Hendeku që po vihet re në radhët e “G-20”-s

Nga Javier Solana

 

Kriza financiare botërore ka shërbyer si një katalizator i shpejtë dhe efikas për G20-n. Tri samitet e para të kryetarëve të shtetit, në Washington, Londër dhe Pittsburgh, do të mbahen në mend për avancimin e multilateralizmit dhe aksioneve të koordinuara globale. Mirëpo, G20-a mbetet punë e pakryer – për të cilën do të duhej shumë punë për të pasur sukses, siç ka dëshmuar edhe samiti i kohëmëparshëm në Toronto.
Samiti i G20-s në Washington, më 2008, ishte i pari në të cilin kryetarët e shteteve anëtare u takuan që nga krijimi i grupit, më 1997. G8-a nuk ishte më mekanizëm i përshtatshëm për qeverisjen globale ekonomike, duke e pasur parasysh domosdoshmërinë për stabilizimin e tregjeve financiare nëpër botë. Zërat e shteteve si: Kina, India dhe Brazili duhej të dëgjoheshin, me qëllim që të arrihej një përgjigje e koordinuar ndaj krizës.
Derisa kriza financiare po përkeqësohej, samiti i Londrës, më 2009, përfundoi me arritjen e një marrëveshjeje për pako të paprecedent fiskale dhe monetare, të mbështetur me një rregullore më koherente dhe mbikëqyrëse në tërë botën. Në favor të G20-s shkoi samiti i Pittsburghut, gjatë të cilit ky grup u njoh si forumi kryesor për bashkëpunimin ndërkombëtar ekonomik.
Kjo njohje i rriti pritjet për G20-n dhe ia siguroi prestigjin që e meritoi: ky grup paraqet të vetmin forum në të cilin fuqitë botërore dhe shtetet në rritje ulen si të barabarta në të njëjtën tavolinë. Një gjë është e qartë dhe kjo krizë vetëm sa e ka përforcuar bindjen se ndërvarësia e shteteve është e pashmangshme. Përballë sfidave të sotme botërore, e vetmja përgjigje e mundshme duhet të jetë globale. Nuk ka alternativa të tjera të mundshme. Mirëpo, lloji i marrëveshjeve të arritura në samitin e Torontos, në qershor, i ka lënë liderët politikë me një shije të hidhur.
Dy të çara të qarta kanë dalë në pah si shkaqe të mospajtimeve. E para është mospajtimi transatlantik rreth asaj sesi të sigurohet më së miri kthimi drejt një rritjeje solide. SHBA-ja favorizon vazhdimin e stimulimit ekonomik, derisa Bashkimi Evropian preferon konsolidimin fiskal. Burim tjetër i mospajtimit është ai i tatimit mbi banka. SHBA-ja, BE-ja dhe Japonia janë në favor të një ideje të tillë, derisa shtetet në rritje, ashtu si edhe Kanadaja e Australia, janë kundër.
Derisa marrëveshja është arritur (2013-a është përcaktuar si vit për uljen e deficitit buxhetor deri në gjysmë; 2016-a për stabilizimin e borxhit të shteteve), konsensusi nuk po shkon në drejtimin e duhur. Nuk është kjo çështje e stimulimit në raport me deficitin. Që të dyja janë të nevojshme. Madje edhe nëse respektohet origjinaliteti i secilit kontekst, ekziston hapësira për precizitet më të madh në marrëveshje. E njëjta mund të thuhet për transparencë, llogaridhënie dhe rregullim të tatimeve bankare. E di shumë mirë se kjo nuk është detyrë e lehtë, mirëpo është tejet e rëndësishme që liderët botërorë – e jo tregjet – t’i udhëheqin reformat.
Gjithashtu, një zakon që është përsëritur duhet të ndryshohet. Është e qartë se të mbash një samit të G8-s para një samiti të G20-s, siç ka ndodhur në muajin qershor në Kanada, thjesht shërben për të prolonguar riparimin e klubeve të ndara, gjë që do të ishte e papërshtatshme. Roli i G20-s duhet të rritet për nga rëndësia, duke marrë hise të bruto prodhimit të brendshëm të vendeve në shpërthim – i projektuar të arrijë në 60 për qind deri më 2030 – dhe të ketë përgjegjësi për natyrën e sfidave të shekullit të njëzetenjëtë. Nëse duam të shënojmë progres në kapërcimin e problemeve të qeverisjes botërore, duhet të punojmë së bashku që t’ia dalim mbanë me këtë krizë ekonomike dhe në çështje të tjera themelore, siç është ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore.
Problemi është se, pavarësisht prej nevojës së qartë për multilateralizëm, ka një rrezik të një rikthimi në bilateralizëm, si pasojë e një mungese të një lidershipi botëror. Vëmendja e presidentit amerikan, Barack Obama, është përqendruar në çështje të rëndësisë së madhe, si Lindja e Mesme, strategjia evoluese në Afganistan dhe beteja me ekonominë amerikane. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për BE-në, ku vëmendja – dhe aksioni – në muajt e fundit janë fokusuar në mbrojtjen e euros dhe në zgjidhjen e problemeve ekonomike në periferinë e Bashkimit.
Në të njëjtën kohë, vendet në shpërthim po vazhdojnë forcimin e bilateralizmit dhe po lidhen me vende të tjera. Mungesa e një marrëveshjeje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për rezolutën kundër Iranit nuk ndihmon as koordinimin dhe as bashkëpunimin brenda G20-s. Samitet duhet të jenë mirë të përgatitura dhe të promovojnë një forum debati për çështjet më të mëdha të botës së sotme. Propozimet koherente dhe të definuara mirë do të prodhonin rezultate që do të ishin të pranueshme për të gjithë. Por sa është e rëndësishme vendimmarrja, po aq është edhe shpjegimi i tyre në mënyrën më të mirë. Një samit i G20-s nuk është diçka që ndodh çdo ditë. Është një ngjarje botërore. Veçanërisht në një kohë krize që ka shkaktuar kaq shumë vuajtje, vendimet e tij duhet t’i shpjegohen shumë mirë publikut dhe pa shumë kakofoni. Njerëzit janë të etur për këtë dhe kjo mungoi në Toronto. Bota vazhdon të mbetet në një fazë delikate transitore, dhe ende nuk është i qartë drejtimi që do të marrë G20-a. Sfida kryesore tani është vazhdimi i përdorimit të “gjeometrisë së 20-s” për të ndërtuar instrumentet e qeverisjes së botës. Edhe pse stuhia ekonomike tani është më pak turbulluese, ende nuk është fashitur. Pra, mbetet shumë për të bërë. Kur vendet po i rikthehen rritjes me shpejtësi të niveleve të ndryshme, strategjia botërore duhet të mbetet një prioritet.
Shkalla e ndërvarësisë mes vendeve po rritet dhe natyra botërore e problemeve tona është trashëguese. Brenda kornizës së multilateralizmit, vendet duhet të bëjnë përpjekje t’i zbusin dallimet e tyre dhe t’i thellojnë marrëdhëniet: duhet ta zaptojmë inercinë që na çon ne drejt mendimit të moçëm – dhe aleancave të vjetra.

(Autori ka qenë Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Ai është drejtues i Qendrës për ekonomi botërore dhe gjeopolitikë, ESADE. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”)

Posted via email from Shkupi Press extra