Sharraland

Edmond Tupja 

Dihet botërisht suksesi i Disneylandit, por ende injorohet, rastësisht apo qëllimisht, gjendja e mje-rueshme e Sharralandit jetim të braktisur thuajse nga të gjithë. Dhe kuptohet përse: shumë nga bashkatdhetarët e mi e kanë vizituar e shijuar, individualisht familjarisht ose në grupe turistike Disneylandin e mrekullueshëm, por të paktë  në sasi e në cilësi janë ata që kanë vizituar vendgrumbullimin monumental të plehrave të kryeqytetit shqiptar në Sharrë. Para disa ditë guxova dhe vajta atje. Spektakli që m'u shpalos para syve, veshëve dhe hundëve është i papërshkrueshëm: duhet të kesh gjeninë e Dantes, Balzakut, Hugoit ose të Xhoisit për ta futur atë në thesarin botëror të letërsisë natyraliste ose mizerabiliste. 
Gjithsesi, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, që të bëj një përpjekje të dëshpëruar për të rivalizuar druajtshëm e modestisht me penat gjeniale të shkrimtarëve të lartpërmendur:
Tri kategori gjallesash mbretërojnë sot në Sharraland: dykëmbëshit, katërkëmbëshit dhe fluturakët. Të trija rrëmojnë pareshtur mes mbeturinash të panumërta e, shpesh, të paemërta; e para për të zgjedhur e marrë me vete trofe nga më të çuditshmet; e dyta për të gjetur ushqime, e treta gjithashtu. Zonat janë të ndara e të shkartisura njëkohësisht. Atje të duket vetja si në një vend të përçudnuar pas një apokalipsi qelbërthamor: kutërbim, pisllëk, pluhur që shqisat t'i përcjellin drejt e në shpirt. Herë pas here, dykëmbëshit u sulen katërkëmbëshve dhe fluturakëve për t'i përzënë sa më larg kur shkelen së tepërmi, me dashje ose pa dashje, disa kufij të padukshëm e, me siguri, të lëvizshëm; e vërteta është se ende midis tyre nuk kanë filluar mirë bisedimet për të krijuar një hapësirë ku, me një marrëveshje të qëndrueshme, një gentlemen's agreement (siç do të thuhet e shkruhet së shpejti kur gjuha anglo-amerikane të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Shqipëri, pra, edhe në Sharraland), të tri llojet e banorëve do të qarkullojnë lirshëm pa pasur nevojë për letërnjoftim apo pasaportë biohigjenike; këto bisedime, pra, ende nuk kanë nisur mirë sepse problemi i parë që ka dalë është ai i emrit të kësaj hapësire: dykëmbëshit këmbëngulin që ajo të quhet Schengenmutt, katërkëmbëshit që ajo të thirret me emrin Schengenbaïg dhe fluturakët që ajo të emërtohet Schengenglass. Problemi i dytë është sepse sa herë krijohet një aleancë midis kategorisë së dykëmbëshve dhe njërës prej dy kategorive të tjera, kategoria në opozitë hidhet në grevë urie; kështu, këto kohët e fundit, këtë grevë e bënë fluturakët nën udhëheqjen e par(t)isë së tyre që e ka zakon të fluturojë me presh Kashari; madje, grevistët bënë edhe njëfarë gjysmëharakiri duke shkulur secili syresh puplat e veta, gjë që u interpretua nga mazhoranca si diçka tejet e turpshme me emrin "ekzibicionizëm" (d.m.th. zhveshje në publik duke treguar organet gjinore me qëllim arritjen e një orgazme të tipit cunam ose tërmet mbi 9 ballë sipas shkallës Sexrichter). Problemi i tretë është se intelektualët më në zë të popullsisë multietnike, multiracore dhe multithundrake të Sharralandit janë të mendimit që kjo popullsi duhet të luftojë me përparësi për të drejtat e saj si pakicë kombëtare të cilat ende nuk i gëzon, para se të tri kategoritë në fjalë të merren vesh me njëra-tjetrën për të përcaktuar hapësirën e lirë të qarkullimit për të gjithë banorët e Sharralandit.
Sidoqoftë, ditën kur intelektualët shqiptarë pa dallim krahinor, partiak, fetar, racial e gjinor do t'i bindin ose detyrojnë autoritetet qendrore e vendore të Republikës së Shqipërisë, si edhe mediat e shkruara dhe ato elektronike, që të interesohen më në fund për fatin e të harruarve të Sharralandit, opinioni ndërkombëtar do të dalë ndoshta nga heshtja dhe indiferenca e tij për të propozuar zgjidhje konkrete, falë të cilave Sharralandi do të kthehet në një Disneyland të mirëfilltë, çka do t'i japë një hov të paparë zhvillimit të turizmit në atdheun tonë të shtrenjtë eurokapitalist.

Posted via email from Shkupi Press extra