SHBA, aty ku lind politika e re

MoveOn dhe Tea Party, nga e majta në të djathtë, duan që të influencojnë jetën publike në Shtetet e Bashkuara. Ja çfarë mësojnë në shkollat e tyre për militantët

 

 

Më quajnë Mathew Simmons dhe iu falënderoj që keni sakrifikuar fundjavën tuaj. Do të përpiqemi të argëtohemi së bashku, duke demonstruar se si mund të funksionojë me të vërtetë demokracia. Për njëzetë minutat e para, le të njihemi.

Në tryezën time nisin njohjet: në të djathtë është Cindy, infermiere në një spital të San Jose "e shqetësuar për shkurtimin e shpenzimeve dhe përkeqësimin e shërbimit shëndetësor". Në të majtë është Shanty, inxhinier programesh kompjuterikë në Silicon Valley "i sapoardhur nga një protestë përpara zyrave të Google, që dëshiron ta transformojë internetin në një monopol". Jemi afro njëqind vetë brenda sallës së mbledhjeve të marrë me qira pranë Katedrales së Kishtit në Oakland, në Gjirin e San Franciscos. Jemi rikthyer në bankat e shkollës, por nuk është katekizëm. Eshtë një lloj i veçantë ushtrimi: këtu formohen militantët e Move On, organizata më e fuqishme e të majtës amerikane. Një lëvizje që për shkak të shtrirjes tek të rinjtë kontribuoi për zgjedhjen e Barak Obamës në vitin 2008; dhe që sot nuk heziton të kritikojë presidentin nëse tradhton premtimin e ndryshimit. Lindur 12 vjet më parë pikërisht në këtë Gji, Move On ka sot 5.1 milionë anëtarë: një mrekulli. Pikërisht brenda ingranazheve të Move On jam futur për një fundjavë. Për t'u regjistruar iu përgjigja ftesës që më erdhi me e mail: "Kemi demonstruar që dimë të bëjmë të pamundurën. Por demokracia amerikane është ende e sëmurë, kompanitë e mëdha kanë fuqinë ta rrënojnë. A doni të bashkoheni me ne për ta çliruar vendin nga pushtimi i lobingjeve? Ejani të ndërtoni talentin tuaj si organizator".

Ja tek jam, një të shtunë në tetë të mëngjesit në mes të shumë të panjohurve me të cilët do të mësoj "të përdor motivacionet e mi personalë për t'i transformuar në lëvizje, për t'i komunikuar, për të tërhequr të tjerët". Jemi kaviet e një eksperimenti të ri. Në dhjetëvjeçarin e parë të jetës, Move On ka bërë beteja të mëdha - kundër Bushit dhe luftave të tij, për të siguruar ligje më të përparuar mjedisorë apo të drejtën për asistencë shëndetësore për të gjithë - gjithmonë duke përdorur internetin. Është një forcë politike, bijë e teknologjive të reja, të cilat i ka shfrytëzuar në maksimum. Siç kujton koordinatori i vet, Ilyse Hogue "Move On është me të vërtetë e kontrolluar nga pjesëtarët e vet, ashtu si asnjë parti apo lëvizje politike në histori. Çdo javë bën një sondazh mes të regjistruarve dhe sondazhi vendos fushatat që duhet të bëhen. Gjithçka vendoset nga poshtë. Kështu i qëndrojmë besnikë misionit tonë: t'i zhvendosim njerëzit në qendër të politikës".

Një operacion shumë ambicioz, sepse prapa Move On nuk ka një padron, por as edhe një ideologji e vetme: janë një sërë vlerash të ndara si ambienti, barazia sociale, pacifizmi. Por tani Move On eksploron një tjetër dimension. Për herë të parë ndërton edhe një organizim territorial në të gjithë qytetet e mëdhenj të Amerikës. Ruan një strukturë shumë të aftë (vetëm 30 të punësuar me kohë të plotë dhe një duzinë konsulentësh të jashtëm për teknologjitë) vazhdon të komunikojë në internet me 5 milionë anëtarët. Por tani ka edhe 110 këshilla territorialë, 25 000 militantë që takohen në vende "fizikë".

"Arsyeja - shpjegon një prej themeluesve, Eli Parser - është se duam që të ndjekim politikanët tanë edhe në kolegjet e tyre elektoralë, përpara zyrave të tyre. Dhe në të djathtë, Tea Party, na ka mësuar se po të zësh sheshet me disa mijëra manifestues përfundon në të gjithë gazetat".

Kësaj i shërben seminari i Oakland. Formimit të militantëve të rinj. Që në fakt janë fizikisht të ndryshëm nga sa e imagjinoj bazën prej nga buron Move On: këtu jam i rrethuar nga njerëz të të gjithë moshave, nuk mungojnë flokëbardhët. Nuk ka më vetëm studentë dhe "profesione dixhitalë", por edhe shumë pjesëtarë të klasës së mesme: mësues, profesionistë, ndonjë shtëpiake dhe pensionistë.

Në leksionin e demokracisë nga poshtë dita fillon me një sondazh mes nesh: "Çfarë rregullash loje duam?" Prej këtu dalin komandamentet që ne vetë i duam: "Të detyrueshme ndërhyrjet e shkurtra, kush merr fjalën nuk mund të flasë më shumë se tre minuta. E ndaluar të ngrihet zëri. I duhet kushtuar e gjithë vëmendja bashkëbiseduesit, edhe kur nuk je dakord. Duhet t'i përmbahemi temës. Duhet të ndihmohen ata që kanë vështirësi të flasin në publik. I duhet drejtuar të gjithëve, jo vetëm atyre që mendojnë si ty. Respekt për bashkëbiseduesin. Shihe tjetrin në sy. Mos ndërpre askënd".

Demokracia nga poshtë merret seriozisht. Koordinatori ynë, Mathew Simmons është i pari që e pëson. Pjesëmarrësit e bombardojnë, duan të dinë gjithçka për Move On: "Kush i përzgjedh fushatat e momentit, kush i shkruan e mailet, kush i zgjedh sloganet për reklamat në televizione apo në gazeta".

Përgjigjja: pasi kanë testuar pjesëtarët, një grup ekspertësh komunikimi punon me mesazhet nën udhëheqjen e një linguisti të njohur, George Lakoff. Vjen radha jonë, për t'iu përgjigjur pyetjeve të tjera. Sa prej nesh njohin personalisht një person që sapo ka humbur vendin e punës? Cili prej nesh ka probleme me pagesën e këstit të kredisë së shtëpisë? A është ndonjëri pa siguracion shëndetësor? Sa prej nesh shkojnë rregullisht në kishë?

Ushtrimi e ka një objektiv: "Duhet të kuptojmë se cilit komunitet problemesh i përkasim, të gjejmë pikat që mund të na lidhin me të tjerët". Për këtë, e rëndësishme është të dish të dëgjosh. Vazhdon kjo detyrë: "Të mësojmë të ndërtojmë një narrativë për vetveten. Të përshkruajmë një problem që na shqetëson, zgjidhjen e tij dhe ta bëjmë këtë në një mënyrë që i apasionon të tjerët: fqinjët e shtëpisë, kolegët në punë". Studiojmë një filmim që është një shembull manuali. Është fjalimi i famshëm i Obamës ditën e kandidimit, rrëfen kalimin nga origjina e tij (bir i një keniani, me origjinë modeste) deri në imazhin e një Amerike ku "gjithçka është e mundur". Nga teoria në praktikë, ndahemi në grupe me dy vetë, pastaj me katër. Duhet të ushtrohem për të tërhequr vëmendjen e atyre që kam afër në tavolinë, t'i bëj të pasionohen, t'i bind. Në tre minuta. Më pas duhet të dëgjoj kritikat dhe këshillat e tyre: çfarë nuk funksionoi, si mund ta bëj më mirë.

Pauza e drekës, bufet dhe panine, gjithmonë të gjitha bashkë. Pasditja i dedikohet komunikimit me masmediat. Një ABC e gazetarisë. Ja një lajm kronike nga gazeta lokale: "Miu kafshon një fëmijë në djep". E rrëfyer në tre versione: në të parën është historia e papërgjegjshmërisë së prindërve që e kanë lënë të vetëm në shtëpi; në të dytën kritikohet pronari i shtëpisë që nuk e ka kryer asnjëherë disinfektimin e detyrueshëm; në të tretën përfundon në bankën e të akuzuarit kryebashkiaku për shkak të mungesës së kontrolleve në një lagje të degraduar.

Këtu mësojmë të deshifrojmë, çmontojmë, ristrukturojmë mesazhin. Vazhdohet me këshilla për qasjen ndaj mediave: "Mësoni të lokalizoni publikun me të cilin doni të flisni: dhe cili është mjeti i informimit më i përshtatshëm për të mbërritur tek ai. Ka që lexojnë gazetat, që dëgjojnë radion, që shohin Facebook". "Ndërtoni historinë tuaj me anektoda personale, dëshmi të vështirësive dhe të një lufte të kapërcyer. Qëndroni të përqendruar tek mesazhi parësor. Fundi duhet të jetë pozitiv, jepni shpresë, mos jini thjeshtë kundër diçkaje".

Një metodë me tre stade, e vlefshme për të komunikuar me njerëzit apo me mjetet e komunikimit: "Fillohet gjithmonë nga privatja, nga jeta e jetuar. I jepet një vlerë universale: problemi im është përfaqësues i një problemi të përhapur, akut. Përfundohet me një shembull veprimi kolektiv: shërben për të ndryshuar gjërat, si dhe për t'u bërë të ndihesh më mirë".

Truket e zanatit: "Përpara një takimi, me shtypin apo me një deputet, me këshillin bashkiak apo shoqatën e lagjes, përgatituni, përsëriteni në vazhdimësi mesazhin".

Fjalët që duhet të përdoren: "Barazi, familje, komunitet, shpresë, përgjegjësi, Amerika". Për t'u shmangur: "Akronime. Përqindje. Gjuhë prej ekspertësh. Slogane me zemërim apo ekstremistë". Në kontaktet me median: "Shtypi nuk është armiku, shumica e gazetarëve janë të stresuar dhe të keqpaguar si ne. Duhet të viheni në pozicionin e kronistit, të kuptoni axhendën e gazetës së tij, të paraprini temave të nxehta të aktualitetit, të luani para kohe. Duhet të respektoni kohën e mbylljes. Dhe t'i përgjigjeni pyetjeve".

Ndërkohë që dal nga kampi i rekrutimit i Move On imagjinoj kundërshtimet e një europiani. Ky lloj ushtrimi ka diçka që të ngjan me formimin e forcës së shitjes së një kompanie. Diçka tjetër më kujton përgatitjen e "evangjelistëve", tradita shumë e gjallë në kishat amerikane. Por ato metoda zbatohen mbi një bazë laike, skeptike, hiperkritike, që nuk pushon së menduari me kokën e vet. Bën pyetje të sikletshme, kundërshtime të vazhdueshëm. "Është e vërtetë që George Soros ka financuar Move On që në origjinë?" "Eshtë e qartë që nuk jemi të gatshëm të mbështesim çdo lloj kandidati demokratik".

Në javën e fundit, Move On ka organizuar 150 manifestime në të gjithë Amerikën, ka mbledhur 500 mijë firma dhe ka siguruar mbështetjen e 43 parlamentarëve, për propozimin e vet për një ligj kundër financimit të kompanive në fushatat elektorale. Militantët e Move On i gjen në YouTube për ngjarjet me vallëzime rap përpara supermerkatove Target, që i shohin si kundërshtarë. Sfida e tyre vazhdon. Edhe duke përdorur turke të zanatit që i kanë siguruar nga baza.

Posted via email from Shkupi Press extra