Superyje me vese të këqija

Të balanconte famën e papritur që e mbështolli dhe në të njëjtën kohë të mbante këmbët e ngulura thellë në tokë dhe në realitet duket se ishin gjëra shumë të vështira për një vajzë që adhuron festat dhe jetën e shthurur


Lindsay Lohan shthuret ngadalë

Lindsay Lohan u katapultua në botën e kinamatogafisë në fillim të mijëvjeçarit me filma si "Freaky Friday" dhe "Mean Girls". Por, teksa ylli i ri i filmit hynte në të njëzetat e saj, filluan të shfaqeshin lëkundje në imazhin e saj publik. Të balanconte famën e papritur që e mbështolli dhe në të njëjtën kohë të mbante këmbët e ngulura thellë në tokë dhe në realitet duket se ishin gjëra shumë të vështira për një vajzë që adhuron festat dhe jetën e shthurur. Lohan u arrestua dy herë gjatë vitit 2007 nën akuzën e drejtimit të automjetit nën efektin e drogës dhe alkoolit. Më 20 shtator, një gjyqtar i Beverly Hillsit e tërhoqi lirinë e saj me kusht dhe vendosi një dënim për të pasi kishte dështuar në testin e drogës. "Fatkeqësisht dështova në testin e drogës dhe nëse më kërkojnë jam gati të dal përpara gjykatës", tha Lohan javën e kaluar. Superylli duket më e pezmantuar se kurrë pasi ka përpara edhe 30 ditë të tjera burg.

Paris Hilton vazhdon

Paris Hilton, fëmija i llastuar është dënuar me një vit lirim me kusht pasi është paraqitur para një gjykate në Las vegas. Trashëgimtarja e pasurisë Hilton ka patur precedentë të shumtë duke përfshirë këtu edhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur në vitin 2006. Disa muaj më pas u arrestua tre herë pasi drejtonte makinën e saj me patentë të bllokuar dhe u dënua me 20 ditë burg në korrik të vitit 2007. Ylli i filmit "Simple Life" duket se është shumë e zonja për ta bërë jetën e saj aspak të lehtë.

Jim Morrison, i ekspozuar (ndoshta)

Jim Morrison dhe ligji nuk shkonin shumë mirë bashkë. Në dhjetor të vitit 1967, ylli i grupit "Doors" është arrestuar gjatë një koncerti për skena të turpshme në publik. Nëntë muaj më pas, në gusht të vitit 1968 ai është arrestuar për sjellje të pahijshme në avion. Por, arrestimi i tij më i famshëm është ai i marsit të vitit 1969 kur ai u ekspozua spontanisht nudo dhe stimuloi akte seksuale gjatë një koncerti në Miami. Megjithatë, asnjë dëshmitar okular nuk pranoi të dëshmonte dhe gjatë xhirimeve të koncertit nuk u shfaq asnjë pjesë e veprimeve të tij. Akuzat kundër yllit trasgresiv të muzikës rock u tërhoqën mbrapsht edhe pse reagimet e ashpra publike e bënë të vështirë performimin e tyre drejt për së drejti për një periudhë kohe. Në vitin 1971, pijedashësi dhe abuzuesi i drogës Morrison, vdiq nga një atak në zemër në Paris.

Mel Gibson

Në korrik të vitit 2006 Mel Gibson u arrestua për drejtim makine në gjendje të dehur. Muajin tjetër ai nuk pranoi asnjë nga fajet e tij. Ai u gjobit, u dënua me tre vjet lirim me kusht dhe u detyrua të merrte pjesë në një program 12-mujor për alkoolizëm. Megjithatë, historia më e bujshme ishte ajo e deklaratave anti-semitike që Gibson bëri publike pasi u arrestua. Sipas raportit të policisë që u botua shumë shpejt në revistën "Time", egërsia e Gibsonit përfshinte fjali si: "Çifutët janë përgjegjës për të gjitha luftat e botës". Më pas kërkoi falje, por edhe këtë vit ka pushtuar faqet e para të gazetave me lajme të tilla.

James Brown tërbohet

Kumbari i muzikës soul ka patur mosmarrëveshje të vazhdueshme me drejtësinë për veprimtari gangstere. Brown ka filluar që në moshë të herët duke u arrestuar në moshën 16-vjeçare pasi bashkë me një grup shokësh u kapën duke vjedhur makina. Duke vazhduar aktivitetin e tij si mjeshtër i krimit, më pas u arrestua në maj të vitit 1998 pasi u kap me drogë dhe armë pa leje. Tre muaj më vonë u arrestua përsëri si pasojë e një ndjekjeje me makinë përgjatë dy shteteve që përfundoi me policinë që i gjuante nga larg kamionit të tij. Së fundmi, në vitin 2004 u arrestua përsëri për dhunë familjare.

Robert Mitchum në burg

Vetëm disa vjet pasi u nominua për çmim Oscar për rolin e tij dytësor në filmin "The Story of G.I. Joe", Robert Mitchum u arresta dhe u dënua për mbajtje të marijuanës. Revista "Time" raportoi skandalin që rrethonte aktorin e kinemasë në vitin 1948, së bashku me një përshkrim të marijuanës. Në vitin 1949 Mitchum u dënua me dy muaj burg dhe dy vjet lirim me kusht, gjë që dëshmoi përfundimisht natyrën rebele që mbante të fshehur.

Hugh Grant, aspak xhentellmen

"Çfarë dreqin po mendonit?". Kjo ishte pyetja e paharrueshme nga emisioni "Tonight Show" të drejtuar nga Jay Leno, kur Hugh Grant u paraqit në program në vitin 1995 pas arrestimit (në shoqërinë e një prostitute) për sjellje të turpshme në një vend publik. Grant ishte arrestuar dy javë para ditës që kishte planifikuar të shfaqej në emisionin e Leno. Megjithatë, taktika për të përdorur sinqeritetin mbi të gjitha e Grant, e ndihmoi mjaft për të rregulluar reputacionin e tij dhe për ta mbajtur karrierën në këmbë.

Marijuana e Macca-s

Në janar të vitit 1980, Paul McCartney fluturoi nga New Yorku për në Tokio për një tur 11-ditor së bashku me bandën e tij Wings. Ai vendosi të merrte me vete marijuhanë pasi ishte "tepër e mirë për t'u hedhur në plera" shpjegoi ai më vonë për revistën "Uncut" në vitin 2004. Pasi mbërriti në Tokio, zyrtarët japonezë e gjetën menjëherë substancën e jashtëligjshme. Turi u anullua dhe McCartney kaloi 10 ditë në një burg të Japonisë përpara se të kthehej. "Ishte budallallëku më i madh që kam bërë gjatë gjithë jetës time", tha ai më pas. Për këtë nuk jemi shumë të sigurtë, por në fakt edhe shkrimi i këngëve "Silly Love Songs" mund të konsiderohet i tillë. Në fakt, McCartney është arrestuar për drogë katër herë, dy herë në vitin 1972 dhe një herë tjetër në vitin 1984.

Boy George sillet në mënyrë të paedukatë

Ylli i popit i viteve '80 Boy George, është dënuar në fund të vitit 2008 pasi kishte burgosur pa të drejtë një shoqërues mashkull. Shoqëruesi Audun Carlsen, një model norvegjez tha se këngëtari, emri i vërtetë i të cilit është George O'Dowd, e kishte prangosur në një mur dhe e kishte rrahur me një zinxhir metali pasi kishin marrë pjesë të dy në një set fotografik nudo. Gjatë gjyqit prokurori iu referua një hiti të vitit 1982 me bandën Culture Club dhe pyeti jurinë me ironi "Duhet ta rrihte patjetër?". Juria e Londrës mbajti anën e Carlsen-it dhe ish-këngëtari u dënua me 15 muaj pas hekurave, por u lirua pas katër muajsh për sjellje të mirë.

Winona Ryder, skonto me 5 gishta

Aktorja e nominuar për çmime Oscar me filmat "Reality Bites" dhe "Beetlejuice", Winona Ryder shokoi të gjithë fansat e saj kur u arrestua në dhjetor të vitit 2001, pasi kishte vjedhur rroba me vlerën e mijëra dollarëve në Saks Fifth Avenue në Beverlly Hills. Sjellja e saj ishte tronditëse pasi jo vetëm që ka para të mjaftueshme për të blerë të gjithë dyqanin, por madje gjatë dëshmive në gjyq, punonjësit kishin rrëfyer se e kishin parë shumë herë të vidhte veshje në dyqan dhe nuk kishin thënë asgjë derisa vendosën t'i jepnin fund historisë. Asaj iu ngarkuan katër akuza ku përfshiheshin vjedhje, grabitje dhe vandalizëm pasi kishte thyer pajisjet e sigurisë që gjendeshin nëpër rroba. Edhe pse e deklaroi veten të pafajshme, në nëntor të vitit 2002 u dënua me 3 vite lirim me kusht dhe një gjobë prej 2.700 dollarësh.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Posted via email from Shkupi Press extra