Franca dhe pushtetit i Sarkozisë

Dritan Hoti

“J’etais un flinguer, flingue” (Isha një vrasës, por edhe i vrarë). Asgjë më mirë se kjo frazë e dalë nga goja e ish-ministrit të Jashtëm francez, Roland Duma, nuk “pikturon” më së miri stilin e përdorur në luftën politike në Francë. Sigurisht që Roland Duma nuk ishte një eliminues fizik i kundërshtarëve të tij, por një “vrasës” politik i tyre në profit të ish-presidentit Francois Miterrand. Kam pasur rastin që ta ndjek ish-shefin e diplomacisë franceze në konferencat shkencore mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, madje të bisedoj 2 herë drejtpërsëdrejti me të, sakaq përfundimi i tyre: Ishte një burrë i vogël me pamje prej aristokrati, që çlironte zgjuarsi dhe kultivim, kësisoj, pothuajse kurrkujt nuk do t’i shkonte ndërmend, rrjedhojë e perceptimit të parë empirik, se kishte të bënte me një prej intrigantëve, ndoshta nga më të sofistikuarit e sistemit politik francez.

Sistemi politik, apo e thënë ndryshe natyra apo forma e shtetit, në të shumtën e rasteve mbajnë stampën e elitave drejtuese, me një fjalë përçon formimin e tyre e bashkë me të përfytyrimin që ata kanë për demokracinë. Shteti-komb, që predominon ende universalisht sot, me gjithë globalizimin që shtrihet në lëmin ekonomik dhe teknologjik e ka pikënisjen në shekullin XVII, kur elitat e vendeve përkatëse, në rastin në fjalë, ajo angleze dhe franceze, i dhanë formë shtetit-komb. Ndërsa në botën anglosaksone, në fillim në Britaninë e Madhe e më vonë në SHBA, sistemi politik pasqyronte demokracinë e drejtpërdrejtë, pra kërkesat e popullit transmetoheshin nga elitat e zgjedhura në institucionet drejtuese, ku ligji i shoqëruar nga etika protestante ishin mbizotërues. Konstituimi i kombit francez mban vulën më shumë se gjithçka tjetër të elitave franceze, asokohe mbretërve të Francës. Këta të fundit, nëpërmjet zotësisë, dinakërisë dhe forcës konturuan “La France eternelle” (Francën e përjetshme). Mirëpo në një shtet kur gjithçka është e realizuar prej elitave, prej lart, mbart rrezikun e përhershëm, atë të shkëputjes, të arrogancës, apo shmangies së dhënies llogari përkundrejt demos-it, popullit. Kështu Franca krijoi “la raison d’etat”, që justifikonte nëpërmjet ‘finesse’, që “e drejta e shtetit”, interesi i tij ka qenë dhe është mbi gjithçka. Në shoqërinë franceze ekziston kompromisi dhe obligacioni si vijon: Franca është një demokraci reale përderisa nuk cenohet dhe vihet në vështirësi “la raison d’etat” (E drejta e shtetit), pra pushteti permanent i elitave. Deri këtu gjithçka është demokratike, mirëpo në rast të kundërt, opaciteti i zë vendin transparencës, por edhe në mënyrë më të rrezikshme se kaq…

Aq shumë është e ngulitur në trurin e francezëve kjo skemë, saqë edhe shpërthimet revolucionare e kanë tronditur atë, por pa dashur ta likuidojnë sistemin njëherë e përgjithmonë. Në një rast ku veprimet e pushtetit justifikohen dhe mbulohen nga mekanizmi “Raison d’Etat” brenda suazës së luftës për pushtet, të gjitha mënyrat janë të lejueshme. Edhe tipologjia e intrigës së aplikuar në kacafytjet politike ka veçantinë e saj. Ajo buron dhe reflekton traditë historike, mentalitetin e një shoqërie që këto elita ju përkasin, si edhe formimin dhe bashkë me të taktikat e përdorura. Intrigat në oborret e mbretërve të Francës, kanë frymëzuar dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë të shquar e skenaristë të talentuar për t’i transformuar ato në bestseller të letërsisë apo në filma tërheqës me spektatorë të shumtë.

Ndërkaq, le të fokusohemi te makinacionet e 50 viteve të fundit në Francë nën të ashtuquajturën Republika V. Çdo komplot apo intrigë e ka synimin e qartë, denigrimin, demoralizimin të shoqëruar me rrënimin e gjithanshëm të kundërshtarit. Ajo, intriga konceptohet dhe thuret në përputhshmëri me perceptimet e një shoqërie, me qëllim që personi i shigjetuar të mos gjejë as edhe një shtegdalje, kësisoj kapitullimi i tij është i siguruar. Në Francë mundësia, kur bëhet gjithnjë fjalë për një makinacion politik, rivendosja e drejtësisë është e mundimshme, pasi ajo, drejtësi, që ka tagrin për këtë është e vendosur nën thundrën e pushtetit politik, me një fjalë të Presidentit të Republikës. Metoda vepruese në Francë është: një shpifje e imagjinuar në “ofiçinat” e specializuara (pasi duhet nënvizuar se në Francë që prej revolucionit francez, e deri 2 vite më parë me shkrirjen e tyre prej Nikolas Sarkozisë, ekzistonte një institucion me emrin Reinsegnement Generaux - Informacionet e Përgjithshme, një lloj policie politike e brendshme) bëhej publike. Prej atij momenti niste kalvari i stërmundimshëm i viktimës, i vendosur në darën e agresivitetit publik, si dhe një drejtësie politike. Në arkivin e larmishëm të përbetimeve dhe makinacioneve nën Republikën V mund të nguliten në memorien e opinionit publik, brengosja dhe denigrimi që iu bë Presidentit Pompidou, asokohe Kryeministër i gjeneralit De Gaulle, ky i fundit i acaruar prej shkëlqimit intelektual dhe reputacionit në rritje të Kryeministrit të tij. Intriga është konceptuar nga një celulë e shërbimeve sekrete franceze, (SDECE) me objektiv përbaltjen e gruas së Kryeministrit Pompidou, Claude Pompidou, e akuzuar kinse si frekuentuese e mbrëmjeve të shthurura me konotacion seksual; kjo e fundit ka hyrë në histori me emrin çështja Markoviç (Affaire Markoviç). Aq shumë u verbua nga inati George Pompidou, saqë me t’u bërë President mendoi të shpërbënte shërbimet sekrete franceze. Në renditjen e komploteve të luftës politike franceze spikasin në sinkron me periudhat pasuese, skandali i diamanteve të Bourkonafaso-s që sabotoi rizgjedhjen e Presidentit Giscard D’Estaing, apo jo shumë kohë më vonë vetëvrasja në formë demonstrative në pallatin presidencial Elysee të eminencës gri të Presidentit Miterrand, të Francois de Grossouvre. Ambicia për pushtet është më e forta dëshirë te humani, ndoshta mund të cilësohet si një zanafillë e regjimeve diktatoriale kur ajo ushtrohet në një shoqëri të zhveshur nga tradita demokratike, si dhe e mbajtur larg mekanizmave të kontrollit të një pushteti demokratik, i lejon egos së individit të imponohet në rastin kur ai është i mbrujtur me vërtetësinë e ideve të tij, siç është rasti i komunistëve, atëherë diktatura është e realizuar.

Në Francë, autoriteti i Presidentit, pothuajse një monark në “demokraci”, është i padiskutueshëm, madje-madje edhe bashkëqeverisja me një Kryeministër nga opozita apo nga e njëjta forcë politike shihej si bezdisëse për të. Ndërsa Michel Rocard, ish-kryeministër i talentuar i Francës ia mvishte divorcin me gruan e tij një manovre cinike nga ana e Presidentit Miterrand; në vigjiljen e zgjedhjeve të 2002-shit, në gazetën “Le Monde” u infiltrua lajmi denigrues se i ati i Kryeministrit francez, Lionel Jospin, kishte qenë gjoja një kolaboracionist gjatë pushtimit gjerman në Francë. Shpallja e kandidaturës së Nikola Sarkozisë për Presidencën franceze të shoqëruar me moton “Një Republikë e paqortueshme” (La Rupublique irreprochable), mobilizoi gjithë pushtetet e nëntokës të ndërvarura nga Presidenti Chirac. Pinjoll i një familje emigrantësh, nga linja e atësisë hungareze, ndërsa nga e ëma me prejardhje hebraike, ai nuk ishte produkt i shkollave të mëdha franceze (Les grandes Ecoles francaises). I pajisur me zgjuarsi natyrore dhe praktike, me bindje të pastra demokratike, strateg i sprovuar ai ia doli mbanë të vihej në krye të partisë, të ndërtuar enkas për t’i shërbyer konsolidimit të Presidentit Chirac, RPR, si edhe t’i rezistonte komplotit më të madh të sajuar kundër tij, tashmë të njohur përbotërisht si çështja “Clearstream”, ku Sarkozia akuzohej padrejtësisht si mbajtës i një llogarie të paligjshme në një bankë të Luksemburgut. Misioni i Nikolas Sarkozisë për Francën ishte dhe është i qartë, rivendosja e Francës në ekuilibrat bashkëkohorë. Reformat e ndërmarra prej tij përfshinin dy drejtime: 1. Në politikën e jashtme, ristabilizimin e marrëdhënieve me SHBA-në të tendosura, rrjedhojë e antiamerikanizmit të kahershëm mbizotërues në Francë, si dhe rektifimin e pozicionit të saj në Lindjen e Mesme, duke ndërprerë politikën radikale pro-arabe të Francës nëpërmjet normalizimit të raporteve me shtetin e Izraelit, mik i të cilit Presidenti Sarkozi është vetëshpallur publikisht.

2. Transformimi substancial ekonomik e shoqëror i vendit për ta përshtatur Francën me një botë në transformim e sipër, ku Franca ka ngelur pas, konsekuencë e sistemit të saj të ngurtë të mosinovacionit, si dhe mungesës së kompetivitetit.

Sarkozia do të përkujtohet nga historia në të ardhmen, atëherë kur reflektimi gjakftohtë do të kapërcejë pasionet e momentit, si burrështetasi që sfidoi në momentin e duhur sekularizmin francez, duke u orvatur të rithemelojë prosperitetin dhe të rivendosë dinjitetin e një vendi, shoqëria e të cilit është e mbrujtur nga psikozat mekanike të së shkuarës, arsyeja kryesore e tatëpjetës së tij.

 

Posted via email from Shkupi Press extra