Familjet e të rënëve kundër Blerit: “Nuk i duam paratë e tua të lara në gjak”

Ish-kryeministri i ofroi paratë e librit të tij “Kujtimet” për bamirësi

Toni Bler vazhdon që të mbetet Toni Bler edhe me mënyrën se si përpiqet që të shfrytëzojë pushtetin mediatik për të ta përdorur në favor të vet edhe në rastet më ekstreme. Megjithatë, së fundi mund të thuhet me plot gojë se pësoi një fiasko të vërtetë dhe pikërisht në atë që quhet pika e tij më e dobët dhe më e kritikuar si ish-aleat dhe mbështetës i zjarrtë i vendimeve të Bushit për të luftuar në Afganistan dhe Irak. Ndoshta zhgënjimi i tij i fundit mund të vijë për shkak të nënvleftësimit që i ka bërë dhe i bën vazhdimisht dhimbjes dhe inatit të një populli ndaj tij. Të hënën që shkoi ai njoftoi se të ardhurat që do të përfitojë nga libri i tij i fundit: “Udhëtimi” që flet për karrierën e tij politike dhe që do të dalë në treg në fillim të shtatorit, do të shkojnë të gjitha për Legjionin Mbretëror Britanik, një organizatë në ndihmë të familjarëve të viktimave të luftës. Nëse ish-kryeministri priste pas këtij vendimi që familjarët t’i shprehnin një mirënjohje të përjetshme, sigurisht që duhet të jetë zhgënjyer nga polemikat e mëdha që janë hapur pas këtij veprimi. Polemika që shkojnë nga akuzat për tentativë të pastrimit të ndërgjegjes së përlyer nga vdekja e mijëra vetëve në një luftë të padrejtë e deri tek ato për përdorimin e këtij njoftimi për t’i bërë reklamë librit dhe për të përfituar një ulje taksimi. Por reagimin më të ashpër, Bler e ka marrë nga familjarët e viktimave që ia kanë refuzuar paratë duke ia cilësuar “të ndyra”. Familjarët e viktimave kanë theksuar se nuk duan para nga një ish-kryeministër që edhe kur u thirr për të dëshmuar për ligjshmërinë e luftës në Irak nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për faktin që mbështeti një luftë që u bazua mbi informacione të rreme. “Edhe sikur të dhuronte gjysmë miliardi sterlina nuk do t’i mjaftonin për t’i larë duart nga gjaku në të cilin i janë zhytur”, deklaroi për të përditshmen britanike “Daily Telegraph” një familjar i një ushtari të vrarë në Irak. Por ndërkohë si Bler, ashtu edhe organizata të cilës ai ia ka bërë propozimin nuk kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me shumën në fjalë edhe pse për një gjë të tillë duhet bërë transparencë. Por sipas një zëdhënësi të ish-kryeministrit ai do të dhurojë praktikisht gjithçka që do të fitojë nga shitja e librit, përfshi të gjitha paratë e botimit të tij në vende të ndryshme të botës. Por nuk është e qartë nëse kjo shifër përfshin edhe 4 milionë sterlinat e përfituara nga Bler prej botuesit si shumë paraprake për botimin e librit. Por sipas kritikëve të tij, Bler nuk është i humbur edhe në rastin kur ofron para, sepse sipas ligjit, ai do të përfitojë një ulje shumë të madhe të taksave për shkak të dhurimeve të parave për bamirësi. Dhe ky është një favor shumë i madh për një njeri që ka një perandori të tërë parash, e cila është ndërtuar në pjesën e saj më të madhe gjatë aktivitetit konsultativ të Blerit, pasi e mbylli me të qenët Kryeministër. Dhe pastaj të mos harrojmë faktorin e publicitetit që i bëhet me këtë rast vetë librit. Specialistët e komunikimeve e kanë quajtur këtë hap të Blerit “gjetjen më të mirë të mundshme publicitare të vitit” duke qenë të bindur se edhe pse janë të pakëndshme të gjitha polemikat e shkaktuara për veprimin e Bler çojnë ujë në mullirin e librit, pra i bëjnë një reklamë shumë të madhe atij dhe si pasojë i sjellin edhe më shumë famë ish-kryeministrit britanik.

Posted via email from Shkupi Press extra