Për një histori shqiptare sa më reale

Ndriçim Kulla 

Ekziston një pohim i përgjithshëm (që nga David Hume, Kant, e Hegel) sipas së cilit historia nuk është asgjë tjetër veç asaj që është shkruar, e se ajo fillon që nga momenti kur është shkruar. Mirëpo, një pozicion i tillë sot quhet jo vetëm reduksionist, por edhe i tejkaluar, për rrjedhim historia nuk duhet të reduktohet në historiografi.  Përtej historisë së shkruar, ekzistojnë etnologjia, etnografia, analiza e kulturave, e kështu me radhë, më përpara se të qe shkruar historia që dëshmojnë histori që nuk janë të fiksuara në një formë të shkruar, por që mund të rindërtohen nga ana jonë. Pra, një interpretim me shumë vlerë për të mbushur ato hapësira të "ashtuquajtura" të errëta të historisë sonë ku mungojnë dorëshkrimet, që e përcakton historinë e pashkruar si një fushë të hapur të historisë "reale", në orvajtjen për të gjetur një themel antropologjik, që të shpjerë në një emërues të përbashkët të kushteve të ekzistencës së një historie reale. Mendoj se, në këtë perspektivë të studimit historik, lipset të ndërfuten edhe disa lloj studimesh mbi prejardhjen e shqiptarëve prej pellazgëve, që sigurisht nuk bazohen vetëm në studimet linguistike (siç kanë bërë shumica e akademikëve shqiptarë), por edhe në shume studime letrare, etnografike apo antropologjike. Është pikërisht ky reflektim kritik, ky lexim i ndryshëm i burimeve, për të zbuluar strukturat e përsëritura në kohë të ngjarjeve e për rindërtuar këtë "histori reale" të shqiptarëve, një përligjje, edhe nga ana metodologjike, e rishkrimit të historisë.             
Mirëpo nga ana tjetër, kjo metodë përcakton qartë dhe në mënyrë shkencore kushtet dhe situatat se kur duhet të ndërhyhet në rishkrimin e një periudhe tashmë të kompletuar të historisë. E në mënyrë të përmbledhur, teorikisht kjo ndërhyrje përligjet atëherë kur arrin të ripërpunohet ekonomia e shpjegimeve, që nga ana e saj duhet të ndodhë vetëm kur fusha e eksperiencës historike arrin të pretendojë dëshmi të reja, por jo kur vetë kjo fushë eksperience modifikohet nga kushte që gjenden jashtë saj. Pra, kjo dënon ndërhyrjen dhe interpretimin ideologjik të historisë nga cilado forcë e jashtme përveçse asaj çka historia ka të qenësishme, bazën historiografike. Ky është rreziku më i madh i keq-qeverisjes së nismës dhe debateve aktuale mbi historinë.
Për të dhënë një shpjegim praktik, le të trajtojmë qëndrimin që duhet të mbahet ndaj mënyrave se si janë interpretuar nga shkenca jonë historike e periudhës së komunizmit, epoka të veçanta të historisë sonë. Le të marrim p.sh epokën e Skënderbeut. Një orvajtje më e vonshme në krahasim me studimet e para për të, është ajo e Nolit, në botimin e tij të fundit mbi jetën e Skënderbeut, ku ai është munduar ta paraqesë heroin si udhëheqësin e klasës fshatare, tek e cila ai kish mbështetjen e prej së cilës rekrutonte ushtarët e vetë më besnikë. Një tezë joshëse kjo për këdo historian të prirjes klasike apo materialiste, por thellësisht e pabazuar, saqë dhe vetë historiografia asokohe e pozicionuar shqiptare nuk arriti dot ta pranojë. Përkundrazi, falë një orvajtjeje të kënaqshme të vullnetit të mirë dhe tejkalimit të paragjykimeve, ajo pohoi me të drejtë se Skënderbeu nuk ishte tjetër veçse prijësi i asaj që mund të quhej koalicioni kombëtar i kohës për shqiptarët. Pra kemi të bëjmë me një vlerësim që në aspektin teorik nuk e shfuqizon vërtet tezën e materializmit dialektik, por ia cakëzon shtrirjen vetëm në fushën e skematizmit historik, duke e bërë vlerësimin moral nga parime të tjera, të jashtme nga materializmi dialektik, siç mund të ishte p.sh. interesi kombëtar. Në këtë këndvështrim, është më se e drejtë dhe shkencore të themi se gjykimet e deritanishme duhet të mos kalohen të gjitha në sitën e rishqyrtimit, por te plotësimit, pasi ka prej tyre të mirë-argumentuara, ashtu siç ka dhe pjesë ku mund të kemi rivështrime, si p.sh. në rastin që morëm, përcaktimi në mënyrën më të thellë e më të dallueshme, të diferencës radikale të qëndrimit dhe sjelljes së Skënderbeut përballë Turqisë dhe Venecias. Ashtu siç mund të shtojmë, se për periudha të mëdha e të rëndësishme, nuk ka nevojë vetëm për rivështrime, por edhe për rishkrime apo ri-interpretime të tëra. E këtu është e rëndësishme të vëmë theksin mbi raportet gati treshekullore shqiptaro-veneciane, për të cilën dhe prurjet e reja ( të ardhura kryesisht nga botime të caktuara të Shtëpive Botuese, pra për të ardhur keq, jashtë aktiviteteve të Instituteve dhe Akademisë) janë tashmë të bollshme për ristrukturimin e kësaj epoke, herë të shkëlqyer (kujto periudhën e "Albania felix") herë tragjike (kujto pushtimin turk) për popullin tonë. 
Do të qe kurioze dhe interesante të diskutohej me shembuj konkret, por besoj se tashmë kemi arritur t'i japim përgjigje arsyeve që duhet të na shtyjnë të përligjim nismën e rishkrimit të historisë. Veçse në këtë pikë duam të nënvizojmë vështirësitë paraprake që e presin atë, pasi ndryshimi duhet të shtrihet në tre drejtime, në ritëm dhe cilësi institucionesh, strukturim të zhdërvjellët dhe metodologji të reja.
Në radhë të parë, duhet të ideohet struktura e zgjerimit të  menjëhershëm të bazës sonë historiografike. E kjo do të qe një punë themelore, kërkimore-shkencore, e herë pas hershme e  Institutit të Albanologjisë, që sigurisht kërkon kohë, por që duhet përkrahur të përqendrohet jo vetëm në aspektin linguistik, por edhe në aspektin gjithë-historik. Në këtë pikë problemi kryesor është cilësia dhe kultura që zotërojnë historianët tanë për të kryer këtë detyrë. Jo se ata nuk janë të specializuar në fushat ku shtrihen kërkesat e tyre, porse koha e sotme kërkon një dije të shtrirë ndër-disiplinore. Për këtë arsye, njëri prej defekteve që paraqesin specialistët e sotëm, është se ata janë zakonisht ose vetëm linguistë ose vetëm arkeologë, ose vetëm historianë ose vetëm folkloristë apo studiues së letërsisë. Sot për sot, ky është një hendek që mund të kalohet pjesërisht me një bashkëpunim më të ngushtë e më të specifikuar me institucione të tjera p.sh. specialistë të huaj ose Shtëpi të caktuara Botuese  shqiptare, të kthyera tashmë në institucione të mirëfillta, që kanë mbajtur mbi supe për gjithë këto vite barrën e madhe të pasurimit të kësaj historiografie.
Gjithsesi, kjo është perspektiva afat-mesme e zhvillimit të shkencës sonë historike, ndërkohë që ajo afatshkurtra dhe më e prekshmja është sistemimi i elementëve apo referencave tashmë të piketuara nga ana e studiuesve të huaj dhe shqiptarë, për historiografinë sonë. Bëhet fjalë për një korpus themelor prej 30-40 veprash albanologjike, tashmë monumentale, por ende të pabotuara në shqip, që do të hidhnin goxha rrënjë për kulturën, gjuhën dhe historinë tonë edhe në këndvështrimin gjeopolitik, e nga ana tjetër do t'i jepnin një material goxha të vyer brezave të rinj të historianëve, për të bërë realitet rishkrimin e saktë të historisë. Dhe mbështetja e kësaj nisme do të qe një sukses i veçantë të cilësdo Qeveri, që do ta përmbushë me sukses.
Por mendoj se mes të tjerash duhet të fillojë edhe një lëvizje e gjerë hulumtuese, mbledhëse dhe sistemuese për shumë dokumente islamike shqiptare (në turqisht, arabisht dhe persisht) të periudhës së sundimit osman, pasi ato mund të na befasojnë dhe kristalizojnë mjaft pikëpyetje. Këtu Qeveria mund të luajë një rol vendimtar në marrëveshjet për çeljen e disa arkivave të mundshme për specialistët shqiptarë, që gjer më sot janë të paqasshme.
E krahas kësaj, të krijohet një rrymë e re studimesh historike ballkanollogjike, me specialitete të veçanta në helenistikë, bizantologji, sllavistikë, turkologji, e kështu me radhë për ta  ushqyer hulumtimin sa më të mirë të arkivave për Shqipërinë kudo që të gjenden.
E së fundi, për të rritur në mënyrë të shëndetshme armatën e madhe të historianëve të së ardhmes, duhet ndërfutur detyrimisht në kurrikulat dhe programet mësimore të shkollave dhe universiteteve tona prurjet e reja (gjë për të cilën edhe nga Ministria e sotme e Arsimit nuk duket se është parashikuar gjë), po ashtu programe për të ringjallur gjuhë të tilla vitale për historiografinë si latinishtja, greqishtja e vjetër, pse jo dhe hebraishtja, të cilat të gjitha po vdesin. Madje, për ato dokumente themelore të historisë sonë që sot flenë nëpër raftet e bibliotekave, për shkak të mospasjes së personaliteteve të duhura për përkthimin nga latinishtja, të shikohet një zgjidhje e ndërmjetme e përkthimit të tyre nga latinistë të huaj (sigurisht me mbështetjen financiare të institucioneve shqiptare) në një gjuhë të përkthyeshme, le ta zëmë italisht, meqë është më e lehta dhe më e shpejta, çka do të siguronte përkthimin e tyre cilësor në shqip.           

Posted via email from Shkupi Press extra