Ballkani sot, shpirtërisht

Në treg një projekt i ri; për të lexuar Ballkanin në serinë e 10 titujve me autore bashkëkohorës

 

Nuk është hera e parë që në qarqet letrare hapet debati për t’u njohur ballkanikët mes njëri-tjetrit, ndoshta dhe si arsye për të shmangur konfliktin e egër që kemi mes nesh ose çfarë i është vënë mbi shpinë gjykimi kësaj ane të Evropës - imazhi i barutit. Por, në realitet asnjëherë nuk janë marrë nisma për ta shembur këtë mur me fqinjët, pos ca punë shkrimtarësh në ese me temë të përbashkët, si të njihen. Por, nevoja psikologjike, përse është e pamundur kjo bashkëjetesë kulturash, pothuaj të njëjta, me shumë gardhe, me paragjykime, me shumë politikë, si duket i vjen koha. Në histori elitat i bëjnë hapat para, intelektuali human ose ai lloj poeti që bëhet denoncues dhe njëkohësisht rebel i realitetit, i kohës së vet. Letërsinë e njëri-tjetrit e njohim shumë pak, më pak se, fjala vjen, lojën e futbollistëve të pjesës latine të Amerikës - autorë, personazhe letrare me gishta numërohen nga Ballkani dhe kjo, falë dy-tri veprimtarive që organizohen në vend. Botuesit e kanë vështirë të ndajnë detyrat komerciale nga letërsia e rekomanduar dhe ajo e vërteta. Ndërsa njohja me Ballkanin përballë Perëndimit është marrë më shumë për politikë.

Këtu ka ngecur debati, mbi njohjen mes vetes në Ballkan, ngurrim apo hezitim “detyrat” e kohës tani nuk i takojnë më politikës. Letërsia si dëshmitare do ta lexojë nga mbrëmja në mëngjes këtë Ballkan plot kompleksitete - si arsye njohjeje dhe afrie kulture, por dhe si shpjegim pse lindi projekti nga shtëpia botuese “Ideart” në Tiranë, për të prezantuar letërsinë ballkanike për lexuesit shqiptarë, duke bashkëpunuar me Tradukin, program mbështetës i përkthimit të letërsive në mes vendeve ballkanike. Botuesi i “Ideart”, Arjan Leka, për gazetën “standard” ka bërë të ditur se nga dita e djeshme janë hedhur në qarkullim dy botimet e para, si dhe ka paraqitur këtë projekt si nismë e parë elitare për serinë e botimeve lexime ballkanike. Në fakt, këto dy botime janë hyrje për në serinë e botimeve prej titujsh nga autorë bashkëkohorë të Ballkanit.

“Ky projekt, që ka mbështetjen e gjerë të mjaft institucioneve, organizmave dhe fondacioneve evropiane që punojnë në dobi të kulturës së shkruar dhe shkëmbimit ndërkulturor, përfshin letërsi nga Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Bullgaria, Maqedonia dhe përfaqëson letërsinë bashkëkohore (jo të traditës) të vendeve përkatëse”, - thotë Leka. Përveç njohjes dhe vendosjes së kontakteve me një letërsi fare pak të njohur, ardhur prej fqinjëve tanë, tematika e së cilës, si mjaft subjekte ballkanike, shpesh është shumë e ngjashme me tematikat tona, shënohet si vlerë tjetër e këtij projekti edhe fakti se përkthimet bëhen nga gjuhet origjinale. Botimet e para, nga dita e djeshme, janë të autorëve kroate, Renato Baretiç "Hotel Grand" dhe Edo Popoviç "Kalda, histori nën lëkurë. Ndërkohë që janë në proces botimi dy librat e autorëve boshnjakë - Emir Imamociv Pirke dhe Ognjen Spahiç. Leka na thotë se promovimi i librave do të kryhet me praninë e autorëve në muajin tetor, gjatë ditëve të edicionit VI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë dhe Letërsisë, "Poeteka".

***

Nga Kroacia, romani “Hotel Grand”, me autor Renato Baretiç, prej 276 faqesh, vlerësohet si një roman tronditës, për rritjen e fëmijës në një familje të tillë; një satirë e ashpër; një histori, ku, nën pecetat e kuzhinës fshihet revolveri. Njëkohësisht, është një vepër inteligjente dhe interesante për letërsinë, për statusin e fiction-it dhe virtualitetin. Në gjysmën e parë të viteve '90 të shekullit XX, hotel “Grand” ishte çerdhe prostitucioni. Duke u rritur në këtë mjedis, pranë nënës dhe babait që merreshin me këtë biznes, por që gjithashtu dëshironin të mbeteshin një familje e rregullt qytetare; rrethuar nga prostitutat ukrainase dhe klientët e tyre, në shoqërinë e truprojës personale Martinit, bashkëmoshatares Halja dhe mikut të shkollës Zele, Filipi merr njohuritë e para për seksin dhe tërheqjen seksuale e njëkohësisht me to edhe për lidhjet e errëta midis krimit dhe politikës, për raportet e tyre të ngatërruara, që luhaten mes (pa)fuqisë për t’i ndryshuar dhe interesit.

Në blogun kushtuar letërsisë, të autorit të njohur Julio, futet një mik i ri me pseudonimin Condolëzo i cili fillon të publikojë aty pjesë nga romani i tij, ndoshta autobiografik. Midis frekuentuesve të blogut të Julios dhe Condoleezos nisin komente të gjalla rreth dorëshkrimit të tregimit, ku personazhi kryesor, Filipi 25-vjeçar, kërkon të gjejë gjurmët e fëmijërisë së tij. Fëmijërinë e tij ai e kish kaluar në hapësirat e hotel “Grandit”, në një qytet dalmat pa emër. Ai kthehet sërish në këtë qytet, tashmë i rritur, si për të përfunduar diçka të lënë përgjysmë, e cila do ta shkëpusë përfundimisht atë nga fëmijëria e tij e pazakontë. Në narracionin e Condoleezos realiteti i sotëm ndërthuret me Kroacinë e asaj kohe, me shkeljet e marrëveshjeve, me skëterrën e Bosnjës fqinje, me vajzat fatkeqe ukrainase dhe paqeruajtësit, deri tek mafia, politikanët dhe të fortët në rrethanat e jashtëzakonshme.

Baretiç, i lindur në Zagreb më 1963, ka punuar si gazetar në disa media dhe është autor i vëllimeve me poezi “Fjalë xhepash” (1983) dhe “Kujt do t'i dërgojmë kartolina” (2005); i përzgjedhjes nga emisioni televiziv “Pjesë kuadri” (2005) si dhe i romaneve “Komisari i tetë” (2003) dhe “Më rrëfe për të” (2006). Veprat e tij janë përkthyer në maqedonisht, sllovenisht, gjermanisht, anglisht dhe në gjuhën ukrainase. Sipas botuesit të “Ideart”, aftësia e veçantë e Renato Baretiçit për të rrëfyer thjesht dhe këndshëm temat e vështira, përçon emocione me gjuhën e bukur dhe njëkohësisht befason me zgjidhjen mjeshtërore të tregimit, duke e bërë hotel “Grandin” pasues të denjë të romanit të suksesshëm me 5 yje dhe fitues të 5 çmimeve, “Komisari i tetë”.

***

Midis Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, shkrimtari Edo Popoviç vjen në shqip, me kartën identitare të cilësuar nga kritika si një romancier - përfaqësues autentik i “realitetit të pisët” ku jetojmë. Romani në shqip është “Kalda, histori nën lëkurë”, me 236 faqe, një roman për kohën tonë. Në qendër është jeta e fotografit Ivan Kalda. Romani rrëfen ngjarjet këtu dhe tani, një linjë dhe tjetra afrohet me të shkuarën e largët të personazhit kryesor, deri në vitet ‘60 të shekullit XX, ku fillojnë dhe kujtimet e tij. E shkuara i shfaqet përpara dhe ajo është ose qesharake, ose dhembshurisht jo e bukur. Gjithë sa Kalda mendon se e ka hedhur pas shpine, i rishfaqet para syve përmes kohës së rrëfimit retrospektiv. Subjekti mbivendoset, gërshetohet me ngjarje të rënda të dashurisë, shpërfilljes, mungesës së lirisë dhe perspektivës së një njeriu që rritet pa harruar asgjë prej atyre që i lanë gjurmë mbi lëkurë. Botuesi në shqip orienton lexuesin se, “i ngatërruar”, siç janë të ngatërruara edhe ndërgjegjet tona, që nuk jetojnë vetëm në të sotmen, është ky libër për kujtesën e humbur të fajeve dhe gabimeve mbetur ende pa emër.

Popoviç aktualisht jeton në Zagreb. Libri i tij i parë në prozë, “Perëndesha të mesnatës”, 1987, i dha Edo Popoviçit statusin e shkrimtarit kult të viteve ‘80. Nga viti 1991-1995 ai botoi reportazhe për luftën e Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Romani tjetër në prozë, “Gjumi i gjarpërinjve të verdhë”, u botua në vitin 2000. Një vit më pas, ai sjell prozën autobiografike “Qen guri”. Duke iu referuar informacionit të vënë në dispozicion nga botuesit e “Ideart”, ky autor duket shumë aktiv në fushën e letrave, ku veç këtyre, mes viteve 2003 - 2005, Edo Popoviç ka botuar edhe romanet: “Zagreb, dalje jugu”; “Djaloshi”; “Dama”; “Budalla”; “Tel”. Në vitin 2006 ai boton edhe trilogjinë “Lojtarët”. 

Krijimtaria e Edo Popoviçit është e njohur dhe e botuar në disa gjuhë evropiane. Dhe romani i tij “Kalda, histori nën lëkurë”, sigurisht që është i pari në gjuhën shqipe. Për sensibilizimin ndaj të lexuarit, me këto botime, Leka tregon se merr jetë edhe slogani "leximi nuk dëmton rëndë shëndetin tuaj dhe të atyre që ju rrethojnë".

Posted via email from Shkupi Press extra