Putini është nën sulm? 10 vjet nga ngjitja e tij në pushtet, krijuesi i Rusisë passovjetike rrezikon që të përfundojë në gjendje shahu. Kërcënimet vijnë nga dy drejtime të kundërta: shumëfishimi i vatrave të pakënaqësisë popullore kundër Putinit dhe tensioni në rritje në raport me Medvedevin. Të shkrira divergjencat me Presidentin, Kryeministri reagon duke forcuar mekanizmat e kontrollit për të shuar pakënaqësinë publike. Është kjo "exit strategy" e Putinit për ta ripasur në dorë Rusinë në pritje të zgjedhjeve presidenciale të 2012?
"Putin must go": është thirrja e lëshuar më 10 mars me një peticion popullor nga mbeturinat e fundit të opozitës ruse për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit. Mbi 30 intelektualë, politikanë, gazetarë dhe artistë kanë hartuar atë që është një enciklopedi e plotë e antiputinizmit. Nga prezantimi i saj deri më sot, "Putin must go" ka mbledhur mbi 50000 firma në qytete të ndryshme ruse. Dhjetëra qytetarë kanë sfiduar Omon-ët, skuadrat speciale të ndërhyrjes së shpejtë të Ministrisë së Brendshme, pasi në Rusi e drejta e të mbledhurit konsiderohet pothuajse si akt terrorizmi. Megjithatë, kjo iniciativë mezi ka filtruar në mediat perëndimore. Në fakt, nuk ishte e lehtë ta individualizoje. Më 10 mars, vetë ditën e botimit, sajti i gazetës që e para kish botuar apelin është errësuar nga një haker. Veç kësaj, disa gazetarë që e kanë botuar tjetërkund apelin, kanë marrë kërcënime për jetën. Nuk është e vështirë të kuptohet se pse as televizionet nuk i kanë dhënë vend kësaj iniciative. Dy kanalet kryesore ruse, Kanali Një dhe Rusia kontrollohen nga një konglomerat shtetëror që drejton edhe 5 televizione kombëtare, 2 rrjete ndërkombëtare, 5 stacione radiofonike, mbi 80 kanale lokale dhe agjencinë e shtypit Ria-Novosti. Kanali i tretë, NTV, i lindur si televizion i lirë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, tani i përket Gazpromit. Pushteti i vërtetë nuk i pëlqen dritat e qendrës së vëmendjes. Të njohësh Putinin do të thotë të kesh të ditur sesa normalisht nuk njihet. Është Rusia.
Një tjetër iniciativë anti-Putin, e binjakëzuar me peticionin "Putin must go", është "Putin. Rezultatet. 10 vjet", një botim i nënshkruar nga Boris Nemtsov dhe Vladimir Milov, dy nga mendjet më të freskëta të "Solidarnost", organizatë liberale e lindur në dhjetor të 2008 nga suksesioni i radhës nga forcat e opozitës të dobëta dhe grindavece. Stimuli është gjithmonë i njëjti: Kremlini vesh maskën e pajtimit dhe të interesit kombëtar për të kuptuar ndonjë anëtar të opozitës veçanërisht i ndjeshëm ndaj sirenave të pushtetit. Kështu të tjerët, për nga refuzimi apo nga zilia, ngurtësohen në pastërtinë e tyre ideologjike kundër Kremlinit. "Putin. Rezultatet. 10 vjet" ka dalë më 14 qershor në 1 milion kopje. Por katër ditë më pas është ndalur nga çdo botim dhe kopjet në qarkullim shpesh sekuestroheshin me akuzën se nxisnin ekstremizmin. Gjykatat e kanë deklaruar si të pabazuar këtë akuzë, por kopjet e sekuestruara në pjesën më të madhe të tyre janë mbajtur. Pse ky sabotim kaq i egër nëqoftëse Nemtsov dhe opozita janë politikisht të padëmshëm? Çfarë kishte të shkruar kaq të rrezikshme? Realitetin. Një korrupsion me përmasa kolosale që e ka zhytur Rusinë në nivelet e shteteve më të prapambetura afrikane; gjysmë milioni të vdekur çdo vit prej epidemisë së alkoolizmit dhe cilësisë së keqe të shërbimeve shëndetësore; humbja në Kaukazin rus, ku Moska pompon çdo vit 6 miliardë dollarë, të cilat pluhurosen nga korrupsioni, ndërsa atentatet, në 10 vjet janë shtuar me 6 herë. Së fundi tharja e fondeve pensionistike, ndërsa qeveria rrit taksat dhe moshën e daljes në pension. Ja pse është e vështirë të gjendet ndonjë kopje e këtij botimi.
Në biografinë politike të Putinit ndërthurjet janë një konstante, edhe pse këto ndërthurje shpesh bashkojnë të kundërtat. Kur rënia fizike dhe politike e Jelcinit ishte bërë e pashmangshme, qe pikërisht Nemtsov delfini më i akredituar për pasimin. Nga 1997 deri më 1998 qe zëvendëskryeministër i parë dhe grumbulloi popullaritet të madh me reformat e mëdha në sektorin e energjisë. Por më pas kriza ekonomike e 1998 i përmbysi reformistët properëndimorë. Dalja e Nemtsov nga qeveria korrespondoi me ngjitjen e Putinit, i cili më 1999 u bë Kryeministër. Nemtsov përfundoi gjithnjë e më shumë i marxhinalizuar nga një pushtet gjithnjë e më shumë e centruar tek Putini. 10 vjet më pas, Nemtsov i denoncon popullit rus përgjegjësitë e supozuara të Putinit që gjithsesi nuk është më në pozicionin e tij të zakonshëm të forcës. Në fakt, ndodhin episode që më parë qenë vetëm të imagjinueshëm me shumë fantazi. Në një mbrëmje festive në Moskë për mbledhjen e fondeve në favor të fëmijëve me kancer në fund të majit, Putini u kontestua në mënyrë të hapur nga Yuri Shevchuk, Bruce Springsteen i Rusisë passovjetike. Shevchuk guxoi deri ta pyesë Kryeministrin nëse ndjehej vërtet i ndershëm kur premtonte liri e demokraci, ndërsa korrupsioni gëlon dhe policia bën ligjin duke ngjallur frikë në vend të respektit. Çuditërisht ky sulm frontal nuk u censurua dhe akoma sot konsiderohet një ngjarje e jashtëzakonshme.
Përveç ulje-ngritjeve me Nemtsov, jeta politike e Putinit ndërthuret në mënyrë shumë më përcaktuese më atë të Presidentit Medvedev. Raporti midis dy posteve më të larta të shtetit lëkundet midis sinergjisë dhe një antagonizmi të papritur. Zgjedhja e Medvedevit i kish mundësuar Putinit që të qëndrojë në pushtet duke u kthyer të ribëjë Kryeministrin. Por Presidenti i ri ka treguar gjithnjë e më shumë autonomi në politikat për të më të ndjeshme, nga korrupsioni tek modernizimi. Në shtator të 2009, pak më shumë se 1 vit nga zgjedhja, Medvedevi u shpreh i gatshëm që të garonte për një mandat të dytë në 2012. Edhe Putini pati të njëjtën ide, por askush, brenda dhe jashtë Rusisë, nuk e priste që të gjente në Kremlin një President të gatshëm që të sfidonte babain themelues të Rusisë, përveçse mentorin e tij. Ashtu si në rastin Nemtsov, të larguar në çastin e fundit dhe pa shpjegime të arsyeshme me përjashtim të pakteve kulte midis familjes Jelcin dhe oligarkive ish KGB, edhe Medvedevi është një emër i dalë pothuajse nga hiçi. Analistët synonin mbi të kundërtën e tij, Sergei Ivanov, ministër i Mbrojtjes intransigjent nga 2001 deri më 2007 dhe më pas zëvendëskryeministër i parë, Ivanovi kishte qenë zëvendës i Putinit kur ky i fundit ishte drejtor i FSB-së. Pavarësisht një kurrikulumi të tillë, Putini zgjodhi të ndrojturin Medvedev me simpati të njohur liberaldemokratike. Është më mirë të vesh në pushtet një pëllumb sesa një fajkua. Por pëllumbi Medvedev ka edhe një tru politik shumë të rrezikshëm dhe si ekonomist e teknokrat është një individualist që nuk i njoh logjikat e përkatësisë të politikës.
Megjithatë, mosmarrëveshjet midis Putinit dhe Medvedevit u ngrinë nga emergjenca e krizës së rëndë ekonomike që ka goditur Rusinë në dimrin 2009-2010. Por qe e njëjta ekonomi që e bëri këtë armëpushim jetëshkurtër. Strategjia e Putinit donte të rriste specificitetin e ekonomisë ruse, ndërsa Medvedev prirej drejt hipotezash më perëndimore. Divergjenca më e madhe u regjistrua kur Presidenti vendosi që të ndjekë, edhe njëherë akoma, rrugën e modernizimit për të themeluar në Moskë një fshat teknologjik të frymëzuar nga Silicon Valley. Pa pasur nevojë që të rrëmojë në pamfletet anti-Putin, në Rusi përqindja e biznesmenëve ndaj të gjithë popullsisë është ndër më të ulëtat e vendeve të zhvilluara. Ndërsa Medvedevi ishte në Amerikë për të studiuar sesi ta importonte hi-tech në Rusi, duke grumbulluar miliona dollarë fonde nga kompanitë më të mëdha, Putini kish deklaruar tashmë se vendi i tij nuk kishte nevojë për ndihmat e huaja, pasi "rusët nuk janë invalidë dhe nuk kanë aftësi mendore inferiore". Putini nuk shkulet nga industria e rëndë për eksportimin e resurseve energjetike. Mendon akoma për një OPEC të gazit, punon me sukses për të realizuar gazsjellësin e dyfishtë North dhe South Stream. E qartë: energjia është pushtet, ekuacion themelor i "putinomics". Por kjo energji nuk ka krijuar mirëqenie sociale pasi qeveria nuk zbaton politika ekonomike rishpërndarëse. Fitimet kolosale të Gazpromit i mbesin Gazpromit për të realizuar fitime të tjera. Industria ruse e ernergjisë është makina e luftës e Putinit.
Në fund të qershorit, ditën në të cilën Obama i ofronte Medvedevit një hamburger të shijshëm gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, shpërthente kriza e spiunëve rusë që qenë mimetizuar si qytetarë të mirë amerikanë. Bota ka mbajtur frymën pezull nga frika e një Lufte të Ftohtë të re. Kurse Obama dhe Medvedevi nuk e humbën toruan dhe proceduan me një shkëmbim spiunësh pragmatist. Vëmendja presuese e medieve ndërkombëtare ka rënë, të dy krerët e shteteve janë kthyer në ndodhitë e tyre të brendshme, por vetëm një ka përdorur tone të ashpra kundër arrestimit të spiunëve rusë: Putini. Por shfryrja e Kryeministrit ishte shumë më tepër se një ushtrim i retorikës sovjetike. Ishte simptoma e pozicionit marxhinal në të cilin si Obama, ashtu dhe Medvedevi, kishin arritur ta degdisnin, duke vendosur marrëdhënie bilaterale lidhur me sinergjinë dhe jo me kundërvënien. Dyshja funksiononte, por nuk ishte Putini që pedalonte së bashku me Medvedevin.
Për ta zgjidhur këtë moment vështirësie, Putini po i drejtohet planit të vjetër të zakonshëm: të shtrëngojë kontrollin e brendshëm. Për të përballuar në pozicion avantazhi sfidën e brendshme të mundur me Medvedevin në presidencialet e 2012, Kryeministri ka një resurs të vetëm të madh: një mazhorancë parlamentare të fortë. Në momentin e lëshimit të postit Medvedevit, Putini është emëruar lideri i Rusisë së Bashkuar. Kështu, Kryeministri është edhe kreu i partisë që ka mazhorancën absolute në Parlament: 315 vende në 450 të tilla, një model i përkryer anglosakson në salcë ruse. Në fillim të korrikut Duma ka miratuar një reformë të FSB-së, shërbimi i brendshëm i sigurimit. Teorema themelore e reformës së re është që të rrisë pushtetet e FSB-së mbi të gjithë ata që gjenden në kushtet objektive për të kryer një krim. Në këto raste, subjektet e individualizuara si të tillë duhet të paraqiten në "bisedime paraprake" më FSB-në, përndryshe do të dënohen me gjoba të shtrenjta apo deri dhe me burg. Në të njëjtën kohë, Duma ka miratuar në parim një reformë veçanërisht kufizuese të nenit 31 të Kushtetutës - të drejtën e mbledhjes publike. Parimi është që një sanksion administrativ i çfarëdoshëm, edhe qenia pa biletë në metro, sjell pengimin juridik të organizimit të një manifestimi publik. Lëvizjet për të drejtat civile reagojnë manifestime publike të dobëta në mbrojtje të Nenit 31. Të paktën e provojnë, pasi autoritetet shpesh ua mohojnë autorizimin apo procedojnë me arrestime në masë.
Vetëm një kontroll kapilar i kundërshtisë do të mund ta shpëtojë Putinin nga depresioni politik i tij? Putini shkon përtej dallimeve klasike me të cilat jemi mësuar ne perëndimorët - President, Kryeministër, sekretar partie, por as tiran apo despot. Putini që ndjek një spektakël mundjeje me aktorin Jean Claude Van Damme, Putini me një tigër, Putini me një ari të bardhë apo me një gjarpër. Të gjitha stratagjema banale për të shoqëruar Putinin me forcën, me fuqinë, me sigurinë. Por forca nuk do ta tolerojë kundërshtimin publik. Bëhet një aktakuzë që e transformon këtë forcë në një dobësi. Kur Putini ishte në debutimet e pushtetit politik. U botua një libër që shpejt u bë interpretuesi më i mirë i sistemit të ri të pushtetit. Titulli është "Një gjerman në Kremlin" ("Wladimir Putin: Der "Deutsche" im Kremlin", Ed. Universitas, 2000) i Alexander Rahr. Teza e tij, që e krahasonte Putinin me qveeritarët e mëdhenj të Rusisë, nga Pjetri i Madh tek Nikolla i I-rë deri tek Gorbaçiovi dhe Jelcini, ishte dënimi instiktiv i putinit për çdo manifestim publik proteste.
Pikërisht si Nikolla i I-rë që i besoi gjithmonë drejtësisë së gjykatave lokale apo mbi "cahiers de doleances" respektivisht revoltave dhe gjesteve të bujshme, ashtu dhe Putini e urren kontestimin e drejtpërdrejtë. Një shembull i vogël është i përsosur: në qershor farkëtarit Nikolay Shutrov kishte mësuar nga uebsajti i Putinit se Kryeministri do ta vizitonte fabrikën në Yaroslav ku punonte. Kështu që vendosi ta ftojë Putinin që të vizitojë ofiçinën e tij të vogël. Gjatë vizitës në kapanonet e mëdha dhe moderne, Putin pikasi në turmë Shutrov, i cili u ftua të hipi në makinën e Kryeministrit për të shkuar në vendin e tij të punës. Të arritur në vend, Putini dhe shpura e tij gjetën një kolibe të rrënuar dhe të mjerë. Ishte ofiçina e Shutrov, i cili i ankohej Putinit pse nuk kishte përfituar një vend të vogël në impiantet e rinj. Kështu, Putini i dha urdhër të menjëhershëm drejtorit të kompanisë që ta rimodernizonte edhe ofiçinën e farkëtarit Shutrov, i cili e falënderoi nxehtësisht. Por 6 muaj më pas, në vend të ofiçinës së re, Shutrovi mori letrën e pushimit nga puna.
Sistemi duhet të jetë në gjendje të vetërregullohet, ja teorema e pushtetit sipas Putinit. Sikur të mos ishte, protesta e shesheve nuk është zgjidhja, pasi rrit koeficientin e konfliktit drejt një pushteti që nuk di dhe nuk mund të konfrontohet. Përndryshe do të ishte demokraci. Po sikur arkitekti i këtij sistemi t'i ketë humbur kontrollin? Është një e panjohur akoma më e komplikuar, pasi në këtë rast arkitekti Putin përkon me sistemin e tij Rusi. Simul stabunt, simul cadent, siç thonin latinët, të cilët merrnin vesh nga pushteti. Putini nuk ka nevojë të përkthehet për ta kuptuar.
Përgatiti
ARMIN TIRANA