Presidenca belge e BE-së, drojë nga inkurajimi i tepër i alternativës së zgjerimit

Nga Ahto Lobjakas

Nga 1 korriku, Belgjika do të marrë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që për gjashtë muaj ka qenë në duart e Spanjës. Kriza ekonomike dhe ndërtimi i krahut diplomatik të Unionit, i njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jenë përparësitë kryesore të Brukselit. Kjo nënkupton se zgjerimi dhe politikat e fqinjësisë në lindje të kontinentit do të njohin një lloj tërheqje?? deri në fillim të vitit 2011, vit ku Hungaria dhe Polonia do të marrin kryesimin e BE-së.
Ngritja e shërbimit diplomatik evropian duket se do të marrë shumicën dërrmuese të energjive të presidencës belge, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme. Javën e kaluar, vendet anëtare arritën një marrëveshje që do të mundësojë funksionalizimin e këtij shërbimi deri në fund të vitit. Ngritja e këtij shërbimi është artikuluar si përparësi edhe nga shefi i diplomacisë belge, Stiven Vanekër. Mendoj se ngritja e shërbimit është themelore për rolin dhe ndikimin e BE-së në botë. Deri më 1 dhjetor të këtij viti, një embrion i këtij shërbimi, të njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jetë realitet, ka thënë Vanekër. Ky shërbim që parashihet nga Traktati i Lisbonës, nuk do të ketë pushtet të pavarur politikbërës, por do ti marrë urdhrat nga 27 vendet anëtare.
Megjithatë, pritet që vendet që do ta kenë kryesinë e radhës, të ndikojnë për periudhën që janë në këtë detyrë edhe te përparësitë e BE-së. Ndonëse mendohet se në kushtet aktuale zgjerimi nuk do të jetë në mesin e përparësive kryesore, sërish besohet se Belgjika është një vend që mund të ndikojë në politikat e zgjerimit. Kryeministri Iv Leterm ka thënë, pak ditë më parë, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk diskutohet. Por, Leterm duket se ka ftohur shpresat e Kroacisë që ti përfundojë bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2010. Për Belgjikën është shumë e rëndësishme që këto dosje, mes të cilave dhe kapitujt që duhen negociuar me Kroacinë për anëtarësim, të trajtohen mbi bazën e përparimit të arritur përmes bisedimeve. Para së gjithash, kjo nuk është një qasje politike, ka thënë Leterm. Përpjekja e Belgjikës që të ruajë një profil të ulët gjatë presidencës së radhës, lidhet edhe me faktin se Leterm është ushtrues i detyrës së kryeministrit, derisa vendi po përpiqet të tejkalojë dallimet mes grupeve të ndryshme etnike e gjuhësore në vend. Belgjika duket se është përgatitur për presidencën e saj të dymbëdhjetë për dy vjet e gjysmë. Leterm ka thënë se programi i punës për gjashtë muajt e ardhshëm ka marrë edhe mbështetjen e shumicës në Parlamentin belg.

...

Posted via email from Shkupi Press extra