbël dhe e ngadaltë për të gjithë? Një intervistë me Giuliano Amato - Mund të duket një diskutim i thatë lidhur me statistikat me të cilat masim rritjen ekonomike, por në të vërtetë është një diskutim politik shumë i rëndësishëm lidhur me prioritetet sociale për t'u paracaktuar. Për të shmangur ekuivoke, pikënisja duhet të jetë e qartë: PIL-i shërben, por problemi është se nuk mjafton. Debati lidhur me PIL-in nuk është i ri, por është sikur të ishte i tillë, për shkak se kriza financiare na ka shtyrë paksa të gjithë ne të rimendojmë problemin e raportit midis sasisë dhe cilësisë së rritjes. Në fakt, kriza e periudhës 2008-2009 na ka bërë të konstatojmë absurditetin në të cilën mund të arrihet me matje vetëm sasiore: për vite me radhë, numrat e financës kanë luftuar që ta fryjnë rritjen ekonomike, kur përpara syve të të gjithëve ishin në zhvillim në vende të ndryshme fenomene varfërimi të përhapura. Dhe sot gjërat vazhdojnë pakashumë në të njëjtën mënyrë. Ekonomia merret në numra, por jo në perceptimet e njerëzve. Për shembull, le të shikojmë Shtetet e Bashkuara: rigjallërim i madh i PIL-it në tremujorin e fundit të vitit 2009, por zemërim i madh i një klase të mesme e zënë me papunësinë. Ky sfazim ka shpërthyer pas vitesh vëmendjeje deri spazmodike ndaj PIL-it: të gjitha vendimet, të gjitha kurat, synonin që të rrisnin PIL-in, me një logjikë krejtësisht sasiore. Dhe e gjitha kjo në një kornizë, atë të Perëndimit të industrializuar, të cilën e quanim tashmë "shoqëri e mirëqenies". Me pak fjalë, përgatitej një kontradiktë e bukur. Është e qartë se një fenomen i kësaj natyre mund të verifikohet vetëm kur janë kaluar fazat e para të zhvillimit, ku ka vlerë vetëm rritja ekonomike sasiore: derikur të mungojnë kushtet materiale të zhvillimit, ku dominon varfëria, është evidente se është larg nga një "shoqëri e mirëqenies". Dhe nuk ka dyshim se për të pasur zhvillim është megjithatë e domosdoshme rritja, e matur kjo në terma sasiorë. Për të përdorur shembullin mjedisor: vetëm kur është ngritur rafineria e radhës, duke punësuar pothuajse të gjithë të papunët që më parë vërtiteshin nëpër fshatra, që fillohet të reflektohet mbi faktin se ajri që po thithim po na vret. Janë fenomene të mirënjohura. Sigurisht që nuk përbën rastësi fakti që "ndjekja e lumturisë" - përkrah rritjes ekonomike - figuron midis objektivave të fiksuara nga etërit themelues të Filadelfias. Etërit themelues nuk kishin në mendje treguesit cilësorë të mirëqënies dhe kjo shprehje e famshme lidhur me kërkimin e lumturisë shpesh është marrë me shumë shtrëngime. Për kushtetutën amerikane, politikat publike duhet të krijojnë kushtet për kërkimin individual të lumturisë. Por gjithsesi është një shprehje që na kujton se rritja dhe mirëqenia janë të paktën pjesërisht probleme të ndara. - Kur filluam ta harrojmë? Dhe të harrojmë se zhvillimi nuk mund të jetë vetëm akumulim sasior? E kemi zbuluar në lëkurën tonë prej disa dekadash, duke verifikuar se përtej një limiti të caktuar sasia ha vetveten. Kjo për shkak se gjeneron mosbalanca të pambështetshme në një botë që nuk mundet më në mënyrë egoiste të përdoren mekanizma nënzhvillimi. Në një situatë në të cilën (pothuajse) të gjithë zhvillohen, nëqoftëse rritja është vetëm sasiore, përfundon për ta shkatërruar mundësinë e progresit: ezaurohen lëndët djegëse me bazë fosile, keqësohet mjedisi, lind një konkurrencë dramatike për resurset parësore e kështu me radhë. Nga Adam Smith e këtej, dimë se zhvillimi është shtyrë nga kërkimi i fitimit. Financa shkon përtej këtyre ligjeve historike të ekonomisë, pasi nga vitet '90 e këtej, çmarkohet pothuajse krejtësisht nga ekonomia reale, duke u bërë burim pavarazish në rritje. Ja pse - përveç çështjes së lashtë të "kërkimit të lumturisë", si publike, ashtu dhe private - në termat e sotëm të tij diskutimi mbi limitet e treguesve vetëm sasiorë të rritjes ndizet pikërisht 20 vjet më parë, kur disa ekonomistë, të drejtuar nga Amartya Sen, hartojnë Human Development Index për Kombet e Bashkuara. Nuk bëhej fjalë thjesht për një zbatim shkencor të "parimit Woody Allen", sipas të cilit "nëqoftëse edhe të pasurit janë të trishtuar, imagjinoni të varfrit". Bëhej fjalë për të korrigjuar faktin që PIL-i nuk pasqyron shpërndarjen e pabarabartë, domethënë nuk thotë asgjë lidhur me shpërndarjen e pasurisë së prodhuar. Kështu, kushtet si shoqëri e pazhvilluar mund të zgjasin edhe në një ekonomi në të cilën PIL-i po rritet në mënyrë domethënëse. Kjo pikë qendrore e refleksionit të Sen sjellë në skenë pastaj të tjerë: njerëz që në ato shoqëri me pabarazi të fortë të ardhurash janë në shtresën më të ulët, atëherë çfarë mundësish kanë për të studiuar? Cilat janë qafat e shishes të mobilitetit social dhe si është i organizuar tregu i punës? Si janë të shpërndara infrastrukturat për të siguruar një nivel të përshtatshëm aksesi ndaj shërbimeve, por edhe mundësive? Në thelb: çfarë bëhet për të shmangur koncentrimin e varfërisë vetëm në një anë të shoqërisë? E gjitha kjo përkthehet në një seri treguesish të mirëqenies që ma pas kontribuojnë pikërisht tek Human Development Index. - Domethënë, pabarazia si çështje kryesore: është pikërisht hendeku midis më të varfërve dhe më të pasurve që mund ta minojë një sistem ekonomik të prirur vetëm nga rritja sasiore, duke e futur në qark të shkurtër vetë mekanizmin e rritjes? Jo vetëm kjo: është e rëndë që ekzistojnë hendeqe të mëdha midis të ardhurës më të lartë dhe asaj më të ulët, por është shumë më me rëndësi që njerëzit e bllokuar, si të thuash, në nivelin e të ardhurave më të ulëta të jenë të shumtë. Është kjo që përfundon për ta minuar shoqërinë. Domethënë, mungesa e mobilitetit për një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të një komuniteti. Në fakt, përtej limitesh të caktuar, e ardhura e ulët ndikon natyrisht mbi kërkesën e brendshme dhe minon zhvillimin e mundshëm. - Ama e gjitha kjo nuk nënkupton se mund ose duhet të lëmë prapa krahëve treguesit e vjetër të mbështetur mbi PIL-in e një vendi. Sigurisht, PIL-i vazhdon të shërbejë: përkundrazi, mendoj se megjithatë duhet nisur nga PIL-i i vjetër. Treguesit cilësorë në disa raste janë shumë arbitrarë. Një shembull është treguesi relativ me cilësinë e arsimit, e matur rëndom mbi bazën e rezultateve të kuiceve të dhëna studentëve; por e dimë mirë se aftësia në përgjigjen e kuiceve është e lidhur me praktikën dhe sigurisht nuk pasqyron domosdoshmërisht performancën e studentëve dhe, për pasojë, cilësinë e mësimdhënies. Nëqoftëse, është një tregues i shkallës së specializimit të studentëve në përgjigjen e kuiceve. Ky rast është shembullor, pasi cilësia e arsimit nga ana e saj është pjesë përbërëse e treguesit sintetik që merr cilësinë e kapitalit njerëzor. Nga kjo perspektivë, ndoshta edhe të dhënat lidhur me vendin tonë, që figuron shumë poshtë në klasifikimet e sistemeve shkollore, mund të jetë refleksi i një arbitrariteti të caktuar të treguesve. Për t'u kthyer në çështjen më të përgjithshme, problemi është që treguesit cilësorë shpesh nuk e kanë besueshmërinë e treguesve sasiorë. Pastaj kemi edhe një vëzhgim tjetër për të bërë në favor të PIL-it: tashmë jemi mësuar ta përdorim dhe kështu që ia njohim mirë edhe limitet dhe sipërfaqësinë. Le t'u bëjmë trajtimin konsideratave lidhur me PIL-in, masë që përmban fjalë për fjalë një tarim duke qenë një tregues bruto, siç e thotë vetë emri. Një bruto në të cilin pjesët e dhënies dhe pasjes që duhet të fshihen; në të cilën hyn gjithmonë administrata publike edhe kur bëhet fjalë për një peshë ndaj zhvillimit. Tashmë dimë që t'i vlerësojmë këto limite dhe mund ta ndajmë PIL-in. Treguesit cilësorë që janë shumë më kompleksë, të shumtë dhe jo të lehtë për t'u agreguar: mund të humbë fare mirë orientimi. Shumë varet pastaj nga vetë mënyra me të cilën janë sintetizuar treguesit. Le të marrim shembullin e treguesve të agreguar lidhur me cilësinë, të cilët vendosen në një shkallë nga 0 në 1, ama me limitin nga lart që nuk mund të rritet më tej: sipas kësaj, nëqoftëse një qytet që është në limitin maksimal e rrit më tej cilësinë e vet, ndërsa një tjetër i vendosur më poshtë e rrit në masë më të ulët, largësia midis tyre në fakt pakësohet. Konkluzion: nuk duhet të vihet mënjanë PIL-i, por mund të punojmë për ta integruar këtë tregues me shumë të tjerë. Për t'u shmangur kështu absurditete si ai sipas të cilit një katastrofë natyrore - le të përmendim këtu tërmetin në Haiti - lehtësisht mund të shfaqet në PIL si faktor rritës, pasi stimulon aktivitete ekonomike që më parë nuk ishin. Ka edhe një konsideratë tjetër për të bërë në mbrojtje të PIL-it: treguesit cilësorë mund të bëhen një alibi komode për vendet që nuk arrijnë të prodhojnë rritje. Me pak fjalë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos biem në tundimin e të imagjinuarit se shijimi i një dite të bukur me diell në breg të një deti të shkëlqyer është në vetvete një faktor cilësie të lartë jetese. Ose që koha e lirë - e them për ta ekstremizuar argumentin - është në vetvete një opsion më i mirë se një punë që në atë pikë, përballë një panorame të mrekullueshme, "fatkeqësisht" nuk është. Së fundi: nuk është e qartë sesi treguesit cilësorë të bëhen të menaxhueshëm dhe të përdorshëm në planin praktik, jo vetëm në prizëm interpretues, po thonim më parë, por edhe si përshkrues. Domethënë, duhet të nxjerrim benchmark që t'i orientojnë realisht politikat. Pëndryshe, treguesit cilësorë mund të kënaqin vetëm një lloj shijesh prej voyeur të zhvillimit të krahasuar, duke gjeneruar vetëkënaqësi apo frustrime, por gjithsesi duke mos kontribuar të gjenerohen politika të dobishme. - Ai që ju e keni quajtur një tundim paradoksal, duket si përshkrimi i një sindrome krejtësisht evropiane, e rënduar nga dinamikat brezore që plakin popullsinë. Sa rëndojnë komponentet kulturore apo deri psikologjike? Nëqoftëse Europa rritet pak kjo ndodh prej problemeve strukturore apo prej një heqje dorë nga gara e mundimshme e rritjes? Faktorët psikologjikë vlejnë, por si rezultat dekadash rritjeje: pjesërisht Europa ka ndaluar, sepse niveli mesatar i zhvillimit praktikisht është shumë i lartë dhe është zvjerdhur dëshira për të shtyrë të kalohet më tej. Dhe në fund arrijmë të mendojmë se cilësia jonë e jetës është më e mirë jo vetëm se ajo e kinezëve, por edhe se ajo e amerikanëve, pikërisht pse punojmë më pak. Për të adoptuar një analogji tenistike, jemi paksa si numri një i tenisit botëror, Roger Federer: një kampion tashmë i velur që mund të fitojë, por edhe të humbasë ndaj kundërshtarësh të cilët shpesh kanë shumë më pak talent se ai, por kanë më shumë uri për sukses. Pa këtë shtytje të brendshme, është e vështirë të arrihet akoma të konkurrohet në nivel global. Kjo është arsyeja për të cilën besoj se në shoqëritë e "pjekura" duhet inkurajuar forma e veçantë e mobilitetit që është prodhuar nga imagjinata. Të mos harrojmë se shumë prej shtytjes që qëndron në bazën e rritjes sasiore të Shteteve të Bashkuara tradicionalisht vjen nga emigracioni: simboli i American dream është perimshitësja me tavolinë e saj në cepin e një rruge të New York, e mësuar për vite të tëra që të punojë fort, e cila një ditë vendos midis perimeve - me krenari - fotografinë e të birit që është diplomuar në Harvard. Ajo grua, e ardhur nga një vend tjetër, kishte shtytjen që i buronte nga një ide e saktë: që i biri mund t'i diplomohej në universitetin më të mirë të Shteteve të Bashkuara. Një fakt, që në vendlindjen e saj do të kish qenë i paimagjinueshëm. Por në qoftë se mendon se fëmijët e tu, në një mënyrë apo në një tjetër, studimet do t'i bëjnë dhe do t'ia hedhin, motivacioni nuk është më i njëjti. Kur flasim për plakje të një shoqërie nuk flasim vetëm për një fenomen demografik, sigurisht shumë i rëndësishëm në Europë. Flasim edhe për këtë shtytje të brendshme më të pakët, për një rënie të motivacioneve: fenomene që gjejnë si antidot futjen në shoqëritë e plakura të njerëzve që kanë akoma motivacionin e duhur. - Dakord, por kjo hyrje forcash të reja - të domosdoshme për rritjen sasiore - mund të gjenerojë një impakt negativ mbi disa prej atyre që i konsiderojmë tregues cilësorë. Atëherë, çfarë marrëdhënieje ekziston midis dy aspekteve dhe si e influencojnë ato njëri-tjetrin? Është një marrëdhënie jo dhe aq e qartë. Për shembull, Italia duket e mbështjellë nga një mister: treguesit tanë të konkurrencës nuk janë shumë brilantë, megjithatë jemi shumë më mirë të pozicionuar sipas treguesve të cilësisë së jetës. Kthehem në pikën time të mëparshme, sipas së cilës ka mundësi që treguesit cilësorë të përpunohen akoma, pasi përtej një limiti të caktuar kjo lidhje nuk është e besueshme. Duke thënë këtë, çështja më e rëndësishme është si vijon: do të ishte një dëm për të gjithë në qoftë se vendet që janë duke u zhvilluar sot ta bënin saktësisht me mënyrën që e kemi bërë ne, sidomos nga gjysma e dytë e Tetëqindës dhe me shpejtësi shumë më të madhe. "Saktësisht si ne" nënkupton përfshi nivelin tonë të pabarazive të brendshme dhe të konfliktit social, si dhe përfshi ekspozimin ndaj rreziqeve për shëndetin lidhur me aktivitetet e prodhimit, natyrisht përtej mosvëmendjes për mjedisin. Fatkeqësisht në pjesën më të madhe po ndodh. Për këtë arsye, është e rëndësishme që, pavarësisht limiteve të tij, një tregues si Human Development Index është adoptuar nga Kombet e Bashkuara - vendin në të cilin të gjithë megjithatë e njohin veten. Treguesi i Kombeve të Bashkuara mund të funksionojë në njëfarë kuptimi si benchmark i pranuar, edhe pse pastaj është e qartë se ekonomitë emergjente do të tentojnë që të duan t'i mbajnë duart e lira për të ndjekur rrugëtimin që Perëndimi ka ndjekur tashmë në të kaluarën. Megjithatë, një vëmendje e caktuar për aspektet cilësore po fillon që të maturohet edhe në Kinë. Domethënë, ekziston shpresa për t'i kursyer pjesës tjetër të botës ashpërsitë e zhvillimit vetëm sasior, me plagët që vetëm ne kemi shkaktuar. Është sidomos për këtë arsye që debati lidhur me zhvillimin cilësor fillon të bëhet kaq i rëndësishëm. - Le të kërkojmë që të sqarojmë më mirë: modeli që duhet të ofrojë tashmë Perëndimi është një lloj rreptësie e madhe? Domethënë rritje e "ëmbël" - e ngadaltë - për të gjithë? Jo, nuk më duket realiste. Të arsyetosh lidhur me treguesit cilësorë nuk nënkupton që të imagjinosh një derritje të përgjithësuar. Në realitet, ne mbështetemi mbi efikasitetin dhe mbi zhvillimin e teknologjive të reja për të përballuar problemin mjedisor; jo mbi një ndryshim radikal të stileve të jetesës. Teza e "derritjes" mund të jetë maksimumi një provokim intelektual. Ralf Dahrendorf thoshte se duhej të ktheheshin në konsumet e viteve '70, por nuk e konsideronte dhe aq një zgjedhje sesa rezultatin e mundshëm të një depresioni të madh të ri, skenar që pastaj nuk është verifikuar. Për sa u përket vendeve me zhvillim të ri, pjesërisht do të absorbojnë të njëjtat teknologji tonat, pjesërisht do t'i prodhojnë. Është simptomatik e asaj se ku po shkon konkurrenca globale fakti që Kina synon të bëhet një prej liderëve botërorë në prodhimin e teknologjive për energjinë e rinovueshme. Domethënë, nuk do të jetë aftësia jonë bindëse që do të bëjë diferencën, por në të vërtetë fakti që zhvillimi i vendeve emergjente do të prekë edhe teknologjitë që përmirësojnë cilësinë e jetës, përfshi cilësinë e mjedisit. - Një aspekt specifik që del falë treguesve cilësorë është puna e grave dhe vetë cilësia e jetës së tyre. Cilësia e jetës së grave varet edhe ose kryesisht nga faktorë kulturorë, që sigurisht janë pjesë e zhvillimit. Për ta bërë pyetjen në një mënyrë paksa brutale, nuk ekzistojnë në këtë rast zgjidhje teknologjike, që i bëjnë gratë të "rinovueshme" apo më rezistente ndaj lodhjes dhe llogaritja e orëve të punës natyrisht që duhet të përfshijë orët jo të pagura (sidomos kujdesi për të tjerët dhe shtëpinë), me një sasi të madhe që për gratë është burim trishtueshmërie dhe stresi. Defekti është që trishtueshmëria ose lumturia e pakët e grave nuk mund të trajtohet si një lloj "emetimi helmues" në atmosferë: kështu, besoj se problemi meriton një vëmendje specifike, pasi nuk shfaqet vetë. Të mos harrojmë që treguesit cilësorë lidhen në njëfarë mënyre me ndjekjen e lumturisë dhe një zonë trishtueshmëria përfundon gjithsesi për t'u derdhur mbi shoqërinë në tërësinë e saj. Duke filluar, për familjet e sotme, nga fëmijët. Pikërisht familja është tashmë në qendrën e analizave të vetë ekonomistëve, për shembull me treguesit që kanë të bëjnë me të ardhurën e familjeve; por, në të njëjtën kohë, ekziston ndjesia se familja tradicionale nuk ekziston më. - Kemi folur për shoqëritë e Europës së plakur. Në rastin e Shteteve të Bashkuara, "trade off" midis rritjes së shpejtë dhe kohezionit social vazhdon që të paraqitet në mënyrë të ndryshme. Në thelb, e konfirmojnë vështirësitë e reformës shëndetësore. Mbetet një diferencë e thellë perspektive midis dy anëve të Atlantikut: kohezioni social, ashtu siç e kuptojmë ne europianët, implikon "prezantime" të sektorit publik që garantojnë nivele të pranueshme barazie. Kurse në Shtetet e Bashkuara barazia lind nga garancia e të drejtave të pronësisë. Në vizioni jeffersonian, është pronësia ajo që i mundëson gjithsekujt të jetë i pavarur nga tjetri dhe të plotësojë kështu nevojat e veta dhe të familjes. Nuk është rastësi që pikërisht në këtë vend ka qenë i mundur një sistem që u ka mundësuar të blejnë shtëpi atyre që nuk kishin absolutisht paratë për t'i blerë. Në mënyrë të kundërt, në Europë u besojmë prezantimeve publike dhe eventualisht shpronësimeve për të përhapur barazinë dhe shumë më pak mendojmë ndaj pronësisë. Vështirësitë që ka hasur Obama me reformën e sistemit shëndetësor janë shembullore: me të drejtë, Obama synon që të shmangë një pabarazi shumë të rëndë trajtimi midis sketorëve të ndryshëm të popullsisë amerikane. Megjithatë, ka mjaftuar që kjo të identifikohej si një prezantim publik për të shkaktuar akuzat për socializëm - sipas sondazheve, deri nga një mazhorancë përfituesish nga Medicare, të cilët përfitojnë pikërisht nga një program publik tjetër. Obama arsyeton saktësisht në termat e kohezionit kombëtar kur ndjek një objektiv që të gjithë amerikanët, për arsye logjike, do të duhej ta pranonin. Por ndeshet me faktin që në traditën amerikane nuk promovohet barazia duke ndihmuar që të ndodhet poshtë në shkallën sociale, por duke dënuar peshkaqenët që shfrytëzojnë peshqit e vegjël. I vogli (kundër të mëdhenjve) është një protagonist i politikës amerikane: është në emër të tij që lind antitrusti, në ruajtje të forcave të tregut dhe është në emërin e mbrojtjes së të vegjëlve dhe të një klase të mesme të varfëruar, që Obama sot kërkon të ndëshkojë teprimet e financës. Në analizë të fundit: në konceptimin evropian, kohezioni social i besohet në masë të madhe prezantimeve publike. Në konceptimin amerikan, roli i politikës është që të garantojë kushtet (parasëgjithash të drejtat e pronësisë) në bazë të të cilave secili është në gjendje të "kujdeset për veten", por edhe të ndjekë lumturinë. Përgatiti ARMIN TIRANA
Home »
» Lidhja midis rritjes ekonomike dhe lumturisë





