Kush po spekulon lidhur me “ndarjen” e Kosovës?

 Nga Teki Dervishi

Teza për ndarjen e Kosovës është serbe, e jo shqiptare. Dhe kjo tezë serbe është e vjetër, inicialisht është dalë në dritë në kohën kur Millosheviqi e “përzuri” nga pushteti Dobrica Qosiqin, i cili së bashku me akademikun Luba Tadiq (i ati i Presidentit Boris Tadiq) propozuan “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës me një marrëveshje të mundshme për ndarjen e saj me Serbinë. De fakto “ndarja” sipas platformës së akademisë serbe ka filluar zbatimin konkret dhe në mënyrë kontrabandistike politike menjëherë pas “bombardimeve humanitare” të NATO-s, atëherë kur KFOR-i vuri telat me gjemba mbi Urën në Ibër, dhe Serbia atje shpronësoi shqiptarët dhe bëri pastrimin etnik. Shtatë vjet më parë miratimit të Planit të Ahtisarit “me standardet” “ndërkombëtare” u themeluan enklavat serbe nëpër komuna të pastra etnikisht, thuajse e dinin se ato komuna të pastra etnikisht do të parashiheshin në Planin e Ahtisarit (Kushtetutës) si “decentralizimi i Kosovës”. Ky “decentralizim”, ç’është e vërteta, bazohet në “dyshtetësinë” kushtetuese të pakicës serbe, por që kjo pakicë nga dy shtetësitë e saj e pranon vetëm njërën, shtetin e Serbisë, e jo shtetin e pavarur të Kosovës, që disa “analistë” e quajnë edhe sovran. Serbët e Kosovës nuk pranojnë madje as tabelat e veturave të Kosovës, e lere më dokumente tjera shtetërore të Kosovës. Sipas shumë analistëve ndërkombëtarë, (dhe sidomos Huper-it, Abramoviç-it, Server-it, etj) ndarja de fakto e Kosovës është zbatuar nga ndërkombëtarët, përkatësisht nga strukturat administrative të OKB-BE-së. Pra, shqiptarët as nuk e kanë propozua as nuk e kanë zbatuar ndarjen de fakto të Kosovës. Serbia me bisedimet e pritshme me Kosovën do të provojë që ndarjen de fakto të Kosovës ta bëjë ndarje de jure. Pra kjo është e vërteta, kurse…  
… Në sajë të disa polemikave periferike, shumë qartë të ngarkuara ideologjikisht, të bazuara në koncepte puro-politike (do të thosha pseudo-politike dhe assesi shtetërore) është imponuar artificialisht “tema” “kosovare”-“shqiptare” (mbi mundësinë ose pamundësinë) e “ndarjes” së Kosovës, dhe “kosovarët” po akuzojnë “shqiptarët” (sipas kosovarëve – shqiptari shquhet vetëm si nacionalist), se “nacionalistët” shqiptarë qenkan ata që po preferojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe për këtë bashkim po bëkan koncesion ndarjen e Kosovës (!!!). Përsëris: ndarja (de fakto) e Kosovës është bërë para 11 vjetëve dhe nuk e kanë bërë shqiptarët, as shqiptarët “kosovarë”, as shqiptarët “nacionalistë”, por e kanë bërë ndërkombëtarët, konkretisht UNMIK-u! Por, sot, në këtë “temë” “të ndarjes” po spekulohet sipas “rrjedhës së ndërdijëshme” pseudo-politike. Vëllezër dhe shokë, shteti i Kosovës është edhe i shqiptarëve, e jo vetëm i atyre që qenkan “kosovarë”, (sepse edhe Kushtetuta e Ahtisarit, pos “kosovarëve” lejon mundësinë e deklarimit të shqiptarëve të Kosovë në cilësi të pakicës). Si gjithmonë anakronikë, edhe sot po na ndodhë anomalia politike, “kosovarët” po e mbrojnë shtetin e Kosovën nga “nacionalistët” shqiptarë. Harrojnë se pavarësinë e Kosovës e fituan shqiptarët dhe vetëm pas pavarësisë (Kushtetutës) Kushtetuta i nxori në skenë “kosovarët”. Dhe i nxori në emër të shtetit që është i të gjithëve, e jo vetëm i kosovarëve. Ky tip polemike “psudoanalitike” sot po ndodhë për arsye se as nuk mund të ketë analizë cilësore ose debat “pa informata valide” mbi “temën” e “ndarjes” - e cila tash për tash - vetëm së prejudikon problemin me të cilin do të merren “bisedimet” e “Beogradit” me “Prishtinën”. “Tema” mbi “ndarjen” tash për tash është vetëm një supozim, madje i dhënë vetëm nga diplomacia serbe, e jo shqiptare. Në bazë të supozimeve nuk mund të nxjerrën përfundime definitive voluntarësh me qëndrime as pro as kontra, pra derisa asgjë nuk është vendosur në bazën zyrtare. Them “supozime”, sepse askush zyrtarisht ende nuk ka komunikuar se është arritur ndonjë “vendim” për “ndarje”, madje as nuk është arritur ndonjë “vendim” se a do të ketë a jo bisedime edhe në këtë “temë”. Por nëse do të ketë, ose nuk do të ketë, një gjë dihet, askush nuk do t’i pyet mediat, sidomos jo shqiptarët! Fjalën e kanë “kosovarët”.
Edhe vetë “bisedimet” veçse janë paralajmëruar në media, nuk është prejudikuar “tema” e tyre, por vetëm është konstatuar (nga i gjithë lidershipi i Kosovës dhe nga instancat zyrtare institucionale të Kosovës) se “nuk do të ketë bisedime lidhur me statusin e Kosovës”, kurse “ndarja” as që është përmendur si temë e këtyre bisedimeve, përveç në supozimet e disa mediave. Tjetër punë janë supozimet e mediave (jozyrtare) se “çka do të përmbajnë bisedimet” dhe a do të bisedojnë a jo edhe për “ndarjen”, dhe tjetër punë është qëndrimi zyrtar i pushtetit dhe i shtetit të Kosovës. Përsëris: çështja hë për hë është në fazë të propozimeve ndërkombëtare, që preferojnë bisedime të Kosovës me Serbinë, dhe asgjë më shumë. Pra i tërë ky galimatias, që tashmë turfullon edhe me patetikë e nervozë qëndrimesh të mediave, dëshmojnë nivelin e periodikut të Kosovës, ku gjen autorë të cilët e marrin rolin e këshilltarëve politik të shtetit dhe pushtetit (madje edhe i urdhërojnë) liderët e Kosovës dhe institucionet, se “duhet” ose “nuk duhet” të hyjnë në “bisedime” me Serbinë. Media nuk zbaton politikë, por analizon politikën. Urdhërorja “duhet” në tekstin e ndonjë analisti na përkujton kohën kur Komiteti Qendror “urdhëronte popullin” nëpërmjet gazetarëve aparatçikë.
Në bisedimet e pritshme (si thotë Serbia) “të Prishtinës dhe Beogradit” (pra nuk thotë “të Kosovës dhe Serbisë”), nëse (pra -nëse) do të mbahen këto bisedime, Serbia ende jo zyrtarisht, por me performancat në mediat ndërkombëtare që kanë pasur eminentet e saj të diplomacisë, ka prejudikuar edhe mundësinë që në “bisedime” të bëhet përpjekje për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të “Prishtinës” me “Beogradin” (qyteteve, e jo shteteve sovrane), marrëveshje për të vënë në “temë” mundësinë e ndarjes së veriut të Kosovës, i cili territor, sipas tyre, nuk do të jetë më Kosovë (veriore), por do t’i bashkëngjitet territorit të Serbisë dhe si i tillë do të quhej brenda Serbisë - Serbi, e jo Kosovë. Pra krejt kjo është një opsion i Serbisë, e jo i Kosovës dhe as - i asnjë shqiptari në Ballkan. 
Më duhet t’ua përkujtoj analistëve që marrin rolin e funksionarëve zyrtarë politik, dua t’ju përkujtoj rezultatin e bisedimeve të Grupit të Unitetit që kishin me Serbinë (në Vjenë), rezultatin e bisedimeve të tyre, ata vetë e quajnë “kompromis i dhimbshëm”. Asnjëherë në histori, shqiptarët nuk kanë vendosur për kufijtë e Shqipërisë, pos kur kanë bërë kinse “kompromise të dhimbshme” prej kuislingësh. Prandaj, mos u frikoni o ju “kosovarë”, përsëri askush nuk do t’i pyes shqiptarët. Do t’ju pyesin juve “kosovarëve”, sepse ju jeni mësuar të bëni “kompromise të dhimbshme”!

Posted via email from Shkupi Press extra