Komentet dhe analizat e Peter Priftit dallohen për forcën e argumentit dhe kthjellësinë e mendimeve
Nga Dalip Greca
![]() |
Prof.Peter Prifti dhe imzot Fan Noli, Andon Athanasi dhe Elias Mitchell |
Ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare në San Diego, Prof. Peter Prifti, i fundmi ndër bashkëpunëtorët e Nolit. Vdekja e Profesor Peter Prifti është një humbje jo vetëm për të afërmit dhe miqtë, por për të gjithë botën akademike shqiptare. Ai ishte ndër dishepujt e Nolit dhe një punëtor i palodhur dhe tepër i kualifikuar i çështjes kombëtare shqiptare. Shërbeu me shpirt e dije për kombin. Trashëgimia e tij studimore, letrare, gazetareske, përbëjnë pasuri kulturore dhe historike kombëtare.
Prof. Peter Prifti, është shprehur shpesh se ishte me fat që e njohu nga afër ikonën e kombit, Fan Nolin. Në kujtimet e veta ai shkruan: "Jam i lumtur që pata fatin e mirë ta njoh për së afërmi këtë intelektual gjigand, këtë luftëtar të paepur, këtë punëtor të palodhur, këtë burrë të madh të racës shqiptare. Ai është dhe do të jetë për mua shembull i patriotizmit të kulluar shqiptar, shembull i punës vetmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel më të lartë dhe për përparimin e gjithanshëm të popullit shqiptar".
Peter Prifti pati lindur në Rehovë të Kolonjës më 1925 dhe në moshën 15-vjeçare mori rrugën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në mars të 1940 u vendos në Filadelfia, ku jetonte babai i tij Rafaeli, që pati ardhur në SHBA më 1916 dhe vëllai Paul, që kishte ardhur dy vjet para Peter-it.
Peter-i përfundoi me rezultate shumë të mira shkollën e mesme më 1944 dhe po atë vit nisi studimet universitare në "Pensylvania State College", ku studioi shkenca politike, letërsi, gjuhësi, psikologji dhe histori. Më 1948 u diplomua në "Bachelor of Arts". Më 1955, Peter Prifti u diplomua "Master of Arts" në University of Pensylvania. Në vitin 1965, shkoi për studime në Paris. Ai thelloi njohuritë për gjuhën frënge në "L'Alliance Francaise". Në vitin 1958, Peter Prifti kishte marrë një ftesë nga "Vatra" për të punuar si redaktor i gazetës "Dielli". Ftesa i ishte bërë nga kryetari i "Vatrës", nacionalisti i njohur, Kristo Thanasi, ndërkohë që gazetën e drejton Qerim Panariti. Ky nuk ishte kontakt i atypëratyshëm me "Diellin" dhe "Vatrën"; Peter Prifti kishte qenë bashkëpunëtor i "Diellit" prej kohësh, edhe babai edhe vëllai Paul ishin vatranë. Ai e priti me kënaqësi ftesën edhe nga adhurimi që kishte për Nolin e madh, të cilin pati rastin ta vizitonte disa herë dhe ta intervistonte. Peter Prifti punoi pa u kursyer për "Diellin" dhe "Vatrën". Në arkiv gjendet letërkëmbimi i tij me vatranë dhe lexues të "Diellit", ku me korrektësi ai vlerësonte reagimet dhe kërkesat e lexuesve.
Editori i "Diellit" dhe sekretar i "Vatrës"
Peter Prifti fitoi vendin e editorit të gazetës "Dielli" në Kuvendin e vitit 1958. Në fakt pati një lloj konflikti në atë Kuvend për arsye se Qerim Panariti, që ia kishte propozuar dhe e kishte prezantuar me kryetarin e "Vatrës", Kristo Thanasi, në Kuvend duket se ndryshoi mendim, jo për Peter-in, por për vete. Ai kishte paralajmëruar para Kuvendit se kishte nevojë për një ndihmës dhe me sa dukej arsyeja ishte dalja në pension e gazetarit veteran që e drejtonte "Diellin" që nga viti 1944 dhe pagesa e pensionit e pengonte në marrjen e rrogës si editor. Por ç'kishte ndodhur? Ai kishte ndërruar mendje në çastet e fundit, pra do të vazhdonte vetë si editor dhe nuk e paraqiti kandidaturën e editorit në Kuvend. Natyrisht që, Peter Prifti nisi punën si editor dhe nga ai moment Panariti ishte Managing Editor. Konfliktin e sqaroi vetë Peter Prifti në shënimet dhe komentet për Kuvendin që i botoi me 28 tetor 1958 me shënimin: Peter R. Prifti, delegat i degës 28 në Philadelphia. Detyrën e editorit ai e vazhdoi edhe gjatë vitit 1959, por në prag të Kuvendit vjetor të "Vatrës", "Dielli" botonte njoftimin se kërkohej editor i ri. Edhe pse formalisht editori zgjidhej në çdo Kuvend, kuptohet se diçka kishte ndodhur. Duket se punët nuk shkuan vaj mes tyre nga që përfaqësonin breza të ndryshëm. Kohë më vonë është vetë Peter Prifti, që në kujtimet e veta zbardh të vërtetën: "Pas disa muajsh në zyrën e "Vatrës", Qerimi dhe unë ramë në konflikt të madh për një sërë çështjesh. Atëhere unë kërkova nga kryesia e "Vatrës" që të zgjidhte midis Qerimit dhe meje; përndryshe unë jepja dorëheqjen. Të alarmuar, zyrtarët e "Vatrës" iu drejtuan Nolit për të këshilluar me të. "T'i mbani që të dy!" i këshilloi Noli pa hezitim. Arsyetimi i Nolit ishte se, Qerimi dhe unë përfaqësonim dy breza të vatranëve, ai brezin e vjetër dhe unë të riun dhe kështu e mira ishte të punonim së bashku". Kompromisi u arrit, Peter Prifti dha dorëheqjen si editor, por pranoi të mbante detyrën e sekretarit të "Vatrës" për vitin 1960.
Gjatë kohës që ishte editor, ai shquhej për stilin e veçantë të të shkruarit, për temat që trajtonte dhe argumentet që përdorte në ndihmë të ideve që parashtronte.
Në bisedat që kam bërë me Prof. Peter Priftin, kam mësuar se ai ka ndjerë kënaqësi të veçantë për kaq kohë sa ka punuar si editor i "Diellit". Vlerësimet për punën e tij ruhen ende në arkivin e "Vatrës". Vlen që të citojmë një letër të 6 majit 1959, ku lexuesi H. G. Chorrushi me banim në Kokomo, Indiana, i shkruan jë letër: I nderuar z. editor, Peter R. Prifti! Ju përgëzoj për punën tuaj përhiruese me gazetën "Dielli".
"Dielli" na mësoi të shkruajmë emrin tonë; na mësoi patriotizmin, na mësoi të duam atdheun, na mësoi të luftojmë armiqtë e Shqipërisë me dollarët e Amerikës; "Vatra" dhe "Dielli" shpëtuan Shqipërinë nga barbarizmat greke, nga serbët dhe rebelët më 1914. Duhet thënë se, gazeta "Dielli" hodhi poshtë turqit dhe kaurrët dhe i bëri bashkë të gjithë shqiptarët.
Komentet dhe analizat e Peter Priftit dallohen për forcën e argumentit dhe kthjellësinë e mendimeve. Në gazetën e 8 tetorit 1958, ai shkruan editorialin: "Dilema e shqiptarëve të Amerikës-Të venë apo të mos venë në Shqipëri?" Është koha kur Washingtoni ka hapur dritën jeshile për shqiptarët e Amerikës që të shkojnë në Shqipëri, por ata ende nuk po vendosnin. Dhe ai paraqet dilemat për grupime të veçanta; për ata që kanë familjet atje, për grupimin politik që i druhen shkuarjes për arsye politike, për ata që i druhen sëmundjeve, për ata që i friken ndonjë lufte dhe mund të mbeten matanë etj. Gjithsesi ai në një editorial të mëparshëm nuk e kursen këshillën për të gjithë grupimet: Kujdes, mos shkoni në Shqipëri me mendësi amerikane dhe të mos harrojnë faktin se, Amerika nuk kishte përfaqësi diplomatike në Shqipëri! Në editorialin e 22 tetorit 1958, ai boton komentin për të ardhmen e Vatrës me titull "Vatra në udhëkryq". Pasi rendit faqet e arta të historisë që shkruan kolosët e saj Noli, Konica, Dako, Floqi, Chekrezi e të tjerë, analizon orientimin në kohët e reja, ku krahas brezit të vjetër, kërkonte përkujdesje për brezin e ri të lindur në SHBA, brez që nuk mund të jetonte me lavdinë e kohëve të shkuara. "Ka ardhur koha, shkruante Peter Prifti para 52 vitesh, që "Vatra" të marrë një udhë të re dhe të interesohet për brezin e ri dhe të ardhmen e tij në SHBA. Kjo nuk nënkuptonte harresë për brezin e vjetër. Një ide të tillë ai e shpallte absurde. Ai kërkon një brez të ri të integruar dhe të orientuar nga çështja shqiptare dhe këtë orientim duhej t'ia jepte "Vatra". Edhe si sekretar i Federatës "Vatra", Peter Prifti bëri punë të kualifikuar. Ai së bashku me Peter Vangel ishin organizatorë të seminarit të parë në SHBA për Studimet Shqiptare. Seminari vazhdoi për pesë mbrëmje radhazi 8-12 gusht 1960, dhe trajtoi tema mbi politikën, kulturën, historinë, muzikën dhe gjuhën shqipe. Në kohën kur ishte editor i "Diellit", Peter Prifti botoi në disa vazhdime dhe një dramë të tij me 3 akte "Për mbrojtjen e Atdheut". Në fakt, siç shkruan vetë, është dramatizim i librit të Foqon Postolit, botuar më 1921. Drama nisi të botohej nga nëntori i vitit 1958 deri në muajt e parë të vitit 1959. E kishte shkruar dramën në Baltimore, Meriland më 1957; një vit më vonë në Philadelphia e kishte përkthyer në anglisht.
Audiencë me Kryepeshkopin
Ruhet në koleksionet e "Diellit" një intervistë që editori i "Diellit" në vitet '58-59, Peter Prifti i pat marrë Nolit, që ato kohë jetonte vitet e fundit të pleqërisë në Kryekishën e Shën Gjergjit. Në fakt, Peter Prifti e ka emërtuar atë jo intervistë, por audiencë me Hirësinë e Tij, me Kryepeshkopin Mitropolit F. S. Noli. Atij i kishte bërë përshtypje të thellë përgjigja që i kishte dhënë Imzot Noli, njërës prej pyetjeve, që ai i kishte drejtuar: Imzot, cila është vepra juaj më e çmuar për Kombin? Ai i qe përgjigjur:-"Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920", sepse i dha fund copëzimit të trojeve shqiptare nga fqinjët! Natyrisht që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është merita e padiskutushme e Fan Nolit, falë ortatorisë dhe diplomacisë së tij, por kryeveprat e Nolit janë të shumta, pat menduar atëherë gazetari që e intervistonte. Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishte sponsorizimin e Federatës Panshqiptare "Vatra".
Audienca me kryepeshkopin është botuar në gazetën "Dielli" në numrin e 10 dhjetorit 1958. Po hyjmë në detajet e kësaj audience për faktin, se ajo jep saktësisht mprehtësinë e intervistuesit dhe padyshim admirimin që kishte ai për ikonën kombëtare Fan Noli.
Në tre paragrafet e para editori i "Diellit", Peter Prifti përshkruan takimin në rezidencën e kryepeshkopit: "E takuam në rezidencën e tij në rrugën "Blagden", një vend i mobiluar me modesti, ku ai ka punuar e ka jetuar për shumë vjet….Në studion e tij, syri sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndjehej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, Noli i tha:- Ata janë të gjithë miqtë e mi, unë mund të bisedoj me secilin prej tyre". Duke komunikuar me lexuesin e "Diellit", editori shkruan: Ishim të interesuar të dinim pikëpamjet e tij për tri çështje të lidhura me njëra-tjetrën: Nacionalizmi shqiptar, puna e tij krijuese dhe komuniteti shqiptar në Amerikë. Për çështjen e parë, kryepeshkopi tha se kish filluar të interesohej për nacionalizmin shqiptar në moshën dhjetë vjeç, kur lexoi përkthimin shqip të Dhjatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi dhe pamflete të tjera propagandistike shqiptare. Kopje falas të këtyre materialeve ishin shpërndarë me shumicë në fshatin e tij të lindjes, Ibrik Tepe në Turqi. Fitoren më të madhe në betejën e tij për çështjen shqiptare Imzot Noli, konsideron pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Trishtimi më i madh që ndjente ishte largimi nga Shqipëria më 1924.
Në vazhdën e punës për Shqipërinë, ai hyri në lidhje me shumë udhëheqës shqiptarë, veçanërisht me Faik Konicën. Opinionin e Tij për Konicën, Noli e ka dhënë në parathënien e librit "Shqipëria, Kopështi Shkëmbor në Evropën Juglindore", ku shkruan: "Konica mund të konsiderohet si krijues i prozës moderne shqiptare. Me këshillën dhe drejtimin e tij, unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allen Poes dhe Don Kishotin e Servantesit. Vlerësimi i lartë del në kontekst, ku Imzot Noli e quan veten nxënës të Faikut. Duke bërë fjalë për çështjen e dytë të audiencës; puna krijuese e Imzot Nolit, editori shkruan se ai ka punuar në shumë fusha; përfshirë historinë, fenë dhe muzikën.
Ishim kuriozë të dinim se cilat nga këto i interesonte më tepër, sepse kishim dëgjuar mendime të kundërta. Fakt është se feja është lënda e tij më e preferuar. "Jam marrë, tha Hirësia e Tij, me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës më 1908 dhe jam akoma njeri i Kishës pas 50 vjetësh". Aktualisht njerëzit që çmon më shumë, Hirësia, janë krijuesit e Kombit si George Washington dhe Skënderbeu dhe reformatorët e Kombit si Lincoln dhe Cromwell. Arsyeja, siç tha vetë, është se është përpjekur që të bëjë të njëjtën punë për Atdheun e tij.Kryepeshkopi ka përkthyer në gjuhën shqipe shumë klasikë të letërsisë dhe vepra të rëndësishme fetare. Vetë Noli tha: "E konsideroj versionin ritmik të Hymneve Bizantine përfshirë në vëllimin Kremtore si më të vështirin dhe më tërheqësin e përkthimeve të mia". Ç'mendon ai për muzikën moderne, poezinë, oratorinë dhe diplomacinë?
Përgjigja është se i interesojnë të dyja format e këtyre arteve, si modernia
ashtu edhe antikja, sepse sikurse Gëte ai është universal në shije. Për çështjen e tretë, Komunitetin shqiptaro-amerikan sot, ai ka besim tek e ardhmja e komunitetit, nëse do të ecim me kohën. Lidhur me punët e kishës ai ndjen nevojën e domosdoshme të amerikanizimit të Kishës Ortodokse. Alternativë për këtë, mendon ai, është vetëvrasja kishtare. Sipas mendimit të tij, sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë është sepse "politika e ngadaltë mund të çojë në humbjen e pariparueshme të brezit të ri, i cili nuk i kupton shërbesat në gjuhën shqipe. Ai nuk e llogarit rrezikun e grekofilisë ndaj kishës. Për këtë pikë, Kryepeshkopi thekson se "ne i kemi mundur ata për 50 vjetët e fundit dhe do t'i mundim edhe në të ardhmen". Editori shton: Ne pajtohemi me të!
Në gjurmët e misterit të jetëgjatësisë të "Vatrës" dhe "Diellit"
Peter Prifti mbeti vatran deri në çastet e fundit të jetës. Në numrin e prillit 2010 ne botuam letrën e fundit që ai i dërgoi z. Agim Karagjozi. Një letër plot konsiderata e fjalë të ëmbla, por shkrimi i shkruar më me dashuri për "Vatrën" dhe "Diellin" mbetet ai me titull "Misteri" i jetëgjatësisë së "Vatrës" dhe "Diellit". Ky artikull u botua në gazetën "Dielli" në numrin e Janar-shtator 1994. Artikulli të intrigon që hyrje të tij: "Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik"… "Vatra" dhe "Dielli" po i ngrysin ditët"… Sa herë vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto? Fjalë të tilla për "Vatrën" dhe "Diellin" janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, "Vatra" dhe "Dielli" janë gjallë edhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
…Stili i rrjedhshëm i artikullit të bëjnë për vete. Autori që e njeh mirë si "Vatrën" ashtu dhe "Diellin", sjell argumentet e jetëgjatësisë: Arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut "Vatra" për 12 vjet, që nga 1912-1924. Me punën e shkëlqyer "Vatra" rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronin as brezi i imigrantëve të parë, që e krijoi atë shoqatë, as brezat që e pasuan deri në ditët tona. "Dielli" u bë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë…Jeta e "Vatrës" është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për "Vatrën", shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe sikundër ai dëshiron të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron-ndofta pa e kuptuar edhe ai vetë-të rrojë dhe moshatarja e saj, "Vatra".
Sipas Peter Priftit, shqiptari e sheh "Vatrën" jo si një shoqatë e thjeshtë, por si një institut apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron mbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. "Dielli" për Peter Priftin është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati e gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë e deri tek imigrantët e fundit. Në mbyllje të artikullit-esse, Peter Prifti gjen dhe një arsye semantike-gjuhësore, që spjegon misterin e jetëgjatësisë të binomit "Vatra"-"Dielli": Fjala "Vatra" tingëllon bukur në vesh, pasi na sjell para syve imazhe të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu, fjala Diell na tërheq si një magnet, sepse "diell" do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. Përfundimi?- Nuk ka mister në jetëgjatësinë e "Vatrës" dhe të "Diellit", ata janë të lidhur ngushtë me jetën e shqiptarëve të Amerikës, ndaj kanë jetëgjatësi…
Vepra të Peter R. Priftit
- Socialist Albania since 1944(USA 1978)
- Confrontation in Kosova-The Albanian-Serb struggle, 1969-1999 (USA
1999)
- Remote Albania-the politics of isolation (Tiranë, 1st edition 1999;
2nd edition 2000)
- Gjuha është organizëm i gjallë (Shtëpia botuse Lilo-Tiranë 1995)
- Landof Albanians- Acrossroads of pain and pride (Tiranë 2002)
- Mozaik shqiptar (Publicistikë-Portrete-Studime-Recensione-Pjesë
teatrale)-Botoi Buzuku në Prishtinë 2003.
Me bashkëautorë
- Standard Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard (USA 1982)
- Spoken Albanian me L. Newmark, I Haznedari dhe F. Hubbard Vol
I-II-III, USA 1980)
- Readingsin Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard (USA 1979)