Disa muaj më parë isha i pranishëm në një “Talk show” të një televizioni të njohur egjiptian - al-Qahira al-Youm – që përqendrohet në ngjarjet që zënë vend në faqet e para të shtypit. Më bëri çudi njëra prej pyetjeve që m’u drejtua. Shtypi vendas ka të ngjarë që kishte përkthyer një artikull të gazetës “Washington Post” në lidhje me jetën private e shpirtërore të presidentit Barack Obama, si dhe këshillimet e tij të rregullta me ministrat kristianë. I shqetësuar nga kjo, drejtuesi i emisionit më kërkoi ta komentoja këtë artikull. E kuptova ku qendronte problemi. Gjatë presidencës së George W. Bush-it, brenda dhe jashtë vendit, shumëkush i bënte sytë katër ndaj besimit kristian të Bushit dhe rolit që luanin evangjelistët në politikën e jashtme të SHBA-së. Kjo i shkonte për shtat asaj pjese të arabëve që parapëlqenin të skiconin problemet e politikës së jashtme si një betejë mes Islamit dhe “kryqtarëve” dhe Obama u përngjante se po i rifreskonte këto nisma. “Foreign Policy”
Po a mundet vallë që Obama t’i përkasë besimit kristian evangjelist? Nuk ishte e vështirë të gjeje kleçkën e pyetjes së ngritur nga televizioni egjiptian, që theksonte se të gjithë presidentët amerikanë kishin patur dobi nga qenia e tyre si figura me përkatësi fetare, dhe, të ishe kristian në SHBA, nuk të ngjiste fjala në politikat e Lindjes së Mesme – ashtu siç ndodhi, ndoshta, me presidentin më fetar të shek.XX në SHBA, Jimmy Carter. Por fakti që kjo çështje po merrej në shqyrtim te mediat arabe ishte një tregues i rënies në kohë të popullaritetit në opinionin publik arab të një presidenti, i cili një vit më parë hapi zemrat dhe mendjet e shumë prej tyre. Madje, edhe përpara se të mbante në Kajro një fjalim historik për t’u mbajtur gjatë në kujtesë.
Kjo të sjell ndërmend faktin se sa shpesh debatet për politikën e jashtme amerikane prodhojnë mjegullnajë të dendur. Madje dhe midis atyre që nuk e kanë idenë se babai i Obamës është musliman, apo se fëmijëria e tij në vende më shumicë muslimane mbart rol përcaktues në politikat e tij në Lindjen e Mesme. Kështu, mund të shkohet deri atje sa shumë arabë e muslimanë të jenë fort të prirur ta vlerësojnë në bazë të këtyre rrethanave. Ashtu siç ndodh rëndom kur njerëzit shfaqen të ethshëm të përdorin çdo pjesëz informacioni për të vlerësuar këndvështrimin e një politikani udhëheqës, e në fund të fundit, cilido prej tyre mbetet në kërkim të zgjidhjes së çështjeve që i ngjallin interes. Historia vetjake e Obamës prodhoi fillimisht efekte pozitive për shumicën e arabëve dhe muslimanëve – si dhe efekte negative për izraelitët – por këto ishin thjesht tregues të mundshëm të politikës.
Nuk ka të dhëna të qarta se arabët e parapëlqenin Obamën thjesht e vetëm se ai ishte i tillë. Parapëlqimi vinte për shkak të zgjidhjeve që ai ofronte dhe jo për shkak të së shkuarës së tij. Gjatë fushatës elektorale në Maj të vitit 2008, unë shtrova një pyetje në lidhje me përqasjen publike të kandidatëve Obama, John McCain dhe Hillary Clinton, në një sondazh të kryer nga “Zogby International” në Egjipt, Arabi Saudite, Liban, Marok, Jordani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Cili mendoni se është personi më i përshtatshëm për të çuar më tej proçesin e paqes në Lindjen e Mesme”? Pa u befasuar aspak, McCain, - fushata e të cilit mbështetej te togfjalëshi “kërcënimi Islamo-Fashist” - vlerësohej me vetëm 3% të të pyeturve, Clinton me 13% dhe Obama me 18%(të cilët i ndan një përqindje që nuk shkon aq larg kufijve të gabimit të sondazhit). Shumica kishin në gojë një përgjigje tjetër: “Asnjëri prej tyre”. Kjo do të thotë se Obama nuk shihej si një “musliman i fshehtë”.
Në kohën kur Obama mbajti fjalimin e tij në Kairo në qershorin e vitit 2009, sondazhet tregonin për një mbështetje të gjerë të shprehur ndaj presidentit amerikan. Në Universitetin e Maryland-it, sondazhet e Zogby-t të kryera në muajt prill e maj të vitit 2009 tregonin se shumica e të pyeturve ndjeheshin shpresëmbarë ndaj pritshmërive të politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Të dyja rezultatet e sondazheve lidhen ngushtë me njera-tjetrën. Por ajo që nuk pikasën dot vëzhguesit e sondazhit ishte se sondazhi i parë ishtë në funksion të të dytit – dhe jo e anasjellta.
Natyrisht që kishte diçka se “gjithkush le të jetë, vetëm Bushi jo” në qendrimin e arabëve pas atyre viteve që Bushi identifikohej si udhëheqësi më i papëlqyer në botë në sondazhet e kryera me të pyeturit e gjashtë vendeve arabe. Zgjedhësit amerikanë mbetën të habitur nga zgjedhja e një presidenti afrikano-amerikan, diçka që jo vetëm shumë arabë, por edhe shumë njerëz kudo në botë nuk besonin se mund të ndodhte diçka e tillë. Sidoqoftë, më shumë se individi, gjithçka kishte të bënte me zgjidhjet që ai ofronte. Ata e mbështesnin politikën e Obamës në kundërshtimin e shprehur ndaj luftës në Irak dhe qëndrimin se do të tërhiqte trupat amerikane nga Iraku, kundërshtinë e hapur ndaj torturave të kryera në burgun e Guantanamos, ku ishin të shumtë ata që mendonin se pikërisht kjo u vinte pas midesë arabëve e muslimanëve. Atyre u pëlqente fort edhe pse ai e vinte theksin te rëndësia e çështjes arabo-izraelite. Në kundërshtim me logjikën praktike, arabët nuk i kishin dhënë Obamës mbështetje pa rezerva. Në sondazhet e pranverës së vitit 2009, një shumicë dërrmuese e atyre që kishin parapëlqyer Obamën tashmë “e pëlqenin disi”; ndërsa në Egjipt, një pjesë e konsiderueshme e të pyeturve ishin asnjanës ndaj figurës së tij. Në pyetjen vjetore: “Për cilin nga udhëheqësit botërore shprehni parapëlqimin tuaj”?...emri i Obamës nuk gjendej ndër më kryesorët. Kjo kishte lidhje me politikën, dhe, publiku nuk po ngutej për të dalë në përfundime.
Ashtu si edhe të gjithë popujt e botës, arabët shohin më mëdyshje gjithçka që i rrethon. Por ata shohin ngultazi nga Uashingtoni vetëm për disa çështje të veçanta. Për shumicën e arabëve, Amerika është një spirancë e rendit botëror që ata nuk e parapëlqejnë, në të gjithë shpërfaqjen e shenjave të autoritarizmit, të rënies së ndikimit të vendeve arabe, luftës në Irak, luftës kundër terrorizmit dhe stërzgjatjes së konfliktit izraelito-palestinez. Njëkohësisht, arabët nuk i rendisin njëlloj çështjet kur marrin në shqyrtim politikat amerikane. Dhe asnjera prej këtyre çështjeve nuk renditet më lart se konflikti izraelito-palestinez. Vërtet që nuk na hyjnë shumë në punë sondazhet për të kuptuar se si ka ndryshuar ‘gjendja e humorit’ në rajon në këto vitet e fundit, siç edhe shumë ekspertëve apo vizitorëve të huaj mund t’u ketë rënë diçka në vesh në lidhje me këtë çështje, ku më shqetësuesja mbetet ajo izraelito-palestineze. Sigurisht, në sondazhet e kryera nga UMD/Zogby në vitin 2010, 61% përqind të arabëve që dëshironin të përgjigjeshin u shprehën se mbeteshin të pakënaqur nga politikat e Obamës në Lindjen e Mesme. Qendrimet e Obamës ndaj Islamit dhe muslimanëve u vlerësuan si politikat më pozitive, por vetëm nga 20% e të pyeturve. Rezultati përfundimtar tregon një ndryshim të konsiderueshëm ndaj vlerësimit të Obamës, ku, nëse në vitin 2009 ishin 45% ata që e pëlqenin atë, në vitin 2010 janë vetëm 20% të tillë.
Home »
» Ç’ndodh kur arabët nisin ta rendisin Obamën tek lista e fondamentalistëve kristianë?