Untitled

Organizata thekson se të gjithë besimtarët janë të detyruar të bëhen shenjtorë dhe se jeta e rëndomtë është një shteg që të shpie në shenjtëri

 

Si mund të hysh në organizatën Opus Dei

 

Opus Dei (lat. "Vepra e Perëndisë") apo me emrin e plotë Praelatura Sanctae Crucis et Opus Dei (Prelatura e Kryqit të Shenjtë dhe Veprës së Perëndisë) është një organizatë konservative e kishës katolike romake, parimi i saj i kryesor i së cilës, sipas themeluesit të saj, është përhapja kudo e një jete të vetdijshme të thirrjes së përgjithshme në shenjtëri dhe në apostullimin e jetës së përditshme, në mënyrë të veçantë në ushtrimin e punës profesionale dhe mbi një praktikim të jetës së frymëzuar nga një shpirt i vazhdueshëm vdekësimi.

Pra, me pak fjalë, organizata thekson se të gjithë besimtarët janë të detyruar të bëhen shenjtorë dhe se jeta e rëndomtë është një shteg që të shpie në shenjtëri. Pjesa më e madhe e organizatës prej rreth 87.000 anëtarësh të të dyja gjinive janë njerëz të thjeshtë që drejtohen nga një prelat i zgjedhur nga një mbledhje e përgjithshme e pranuar nga Papa.

U themelua nga kleriku i lartë spanjoll Monsinjor Hose Maria Eskriva de Balaguer, në vitin 1928 dhe në terma politikë mund të përkufizohet si skaji i djathtë i kishës katolike, pozicionim që i ka krijuar sa miq, aq edhe armiq. Organizata u miratua në vitin 1950 nga Papa Pius XII. Mes anëtarëve të saj, përqindja e priftërinjve është shumë e ulët dhe ekziston prirja e fortë që të tërhiqen në Opus Dei eksponentët laikë më në zë të të gjitha fushave të jetës e të shkencës. Menjëherë pas themelimit, ideali i gjetjes së shenjtërisë te jeta e përditshme, tërhoqi një numër të konsiderueshëm njerëzish, të kategorive shoqërore e profesioneve të ndryshme, por mbi të gjitha të shtresave të ngritura, njerëz që mbulonin funksione të rëndësishme në botën e industrisë e të financës, të vendosur të dëshmonin përkushtimin total ndaj besimit, por pa u shkëputur nga jeta e përditshme (një koncept që gjendet mes formave të shprehjes së besimit të Vatikanit). Që nga dalja në skenë në vitin 1928, "Vepra e Zotit" (kështu përkthehet nga latinishtja) ia doli të grumbullonte pasuri përrallore (shifra zyrtare vërtitet te 2.8 miliardë dollarë, por për skeptikët kjo është vetëm maja e ajsbergut).

Madje mbuloi edhe një pjesë të mirë (30%) të shpenzimeve të Vatikanit pas rrënimit financiar që pësoi kisha katolike për shkak të skandalit bankar të viteve '80. Monsinjor Josemaria Escriva ishte i gatshëm të ofronte shumë më tepër para, aq sa të merrte përsipër pjesën më të madhe të shpenzimeve që duheshin për të anashkaluar krizën. Por këtë e kërkonte në këmbim të dhënies nga ana e Papës të prelaturës personale, një status i veçantë që e lë jashtë hierarkisë së kishës katolike. Një gjë e tillë nuk iu lejua nga Papa Pali VI, i cili kishte mjaft rezerva mbi organizatën dhe mbi themeluesin e saj Monsinjor Hose Maria Eskriva, duke e refuzuar me shumë mirësjellje ofertën.

Me Papën Gjon Pali II organizata njohu edhe shkëlqimin më të madh. Një prej veprimeve të para që kreu pas zgjedhjes ishte vizita në varrin e Monsinjor Hose Maria Eskriva. Më pas i lejoi marrjen e statusit të prelaturës personale, gjë që do të thoshte se Opus Dei mund të anashkalonte çdo lloj shkalle hierarkike kishtare, duke u përgjigjur vetëm përpara Papës e Zotit. Për shumë nga kritikët brenda Vatikanit, dhënia e këtij statusi në fund rezultoi veprim që iu kthye kundër vetë kishës katolike, duke qenë se që nga viti 1982 nuk është më nën juridiksionin e strukturës botërore të peshkopatës.

 

Por, si duhet vepruar për të hyrë në Opus Dei?

"Secili duhet ta zbulojë këtë thirrje personale, që nuk e merr në mënyrë mistike, por përmes njohjes, ndihmës, veprimtarive apostolike, leximit dhe thellimit në shkrimet e shenjtit Hose Maria si dhe përmes lidhjeve të miqësisë personale. Është diçka që fiton pjekurinë e vet në shpirtin, në ndërgjegjen e secilit. Nuk është thjeshtë çështje anëtarësimi, siç mund të bëhet në një klub ose shoqatë. Themeluesi u thoshte me shaka, posaçërisht të rinjve, se siguria e thirrjes nuk fitohet sepse zbret një engjëll, shkul një pendë nga flatrat e veta e me të shkruan aktin, i cili vërteton se një njeri ka thirrje. Thirrjen mund ta zbulosh vetëm përmes lutjes!". Po të flasim në përgjithësi, duke rrumbullosur shifrat e viteve të fundit, besimtarët e Prelaturës janë 84 mijë, në të cilët përfshihen edhe 1. 800 meshtarë. Numri i grave është i barabartë me atë të burrave. Në Evropë jetojnë rreth 49 mijë besimtarë; në Amerikë - 29 mijë; në Afrikë - 1. 600 besimtarë; në Azi e Oqeani 4.700. Shumica e besimtarëve janë të martuar, jetojnë në familje, ndërsa të tjerët i kushtohen veprimtarive të Prelaturës me kushtin e çelibatit apostolik.

 

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Posted via email from Shkupi Press extra