BRITANI/Revolucioni i konservatorëve


Refleksionet e Alexis de Tocqueville mbi botën anglosaksone nuk kufizoheshin tek Amerika. Gjatë një udhëtimi në Britaninë e Madhe, Tocqueville - i mësuar me uniformitetin monoton të Francës - mbeti veçanërisht i magjepsur nga energjia liberale, nga qeverisja e decentralizuar dhe nga "fryma e asosacionit" që kish vënë re në ishull. Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Gordon Brown, Britania e Madhe është bërë ndoshta i vetmi shtet napoleonik i Europës, i vetmi atdhe i centralizmit. Sot, shpenzimet publike vendosen nga qeveria qendrore më shumë se sa ndodh në çdo shtet tjetër të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OSCE), duke përjashtuar vetëm Zelandën e Re. Dhe administrata lokale është më e dobët edhe se në Francë madje. Qeveria qendrore menaxhon pothuajse të gjithë shërbimet sanitarë si dhe të gjithë sistemin shkollor publik. Veç kësaj, në vitin 2009 shpenzimet publike zinin 51 përqind të GDP: një e dhënë kjo që e bashkon Britaninë e Madhe me vendet e kontinentit të vjetër që janë kundër laissez-faire anglosakson.

Po ta vëresh me kujdes, Kryeministri aktual David Cameron ndoshta e kishte mundësinë të shmangte sfidimin e kësaj situate. Në fund të fundit, udhëheqësi konservator nuk siguroi një shumicë absolute në zgjedhjet e majit dhe sot ai qeveris falë një koalicioni të brishtë me liberaldemokratët. E megjithatë Cameron, që sapo ka mbushur 100 ditët e para në detyrë, po demonstron se ka me të vërtetë qëllim që të ndryshojë Britaninë e Madhe: do që të shkurtojë shpenzimet publike në mënyrë më drastike nga sa parashikohej dhe ta bëjë shtetin më të decentralizuar, fleksibël dhe të vëmendshëm ndaj nevojave të qytetarëve.

Objektivi i parë është më radikal për vetë mënyrën si janë gjërat. Qeveria Cameron trashëgoi një ekonomi, e cila sapo kishte nisur të dilte nga një recesion katastrofik. Por edhe kjo rimëkëmbje e zbehtë vazhdonte paralel me një ngadalësim të paprecedentë të politikës monetare dhe fiskale. E rënduar nga borxhet dhe e angazhuar për të lënë pas shpine krizën e sektorit bankar, ekonomia britanike ishte ende shumë e brishtë. Por edhe më e rëndë ishte gropa e bilancit e trashëguar nga laburistët. Në rritje madje edhe gjatë viteve të bumit ekonomik, në dyvjeçarin 2009-2010 deficiti buxhetor arriti në 11 përqind të GDP për shak të ndërhyrjeve fiskale stimuluese të vendosura nga qeveria laburiste. Në maj, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi që këtë vit deficiti britanik do të kalojë atë të të gjithë ekonomive të tjera të G20. Kështu që, një ndërhyrje drastike ishte e pashmangshme, cilido që t'i kishte fituar zgjedhjet.

Qeveria Cameron vendosi të reagojë menjëherë. Pak ditë pasi u zgjodh kancelar i thesarit, George Osborne lajmëroi për shkurtimet e parë për dyvjeçarin 2010-2011. Gjatë fushatës elektorale, kolegët liberaldemokratë të koalicionit ishin deklaruar kundër një ndërhyrjeje të menjëhershme, por pas krizës greke edhe ata ndryshuan mendje. Prerja e parë e reduktoi deficitin me 6 miliardë stërlina, e barabartë kjo me 0.4 përqind të GDP, por la të kuptohet se qeveria e kishte seriozisht. Megjithatë, shërbimi shëndetësor kombëtar që zë pothuajse një të pestën e shpenzimeve të GDP, për këtë legjislaturë nuk do të ketë shkurtime. Për vitin tjetër, edhe mbrojtja dhe arsimi do të jenë të sigurtë. Në 22 qershor të vitit që kaloi u shpall një plan i detajuar bilanci për vitet e ardhshëm. Osborne dha një provë të një kurajoje të madhe për të paktën dy arsye: ka vendosur të ecë përpara me një ritëm të përshpejtuar sa i përket reduktimit të deficitit dhe ka zgjedhur si instrument parësor zvogëlimin e shpenzimeve, duke i lënë një rol anësor rritjes së taksave. Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, në dyvjeçarin 2014-2015 deficiti nuk do të jetë më shumë se sa 2.1 përqind e GDP.

Plani i Cameron është shumë më i shpejtë dhe i vendosur se sa ai i paralajmëruar nga qeveria e mëparshme laburiste - ndonëse më pak i ashpër se sa në ekonomitë e tjera europiane me dimensione më të vogla - dhe deri tani është më rigorozi mes vendeve të G7. Nëse matësi i gjykimit do të kishte kurajo, atëherë strategjia e qeverisë Cameron do të ishte e paarritshme. Por po ai fat që ndihmon të guximshmit mund të mashtrojë kokëfortët. Në Britaninë e Madhe jo të gjithë janë të bindur se një manovër e tillë kaq rigoroze do të jetë efikase. Shumë druhen se plani i masave mund të ketë efekte shkatërrimtarë në shërbimet publikë bazë. Megjithatë, në qershor, Oice for Budget Responsibility, një organizëm i pavarur që kontrollon parashikimet e Ministrisë së Thesarit shprehu një gjykim inkurajues për impaktin ekonomik të planit.

Kurajo e maturisë

Falë vendosmërisë së saj, qeveria ka fituar besueshmëri në sytë e investitorëve, dhe në tremujorin e dytë të këtij viti është rregjistruar befasisht një rritje. Megjithatë, ekziston frika që sipërmarrjet dhe familjet e rënduara nga borxhet nuk janë të prirura që të investojnë apo shpenzojnë më shumë, dhe që plani të mbysë rimëkëmbjen. Në fakt, pas prezantimit të manovrës besimi i konsumatorëve dhe kompanive private pësoi rënie, duke rritur kështu frikën për një recension tjetër.

Megjithatë, rreziku që ekziston është që planet e Ministrisë së Thesarit të rezultojnë thjeshtë të parealizueshëm. Me rritjen e interesave, shkaktuar nga rritja e madhe e borxhit, si dhe kursimet e munguara në shërbimin shëndetësor, ministritë përgjegjëse për shërbime të tjerë publikë do të duhet të përballen me shkurtime më të vazhdueshëm. Rinisja e saktë e tyre do të mësohet në 20 tetor. Deri në atë moment, ministrat do të jenë në një betejë ku nuk përjashtohet asnjë goditje. Një zgjidhje e mundshme për të zbutur shtrëngimin në shërbimet publikë është ndërhyrja në bilancin e shërbimeve sociale, që zë 28 përqind të shpenzimeve publike në tërësi. Në qershor, Osborne deklaroi se do të ketë njëmbëdhjetë miliardë stërlina kursime deri në vitin 2015. Nëse do të arrijë të kursejë edhe 14 miliardë të tjerë, atëherë shkurtimet në buxhet për ministritë e tjera nuk do të jenë më shumë se 20 përqind. Por radikalizmi i qeverisë së re duket se ka limite. Koalicioni Cameron mund të sigurojë pothuajse 10 miliardë stërlina nëse heq pagesat për fëmijët e ngarkuar, në të cilat përfitojnë sot të pasur dhe të varfër, si dhe duke eliminuar kontributet për ngrohjen dhe abonimet falas në autobusë për mbi 60-vjeçarët. Nëse do të hiqte dorë nga klauzola për mbrojtjen e shërbimit shëndetësor dhe do të vendoste të shtynte rritjen e ndihmave për zhvillim, atëherë qeveria do të arrinte të ulte edhe më shumë shkurtimet për ministritë. Megjithatë, në të dy rastet Cameron do të duhej të thyente premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale. E gjithë kjo nxjerr në dritë një risk të madh: planet fiskalë të qeverisë mund të jenë shumë të guximshëm dhe në të njëjtën kohë shumë të brishtë. Në frontin ekonomik, do të ishte mirë të studiohej një manovër alternative që do të përdorej në rast se shkurtimet do të kishin efekte negativë.

Forca centrifugale

Vizioni radikal i Cameron, megjithatë, shkon përtej këtyre llogarive. Një tjetër risi e revolucionit të tij është programi i kalimit të pushtetit nga qendra në periferi. Britania e Madhe është një prej vendeve më centralistë të botës së zhvilluar. Modeli i planifikimit qendror ishte vendosur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, por u ruajt në mënyrë të paarsyeshme edhe në kohë paqeje. Pas vitit 1945, në shumë shtete europianë shteti u ndërtua që nga themelet, shpesh herë duke e larguar pushtetin nga qendra. Në Britaninë e Madhe, fitorja e përforcoi rolin e parlamentit dhe të qeverisë.

Më pas erdhi Margaret Thatcher, e cila e fuqizoi edhe më shumë centralizmin politik për ta emancipuar vendin në nivel ekonomik. Tony Blair shkoi edhe më tutje, duke futur menaxhimin e centralizuar të shërbimeve publikë përmes një serie objektivash performance. Më pas, kur ndërroi mendje, nuk kishte forcën e nevojshme politike për të sjellë ndryshime të reja në drejtim. Pasardhësi i tij, Gordon Brown, nuk ka qenë asnjëherë një mbështetës i transferimit të pushtetit.

Ndërsa sot, decentralizimi është rikthyer në modë. Reformat e nisura nga Blair - që i kanë dhënë dritë jeshile shkollave dhe finacioneve spitalorë të financuara nga shteti, por të menaxhuara në mënyrë autonome - janë në sintoni me traditën e konservatorëve që favorizojnë gjithçka është lokale, e vogël dhe e pavarur. Por vendimi i konservatorëve për të këmbëngulur në transferimin e pushteteve në fushatë elektorale ishte një gabim. Shumë konservatorë janë të bindur se me argumente më konkretë, do të kishin fituar shumicën absolute. Sido që të jetë, rezultati elektoral i pasigurtë ka vënë në lëvizje forcat centrifugale. Cameron mundi të formojë një koalicion me liberaldemokratët pikërisht sepse të dy partitë janë të bindura që shteti britanik është shumë i centralizuar dhe peshues. Rezultati është që përveç planit të masave, prioritet tjetër i koalicionit është pikërisht shpërndarja e kompetencave. Tre janë sektorët që pritet të pësojnë një transformim të thellë: arsimi, policia dhe shëndetësia.

Me një qasje të trashëguar pjesërisht nga laburistët, sot qeveria e re synon që t'u japë më shumë liri prindërve për të zgjedhur për arsimimin e fëmijëve të tyre. Shkollat inkurajohen që të shndërrohen në institute publikë, por të lirë nga kontrolli shtetëror. Shumë shpejt do të nisin të funksionojnë free schools, të krijuara dhe menaxhuara nga organizata jofitimprurëse, grupe fetarë, universitete, shkolla private apo nga vetë prindërit. Këto shkolla të reja do të mund të fiksojnë kushtet e punës dhe pagat e personelit, të marrin vendime mbi didaktikën, të përcaktojnë kohëzgjatjen e ditës së shkollës si dhe ndarjen e vitit shkollor si dhe të bëjnë zgjedhje të tjera në autonomi të plotë.

Shteti do të paguajë strukturat dhe do të japë fondet në bazë të nxënësve të regjistruar. Nuk do të ketë diskriminime: studentët më të varfër marrin kontribute më të mëdhenj, kështu që shkollat e reja do të jenë patjetër të interesuara t'i pranojnë. Ata që i kundërvihen reformës dyshojnë që cilësia e arsimit do të ndryshojë shumë nga një shkollë në tjetrën dhe që studentët e klasave të mesme do të kenë më shumë avantazhe.

Veç kësaj, ka nga ata që thonë se një reformë e ngjashme do të thithë fondet që janë të destinuara për rikualifikimin e shkollave ekzistuese. Me thënë të vërtetën, disa rezerva i kanë edhe ata që janë mbështetës të planit të Cameron. Ideja që ai që menaxhon shkollën nuk duhet të fitojë duket se ka motivacion mbi të gjitha politik. Dhe fakti që institutet e rinj do të duhet të miratohen, në instancë më të fundit, nga Ministria e Arsimit duket se bie në kontradiktë me parimin e autonomisë.

E megjithatë, futja e parimit të zgjedhjes së lirë dhe të konkurrencës në një sistem shkollor të ngurtë si pak të tjerë në botë mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm. Nëse plani do të ketë sukses, do të jenë shkollat që do të konkurrojnë për nxënës dhe jo e kundërta. Deri tani, afro 160 institute kanë bërë kërkesë për ndryshim të statusit juridik dhe janë hapur më shumë se 60 praktika për krijimin e shkollave të reja të lira.

Një tjetër ndryshim i madh ka të bëjë me forcat e policisë, të cilat janë ato mbi të cilat qytetarët kanë më pak kontroll. Sot, drejtuesit e policisë duhet të japin llogari vetëm përpara Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, qytetarët ankohen sepse agjentët qëndrojnë prapa tavolinave në vend që të patrullojnë në rrugë, sepse rrinë e rendisin kërkesat për ndihmë të viktimave të dhunës në linjat e asistencës, ndërkohë që t'u vihen pas kriminelëve dhe sepse shfaqen veçanërisht indiferentë ndaj problemit - në dukje të vogël - të sjelljeve antisociale.

Qeveria është përgjigjur duke krijuar dhe ligjëruar figurën e policit dhe komisionerit të krimit, një lloj komisari special për luftën kundër krimit i zgjedhur direkt nga qytetarët. Përjashtim këtu bën vetëm Londra, aty ku kryebashkiaku ushtron tashmë një funksion vigjilence demokratike mbi forcat e rendit. Duke filluar që nga viti 2012, këta komisarë të rinj do të vendosin prioritetet në nivel lokal, do të emërojnë dhe largojnë zyrtarët e policisë dhe do të hartojnë bilancin. Aktivistët për të drejtat civile druhen se mos zgjedhja e komisarëve i hap rrugë populizmit. Por kiomisarët nuk mund të ndryshojnë rregullat për agjentët. Dhe ndoshta nuk do të arrijnë të kushtëzojnë drejtuesit e policisë, të cilët në përgjithësi nuk e durojnë dot idenë që të marrin urdhëra nga jashtë.

Plani i qeverisë për shërbimin shëndetësor është po aq radikal sa ndërhyrjet në arsim dhe polici, por ka patur më pak reklamë. Cameron kishte premtuar në mënyrë indirekte se do "t'u besonte profesionistëve". Këto fjalë marrin sot një domethënie vërtetë radikale: në fakt do të jenë mjekët të bashkuar në grupime që do të menaxhojnë pjesën më të madhe të kurave dytësore. Autoritetet e shëndetit strategjik (organizmat që kanë detyrën të respektojnë politikat shëndetësore qendrore në nivel lokal) si dhe primary-care trusts (qendra të ndihmës së parë) do të dalin nga skena. Pacientët do të kenë një hapësirë të madhe lirie në zgjedhjen e mjekut. Objektivi është që të përmirësohen eficenca dhe fleksibiliteti: mjekët dytësorë do të duhet të shmangin pacientët e kotë apo terapitë e kushtueshme në spitale.

Nga të gjithë programet e hartuara nga qeveria për të riorganizuar sektorin publik, ai që lidhet me shëndetësinë mund të jetë më i rrezikshmi. Sistemi i fundholding (në të cilin mjekët e bazës menaxhojnë fonde për blerje apo për furnizimin e spitaleve) u fut nga qeveria konservatore e John Major si opsion fakultativ. Shumë mjekë familjeje nuk kanë as dëshirën, as aftësinë që të menaxhojnë këto bilance. Plani i Cameron është në fakt një tjetër reformë drastike e shëndetësisë dhe vjen nga një parti - konservatorët - që kishte kritikuar fort atë çfarë ishte bërë nga qeveria laburiste.

Rezistencë dhe dyshime

Transferimi i pushtetit nuk kufizohet në këta tre sektorë. Edhe në sistemin social është duke ndodhur një transformim: kontributet për kompanitë dhe organizmat jofitimprurës që merren me futjen e të papunëve në botën e punës kanë konfirmuar dhe është duke u diskutuar një reformë radikale e përfitimeve. Do të ketë më shumë kryebashkiakë të zgjedhur, më pak parlamentarë dhe më shumë hapësirë për nismat e qytetarëve. Qeveria do të kontribuojë për formimin dhe financimin e organizuesve të komunitetit. Dhe, në një lloj glaznosti që do të duhet të kompletojë perestroikën e decentralizimit, qytetarët do të kenë akses të menjëhershëm në internet për një sasi gjithnjë e më të madhe informacionesh për gjithçka që është publike.

Po prej nga buron i gjithë ky radikalizëm? Me fytyrën plot gjallëri dhe me imazhin prej xhentëlmeni fshati, Cameron duket si një konservator i llojit të vjetër, flegmatik dhe i moderuar. Kështu që, përgjigjja e pyetjes duhet të gjendet tek njerëzit e stafit të tij. Strategu i Cameron është Steve Hilton, një prej konservatorëve tocquevillianë më ortodoksë. Një njeri që vjen nga bota e biznesit të reklamave dhe i bindur që organizatat joshtetërore mund të bëjnë shumë për të realizuar ndryshime të rëndësishëm socialë, Hilton ka marrë pjesë në procesin e rinimit të partisë konservatore që dëshirohej aq shumë nga Cameron dhe tani bashkëpunon ngushtë me Oliver Letwin, një prej këshilltarëve politikë më të afërt të Kryeministrit dhe një mbështetës i bindur i decentralizimit.

Grupi politik i Downing Street udhëhiqet nga James O'Shaughnessy, i cili ka ideuar një pjesë të madhe të politikës shkollore të qeverisë. Kolegu i tij, Rohan Silva është ndoshta, nga të gjithë këshilltarët politikë të Kryeministrit, mbështetësi më entuziast i transferimit të pushteteve. Ndryshe nga Hilton, O'Shaughnessy dhe Silva kanë bredhur botën (mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara) për të studiuar risitë sociale dhe funksionimin e sistemeve politikë jocentralistë. Dhe gjetjet dhe idetë e këtij ekipi janë shpërndarë në të gjithë programin e koalicionit. Një program që, pashmangshmërisht shfaq disa probleme. Shumë prej ideve më kurajoze nuk janë hedhur në letër në mënyrën e duhur.

Besimi i konservatorëve në faktin që shoqëria civile mund të marrë përsipër detyra të shtetit është ndoshta prekës, por rrezikon të jetë pak realist. Edhe pse propozimet e tyre janë të arsyeshëm, rezistenca do të jetë e ashpër. Britanikët nuk pranojnë shërbime publikë me cilësi johomogjene. Sindikatat do të vënë në provë këmbënguljen e qeverisë. Dhe shumë punonjës publikë do të rebelohen ndaj idesë së transferimit të pushetteve nga Whitehall në periferi.

Veç kësaj, për komponentët e ndryshëm të koalicionit, transferimi i pushteteve ka domethënie të ndryshme. David Miliband, kandidati favorit në garën për udhëheqjen e laburistëve, ka folur për një "transferim të dyfishtë". Pushteti, ka shpjeguar ai, do të duhej të kalonte nga qeveria qendrore tek ajo lokale dhe atje ku është e mundur nga administratat publike, tek qytetarët. Konservatorët kanë në zemër mbi të gjitha pjesën e dytë të këtij projekti, ndërkohë që liberaldemokratët (që kanë një prani të fuqishme në shumë këshilla lokalë) preferojnë të parën. Ky dallim në këndvështrime mund të shkaktojë kontraste në qeveri.

Pastaj ekziston një divergjencë edhe mes konservatorëve që synojnë të reduktojnë ndërhyrjen e shtetit, si Osborne dhe ata që janë më të interesuar për transferimin e kompetencave, si Hilton. Në fund, procesi i reformës është shumë i kushtueshëm, sidomos në të ardhmen e afërt. E megjithatë, edhe pse ka dyshime dhe thirrje për maturi, qeveria Cameron ka theksuar sërish me qartësi vizionin e një shteti më të aftë dhe është shfaqur shumë e vendosur që të reformojë të gjithë sektorin publik. Nëse kësaj i shtohet edhe plani kurajoz financiar i parashtruar nga Osborne, atëherë kuptohet që vendi do të ketë përpara vite të vështirë.

Ndonjëherë, në Britaninë e Madhe zgjedhjet marrin një rëndësi epokale, duke influencuar edhe politikën e vendeve të tjerë. Ndodhi në vitin 1945, me lindjen e shtetit social modern dhe në vitin 1979, me ardhjen në pushtet të Margaret Thatcher. Falë një qeverie të angazhuar për një riorganizim radikal të makinës publike, edhe rezultati i zgjedhjeve 2010 mund të rezultojë një pikë kthese shumë e rëndësishme.

 

Posted via email from Shkupi Press extra