E DJATHTA/Populli antitaksë mëson artin e "derë më derë-s"


 

KATE ZERNIKE

 

Në një të shtunë gushti, kur shumica e klasës politike i ka ikur vapës së këtij qytetit, 50 udhëheqës të Tea Party kanë ardhur nga i gjithë vendi për t'u ngjeshur në një sallë konferencash në një kompleks zyrash në Pennsylvania Avenue, me sa duket të pashqetësuar nga faksi që adresa e famshme nuk jep garanci për ajër të kondicionuar në fundjavë. Ata kanë ardhur për të mësuar se si të marrin kontrollin mbi vendin, votues pas votuesi.

Shikoni për shtëpi me flamuj, kështu i kanë udhëzuar; banorët e tyre kanë prirjen të jenë konservatorë patriotë. Po kështu edhe flamuj apo simbole. Merrni me vete ushqime për qen teksa shkoni të diskutoni lagjeve - "Tani ata janë miqtë tuaj më të mirë". Mos u mjaftoni duke dhënë shenja oborri apo logo me ngjitëse të kandidatit tuaj - ofrohuni që t'ua vendosni në kopësht apo t'ua ngjisni vetë në makinë (ana e shoferit do të ishte ideale.) Vazhdoni me letra falënderimi, të shkruara me dorë. Tregohuni të sjellshëm dhe mos e merrni personalisht refuzimin: "Mos harroni, është për lirinë!"

Ky është një "kamp" treditor në në FreedomWorks, Grupi i Avokatise në Uashington, i cili ka bërë më shumë se çdo organizatë tjetër për ndërtimin e lëvizjes Tea Party. Për 18 muaj, stafi i ri i grupit ka kryer seanca trajnimi si kjo në të gjithë vendin, në salla konferencash në hotele apo bodrume lokalesh, duke i dhënë formë zemërimit të Tea Party me ideologjinë e vet libertariane dhe taktika majtiste organizimi.

Qëllimi është që të shndërrohen grupet e Tea Party në një operacion për të nxjerrë njerëzit që të votojnë në distriktet kongresionalë në të gjithë vendin. Sarah Palin e vuri jo pak në lojë organizmin e komunitetit gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008; FreedomWorks i ka bërë konservatorët e Tea Party forcën befasuese organizuese të komunitetit të zgjedhjeve të mesit të mandatit 2010, duke treguar forcë si në zgjedhjet primare republikane në Alaskë.

"Me këtë lëvizje, nëse ne mund nxjerrim qindra e mijëra njerëz në rrugë për të protestuar dhe valëvitur shenjat duke patur një ndikim në debatin e politikave publike, atëherë me të vërtetë ne mund të sjellim shumë ndryshim", u tha udhëheqësve të mbledhur Brendan Steinhauser, kryeorganizatori i FreedomWorks për grupet e Tea Party. "Por nëse po të njëjtit njerëz shkojnë lagje më lagje dhe bëjnë të gjithë gjërat për të cilat jemi duke folur këtu, të vendosin shenja nëpër dyer apo dhe të bëjnë telefonata në 72 orët e fundit, atëherë ne mund t'i 'shtrydhim' kundërshtarët".

Në muajt e fundit, FreedomWorks është bashkuar me Glenn Beck, njeriu më i famshëm i grupeve të Tea Party, për ta promovuar atë. Këtë fundjavë, me shumë përkrahës të Tea Party që kanë ardhur në Uashington për një takim që zoti Beck po e mban ne Lincoln Memorial, FreedomWorks po bën një konventë, ku kandidatët e Tea Party u janë drejtuar 1.600 aktivistëve.

Përmes komisionit të vet të veprimit politik, FreedomWorks ka në plan të shpenzojë 10 milionë dollarë në zgjedhjet e mesit të mandatit, në sende për fushatë - shenja për kandidatë si Rand Paul i Kentuckyt dhe Marco Rubio i Floridas janë të ngjitura kudo nëpër zyra këtu - lista votuesish, si dhe një sistem telefonash që u lejon vullnetarëve të bëjnë telefonata për kandidatët në të gjithë vendin që nga kompjuterat në shtëpitë e tyre. Me grante "mikrofinancimi", do të sigurojë para nga donatorë të FreedomWorks - kodi i taksave e mbron privatësinë e tyre.

Të tjerë grupe do të shpenzojnë më shumë. Në të majtë, një koalicion sindikatash ka në plan të shpenzojë të paktën 88 milionë dollarë; në të djathtë, Amerikanët për Prosperitet do të shpenzojnë 45 milionë.

Por FreedomWorks u bën të qartë aktivistëve se nuk është paraja gjëja kryesore. Më shumë e rëndësishme është të binden miq, fqinjë dhe të huaj në distriktet që votojnë për kongres, atje ku 100 apo 1000 vota mund të bëjnë ndryshimin. Aktivistët kanë një tendencë të jenë shumë të zellshëm që në fillim; FreedomWorks u bën thirrje atyre që të kanalizojnë atë energji që kanë për t'u bërë kapitenë të zonave elektoralë, të trokasin nëpër dyer dhe të mësojnë nga mënyra se si Barak Obama - i cili gjithsesi nuk është dikush që mbështetësit e grupeve të Tea Party e admirojnë - siguroi kandidaturën për president brenda Partisë Demokratike, duke organizuar shtetet kryesorë.

FreedomWorks u themelua në vitin 1984 me emrin "Qytetarët për një Ekonomi të Shëndetshme", që financohej nga Fondacioni Koch, një agjenci siguruese për shumë kauza libertariane. Në vitin 2003, ajo mori si kryetar Dick Armeyn, ish-kongresmenin e Teksasit dhe ish-udhëheqës i shumicës në dhomën e ulët, i cili ishte një faktor kyç në fitimin e shumicës në kongres nga ana e republikanëve në vitin 1994.

Ndërkohë që Armey shërben si një lloj ambasadori për FreedomWorks, detyra e përditshme e organizimit të grupeve të Tea Party i ka kaluar një stafi prej 20 konservatorësh në të njëzetat dhe tridhjetat - një kontrast shumë i fortë ky në një lëvizje e cila është e përbërë kryesisht nga njerëz që janë dy apo tre herë më të mëdhenj se ata në moshë. Liderët e Tea Party të mbledhur në takimin e fundjavës mbetën të shtangur kur Steinhauser vuri theksin në rëndësinë për të shkuar dhe bindur të ashtuquajturit demokratë të Reaganit dhe më vonë vuri në dukje se edhe ai vetë nuk kishte lindur deri në vitin 1981, pas deklaratës së parë të inaugurimit të Reaganit.

Pjesëtarë të stafit pëlqejnë të thonë se e kanë modeluar FreedomWorks sipas "Të Vdekurit Mirënjohës" apo "Kompania Ajrore Virgin": duan të ndërtojnë një komunitet që mendon në të njëjtën mënyrë, një sipërmarrje kjo që është sa argëtuese aq edhe punë e lodhshme.

Por ata janë edhe thellësisht ideologjikë; një portret i Ayn Rand qëndron varur në muret e zyrave bashkë me një të Jerry Garcia. FreedomWorks ishte themeluar për të promovuar teoritë e shkollës ekonomike austriake, që argumenton se modelet ekonomikë janë të kotë e të padobishëm, sepse ata nuk marrin parasysh variablat e sjelljes njerëzore dhe që tregjet duhet të jenë të çliruar për të qenë të suksesshëm.

Të punësuarit e rinj në këto grupe marrin menjëherë një listë të librave që duhet të lexojnë, e cila përfshin "Rregulla për radikalë", të Saul Alinskyt, babai i mënyrave të organizimit të komuniteteve modernë dhe "Një forcë më e fuqishme", që flet për lëvizjet sociale të shekullit XX, si dhe librin "Ligji" të Frederic Bastiat, që argumenton se në thelb qeveritë janë duke vjedhur kur taksojnë nënshtetasit e tyre për të shpenzuar në shërbime sociale, infrastrukturë apo arsim publik. FreedomWorks u bën thirrje grupeve të Tea Party që të lexojnë të njëjtat vepra. ("Janë më mirë se sa libri i Sarah Palin", u thotë atyre Steinhauser.)

Ndërkohë që grupe të tjerë konservatorë janë përpjekur që të mobilizojnë energjinë e Tea Party, FreedomWorks u vu i pari në lëvizje dhe në mënyrë më agresive gjithashtu. Disa orë pasi Rick Santelli bëri thirrje për një "Tea Party në Cikago", gjatë një interviste në CNBC në shkurt 2009, e cila pati një audiencë shumë të gjerë, u krijua menjëherë një faqe interneti me udhëzime se si të organizohen grupe të tillë, si dhe më vonë detaje të hollësishme në hartat e Google. Dhe ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz gjenin hartën gjatë kërkimeve që bënin në internet, ata u dërgonin e maile pjesëtarëve të FreedomWorks me informacione për aktivitetet që ata vetë bënin, duke i lejuar më në fund Steinhauserit që të hartojë një listë me mijëra kontakte të Tea Party në të gjithë vendin.

Kjo listë kontaktesh mundësoi organizimin e vullnetarëve në Massachusetts në janar për të bërë fushatë për Scott P. Brown, i cili fitoi një vend në Senatin e Shteteve të Bashkuara, vend i cili kish qenë i zënë nga Eduard M. Kennedy për pothuajse 50 vjet, si dhe në Utah për të zgjedhur Mike Lee si kandidat republikan për senat pasi grupet e Tea Party rrëzuan mbajtësin e këtij vendi për tre mandate, Robert F. Bennett. Afro 180 mijë vetë votuan në zgjedhjet primare që Lee i fitoi; FreedomWorks thotë se 30 mijë vetë kishin marrë një telefonatë apo kishin patur një vizitë nga vullnetarët.

Kandidatët janë libertarianë dhe konservatorë në idetë ekonomike, por në zgjedhjet e mesit të mandatit të 2010, FreedomWorks po u bën thirrje grupeve të Tea Party që të punojnë për çdo republikan, duke ndjekur teorinë që një republikan i kompromentuar është më mirë se sa kontrolli demokratik i Kongresit.

Steinhauser ka udhëtuar në 42 shtete për të trainuar grupe lokalë apo për t'u takuar me udhëheqës në gara ku FreedomWorks ka shpresë që të sjellë ndryshimin. Por pjesëtarët e Tea Party pëlqejnë të mendojnë për vetveten si organizata pa liderë dhe përgjithësisht janë dyshues ndaj përpjekjeve për të kuptuar energjinë e tyre.

Gjatë një udhëtimi nëpër New England muajin që kaloi, ai u takua me aktivistë që donin shumë të mbështesnin Charlie Bass, një ish-kongresmen republikan nga New Hampshire, i cili do të kandidojë sërish në zgjedhjet e 14 shtatorit. Por ata nuk donin të mbështesnin hapur asnjë nga kandidatët e Tea Party, pasi druheshin se anëtarësia e tyre do të kishte zët çdo gjë që do të dukej sikur kish ardhur me orientim nga lartë. "Duhet të mbështesni dikë", u tha Steinhauser. "Nëse nuk e bëni ju, do ta bëjnë të këqinjtë". Çdo grup duhet të mbështesë në mënyrë të ndarë, këshilloi ai, me qëllim që mediat vendase të kenë të shkruajnë nga një lajm çdo ditë.

Megjithatë, aktivistët ishin të etur për të marrë këshilla nga jashtë. "Nëse na jepni udhëzimet, ne do ta bëjmë punën", i tha atij Robert Horr, kryetar i Tea Party në Cumberland County. "Thjesht na shënjestroni diku".

Steinhauser inkurajoi aktivistët e Maine që të sfidojnë Senatoren Olympia J. Snoëe, një republikane që preferon të rizgjidhet në 2012. FreedomWorks është veçanërisht i fokusuar në zgjedhjet e mesit të mandatit në Florida, New York, Ohio dhe Pensilvani. Për takimin e Uashingtonit kishin ardhur përfaqësues nga të gjithë këta shtete. Nan Swift, menaxheri i fushatës së FreedomWorks, i nxiti ata që të organizojnë aktivitete e ngjarje dramatike për të tërhequr vëmendjen tek kandidatët e tyre - "të gjithë tashmë mendojmë se ne jemi të çmendur, përdoreni këtë!".

Steinhauser u bëri thirrje që të mos harxhojnë energji në distrikte që janë kaq shumë demokratë saqë nuk mund të fitohen. Megjithatë, ai nuk është se i preu shpresat; në fund të fundit, tha ai, askush nuk mendonte se Scott Brown do të fitonte. "Këtë vit, nëse ka një mesazh që mund të përcillni", iu drejtua ai të pranishmëve, "ai është se asgjë nuk është e pamundur për ne".

Posted via email from Shkupi Press extra