Gjergj Meta Muzat do të ma kishin inat, qoftë për afrimin e këtyre dy termave me njëri-tjetrin, e qoftë kur të shihet se për çfarë e kam fjalën kur përmend muzikën. Në kryeqytetin tonë ka absurde të tilla, ku arroganca dhe muzika takohen. Le t'i marrim gjërat me radhë. Arroganca është një ndër gjërat që irriton natyrën njerëzore në mënyrë ç'njerëzore. Ajo vjen si pasojë e një pushteti (financiar, politik, psikologjik) të kuptuar dhe të jetuar devijueshëm mbi kurriz të dikujt, i cili është i pambrojtur dhe i pafuqishëm. Është uzurpim me pa të drejtë apo me një drejtë të tejkaluar i hapësirave të tjetrit apo i atyre të përbashkëta.
Po të hulumtosh zanafillën etimologjike të fjalës vihet re se ajo vjen nga folja latine adrogo dhe përshkruan një institucion juridik romak. Është adoptimi nga ana e dikujt e një njeriu të lirë, të cilin e bën si bir të vetin edhe pse nuk është i veti. Në zhvillimin e saj duket që fjala ka pësuar edhe shkarje të natyrës negative (adrogans, adrogantia) duke marrë kuptimin e përvetësimit të diçkaje që nuk i përket atij që e merr. Pra një përvetësim i paligjshëm. Në shqip është një fjalë relativisht e re dhe duke gërmuar në humus-in popullor mund të gjesh të përshtatshme fjalën mendjemadh (version i butë) apo kapadai (version bisedimor dhe pak i ashpër) apo të tjera si këto.
Por të kalojmë nga bota latine në atë tiranase. Për të kuptuar se çfarë është arroganca apo kapadaillëku, jo si përkufizim teorik, por si përjetim praktik, mjafton të kesh shtëpinë përreth kalasë së Tiranës, ngjitur me Katedralen Katolike buzë Lanës (ku banoj unë), apo në Torre Drini, apo te shtëpia e mbretit dhe të kalosh aty një verë të tërë. Një zhurmë e tmerrshme (e quajnë muzikë house) që të le pa gjumë deri në orët e para të mëngjesit dhe askush nuk mendon se mund të ulë zërin apo ta ndalojë atë muzikë, sapo të vijë të paktën ora 12:00. Me sa informacion të përciptë që kam unë, muzika është kombinim i disa notave, ndërsa ajo që dëgjohet në rastin në fjalë është kombinim i disa zhurmave, klithjeve, çirrjeve. Sa larg muzikës. Kjo është vetëm një pjesë e absurdit. Pjesa tjetër është kjo. Jo më larg se para dy ditësh, morëm në telefon Policinë Bashkiake (2419465) për t'u ankuar, ndoshta për të disatën herë, dhe përgjigja ishte shumë e qartë, e sinqertë dhe me shumë mirësjellje: "Na vjen keq, por nuk kemi ç'i bëjmë". Bëmë telefonatën e radhës, Policia e Shtetit (129). E njëjta përgjigje vetëm se harruan telefonin hapur për pak çaste dhe dialogu ndërmjet punonjësve vazhdonte: "Ehu ha, hala me këtë problem këta". Si nuk i shkon askujt në mendje që aty ka një ndotje akustike të hatashme dhe që prishet cilësia e jetës së disa qytetarëve, të cilët disa herë janë ankuar për këtë gjë? Kam jetuar në një kryeqytet-metropol të Europës për tre vjet, mu në qendër të qendrës. Gjatë verës kishte koncerte dhe muzikë në vende të hapura, madje edhe poshtë dritares ku unë banoja, por askujt prej organizatorëve nuk i shkonte ndër mend të kalonte orën 23:30, sepse menjëherë vinte policia dhe ndalonte gjithçka.
Edhe një shembull tjetër, që të mos mbetet puna vetëm te gjërat që më shqetësojnë mua. Mjafton të dalësh një ditë me makinë në orët mesatarisht të trafikuara të kryeqytetit, sidomos kjo në rrugët kryesore. Normalisht ka semaforë që duhen respektuar, të cilët kur janë jeshilë të japin leje për kalim e kur janë të kuq të ndalojnë. E zëmë se je në semaforin që gjendet mes Kryeministrisë dhe Kuvendit, duke pritur që të kthehesh majtas për në rrugën që të çon te TVSH. Ndërsa pret në radhën tënde, sistematikisht, paralel me ty, do të krijohen edhe dy apo tre radhë të tjera në krahun nga normalisht vijnë makinat në krah të kundërt, përgjithësisht me makina të tipit BMW X5 ose X6, Mercedez i të gjitha llojeve të fundit, apo makina të tjera mjaft të kushtueshme dhe me targa Z, të cilat zënë një vend që nuk u përket. Me arrogancën më të madhe kalojnë para teje që je duke pritur në radhë dhe ti nuk ke kohë të kalosh, se ndërkohë ka filluar semafori i kuq. Kur me shenja nga makina i them ndonjëherë policit: "Shiko çfarë bëhet!" ai ngre supet dhe me një lëvizje të krahut, duket sikur thotë: "Po lëre ore se nuk kam ç'i bëj!".
Janë vetëm dy shembuj, mjaft të thjeshtë, që mund të verifikohen kur të duash. Çka frikëson në këtë vend tonin është fakti që këto sjellje janë vetëm shfaqje epidermike të një arrogance të brendshme, e cila është sëmundje e shpirtit të njeriut. Këtë arrogancë e sheh kur një të varfëri i prishet shtëpia "pa leje", sepse një i pasur do të ndërtojë aty vendturizmin apo pallatin e tij "me leje", kur para një sporteli shërbimesh nuk shërbehesh etj. Këtë arrogancë e sheh kur e drejta e replikës nuk të jepet atëherë kur ti denigrohesh, kur je i detyruar të pësosh dhunën verbale dhe vizive të një politike, e cila politikë nuk është, etj. Arroganca apo kapadaillëku ul cilësinë e jetës tonë shumë. E bën atë t'i nënshtrohet një rrjedhe të devijuar, e cila ka ikur nga shtrati i vet natyror dhe është shtrënguar të kalojë nëpër shtretër artificialë të pushtetshmish. Arroganca është dhunim i bukurisë së jetës. Është shprehje e injorancës e shkurtpamësisë. Sistemi komunist ishte i tillë: arrogant, sepse në thelb injorant dhe shkurtpamës.
Populli ka shumë histori me arrogantë ndryshe kapadai. Një ndër to është ajo kur kapadaiut i urojnë: ta rritë Zoti mendjen. Herët a vonë, kapadaiu do të hasë në ndonjë hundlesh, i cili do t'i tregojë kufijtë. Shpresa është që emri i këtij të fundit të jetë fjala ligj.
Home »
» Arrogancë me muzikë





