Reali fiton në tokën gjermane

Real Madridi ka arritur që për herë të parë në histori të klubit të fitojë një ndeshje në tokën gjermane, pasi që ka mposhtur me anë të penaltive Bayernin e Munichut midis Allianz Arenas.
Ishte ky një duel mes Jose Mourinhos dhe Louis van Gaal, dy prej filozofive më kontroverse, të përballur me njëri tjetrin në sfidën klasike. Bayerni e dominoi pjesën e parë, me një mori rastesh. Ishte penaltia e shkaktuar nga Sergio Ramos në Franck Riberyn ajo që i dha mundësinë Bayernit për të shënuar, por sa vlen kjo kur në portë ke një njeri apo qenie paranormale si Iker Casillas, që ndaloi goditjen e Holger Badstuber. Bayerni kishte edhe shumë raste të tjera gjatë pjesës së parë, të cilat nuk i shfrytëzoi.
Ndeshja për Realin filloi vetëm në pjesën e dytë. Khedira në minutën e 53-të nga pesë metra dështoi të shënonte në portën e Bayernit. Më i mirë nuk ishte sa Van der Vaart që dështoi ta qëllonte golin, pasi portieri Thomas Kraft veç ishte i mposhtur. Ishte Cristiano Ronaldo ai që në minutën e 79-të dështoi nga një tentim me kokë, përderisa ishte duke bërë turizëm në zonën e Bayernit.
Goli i anuluar i Kloses (81’), ishte rasti i fundit i ndeshjes që u vendos në penalti, pas dështimeve të Hamit Altintop dhe Edson Braafheid, për t’i dhënë Realit trofeun para tifozëve gjermanë. Kjo fitore është e treta për Jose Mourinhon gjatë ndeshjeve parasezonale me Real Madridin.