Duhet tjetër “teknologji edukative”…

Gëzim Tushi

Nga që në këto momente, shoqëria shqiptare ka shumë shqetësime social-edukative, disa prej të cilave ekscentrike dhe kërcënuese për stabilitetin social, është e nevojshme të kuptojmë se tashmë duhen bërë ndryshime në koncept, në metoda dhe stilin e punës edukative që bëjmë me njerëzit. Ajo nuk mund të bëhet siç “është bërë”, por duhet bërë duke revolucionarizuar së pari konceptet për punën edukative që zhvillohet në të gjitha strukturat sociale të shoqërisë sonë. Por, sipas meje, dështimet që po pësojmë në punën me fëmijët, nxënësit, të rinjtë, familjarët dhe njerëzit me të cilët banojmë në komunitete të përbashkëta bazën kryesore e kanë se nuk po kuptojmë imperativat e kohës dhe për pasojë nuk po tregojmë kujdesin e duhur, që këto çështje themelore shqetësuese të shoqërisë, të jetës dhe qytetërimit tonë modern t’i bëjmë objekt të debatit publik çështjet me karakter social, sociologjik, pedagogjik dhe institucional dhe mediatik. Të gjithë i ndiem vështirësitë e edukimit jo vetëm të brezave të rinj që shfaqen të “rebeluar” me veten, me familjen, me të “tjerët” dhe shoqërinë. Ndërkaq ankohemi për “dukuritë e pazakonta”, të “reja”, të “panjohura” më parë. Çështjet e formimit dhe edukimit qytetar vërtet që janë bërë shumë të vështira, shpesh të paqarta konceptualisht dhe sidomos të vështira për t’u realizuar në rrugë konkrete në institucionet dhe organizimet edukative të shoqërisë, eficienca e të cilave ka rënë në “nivele sociale kritike”. Ndaj si asnjëherë më parë, tani të parët që ndihen keq, që janë të dëshpëruar nga që gjenden në vështirësi të thella janë njerëzit që kanë profesione dhe detyra sociale me thelb dhe “aks” edukativ. Në vështirësi janë prindërit, mësuesit, edukatorët, familja, shkolla, bashkësitë tona komunitare, media etj. Prandaj duhet një përpjekje sociale totale e shoqërisë për të bërë ndryshime cilësore konceptuale dhe taktike, duke u angazhuar seriozisht si qytetarë në këtë “fushë të minuar”. Këto pasoja të kohës moderne duhen perceptuar drejt dhe kuptuar thellë në mënyrë që të krijojmë mundësi të gjera sociale, pedagogjike dhe mediatike, që së pari të fillojmë të flasim, “të ligjërojmë edukativisht”, të diskutojmë shqetësimet e përbashkëta gjerësisht me qëllim që të gjejmë rrugën e duhur, në mënyrë që në shoqëri, në organizimet intime, në strukturat edukative dhe agjencitë sociale të konceptojmë ndryshimet që kanë ndodhur si kusht paraprak dhe i domosdoshëm që të zbatojmë atë “teknologji edukative” që duhet, në përputhje me misionin e njerëzve dhe institucioneve që kanë role dhe detyra edukative eksplicite. Ky imperativ social është në rendin e ditës, sepse shqetësimet dhe problemet e devijimeve të sjelljes tashmë janë bërë çështje serioze. Ka ardhur koha për të punuar me intensitet të veçantë për të gjetur rrugët e zgjidhjes sociale të problemeve edukative që tashmë janë konditë sine quan non, kusht i pashmangshëm për shëndoshjen edukative të shoqërisë shqiptare. Kjo sfidë morale që tashmë është bërë e radhës për shoqërinë tonë, nuk është e re për shoqërinë moderne, nuk është e panjohur si problem dhe shqetësim social me natyrë komplekse filozofike dhe etiko-edukative dhe si çështje e gjetjes së rrugëve që duhen për zbatimin e mënyrave adekuate për të korrigjuar procesin e ndërtimit të sjelljes së njeriut të qytetëruar. Çështjet etike të sjelljes qytetare sot më shumë se kurrë janë bërë të mprehta, sepse tashmë nuk është më thjesht një problem socio-filozofik dhe edukativ, por për shkak të reduktimit të dukshëm të “dimensionit social” të njeriut, të largimit të tij nga determinimet etike të shoqërisë, është bërë më shumë problem psikologjik, që më shumë se me karakterin e shoqërisë liberale, lidhet me natyrën individuale dhe mënyrën e personalizuar të shfaqjes së “strukturës së përgjithshme” të sjelljes së njeriut.

Prandaj në historinë e re të qytetërimit tonë, çështjet e strukturës së sjelljes së njeriut nuk duhen parë vetëm si çështje të përgjithshme sociale, por si problem thelbësor individual për ndërtimin tek njeriu konkret të unitetit të natyrshëm që mund të ndërtohet edhe në liri, si simbiozë e ndërtimit të raporteve të qytetëruara midis mendjes racionale, dëshirave të shpirtit dhe kërkesave ultimative të trupit. Kjo gjë duhet mbajtur parasysh në punën edukative që bëjmë si prind, mësues, gazetar social. Kudo ku përpiqemi të edukojmë, në familje, shkollë, komunitet, shoqëri civile dhe media. Kjo do të thotë që së pari duhet të ndryshojmë optikën e të menduarit, duke vendosur në punë të dobishme instrumentet e reja që kanë fuqi ndikuese edukative mbi njeriun konkret. Kjo do të thotë që në vend të besimit të verbër tek forca e shoqërisë, t’i mëshojmë trajtimit individual të “strukturës së sjelljes” së njeriut, duke e vlerësuar procesin më shumë si problem psiko-edukativ të personalizuar, se sa të vazhdojmë të ecim duke u rraskapitur pas ideve super sociologjizante, duke e vlerësuar edukimin si “çështje e madhe” të shoqërisë, si problem me dimension të përgjithshëm social, filozofik apo etik. Këto mënyra edukimi të bazuara në koncepte etike dogmatike, në kohën tonë është vështirë për t’i realizuar. Mjetet e ndikimit psikologjik dhe edukativ që ka shoqëria tani janë thirrur për të kontribuar me tërë kapacitetet e tyre, për të ndihmuar procesin social dhe njeriun konkret në përpjekjen dhe sfidën e përbashkët, që të ndërtojnë strukturën e sjelljes individuale si një raport dialektik, koshient, të balancuar, qytetar midis trupit dhe ndërgjegjes së tij, midis “vetes” tjetrit, midis shpirtit individual dhe vlerave të shoqërisë së përbashkët.

Besimet e mëdha edukative që ka pasur dikur shoqëria jonë për rolin dhe mundësitë e shoqërisë për të realizuar ndikime me “masshtabe të mëdha”, për determinime edukative në nivel social, nuk mund të kenë sukses në procesin e vështirë të ndërtimit të “strukturës së sjelljes” individuale të çdo njeriu konkret. Kuptimi i këtij momenti në mënyrë realiste, trajtimi i çështjeve të sjelljes me sensin e duhur, ruajtja e masës së raporteve të “individit” me ndikimin e kufizuar edukativ të “shoqërisë”, është kushti i suksesit dhe ndërtimit të balancuar të “strukturës së sjelljes” qytetare tek çdo njeri. Në shoqërinë tonë që bëhet çdo ditë e më shumë moderne, liberale, tejet e individualizuar nuk ka më “terren adekuat” ku të ndërtohet struktura konkrete e sjelljes së njeriut si individ i veçantë. Është gabim nëse nisemi nga parime të hipertrofizuara sociologjizante, që paradoksalisht mbivlerësojnë fuqinë edukative të shoqërisë si strukturë makrosociale dhe nënvleftësojnë fuqinë e vërtetë të procesit individualisht kapilar, të ndërtimit të “strukturës së sjelljes”. Edukata dhe edukimi i njeriut në shoqërinë shqiptare tashmë është vendosur në “terren të ri”, është e ndërtuar, funksionon dhe vepron jo aq në shoqëri se sa pikërisht aty ku “bashkohet trupi i njeriut me ndërgjegjen” e tij. Kjo nuk është punë që bëhet në mënyrë mekanike. Padyshim që në këtë proces ka ndikim faktori i jashtëm ambiental dhe social. Por nga vëzhgimi i realitetit tonë social dhe edukativ, duket se njeriu modern duke qenë i lirë, “pa dimension social” është bërë “qenie devijante” që shpesh ka filluar të rebelohet edhe nga ndërhyrjet e jashtme edukative të shoqërisë. Prandaj duhet “teknologji” tjetër edukimi nga që është e ravijëzuar qartë prirja që ka njeriu modern, i cili dëshiron të strukturohet edukativisht më shumë “brenda vetes”, duke e parë edukatën si raport dialektik të “mbyllur” midis trupit dhe ndërgjegjes së tij.

Natyrisht sjellja nuk është “entitet strukturor” që shfaqet tek njeriu si qëllim në vetvete, por mënyrë që për të siguruar përshtatjen e vetes me kërkesat e mjedisit social, ndaj të cilit ai duhet të reagojë për të qenë adekuat me sjelljen e vet. Unë mendoj se duhet vlerësuar më gjerë, më në kompleks puna që mund të bëjmë për të ndihmuar njerëzit në procesin e vështirë, dialektik e kontradiktor, të ndërtimit të raporteve dhe marrëdhënieve me ndërgjegjen e tyre, për të krijuar “strukturën e sjelljes” personale.

Por nuk duhet tepruar me “teknologjinë individualiste” të edukimit, sepse procesi në një masë të konsiderueshme është i hapur, i interferuar me kërkesën e pashmangshme të përshtatjes sociale të strukturës së sjelljes individuale. Kjo do të thotë se ndërtimi i sjelljes nuk është vetëm “aksion personal” i ndërgjegjshëm, por në të njëjtën kohë është pjesë e interferuar e procesit social, i cili ka në themel betejën e përbashkët të shoqërisë sonë për të ndihmuar individin të vetëndërtojë “strukturën edukative” duke e përshtatur veten me ndërgjegjen e tij dhe me etikën e përbashkët të qytetërimit tonë. Jashtë kontureve të së cilës asnjë strukturë e sjelljes individuale nuk do të vlente, nuk do t’i garantonte njeriut përshtatshmëri sociale dhe sukses individual. Teknologjia moderne e edukimit na detyron të ndihmojmë njeriun të arrijë që individualisht të ndërtojë procesin e vetedukimit, përputhjen organike e “ndërgjegjes në vetvete” me “ndërgjegjen për vete”. Kjo është sfida që ka përpara shoqëria jonë…

 

Posted via email from Shkupi Press extra