Krizë nervash në Gji/Arma që të çon në epokën e gurit

Dy incidente në centralin e Bushehr i vënë në gjendje alarmi forcat e sigurisë iraniane. Më 17 gusht, një avion F-14 është rrëzuar vetëm 6 kilometra larg nga impianti


Në javët e fundit kush provon që të vërejë krizën në Gji, mbytet nga zëra që pasojnë njëri-tjetrin dhe anullohen me frekuencë të ethshme. Përplasja, për momentin e ftohtë, midis regjimit iranian që do bombën atomike dhe kush kërkon që ta ndalojë ka shpërthyer furtunën e dizinformacionit ose, për ta thënë më mirë, të informacioneve që janë të pamundura për t'u verifikuar: raporte sekrete, por jo dhe aq, teori komploti, akuza të pabesueshme, copëza lajmesh, thashetheme korridoresh. Kjo që pasoi është lista e azhurnuar, por jo e arsyetuar.

Të shtunën fillon era atomike iraniane

Qeveria e Teheranit është gati të ianugurojë centralin atomik të Bushehr, një impiant i projektuar në vitin 1974 që do të hyjë në funksionim "brenda fundit të vitit". Të shtunën, teknikët rusë të Rosatom-it do t'i dorëzojnë ngarkesën e parë të uraniumit autoriteteve të vendit. Regjimi ka organizuar një ceremoni madhështore me një mijë të ftuar. Delegacioni i huaj më i madh është ai i Kremlinit, i cili do të drejtohet nga numri i agjencisë atomike ruse, Sergei Kiriyenko. Në Teheran thonë se impianti do të prodhojë energji elektrike, por operacioni ngjall dyshime në Perëndim se uraniumi i Bushehr mund të përdoret për të ushqyer armë atomike. "Kjo është një fitore domethënëse për Iranin", ka thënë pak ditë më parë ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton. Tash e prapa do të jetë e pamundur të frenohet impianti me një sulm të papritur ushtarak: një bombardim rrezikon që të provokojë një përhapje radioaktive në zonat përreth më të keqe se Chernobyl.

Qielli sipër Bushehr

Dy incidente në centralin e Bushehr i vënë në gjendje alarmi forcat e sigurisë iraniane. Më 17 gusht, një avion F-14 është rrëzuar vetëm 6 kilometra larg nga impianti. Sipas një zëdhënësi të qeverisë, Gholam Reza, të dy pilotët e tij kanë arritur të hidhen me parashutë përpara se gjuajtësi të përplasej përdhe për pasojë të një defekti. Burime të inteligjencës thonë se gjërat janë zhvilluar ndryshe: avioni gjuajtës F-14 duket se është goditur nga një raketë TOR M-1 e prodhimit rus. Avioni duhet të ketë hyrë gabimisht në perimetrin e sigurisë të centralit, duke e vënë në veprim sistemin e sigurisë së tij që e mbron. Ka dhe më. Në fillim të muajit gusht, në qiellin sipër Bushehr janë shfaqur 3 avionë pa pilot, si ato të përdorur në Afganistan për të luftuar kundër talibanëve dhe terroristëve të al Qaedas. Gazetat e regjimit kanë botuar një buletin qetësues pak ditë më vonë: buletini thoshte se ushtria ka rrëzuar një dron luftarak gjatë një manovre ushtarake që është zhvilluar në zonat përreth impiantit. Por sipas një versioni, nuk qenë dronë iranianë. Duhet të jenë lëshuar kundër centralit për t'i testuar sistemin e mbrojtjes.

Sabotatorë në veprim

Më 25 korrik një shpërthim i dhunshëm ka vrarë 4 persona në impiantin petrokimik të Kharkut, një ishull iranian në Gjirin Persik. Qeveria thotë se bëhet fjalë për një "incident" të provokuar nga presioni i madh në një pompë, por analistë të ndryshëm kanë lëshaur hipotezën e një sabotimi. Kharku ndodhet 1200 kilometra larg nga Teherani dhe posedon rafinerinë më të rëndësishme të vendit. Ekspertët thonë se nuk do të kthehet shpejt në funksionim: sanksionet e miratuara nga Kombet e Bashkuara kundër regjimit islamik nuk u mundësojnë pjesë këmbimi kompanive të Teheranit.

Naftëmbajtësja e sulmuar për paralajmërim

Në orën 5 e 30 minuta të mëngjesit të 28 korrikut, supernaftëmbajtësja japoneze "Morning Star" është tronditur nga një shpërthim teksa po kalonte Ngushticën e Hormuzit me 270 mijë tonelata naftë. Ka pasur një shi copërash inkandeshente në det, por pak dëme dhe asnjë viktimë. Versionet për të shpjeguar anën e deformuar dhe të dëmtuar janë kontradiktore: në një moment të parë është folur deri për një valë gjigante anormale apo për një tërmet të nëndheshëm. Ekuipazhi këmbëngul: kemi parë një shkëndijë drite. Shpjegimi final është se një grup ekstremist pro al Qaedas ka dërguar një atentator vetëvrasës me një varkë të vogël eksplozive kundër "Morning Star". Por sipas burimeve të inteligjencës, ka qenë një operacion paralajmërimi i kryer nga dy nëndetëse iraniane që e kanë sulmuar supernaftëmbajtësen për t'u dhënë një mesazh amerikanëve: mund ta mbyllim kur të duam Ngushticën e Hormuzit, më jetiken midis korridoreve detarë të botës, kur të na e dëshirojë kokrra e qejfit. Sikur supernaftëmbajtësja të ishte mbytur, do ta kish bllokuar Ngushticën. Më 3 gusht, Gjenerali iranian Ataollha Salemi në vizitë në bazën detare të Bandar Abbas ka sfiduar amerikanët që të ngjiteshin në anijet e Iranit për t'u kontrolluar ngarkesën: "Do t'i trajtojmë si piratë somalezë". Pastaj, sipas të dhënave, është përshëndetur me ekuipazhet e të dy nëndetëseve për përfundimin me sukses të operacionit.

Bazë izraeliane në Arabinë Saudite

Më 18 dhe 19 korrik sauditët kanë anulluar të gjitha fluturimet për pasagjerë në aeroportin e qytetit Tabuk, në veriperëndim të vendit, duke u paguar menjëherë hotel dhe dëmshpërblime udhëtarëve, por pa dhënë shpjegime. Sipas një raporti të qarkulluar në mediat iraniane, në ato ditë avionë ushtarakë izraelianë kanë shkarkuar material luftarak në një bazë sekrete, 9 kilometra larg nga qyteti. Arabia Saudite ka një politikë mbylljeje totale kundër Izraelit: nuk pëlqen udhëtarë me vulën izraeliane në pasaportë dhe nuk pranon në kufi mallra izraeliane. Kushedi se çfarë do të thoshte Usama bin Laden, i cili ka themeluar al Qaedan i skandalizuar sikur mbretëria të kishte mirëpritur baza amerikane gjatë luftës së parë të Gjirit. Por frika e Iranit atomik e shtyn Riadin që të bashkëpunojë. Ajo e Tabuk do të ishte një bazë e avancuar për helikopterë luftarakë përgjatë atij shtegu ajror që do t'u mundësonte avionëve izraelianë që të arrinin nëpërmjet rrugës më të shkurtër për të bombarduar vendet atomike të Iranit. Sipas "Time" të Londrës, në fillim të korrikut Arabia Saudite do të simulonte edhe shuarjen totale - të përkohshme - të të gjitha sistemeve të saj të mbrojtjes ajrore për të mundësuar kalimin e sigurtë të avionëve izraelianë, për të qenë të sigurtë që kompjuterët të mos e shkëmbejnë për një sulm në territorin saudit kalimin e furtunës së luftës të huaj.

Raketa S-300 në Detin e Zi

Ditët e kaluara, ushtria ruse ka vendosur një bateri raketash S-300 në territorin e Abkhazisë, në Republikën e Kaukazit që ka fituar pavarësinë pas një lufte me Gjeorgjinë 15 vjet e gjatë. Pak instrumente të mbrojtjes ajrore janë efikasë sa raketat S-300: për këtë arsye shumë vende të Lindjes së Mesme i kërkojnë me këmbëngulje furnizime nga Rusia. Vendimi për të dërguar raketa në Kaukaz është kritikuar si nga Gjeorgjia, ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri i Abkhazisë, Sergei Shamba, thotë se "raketat S-300 do të shërbejnë për të mbrojtur territorin e republikës dhe jo për të sulmuar: prania e tyre do të na mundësojë që të përjashtohet mundësia e çfarëdo agresioni nga jashtë". Kjo bateri raketash i ofron mbrojtje të gjithë Rusisë, jo vetëm Abkhazisë: me radarin e Gabalas, që gjendet pak qindra kilometrash më në jug, në Azerbajxhan, përbën një mburojë kundër një sulmi iranian hipotetik (por jo të pamundur).

Raketa nuk është, por duket

Dizinformim iranian. Në paradën e ushtrisë në muajin prill është prezantuar nëpër rrugët e Teheranit edhe një sistem antiajror S-300. Sikur të ishte e vërtetë, do të ishte e bujshme, pasi sistemi është në gjendje të ndalojë një sulm ajror nga jashtë kundër instalimeve bërthamore. Por ekspertët e Aviation Week kanë dashur pak kohë për ta demaskuar parodinë. Kamioni që ka transportuar raketën e supozuar në paradë i mungon sistemi për t'i ngritur dhe për t'i shënjestruar ato. Nga ana tjetër, edhe Kroacia, nja 15 vjet më parë, kishte shpalosur një sistem S-300 jofunksionues të blerë në tregun e zi. Irani nuk është i ri në ekzibicionet luftarake bllof. Në vitin 2008, gjatë manovrave "Profeti i Madh 3", deklaroi se kishte linçuar një raketë "Shahab" të tipit të ri i aftë që të godiste në më shumë se 2000 kilometra, domethënë edhe Izraelin dhe Europën, duke shkaktuar alarmin në qeveritë perëndimore, më pas i tërhequr kur pamjet kanë treguar lëshimin normal të modelit të zakonshëm të dalëmode. Pasdaranët kishin modifikuar - keq - edhe fotografitë me Photoshop për të bërë të besohet se kanë kryer më shumë lëshime sesa ato reale.

Arma që të çon në epokën e gurit

Një prej thashethemeve më të përhapura është ajo e një sulmi me impulse elektromagnetike (EMP). Një armë atomike e shpërthyer midis 40 dhe 400 kilometrave lartësi nuk u shkakton dëme njerëzve dhe gjërave në nivelin tokësor. Provokon në fakt një aurorë boreale artificiale dhe ngrin çdo aparaturë elektrike: sipas lartësisë, impulsi prek një zonë pakashumë të madhe dhe e dërgon menjëherë në epokën e gurit. Jo më shtylla, kompjuterë, telefona. Efekti u zbulua nga amerikanët në vitin 1962 gjatë manovrave atomike "Starfish Prime" sipër ishullit Johnson në Oqeanin Paqësor. Një vit më pas Uashingtoni dhe Moska nënshkruan me ngut një traktat të përbashkët që ndalonte eksperimentet në atmosferë, për të shmangur shkaktimin e rastësishëm të katastrofave. Në vitin 2008, William Graham, kreu i një komisioni që merret me kërcënimin EMP kundër Shteteve të Bashkuara, ka dëshmuar përpara Kongresit se Irani ka kryer testime raketorë në Detin Kaspik të përputhshme vetëm me këtë lloj sulmi dhe se gazeta ushtarake iraniane flet hapur për to. Për këtë dhe jo vetëm për të nxjerrë në orbitë satelitë për komunikacion, do të shërbente programi hapësinor i Teheranit. Air Force One dhe instalimet atomike amerikane janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që t'i rezistojnë edhe këtij lloj sulmi, por bota civile është e prekshme. Natyrisht, në nivel teorik, flitet edhe për mundësinë së prapthi: të shpërthehet një bombë atomike mbi Iran, si opsion për t'i bllokuar programin bërthamor, duke u përgatitur për të shpëtuar civilët iranianë - të cilët do të ktheheshin në Mesjetë - edhe me rrezikun e përfshirjes së vendeve mike kufitare (Pakistan, Turqi, Irak).

Iranianët stërviten në Rusi

Midis vendeve që i kanë Rusisë raketa S-300 është edhe Irani. Gardianët e Revolucionit i duan për të mbrojtur Bushehr dhe impiantet e tjera bërthamore të vendit. Qeveria e Teheranit thotë se ka nënshkruar një kontratë me Kremlinin, por raketat nuk kanë arritur asnjëherë në destinacion. Kjo nuk do të thotë se, herët a vonë, afera të mos përfundojë mirë. Javën e kaluar, iranianët kanë shpallur se kanë marrë raketat S-300 falë një shkëmbimi të ndodhur në Bjellorusi, por kjo është hedhur poshtë. Tani, burime të inteligjencës thonë se ushtarët iranianë e njohin mirë sistemin dhe disa skuadra specialistësh janë dërguar në Rusi muajt e fundit për të marrë pjesë në një trajnim specifik. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e dinë lajmin të paktën prej majit. Nëqoftëse Irani do të vihej në posedim të raketave S-300, shanset e një sulmi të befasishëm ajror kundër centraleve atomike të ajatollahëve do të binin në mënyrë drastike.

Izraelianët stërviten në Rumani

Ushtria izraeliane ka humbur dy helikopterë (dhe një ekuipazh) në harkun e 15 ditëve. Ka ndodhur midis korrikut dhe gushtit në një zonë malore të Rumanisë, teatri i zgjedhur nga Tsahali për një manovër shumë të veçantë. Sipas burimeve të inteligjencës, njerëzit e Israeli Defence Force (IDF) kanë simuluar për ditë të tëra një sulm të befasishëm me skuadra të transportuara me helikopter kundër Iranit dhe rezultati i operacionit duhet të kishte qenë më i mirë. Më 26 korrik, një CH-53 ka humbur kuotë dhe është rrëzuar në një rrafshnaltë të Karpateve. Incidenti i ka kushtuar jetën 6 ushtarëve izraelianë dhe një oficeri të ushtrisë rumune. Pak ditë më vonë, një helikopter tjetër është shtrënguar të kryejë një ulje emergjente. Rumania është një prej avamposteve të NATO-s: marinsat kanë një bazë të madhe pranë aeroportit "Mikhail Kogalniceanu", në brigjet e Detit të Zi, nga e cila nisen shpesh gjuajtësit F-16 e drejtuar për nga instalimet ushtarake që ndodhen në Turqi dhe në Izrael. Sipas së përmuajshmes amerikane "The Atlantic", një sulm i befasishëm ajror hipotetik izraelian duhet të pasohet nga skuadra ushtarësh me helikopterë.

Vile hidhet në erë

Në fillim të gushtit, babai i programit të droneve të Iranit, inxhinieri aeronautik Reza Baruni, ka vdekur në shpërthimin misterioz të vilës së tij në një lagje të pasur dhe të izoluar të rezervuar ofiqarëve të regjimit në Awhaz, në jug të vendit. Versioni zyrtar fajëson një rrjedhje gazi, por burime të inteligjencës thonë se vila - shumë e mbikëqyrur - është minuar në tre anë, në mënyrë që çatia të binte mbi banorët. Baruni do të ishte viktimë e skuadrave fantazëm të sabotatorëve që po godasin në mënyrë sistematike objektiva strategjikë brenda Iranit. Vetëm pak të njerëz të informuar brenda regjimit, në nivelet më të larta politike dhe të Aeronautikës, e dinë se vrasja e Baruni do ta vonojë me vite të tëra programin iranian lidhur me dronet, që është megjithatë në fazë të avancuar. Avionët pa pilot të Iranit tashmë i mbajnë nën vëzhgim amerikanët në Gjirin Persik, në Irak dhe në Afganistan. Iranianët do t'u kenë shitur disa Hizballahut.

Një gjeneral i vrarë në shtëpi

Një gjeneral i Gardianëve të Revolucionit, Khalil Sultan, është vrarë në Damask më 16 maj. Lajmi është nxjerrë nga shërbimet sekrete franceze në komunitetin e të mërguarve sirianë që kanë gjetur strehim në Paris. Sultan është unaza lidhëse midis Teheranit dhe grupeve paraushtarake që lëvizin në Lindje të Mesme. Zyrtarisht, ndodhej në Damask për të përfaqësuar Kordo-n, shtëpinë automobilistike iraniane. Vrasja duket se ka ndodhur në një prej lagjeve më të sigurta të qytetit: një grup njerëzish të armatosur kanë arritur të futen në banesën e tij dhe të kenë marrë dokumenta dhe laptopa pas vrasjes.

Siria përdor drone izraeliane?

Izraeli i ka dhënë drona Turqisë për luftën kundër gueriljes kurde. Nga ana e saj, Turqia i ka dhënë disa Sirisë, për të njëjtin motiv: kundër gueriljes kurde. Në këtë mënyrë, teknologjia izraeliane do të përfundonte në duart e një regjimi, atij të Damaskut, që formalisht është akoma në luftë me Jeruzalemin dhe është aleat me Teheranin.

"Provat" e Hizballahut

Lideri karizmatik i Hizballahut, Hassan Nasrallah, i ka dorëzuar pak ditë më parë Gjykatës Ndërkombëtare që heton për vrasjen me autobombë të ish-Kryeministrit libanez Rafiq Hariri provat që do të demonstronin përgjegjësinë izraeliane. Lëvizja duket e dëshpëruar, pasi Gjykata Speciale është tashmë në posedim të përgjimeve telefonike që çojnë tek shërbimet sekrete siriane dhe një skuadre zjarri Hizballah. Midis provave të paraqitura nga Nasrallah, edhe videoja e interceptuar nga Hizballahu - e një droni izraelian që këqyr qiellin e Bejrutit. Për momentin, efekti i vetëm i akuzës ka qenë ai i pezullimit të vërtetë të traktativave midis Izraelit dhe Rusisë lidhur me shitblerjen e droneve izraeliane. Rusët nuk duan mjete që mund të interceptohen.

Kargoja me armë rrëzohet

Një kargo e kompanisë ajrore gjermane "Lufthansa" është rrëzuar në Riad më 28 korrik. Sipas autoriteteve saudite, piloti ka humbur kontrollin e avionit gjatë fazave të uljes. Disa dëshmitarë kanë thënë se kanë parë trupin e avionit të mbështjellë në flakë përpara përplasjes me tokën. Të dy pilotët kanë mbetur të plagosur dhe skuadrat e emergjencës e kanë shuar zjarrin në 3 orë. Disa të përditshme gjermane kanë shkruar - menjëherë të marra nga agjencitë e shtypit iranian - se kargoja kishte një ngarkesë prej 80 tonelatash armë për sauditët dhe ushtrinë amerikane.

Shkëmbim të burgosurish në Baku

Qeveria e Azerbajxhanit u ka dhënë amnistinë 3 njerëzve të arrestuar në Baku më shumë se 1 vit më parë. Nuk janë të burgosur si të tjerët: dy, Najm-Eddin Ali Hossein dhe Mohammad Karaki Ali, janë libanezë dhe i përkasin Hizballahut; tjetri, i njohur me emrin "Fazil", ka pasaportë iraniane. Skuadrat speciale të antiterrorizmit i kishin kapur në dimrin e vitit 2009 pas një gjuetie spektakolare nëpër rrugët e kryeqytetit. Sipas akuzës, kishin në mendje sulme kundër objektivave strategjike si ambasada britanike, izraeliane dhe amerikane, si dhe radarin e madh të Gabalas, në veri të vendit, që kontrollohet nga ushtria ruse, por mund të jetë i pari që zbulon nisjen e raketave iraniane. Me ato të tre, janë kthyer në liri edhe 12 qytetarë të tjerë iraniane, të transferuar menjëherë në Teheran me një fluturim special. Azerët kanë siguruar në shkëmbimim lirimin e Rashid Aliev, një inxhinier i arrestuar në Iran në vitin 2008 me akuzën se u ka dhënë informacione sekrete disa agjencive të huaja të inteligjencës (midis të cilëve Mossadit). Iranianët e akuzojnë Azerbajxhanin se mirëpret në kufi ushtarakë amerikanë.

Flet konsulenti Rosatom

Për Emmanuel Gout, themelues i Stratoinvest, një shoqëri konsulence që punon për llogari të Rosatom, "janë Europa dhe Shtetet e Bashkuara ato që e transformojnë Bushehr në një sukses iranian". Gout thotë se "një central nuk është bombë atomike dhe inaugurimi i një impianti të ri duhet të jetë një fakt normal". Rusia, shpjegon eksperti, "është vendi i fundit në botë që do armë të shkatërrimit në masë në Teheran, pasi ndodhet shumë afër me Iranin. Por në raste si ku, ka dy mënyra të operuari: e para është që të vazhdohet me sanksionet; e dyta është të bashkëpunohet për ta mbajtur procesin nën kontroll". Qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar e ka bërë hapjen e Bushehr "një simbol gjigantesk, edhe nga pikëpamja mediatike" të fuqisë së Iranit "dhe do të bëjë të rritet konfuzioni midis bërthamores civile dhe bërthamores ushtarake". Gout thekson se problemi mund të ishte zgjidhur "me lindjen e një banke uraniumi në Rusi, një projekt i Kremlinit që do të mundësonte të mbikëqyrej programi atomik i Iranit. Fatkeqësisht, Franca dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pranuar parimin".

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

Posted via email from Shkupi Press extra