Metamorfoza e Universitetit publik në Universitet popullor!

Dr. Grida Duma 

Këto kohë jemi mësuar të jetojmë në një realitet, i cili na detyron të pajtohemi me paradokse të cilat mund të sjellin mentalitete katastrofale. Janë të shumta ngjarjet e rënda në Shqipëri, jehona e të cilave ka zgjatur shumë më pak se e çdo show të dobët mediatik. 
Pikërisht atëherë kur reagimet duhet të jenë të forta për të krijuar së paku një mentalitet social e kulturor të mospajtimit me gjithçka të dëmshme dhe thjeshtësisht të kuptueshme si të tillë,  gjendemi përballë një indiference ofenduese, jo vetëm me karakter qytetar, por edhe në atë të grupeve të interesit, të cilat preferojnë një profil të  të zbuturit.  
Pavarësisht nivelit dhe rëndësisë së ndodhisë, mosreagimi ndaj një situate apo realiteti të kuptueshëm  si të dëmshëm,  nuk bën gjë tjetër veçse krijon mentalitete katastrofale.  Kjo nuk sjell asgjë tjetër, veçse  një kulturë, e cila katastrofën e quan normale dhe aspak të papranueshme dhe të patolerueshme. Pikërisht mentalitetet katastrofale janë toka më e mirë për të prodhuar katastrofat e të ardhmes. 
Kjo në Shqipërinë tonë, ndodh me qytetarin e thjeshtë, me profesionistin, me intelektualin e ndërgjegjshëm  edhe ndaj pasojave të  mosreagimit të tij. Në thelb kjo mungesë reagimi, nuk do të thotë asgjë më shumë apo më pak, përveçse mënyra në të cilën i kemi   formësuar në personalitetet njerëzore në mungesë të një fryme vizionare dhe konstruktive. 
Kështu, pikërisht atëherë kur nga të gjitha rrethet universitare pritej me padurim që ndryshimet në Ligjin për Institucionet e Arsimit të Lartë t'i shërbenin më në fund autonomisë reale të Universitetit publik, projekt ligji i ofruar nuk mban asgjë të tillë. Megjithatë kjo ngjarje me efekt real në produktin e formësimit të individit dhe shoqërisë shqiptare, nuk mori aspak jehonën e duhur.  Vetëm dje lexova një reagim të Rektorit të UT Prof. Dr. Dhori Kule, në të cilin radhiste të gjitha objeksionet e forta ndaj këtij projektligji, të cilat është e paarsyeshme t'i rendis sërish.
Por përsëri edhe në këtë dimension paradoksi nuk mungon, kanë qenë përfaqësues të Universiteteve private që kanë artikuluar për autonominë e Universitetit publik. A thua se nuk e dinë fare mirë që është një utopi thjeshtësisht e artikulueshme nën këtë frymë aktuale të vullnetit të vendimmarrjes. Sigurisht që përtej kësaj mund të kemi të bëjmë me njerëz me integritet intelektuali, që dinë fare mirë që shkatërrimi i Universitetit publik në një farë mënyre do të thotë edhe rrënim i vetë Universiteteve private, pra gjithë sistemit universitar në tërësi? Dhe kjo nuk është aspak një tezë absurde. Mungesa e një oponence të vërtetë do të thotë mungesë konkurrence në thelb dhe nëse kjo e fundit është inekzistente, gjithçka që rrjedh është dështim. Nuk mund të pretendohet që interesa të njëjta të zhvillojnë konkurrencë konstruktive, gjendja konkurruese midis interesave publike dhe atyre private mund të prodhojë atë që dëshirojmë. Nëse Universiteti publik pushon së qenuri konkurrues, asgjë nuk siguron eficiencën e sistemit të lartë arsimor në këtë vend. 
Për rrjedhojë nëse në artikullin e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës i perifrazon me termin asgjësime ato që janë paraqitur në projekt ligj,  unë do të shkoja përtej e do t'i quaja katastrofa të së nesërmes.  
Aktualisht, askush nuk mund të mohojë kurrsesi peshën dhe roli e derisotëm të Universitetit publik në krijimin e gjithë tregut arsimor në Republikën e Shqipërisë.  Nuk mund të ketë asnjë individ me një farë ndërgjegjeje në tregun arsimor, që të mohojë që burimet e sotme që përballojnë arsimimin në Shqipëri nuk janë formësuar nga Universiteti publik, ashtu si edhe nuk mund të mohohet aspak që sot Universitetet private bashkëpunojnë fuqishëm me burimet humane të Universitetit publik, sidomos në nivelet e dyta dhe të treta të studimeve, aty ku nevojiten dhe burimet më të arrira profesionale. 
Por pavarësisht kësaj, sot në ambientin shqiptar, i vetmi Universitet i cili nuk gëzon të drejtën të performojë dhe të zhvillohet realisht është Universiteti publik. Kjo, pasi në asnjë moment nuk po realizohet e shumëmerituara autonomi universitare për Universitetin publik, e cila në thelb kërkon implementimin e politikave të autonomisë financiare. Kjo në një kohë kur të gjitha institucionet private arsimore gëzojnë të drejtën e plotë të vetëorganizohen në mënyrën më eficiente të mundshme, për të qenë sa me konkurrente në treg. Ndërkohë që Universiteti publik, për shkak të mungesës së qenësishme të vendimmarrjes, për t'u organizuar në mënyrën me eficiente të mundshme, i përballon sfidat e tregut të liberalizuar arsimor me një lloj vetësakrifikimi të mirëfilltë. 
Kështu mungesa e kushteve infrastrukturore, të cilat realisht shkaktohen nga pamundësia për të përdorur fondet e vetë fakulteteve në shërbim të përmirësimit të kushteve, tentohet në mënyrë tragjike të balancohet sadopak me cilësinë e mësimdhënies nga pedagogu. Kjo nuk ndodh thjesht për një element si kushtet në auditore apo  edhe vetë mungesën e auditorëve, që shkakton një mbingarkesë studentesh në to, por edhe për elementë të tjerë të qenësishëm të produktit universitar.  Kështu pikërisht kur duhej t'i jepej frymëmarrje dhe  më shumë autonomi, projektligji i ri e asfikson tërësisht atë. Sigurisht me autonomi askush nuk do të kuptojë një mungesë të kontrollit ndaj institucioneve të Arsimit të Lartë. Autonomia financiare përfaqëson mundësinë për t'i alokuar të ardhurat dhe fondet përkatëse të derisotme nga vetë ata që do t'i përdorin ato, konkretisht në shërbim të rritjes profesionale.  Ajo çfarë është absurde realisht është që i gjithë tregu arsimor universitar privat  funksionon në një regjim të ekonomisë së tregut, ndërkohë që Universiteti publik është i vetmi që i mohohet e drejta për të operuar në mekanizma të tregut të lirë. Në aktualitetin shqiptar thuajse të gjitha sferat, edhe ato shtetërore, sot funksionojnë në logjika gjithnjë e më decentralizuese, ndërkohë që Institucionet publike të Arsimit të Lartë, Universitetet publike janë tërësisht të privuara nga kjo. 
Për më tej, paradoksi qëndron edhe në vetëadministrimin e tyre të brendshëm, ku politikat e udhëheqjes, pra individët me statuse vendimmarrëse si përgjegjësit e departamenteve, dekanet dhe rektorët zgjidhen në mënyra shumë demokratike, me zgjedhje gjithëpërfshirëse, kundrejt një operimi tërësisht të centralizuar ekonomik. Drejtues të zgjedhur me mjete demokratike, kundrejt menaxhimit të centralizuar, dy filozofi paradoksale dhe të pamundshme për të bashkekzistuar.  Për hir të këtij absurdi të bashkekzistencës së këtyre dy filozofive, na ndodh që stafet profesionale të pedagogëve të gjenden më mirë ekonomikisht në universitetet private, për shkak të eficencës së tyre ekonomike dhe më të plotësuar profesionalisht në Universitetet publike. Ky skenar çon në mënyrë të paevitueshme në rrjedhjen graduale të stafeve drejt privateve dhe në asgjësimin e vërtetë të Universitetit publik.  Nën këtë skenar, gjithçka që do të ndodhë nuk do të jetë asgjë më pak se shndërrimi i Universitetit publik në një Universitet popullor. 
Projektligji i paraqitur së fundmi, jo vetëm që nuk avantazhon në asnjë pikë autonominë financiare, por shkon edhe më tej, ai tashmë centralizon edhe vendimmarrjen për çështje profesionale,  i pozicionon Universitetet në propozues të kritereve pranuese në disa nivele  kundrejt vendimmarrësve të dikurshëm. Është katastrofale që reagimi kundrejt këtij realiteti është tërësisht inekzistent. Pritej që stafet pedagogjike dhe të gjithë pjesëmarrësit e efektive të Universitetit publik të reagonin si duhet ndaj këtij projekt ligji absurd dhe denigrues për ta, po ashtu edhe në mbështetje publike të Rektorit të Universitetit të Tiranës,  në fund të fundit kundrejt vetë punëdhënësit të tyre!

Posted via email from Shkupi Press extra