Dje, nuk mbeti televizion qoftë shqiptar, qoftë i huaj, pa transmetuar lajmin se Kina kishte kaluar në Prodhimin e saj Bruto (PBB) Japoninë. Analistë dhe njerëz të fushave të ndryshme, komentonin për të disatën herë çudinë kineze. Por në realitet duhet treguar maturi në arritjen e rezultateve përfundimtare, pasi shifrat vijnë nga një vend, i cili burimet e informacionit i ka rreptësisht të kontrolluara dhe shpesh i përdor për qëllime propagande. Aq më e besueshme bëhet kjo, pasi Partia Komuniste Kineze, në mbajtjen e unitetit kombëtar të vendit, ka kaluar nga ideologjia marksiste, në nacionalizmin e mbështetur në antijaponizmin, vendin që i pushtoi, kreu masakra të pashembullta dhe ende s’i ka kërkuar falje. Megjithëse Japonia kundërshton duke pretenduar gabim në përllogaritjen e treguesve, e vërteta është se edhe nëse Japonia e mban këtë primat për 2010-n, me siguri që do ta humbë në pak vitet e ardhshme, vetëm nëse nuk ndodh një çudi dhe ekonomia japoneze fillon të rritet me 10% në vit, rritje kjo e Kinës dhe jo me 1 deri 2% në vit, që është ritmi i Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Japonisë vetë. Megjithatë kinezët janë ende herët për të kënduar himne, pasi e ardhura për frymë e Japonisë mbetet 5 herë më e madhe se e Kinës dhe ende kinezët do vazhdojnë të emigrojnë duke formuar “Chinatown”-et në qytete perëndimore në kërkim të begatisë. Ende vendi është shumë i varfër dhe s’ka muaj që mos ofrojë pamje katastrofash që vijnë pikërisht nga ky ritëm i madh zhvillimi, por që bëhet në kurriz të sigurimit në punë dhe ambientit. Perëndimi tradicional politik që është në konceptin tonë, i ka harruar ritmet e rritjes prej 6 e 7% në vit, nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Që prej asaj kohe, ekonomitë e G7-s së dikurshme, rriten me 1 ose 2% në vit. Në këto kushte, të gjithë shohin të mahnitur eksperimentin kinez dhe bëjnë tifo dhe parashikime për arritjet e tij. Një nga këto, ishte thënia se brenda dhjetë vjetësh, do arrijë SHBA-në. Një vend e dyfishon begatinë e tij me formulën 70 pjesëtim përqindjen e rritjes, dhe i bie që Kina me një rritje 10% në vit (realisht e ka pasur 7, 8, maksimumi 9% në vit), pas 7 vjetësh të dyfishojë PBB, duke arritur nga rreth 5.000 miliardë dollarët aktualë, në 10.000 miliardë. Por së pari, Amerika asnjëherë, edhe në krizat më të rënda, nuk ka rënë nën një ritëm rritjeje prej rreth 3% në vit (përjashto vitin 2009), që përkthyer në shifra, do të thotë që në vitin 2020, do ketë 40% më shumë të PBB-së aktuale, pra diku rreth 21.000 miliardë dollarë. Duket si fabula e breshkës me Akilin, ku Akili nuk e kapte dot breshkën? Por kjo nuk është fabul. Është aritmetikë. Pas kësaj vijnë një sërë të panjohurash: Që të respektohet dëshira e saj, Amerika i ka të gjitha aleancat dhe mekanizmat e nevojshëm politikë dhe ushtarakë, ndërsa Kina shikohet me frikë në Vietnam dhe Indokinën në përgjithësi; ka probleme primati rajonal me Rusinë dhe me Indinë, si dhe duhet të kapërcejë barrierën Japoneze në rajon, vend lider në investime e teknologji. Që të sigurojë interesat e saj dhe të aleatëve, SHBA e vetme, janë në gjendje të paraqesin në fushëbeteje 12 aeroplanmbajtëse bërthamore, kundrejt asnjë kinezeje dhe 5 mijë koka bërthamore strategjike dhe 9 mijë taktike, kundrejt vetëm 20 raketave bërthamore kineze që vështirë se kapin dot brigjet amerikane. Shto këtu dhe ushtritë e shkëlqyera të Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë dhe aleatëve të SEATO-s, balanca përmbyset në favorin amerikan. “Çdo betejë është e fituar ose e humbur ende pa filluar”, thotë Sun Tzu, gjenerali i lashtësisë kineze, një lloj Klauzevici i Lindjes së Largët. Ndaj shtrohet pyetja: Kush mund të fitojë në rast të një përplasjeje të tillë? Me kë do të donit të ishit aleat, dhe kujt do preferonit t’ia shisnit lëndët e para? Këtë e dinë edhe vetë drejtuesit e Pekinit, të cilët gjithmonë nën miratimin e heshtur amerikan, janë përpjekur të hyjnë me investimet e tyre në vende të pastabilizuara politikisht, ku kostoja e humbjes së jetëve amerikane, është më e lartë se përfitimi. Sudani, Etiopia, Nigeria, etj., janë vende ku Amerika nuk do harxhonte jetën as edhe të një marinsi, por nëse Kina ka dëshirë, është e lejuar të shkojë e të investojë. Problem i së ardhmes së afërt, është kompetiviteti i industrisë kineze në tregun global, i cili është larg të qenit konkurruese. Edhe vetë deklarimet e drejtuesve kinezë bëjnë fjalë për një vend me ekonomi të emergjencës. Wu Jan Min, ish-ambasador i Kinës në OKB, deklaron: “Jemi akoma një vend i varfër, një vend në rrugën e zhvillimit. Njerëzit nuk duhet të mendojnë për ne në mënyrë të ekzagjeruar”. Vërtetë ekonomia kineze kapi ose shpresohet të tejkalojë atë japoneze, por ende objektivi i ekonomisë kineze, është zhdukja e varfërisë. Mallrat kineze në Perëndim, janë gjithmonë mallrat më të lira, çka nënkupton edhe më pak kualitative. Makinat kineze, megjithëse me çmime nganjëherë të barabarta me biçikleta të cilësisë së lartë, nuk arrijnë të çajnë tregjet perëndimore për shkak të mosplotësimit të standardeve të sigurisë, por edhe kur ndonjë markë e vetmuar ia arrin, janë kopje të tejkaluara të modeleve perëndimore. Gjithashtu, bursat e mallrave dhe të financës dhe sistemi bankar, ende ndodhen në territorin e fuqive të vjetra dhe mekanizmat financiarë të Pekinit duan kohën e nevojshme të jenë prezente në këtë sistem në mënyrë proporcionale me peshën ekonomike që ka. Gjithashtu, duhet parë edhe ritmi i rritjes vjetore të vendit. Shprehur në terma figurativë, Kina ngjan me një makinë që prej 30 vjetësh, xhirot e motorit të ekonomisë janë në maksimum. Teorikisht, ose duhet lënë motori të ftohet, ose të punojë me ritmin normal, ose të digjet. Faktet tregojnë që këmba në gaz nuk është lehtësuar. Por edhe sa do jetë në gjendje të vazhdojë kështu? Kjo është një pyetje, që vështirë t’i jepet përgjigje, pasi është një motor i vënë në punë për herë të parë dhe në kushte specifike të paprecedentë në të kaluarën. Por së shpejti do fillojnë që edhe në Kinë të dalin problemet që shqetësojnë një vend në zhvillim, si plakja e popullsisë, ku sipas “Goldman Sachs”, nga 2005, deri në 2050, mosha mesatare në Kinë do arrijë nga 33 vjeç, në 55 vjeç. Rritja e mirëqenies do sjellë paralelisht rritjen e kërkesave për më shumë liri politike dhe ky është një korrelacion që do minojë seriozisht bazën politike të zhvillimit, i cili konsiston në kontrollin me grusht të hekurt të shoqërisë dhe territorit. Më shumë liri politike, do të thotë paga më të larta dhe rritje e kostos së punës, rritje të korrupsionit, ngadalësim të investimeve për shkaqe të pronës. Dhe sa kohë do vazhdojë ta mbajë PKK-ja primatin e pakontestuar të politikës? Rritje e mirëqenies do të thotë pashmangmërisht edhe rritje e ndjeshmërisë ndaj ambientit, i cili ka paguar kosto të jashtëzakonshme në Kinë, por nuk mund të vazhdojë në pafundësi kështu. Të gjitha këto janë shumë pak nga të panjohurat që do përballojë Kina e shekullit të 21, të panjohura që konkurrentët e saj i kanë zgjidhur. Dhe në ekonomi, faktori politik ka peshën e vet të padiskutueshme, ku mbarëvajtja e tij ose e kundërta, reflektohen me shenjën plus ose minus në zhvillimin e vendit. Kina ka ende shumë ekuacione për të zgjidhur, përpara se të hipi në podin e primatit botëror.Dritan Hila
Matematikisht e pamundur. Dhe pse kjo nuk do të ndodhë, ja disa argumente në morinë e atyre kundër:
Me rritjen e prodhimit të fabrikës së quajtur Planeti Tokë, burimet e lëndëve të para, janë të shpërndara shpesh në shpërpjesëtim me përqendrimet e popullsisë. Pra nëse Kina zë vetëm 5% të sipërfaqes së planetit dhe 1/4 e popullsisë së botës, lëndët e para janë shpërndarë kryesisht në vende të tjera. Dhe këto vende, ose janë aleate të SHBA-së, ose ia kanë frikën atyre, por natyrisht do respektojnë mendimin dhe nevojën amerikane.
Po ashtu lirimi i darës së pushtetit do të sjellë edhe daljen e problemeve territoriale dhe nacionale të një vendi, i cili sipas pretendimeve, 91% janë të etnisë Han, por 9% tjetër, janë 120 milionë banorë të shtypur, si dhe me dhjetëra sekte e fe.
Home »
» Ekuacionet e Kinës në ambicien për primat botëror





