Seksi dhe legalizimi i prostitucionit…

Nga GËZIM TUSHI

Herë pas here në shoqërinë tonë në mënyrë timide dhe të detyruar, pa guximin e duhur qytetar, bëhen “teste 
sociale” dhe hapet çështja e debatueshme e legalizimit të seksit me pagesë apo të asaj dukurie, që masivisht njihet si dukuri e prostitucionit. Këto ditë në mënyrë të natyrshme dhe në kohën e duhur këtë problem social e rihapi edhe njëherë " Gazeta Shqiptare", e cila para pak ditësh ka intervistuar (testuar) disa njerëz publikë që kanë njohuri dhe përgjegjësi publike. 
Sipas meje ka bërë shumë mirë "Gazeta Shqiptare" që tentoi të hapë këtë debat për një çështje social kruciale, kulturore dhe morale. Seksi me pagesë në shoqërinë tonë është temë delikate, është "patatja më e nxehtë" që i ka "mbetur në dorë" shoqërisë tonë. Dhe që me sa duket, për shkak të paragjykimeve dhe të "moralit fals" të shoqërisë, i vjen vërdallë dhe nuk di ç'të bëjë me të. Unë mendoj se është koha e duhur që të flasim hapur, dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur sociale. 
Që në fillim më duket se në diskutimet që bëjmë për çështjen e legalizimit të seksit me pagesë ka një problem që na ngatërron më shumë nga pikëpamja semantike dhe pastaj konceptuale. Gjithnjë nuk kam qenë dakord që në debatet që bëhen në terrenin tone social, për këtë çështje të përdorim termin prostitucion, i cili në kulturën dhe mentalitetin tonë ka një peshë sociale negative sui generis. Nuk jam shumë dakord me termin "prostitucion" (pavarësisht ekuivalentit gjuhësor dhe semantik internacional), i cili në shoqërinë tonë me "moral tradicional", përgjithësisht ka vetëm konotacion negativ. Në vend të përdorimit të termave që na ngatërrojnë në logjikë dhe që na vënë në konflikt social me njëri-tjetrin, është më mirë të flasim shqip. Kjo do të thotë se në opinionin publik duhet folur në se duhet pranuar dhe legalizuar në mënyrë institucionale e drejta e ofrimit të favorit seksual publik me pagesë ? Si është më mirë për shoqërinë, moralin dhe stabilitetin social: Duhet mbajtur kështu si veprimtari ligjore klandestine apo duhet legalizuar? Më mirë ta pranojmë në heshtje "lirinë seksuale" me pagesë si veprimtari të fshehtë, që praktikisht ka vite që zhvillohet jashtë observimit të shoqërisë, apo është koha që ajo të bëhet veprimtari legale, e organizuar dhe e "monitoruar" në institucionet sociale që janë të përcaktuara nga shoqëritë modern për "punë qejfi"? 
Meqenëse përsëri po fillojmë të flasim për këtë temë në shtyp, nuk duhet të harrojmë dhe të vlerësojmë të "vërtetat e seksualitetit" në shoqërinë tonë, që po vijnë si presion i natyrshëm i riorganizimit të jetës sonë seksuale modern. Duhet të jesh i verbër ose hipokrit të mos pranosh atë që duket qartë, që marrëdhëniet seksuale nga pikëpamja e realizimit të tipologjisë së marrëdhënieve, po bëhen shumë të larmishme, diversibile. Koha po e zgjeron të vërtetën se tashmë nuk është më vetëm martesa i vetmi institucion, që përveç funksioneve të tjera sociale ka qenë në shoqërinë tonë tradicionale i vetmi institucion brenda të cilit individi siguronte marrëdhënie dhe favore seksuale. Tani dhe në të ardhmen akoma më shumë do të shtohet gama e njerëzve që seksualitetin e tyre për shkaqe të ndryshme normale apo ekzibicionale, për motive të "kënaqësisë" apo të "lojës" do të kërkojnë që këtë favor ta sigurojnë jo vetëm përmes "martesës", por edhe përmes "parasë" në tregun e organizuar dhe të "kontrolluar" të seksit. Dhe kjo duket se do të ndodhë, në se bëhemi të ndërgjegjshëm se duke e legalizuar seksin me pagesë ne e vëmë shoqërinë në një pozicion normal, përtej puritanizmit moral të "xhelatëve të seksit" të kohës së kaluar, frikës paranojake me të cilin ka qenë vazhdimisht i shoqëruar seksi i kthyer në tabu, por dhe duke "disiplinuar" teprimet dhe deformimet seksuale të neveritshme të "seksit të rrugës", që si asnjëherë më parë dhe në përmasa sociale alarmante, shfaqen në formë përdhunimesh apo të prostitucionit të pështirë ilegal, që realizohet çdo ditë nëpër shtëpitë tona, herë hapur e herë të tjera në mënyrë klandestine. 
Ne duhet ta vlerësojmë situatën e shtimit të "dëshirave seksuale" në shoqëri. Ndaj nuk mund të mbajmë qëndrime të ngurta dhe pozicione morale duke u nisur nga paradigmat tona morale të sforcuara të së kaluarës. Tani në kushtet e presionit që zhvillon anarkia seksuale e shoqërisë modern, e cila është "pjesë ontologjike" e identitetit të saj si "shoqëri e qejfit", në të cilën ajo e seksualitetit dhe e konsumit këmbëngulës janë tipare evidente, që nuk mund të ndalohen. Besoj se jemi në një kohë delikate kur po shtohen njerëzit që kanë "qejf" ta kenë atë (seksin) sa më shumë dhe në mënyrë më lirë. 
Por edhe debatet që po bëjmë për legalizimin e seksit me pagesë, na krijojnë kushte që të përfshihemi të gjithë: edhe ata që e dëshirojnë dhe që duan ta zotërojnë atë jashtë martese, por edhe të tjerët që kanë filluar të ligjërojnë për mortalitetin e limituar të kësaj kërkese të natyrshme. Është një debat vërtet që e vlen të bëhet, sepse ka të bëjë me organizimin dhe inventarizimin e kënaqësive seksuale të njeriut të shoqërisë moderne. Ndaj nuk mund të heshtet….Në mënyrë të qytetëruar dhe të kulturuar, duhet që seksualiteti të humanizohet si "kënaqësi e natyrshme", në mënyrë që njeriu që dëshiron ta gjejë dhe shoqëria këtë kërkesë ta disiplinojë në "institucione të kulturuara". Kur diskutojmë për problemet e "seksit me pagesë" duhet të jemi të vërtetë sovranë në gjykimet tona, duke gjykuar fenomenin social jo sipas paradigmave morale të së kaluarës, por në përputhje me kohën dhe imperativat e saj. 
Sepse me sa duket më shoqërinë moderne ka ndryshuar karakteri i "dëshirave seksuale" dhe raportet tradicionale, midis anës natyrore dhe aspektit kulturor dhe moral. Në këtë kontekst, duke parë diskutimet që bëhen në shtyp dhe në median elektronike, ajo që më bie më shpesh në sy, është se gjykimet shpesh nuk janë analoge ose janë larg me realitetin dhe të vërtetën e "prostitucionit". Edhe opinionet e dhëna në "Gazetën Shqiptare" duken ambiguide, të ndrojtura nga nën efektin e deformimit që jep në shoqërinë tonë "prononcimi publik" në opinion. Herë pas here kjo bën që përballemi me qëndrime moralizuese false e moralistikë puritane të mbuluar me argumente që nuk i shkojnë kohës moderne. Natyrisht nuk është e lehtë të flasësh për prostitucionin si veprimtari dhe ca më pak të flasësh për të "drejtën e prostitutave", sidomos në një vend si yni, që ka një të kaluar të caktuar të tipologjisë së seksualitetit dhe një sens moral të veçantë. Por ky nuk është argument që duhet të na frenojë të flasim si duhet për "seksin me pagesë" dhe për femrat, që me dëshirën e tyre do të ushtrojnë këtë profesion. Nuk ka asgjë misterioze në këtë aspekt, që shtëpitë publike të jenë institucione me identitet social dhe funksion të veçantë. Ndërsa "punonjëset e seksit" me siguri që vetëm në fillim mund të shihhen me habi nga shoqëria për "profesionin e ushtruar" apo për stilin e vet të të jetuarit. 
Tani që po diskutojmë për këtë çështje, unë besoj se është kohë e pafavorshme dhe papërshtatshme për moralistët dhe puritanët. Nuk e di se si duhet ta quajmë "seksin me pagesë" por besoj se në kushtet kur shoqëria bëhet e konsumit, seksit dhe qejfit është gabim që ta shikosh prostitucionin si të "keqe shoqërore". Ndoshta edhe për faktin që seksi me pagesë është një veprimtari e vjetër, që tani nuk mund të shmanget. Më logjike dhe më e udhës do të ishte që të punojmë në mënyrë që ajo të mund të organizohet dhe disiplinohet. Ky është dhe qëllimi i parë i legalizimit të tij. 
Moralistët e shoqërisë kanë merak se kush duhet ta bëjë këtë "rol social", kush do të ofrojë këtë favor për njerëzit që kanë këtë nevojë dhe njëkohësisht edhe para për ta plotësuar ? Nuk e di se pse por duke menduar për këtë shkrim delikat mu kujtua Tolstoi, që e konsideronte prostitucionin një nga "zanatet e ndershme" për gruan. Argumentet e shkrimtarit të madh të dhëna në kohën e tij, janë më shumë se kurrë aktuale për kohën tonë. Por edhe për situatën e shoqërisë tonë. Nuk është pa vlerë fakti që shkrimtari i madh vë në dukje tendencën e kohës moderne të "këmbimit të lirë" të grave dhe burrave, që tashmë është bërë një epidemi sociale që shfaqet në zgjerimin e gamës së lidhjeve jashtëmartesore, që po çojnë në mënyrë katastrofike në prishjen e një numri të madh të familjeve dhe në rritjen galopante të numrit të divorceve. Tolstoi ka të drejtë na ndihmon me argumentet e veta, kur shkruan se "…për ta zgjidhur problemin (e prishjes së familjeve - shënimi im) ligji i zhvillimit ka krijuar një "urë të artë" në formën e prostitutës". Dhe më tej ai pa hezitim lëshon idenë paradigmatike, sipas së cilës "…prostituta është e domosdoshme për ruajtjen e familjes". ( Pol Xhonson "Intelektualët" faqe 134). 
Në këtë kontekst nuk ka pse e paragjykojmë prostitucionin dhe ca më pak ta quajmë profesion që mund ta kryejnë vetëm gratë e varfëria, apo si mjet për të fituar para dhe mbajtur jetën. Kjo është e vërtetë në fazën e parë, në të cilën motive i varfërisë i shtyn përgjithësisht femrat që të fillojnë këtë punë. Por koha ka treguar se pastaj ajo kthehet në një "profesion me identitet qejfi", që mund ta ushtrojnë edhe femrat që nuk kanë nevojë për para, por kanë nevojë për "qejf seksual". Kohë më parë janë bërë studime për vlerat dhe antivlerat e këtij profesioni dhe statusin e femrave që ofrojnë seks me pagesë. Vite më parë instituti për gjurmime sociologjike në Stokholm, shpalli rezultatet e një ankete "…sipas së cilës gratë që jepeshin pas prostitucionit kishin gjendje të mirë shoqërore, por merreshin me prostitucion nga dëshira për "jetë të ëmbël".( Alia Izetbegovic "Islami midis lindjes dhe perëndimit", faqe 254). 
Ndaj ne nuk mund ta gjykojmë prostitucionin si fenomen social dhe libidinal, as me moralin e strucit, as sipas disa parimeve morale të njerëzve të veçantë që kërkojnë ato t'i bëjnë norma morale të pamundura të shoqërisë dhe që janë kundër prostitucionit. Po si është më mirë, një prostitucion brovnian, kaotik i përhapur nëpër hotele, motele, angare, garazhe makinash, në rrugë e kanale, apo një "prostitucion i legalizuar, i mbrojtur dhe i kontrolluar socio-sanitar ? Pse tallemi me shoqërinë, pse flasim me dorashka dhe bëjmë të moralshmin kur nuk duhet? 
Po të jetë për moralin personal sipas meje, është shumë herë më i mirë ai i prostitutës se sa i "kurvës", që bërtet kundër prostitucionit, flet në mënyrë pezhorative kundër tij për publik, kur për vete, veç burrit ka edhe të dashur të tjerë në dispozicion. Pavarësisht se bëhet me para, dhurata, poste, rrugë jashtë shtetit apo favore të tjera që e bëjnë "kurvërinë" shumë më të pështirë se sa prostitucioni legal. Sipas meje prostitucioni kaotik është bërë shoqërisht i rrezikshëm dhe do të bëhet akoma më shumë faktor që dëmton sigurinë sociale të shoqërisë, të atyre që e ushtrojnë atë me frikë duke pasur përballë "Kodin penal" që tashmë është vetëm në letër, por që nuk "pi ujë" në jetën e vërtetë shoqërore. Prostitucioni është pjesë përbërëse e strukturës libidinale të shoqërisë në shumë vende demokratike. Nuk ka mundësi që çdo shoqëri modern të mos ketë të vlerësuara format e "moralit seksual" që është pjesë e strukturës libidinale që në çdo shoqëri është krahas më strukturën ekonomike, politike dhe kulturore. Natyrisht struktura libidinale ndryshon më shumë dhe më shpejt se struktura ekonomike dhe shoqërore.

Posted via email from Shkupi Press extra