Beteja detare e Navarinos u luftua në 20 tetor 1827, gjatë luftës së pavarësisë greke. Një armatë turke dhe egjiptiane u shkatërrua nga një forcë e flotës së aleatëve, të përbërë nga anije angleze, franceze dhe ruse në Portin e Navarinos (sot Pilos) në jug të Greqisë. Shkatërrimi i flotës turke u mundësoi aleatëve kontrollin e Peloponezit, duke i hapur dyert krijimit të shtetit modern grek. 22 vjet pas Trafalgarit, 12 vjet pas Vaterlosë, u panë francezë, anglezë dhe rusë të luftonin së bashku. Kjo betejë ndërkombëtare u përmbyll në një përleshje të pabesueshme, dhe rezultoi në shkatërrimin total të flotës turko-egjiptiane, më e madhe në numër. Një detaj kurioz: asnjë prej pesë fuqive nuk ishte në luftë me ndonjë prej të tjerave. Nuk dihet as me saktësi se kush e mori iniciativën për të hapur zjarr. Dhe në fund, një prej admiralëve fitimtarë, ai anglez, i mohuar zyrtarisht nga qeveria e tij, u largua nga komanda. Shkurt, beteja e navarinos ishte shumë konfuze në planin taktik dhe politik. Por jo aq sa u përket rezultateve të arritura. Pasi mbeti nën dominimin turk pas kongresit të Vienës (1815), në vitin 1821 Greqia u ngrit për pavarësinë e saj. Ujërat mes Turqisë dhe Greqisë - domethënë Deti Egje si dhe ishujt e shumtë në të - ishin arena të kryengritjes ku, pas zgjedhjes së admiralit Xhakomo Tombaris, u armatosën 36 anije. Sulmet greke vunë në rrezik serioz trafikun detar turk dhe nuk shërbeu aspak ndërhyrja e skuadrave detare armike pa njerëz, kompetenca dhe komandë. Guerilja detare - që vazhdoi nga 1821 deri në 1825 - nxorri në pah vlerën dhe aftësinë e marinës helene. Por pavarësisht sukseseve detarë, kryengritja e grekëve u vu në rrezik nga ndërhyrja e mbretit të Egjiptit, Mehmet Ali, i thirrur për ndihmë nga sovrani turk, Mahmud. Mehmet Aliu, dërgoi djalin e adoptuar, Ibrahim Pashën, i cili nisi një program spastrimi që synonte dëbimin e të gjithë grekëve nga Peloponezi, për t'i zëvendësuar me myslimanë që vinin nga Afrika. Grekët nuk mund t'u kundërviheshin zbarkimeve të trupave armike në More dhe Misolungi ra pas një rrethimi të gjatë. Pikërisht në këtë moment, Britania e Madhe dhe Franca vendosën që të ndërhyjnë, me motivin zyrtar për t'i dhënë fund një konflikti që i bënte dëm tregtisë detare ndërkombëtare. Për të ndalur genocidin, ministri i Jashtëm britanik, Xhorxh Kaning, dërgoi një flotë nën komandën e admiralit Kodrington. Sa për Nikollën I - që sapo kish hipur në fron në Rusi - ai nuk kërkonte më shumë se sa një shans për t'i krijuar vështirësi kundërshtarit të përhershëm, Perandorisë otomane, që i pengonte hyrjen në Mesdhe. Kështu, në tetor 1827, divizioni rus i kundëradmiralit de Haiden shkoi në Adriatik për t'iu bashkuar francezëve dhe anglezëve. Në 1 tetor, pranë ishujve jonianë, zëvendësadmirali Kondrington mori komandën e skuadrës së bashkuar të tre flotave. Në Gjirin e Navarinos ndodhej skuadra turko-egjiptiane e Ibrahim Pashës. Nën komandën e Tagir Pashës ishte ajo turke, ndërkohë që Muharrem Bej komandonte atë egjiptiane. Hyrja në gji mbikqyrej nga 145 topa të montuara në bateri në bregdet. Turqit kishin një këshilltar të aftë, francezin Letellieu, i cili u propozoi komandantëve turk dhe egjiptian një plan të zgjuar. Anijet turke duhej të formonin me anijet e tyre të linjës dhe fregatat një patkua kali gjigand; në këtë mënyrë do të hapnin zjarr të kryqëzuar mbi flotën e aleatëve. Në ndërkohë, aleatët i kishin dërguar një ultimatum Ibrahim Pashës, ku i kërkonin fundin e operacioneve kundër grekëve. Kodrington, Haiden dhe komandanti francez de Renei kishin vendosur të ankoronin m'u përpara flotës turko-egjiptiane. Anijet angleze nën urdhërat e Kodrington formonin pararojën. Admirali Haiden, në anijen Azov ndodhej në të majtë të anglezëve. Sapo anija angleze, Asia hodhi spirancën dhe uli në ujë një varkë me një ndërmjetës, turqit hapën zjarr kundër britanikëve. Kodrington urdhëroi kundërveprim të menjëhershëm dhe nisi beteja. Fregata Dartmuth hapi zjarr, duke u ndjekur nga gjithë anijet angleze, franceze dhe ruse. Marinarët rusë në bordin e Gangut, Ezechiele dhe Kastor, u dalluan më së shumti në betejë, ndonëse anijet e tyre u dëmtuan rëndë. Azov, e mbështetur nga Azia fundosi Muharrem Bejin. Pas katër orësh, beteja e Navarinos përfundoi me humbjen totale të flotës turko-egjiptiane: u fundosën 60 anije dhe më shumë se 6000 vetë gjetën vdekjen. Nëse humbjet ishin relativisht të lehta nga pala e aleatëve (43 viktima franceze, 75 angleze dhe 59 ruse), dëmet materiale nuk ishin të paktë. Të gjithë njësitë franceze veç Trident u desh të kthehen në Francë për riparime. Po kështu, shumcia e atyre angleze. Sa për turqit, ata përfunduan po vetë shkatërrimin e flotës së tyre, duke u kthyer në breg dhe i vënë zjarrin njësive që ndodheshin aty. Të dukshme ishin pasojat politike, duke qenë se Rusia përfitoi nga ky rast për të nisur një luftë kundër otomanëve. Kodrington u largua nga qeveria britanike, e cila nuk pëlqente një dobësim të perandorisë osmane. Navarino ishte ndoshta e vetmja fitore që Marina Mbretërore nuk donte ta festonte. Suksesi i skuadrave të aleatëve solli shpalljen e pavarësisë greke, por në të njëjtën kohë vuri në dukje tendencën ruse për t'u zgjeruar në Mesdhe, gjë që nuk pëlqehej prej fuqive të tjera europiane. Në po të njëjtin muaj kur ndodhën ngjarjet e Navarinos, Rusia i shpalli luftë Turqisë; anije të saj bllokuan Dardanelet, Bosforin dhe Portet e Detit të Kuq, ndërkohë që kanonieret e saj vepronin në Danub. Britania e Madhe dhe Franca ndërhynë menjëherë, duke e detyruar Turqinë të hyjë shpejt në negociatat për paqen para se Rusia të hynte në Kostandinopojë. Fuqitë fituese i imponuan perandorisë otomane traktatin e Adrianopojës, ku u sanksionua pavarësia e Greqisë dhe iu garantua anijeve ruse kalimi nga Deti i Kuq në Mesdhe përmes Dardaneleve. Ministri i Jashtëm rus, Ioanis Kapodistrias, me origjinë greke, u rikthye në atdhe, duke u bërë Presidenti i parë i Republikës së sapolindur.
Home »
» NAVARINO/Beteja e fundit





