Alba Kepi
50-vjetori i vdekjes së Boris Pasternak. Fitues i merituar e në mënyrë aventureske i çmimit “Nobel” me romanin “Doktor Zhivago” dhe autori i shumë vëllimeve poetike
Vetëm 25 km në jug-perëndim të Moskës shtrihet Peredelkino, dikur qyteza zyrtare e shkrimtarëve rusë, e sot një nga vendet kult të pasanikëve vendas. Ndërtesat e saj prej druri, karakteristike të arkitekturës ruse, kanë disa ditë që popullohen me reporterë ndërkombëtarë e me të apasionuar të letërsisë ruse, në pritje për të fokusuar me punën e memorien e tyre datën 30 maj 2010, 50-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Boris Pasternak. Fitues i merituar e në mënyrë aventureske i çmimit “Nobel” me romanin “Doktor Zhivago” dhe autori i shumë vëllimeve poetike, Boris Pasternak konsiderohet si një nga penat më të rëndësishme të letërsisë botërore të ‘900.
Në Perdelkino, ish-qendra e bohemës letrare ruse, aty ku sot ndodhet varri e muzeu i shkrimtarit të madh, më 30 maj të vitit 1960, vdes i izoluar e pothuajse në një varfëri ekstreme, Boris Pasternak. Vetmia e këtij shkrimtari duket sikur vazhdon dhe sot shumë vjet pas vdekjes e nuk po gjen fund. “Nën zë, pothuajse të heshtura e me praninë e shumë pak emrave të njohur”, - i ka komentuar shtypi ndërkombëtar festimet zyrtare me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Boris Leonidovich Pasternak. Shumë ndryshe ka qenë kjo situatë një vit më parë, kur me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Çehov e 200-vjetorit të lindjes së Gogol, media ruse e numri i madh i pjesëmarrësve midis të cilëve dhe Presidenti Medvedev i dhuruan dy shkrimtarëve të mëdhenj një festë përkujtimore të mrekullueshme. Pasternak i lindur në vitin 1890 kish artin në gjak, trashëguar nga i ati piktor e nga e ëma pianiste. Fëmijërinë e tij e kaloi i rrethuar nga prezenca e përditshme e inteligjencës më të njohur ruse, miq të prindërve të tij. Piktor, kompozitor, muzikant e shkrimtar, midis të cilëve dhe Lev Tolstoi mblidheshin për orë e orë të tëra në sallonin e shtëpisë së tij, prezenca e bisedat e të cilëve do lënë gjurmë në formimin e tij të mëvonshëm. Fillimisht nën gjurmët e nënës e me dashurinë për muzikën, Pasternak studiojë për disa vite piano, e më pas udhëtoi në Evropë si student i shkencave filozofike. Pas viteve të studimit, ai iu dedikua vargjeve e botimeve të disa vëllimeve poetike. Por qe “Doktor Zhivago” romani i tij i parë e i vetëm, i cili i dhuroi çmimin “Nobel”.
CIA kurorëzon Boris Pasternak me çmimin “Nobel
Më vitin 1958 Boris Pasternak fiton çmimin “Nobel për Letërsinë” me veprën e tij “Doktor Zhivago” e kjo ngjarje qe një nga më aventuresket e historisë së marrjes së çmimit “Nobel”. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Boris Pasternak nis e përfundon së shkruari romanin e tij të vetëm “Doktor Zhivago”. Lidhja e Shkrimtarëve Rusë refuzon botimin e këtij libri i konsideruar autobiografik e me tone negative ndaj Revolucionit të Tetorit. Kjo vepër, kopjet e së cilës u sekuestruan nga qeveria komuniste ruse, u bë shkaku i një persekutimi intelektual të shkrimtarit nga ana e regjimit politik vendas. Por dorëshkrimi origjinal i “Doktor Zhivagos” shpëton nga sekuestrimi, kapërcen kufijtë rus dhe ishte shtëpia botuese italiane “Feltrinelli”, e cila realizoi më vitin 1957 botimin e parë të këtij libri. Jemi në vitet e krizës së ftohtë e ky libër u bë dëshmia e vetme e realitetit rus, u përkthye në disa gjuhë e u bë përhap shpejtësisht në të gjithë botën. Nën optikën e Zhivagos e të Pasternak, dënohej idealizmi bolshevik, burim vuajtjeje e dhimbjeje për popullin sovjetik. Doktor Zhivago u kthye në simbol të realitetit rus.
Në vitin 1958 Akademia Suedeze e rendit këtë libër në kandidaturat e mundshme për marrjen e çmimit “Nobel” me mendimin e fitores së sigurt të “Doktor Zhivagos”. Por pak ditë para dhënies së çmimit kuptojnë gabimin. Çmimi “Nobel”, sipas rregullores, mund t’i jepej një autori për veprat e tij vetëm pasi të jenë botuar në gjuhën nënë. “Doktor Zhivago” për fat të keq nuk kish njohur një botim të tillë e si rrjedhojë nuk do të mund të njihte këtë vlerësim. Kur gjithçka dukej se kish marrë fund hyn në lojë shërbimi sekret i inteligjencës amerikane CIA.
Jemi në kulmin e Luftës së ftohtë e vlerësimi me çmimin “Nobel” i një shkrimtari dezident rus mbi një vepër që i çirrte maskën realitetit sovjetik, u bë për CIA-n një mision i rëndësishëm. Sipas fakteve të ndërtuara nga studiuesi Ivan Tolstoi, shërbimet sekrete amerikane bien në dijeni të ekzistencës së një dorëshkrimi të librit “Doktor Zhivago” në rusisht në bordin e një avioni. Pasi detyrojnë devijimin e avionit drejt Maltës, ky dorëshkrim i daktilografuar në rusisht fotografohet faqe për faqe. Më pas publikohet me një letër ruse e sipas normave të tipografisë ruse. Misioni u krye: CIA publikoi “Doktor Zhivago” në rusisht e KGB u mund. Tani dyert e “Nobel”-it për Boris Pasternak qenë të hapura.
23 tetor 1958 nën dedikimin “Për suksesin e madh si në poezisë bashkëkohore ashtu dhe në fushën e narrativës më të mirë ruse, Boris Pasternak vlerësohet me çmimin “Nobel” për letërsinë. Dy ditë më pas Pasternak i nis Akademisë Suedeze telegramin e sinqertë gëzimi”, - thellësisht faleminderit, i prekur, krenar , i pabesueshëm nga ky çmim. Por pak ditë më pas, një telegram tjetër krejt i ndryshëm nga i pari Boris Patërnak do i dërgonte drejtuesve të Akademisë së çmimit “Nobel”. “Duke marrë në konsideratë kuptimin që i atribuohet këtij çmimi nga shoqëria ku kam lindur, refuzoj këtë çmim të pamerituar. Ju lutem mos e prisni me pakënaqësi refuzimin tim të vullnetshëm”. Qe kjo një fitore e vogël e Bashkimit Sovjetik. Akademia suedeze përgjigjet: “Ky refuzim nuk ia heq vlerat këtij çmimi”.
Dy vjet më vonë, nën vuajtjen e kërcënimeve të vazhdueshme të KGB, në varfëri e izolim të plotë, më 30 maj të vitit 1960 Boris Leonidovich Pasternak vdes në Peredelkino, qyteza e shkrimtarëve sovjetikë. Subjekti i librit “Doktor Zhivago” në vitin 1965 nën drejtim e regjisorit David Lean u kthye në një film kinematografik kolosal e prezantohet në edicionit e 19-të të Festivalit të Kanës. I gjatë mbi tre orë e me një prodhim që kapte disa miliona dollarë, ky film pati një sukses të jashtëzakonshëm e u bë fitues i pesë çmimeve “Oskar” e i pesë “Golden Globe”. Për 20 vjet “Doktor Zhivago” vazhdon të mbetet sekret në Rusi e publikohet vetëm në vitin 1988, nën klimën e reformave të Gorbaçovit.
Një vit më vonë pas rënies së murit të Berlinit e rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, djali i Boris Pasternak, Evgenij Pasternak mbërrin në Stokholm për të marrë në dorëzim çmimin “Nobel” që 31 vjet më parë kishte vlerësuar punën artistike të babait të tij.
Boris Pasternak e muzika
Në 1979 shtëpia botuese në Moskë “Kompozitori sovjetik” publikon Sonatën në Si minor të Boris Pasternak, kuruesi i së cilës ishte kompozitori i njohur rus, Nikita Bogoslovskij. Për këtë vepër ai do të shprehej: “Në trashëgiminë krijuese të Boris Pasternak nuk përmblidhen vetëm vepra letrare, por dhe ato muzikore. Në arkivin e Pasternakut konservohen disa vepra muzikore për piano, dy prelude e sonata në si minor që është dhe vepra e tij më perfekte”. Pasternak dashuronte muzikën e u rrit i rrethuar nga tingujt e pianos së të ëmës e nga prezenca e vazhdueshme e muzikantëve të njohur në shtëpinë ë tij. Në verën e 1903 ai takohet me kompozitorin e madh A.N. Skrjabin, i cili qe dhe idhulli i jetës së tij. Mjaft faqe të prozës së Pasternak i dedikohen muzikës së A.N. Skrjabin. Në kujtimet e tij ai do të shkruajë: “Para kësaj vere ulesha e tingëlloja pianon duke krijuar ndonjë kompozim timin… tani nën influencën e adhurimin e A.N. Skrjabin, interesimi im për improvizimin e kompozimin u kthyen në pasion. Për gjashtë vjeshtë radhazi, gjatë gjithë gjimnazit, i dedikohem studimit të bazave të teorisë së kompozimit nën asistencën teorike e muzikore të të famshmit Julb Enghel e më pas nën udhëheqjen e profesor R.M. Glier”.
Vetëm në moshën 19-vjeçare Pasternak heq dorë dhimbshëm nga muzika e nga e ardhmja e tij si muzikant. “U ndava nga muzika, bota e zgjedhur si e ardhmja ime, me të cilën kisha lidhur gjashtë vite jetë lodhje, vuajtje, shqetësime, u ndava ashtu siç ndahesh nga gjëja më e çmuar”. Në veprat e tij letrare Pasternak ka një përdorim të vazhdueshëm të termologjisë muzikore e të pasionit të tij për kompozitorët e preferuar si Skrjabin, Brahms Chopin. Chopin, ai i dedikoi dhe një studim, një ese “Chopin”, në faqet e së cilës ai flet për muzikën me një kompetencë të rrallë.