PËRKTHIMI ËSHTË PRORE I MUNDIMSHËM

Mustafa Nano

 

Zululand

Jam duke përkthyer diçka. E dini çfarë? Sa herë që më qëllon të bëj këtë punë, më shkon mendja tek ata që kanë ushtruar profesionin e përkthyesit në kohë të tjera, kur gjithë sa kishin në dispozicion ishte një fjalor dy gjuhësh, njëra prej të cilave ishte gjuha shqipe. Në kohë të komunizmit, ndonjë fatlum mund të ketë pasur edhe ndonjë fjalor njëgjuhësh, fjala vjen fjalor frëngjisht-frëngjisht, por me siguri, ndonjë gjë jo fort pretencioze. E shumta do të ketë qenë ndonjë botim i vjetër dhe i papërditësuar i fjalorit Le Petit Robert. E ndonjë tjetër, më fatlum akoma – gjë fort e rrallë kjo – mund të ketë pasur ndonjë fjalor dygjuhësh, ku të dyja gjuhët ishin të huaja. Dhe kjo ia bënte më të lehtë ushtrimin e zejes (kuptohet, kur i njihte mirë të dyja gjuhët në fjalë).

Duhet të ketë qenë torturuese e rraskapitëse, apo jo? Dhe kjo është një nga arsyet që përkthyesit tanë meritojnë mirënjohje të pafund. Afërmendsh, përveç arsyes kryesore: vazhduan në rrethana të dhunës, të shtrëngimit, të ortodoksisë ideologjike e kulturore, e të izolimit, të mbeten në nivelin e traditës sonë, e cila nuk ishte e madhe në sasi, por ishte sqimatare në cilësi. Përkthyesit shqiptarë, jo tërësisht për meritën e tyre, kanë përdorur një gjuhë më pak të drunjtë e më shumë të zhdërvjellët se sa ajo që përdorej nga shkrimtarët soc-realistë, e në këtë kuptim, kanë luajtur një rol shumë më të madh në edukimin gjuhësor të asaj pjese të shoqërisë, që lexonte letërsi të përkthyer.

Sot me përkthimin është ndryshe. S’e kam fjalën te niveli i përkthyesve; me sa duket në Shqipëri, qoftë dhe në respekt të traditës së stërholluar që kemi, do të kemi gjithmonë përkthyes të mirë. E kam fjalën te procesi, i cili mbetet po ai, gjithmonë i ndërlikuar dhe i mundimshëm (shpeshherë përkthimi qëllon që është më i mundimshëm se – dhe po aq i bukur – sa krijimi, dhe për këtë arsye ka pasur e ka plot krijues që janë marrë me përkthimin, duke e parë si një sfidë tjetër krijuese), por mjetet në dispozicion janë të pafundme. Sot kontakti me gjuhën e huaj nuk është thjesht libresk dhe akademik, por edhe real e i prekshëm. Nga ana tjetër, fjalorët janë sheshit, të të gjitha gjuhëve, përmasave, versioneve. Dhe ç’është më e vlefshme, janë shtuar dhe fjalorët virtualë (online), të cilët janë shterues, të përditësuar e të përditësueshëm. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sidomos në botën e në kohën e sotme, kur dalin vazhdimisht terma të rinj, që u japin emër sendeve, dukurive e zhvillimeve në fusha të ndryshme.

Shkurt, të përkthesh sot është shumë më bukur. Por kujdes: kurrë nuk duhet thënë “më e lehtë”. Përkthyesit e sotëm heqin më pak në gjetjen e kuptimit të fjalëve, por përkthimi – e thashë dhe pak më sipër – është shumë më tepër se sa kaq; është krijim më vete. Për këtë arsye, ka për të mbetur prore i mundimshëm.

Posted via email from Shkupi Press extra