Romani i fundit i Ismail Kadaresë, pa dyshim, do t’i befasojë lexuesit e tij të zakonshëm. Periudha komuniste, edhe pse është përmendur, nuk është më në plan të parë dhe vetë Shqipëria nuk është më shprehimisht qendrore. Flitej me shaka se në tërë veprat e këtij shkrimtari, nuk kishte as hero, as dashuri. Ky pohim bie poshtë me “Aksidentin”, i cili ka të bëjë kryesisht me natyrën e marrëdhënieve dashurore. Një çift që jeton një dashuri të gjatë, edhe pse shumë të stuhishme, përfundon në një humnerë, pas gabimit të një shoferi taksie. Kryhet një hetim, në përpjekje për të rindërtuar ditët e fundit të viktimave.
Si gjithmonë, te Kadareja është e pamundur të vendosësh fakte. Realja të shpëton, përvidhet, tretet ose merr forma që sfidojnë logjikën. Nuk bëhet fjalë për subjektivitetin e thjeshtë njerëzor ose të mosrrjedhshmërisë së dëshmisë ose të rindërtimeve. Realiteti ka të bëjë me tjetër gjë. Të gjallët nuk janë veçse përdorues të një universi, që i shohin veç dukjen. Ndonjëherë, rrallë, depërton në banalitetin e të përditshmes hija e të përtejshmes:
“Nga çdo e fshehtë e madhe kishte përherë një rrjedhje të rastit. Nga depoja e lemerishme, ku zotat ruanin dijenitë e epërme, ato që njerëzve u ndaloheshin, kishte gjasë që një herë në shtatë, në dhjetë ose në shtatëdhjetë mijë vjet, diçka pikonte. Dhe atëherë, sytë e verbër njerëzorë, befas, ashtu siç ndodh kur era ngre rastësisht cepin e perdes mbuluese, brenda një grime të vetme kohe, shihnin atë për të cilën do t’u duheshin shekuj”.
Po ashtu, të mos presim të lexojmë një tregim psikologjik. Kadareja nuk bën një analizë ndjenjash, ai i përshkruan ato përmes personazhesh që i përjetojnë dhe nuk i kuptojnë. Nga ky roman del në pah gjithë pesha e gjendjeve shpirtërore dhe ndijimeve, që i shtrëngon subjektet sipas ligjesh të pakapshme. Joshja, zotërimi, nënshtrimi, fajësia dhe ftohja nuk duken veçse jehona të një historie të largët. Sigurisht që jemi shumë larg prej kërkimit, i supozuar vullnetar, të përjetimeve të dashurisë postmoderne. Qeniet mbeten enigma për të tjerët dhe për veten e tyre. Dashuria irriton, zhduket, pikëllon. I dashuri qan të dashurën e parë, e dashura i druhet degradimit të saj! Më pas, shfaqet fantazma e vrasjes... çuditë e praktikave “shkëmbyese” janë, madje, përmendur përmes... Virgjilit dhe episodit të “Don Kishotit”: Novela e provonjësit të krisur. Perversioni më tërheqës, sidoqoftë, u takon drejtuesve stalinistë. Këta diktatorë kërkonin fort dashurinë e popujve dhe të besnikëve të tyre. Duke qenë akoma më kërkues, këta ekspertë në artin e imagjinimit të komploteve të pareshtura, kënaqeshin të dëgjonin “kurorëzimin përfundimtar”, deklaratat e gjata të pasionuara të tradhtarëve të sajuar, që vdisnin në lajkatimin e tiranit...
Kadareja, atëherë kur jetonte nën diktaturën staliniste dhe të turpshme të Enver Hoxhës, nuk pati kurrë mundësi të trajtonte temën e seksualitetit. Në këtë vepër, ai i kushton një vend të paparë më parë. Megjithatë, erotizmi merr aspektin shqetësues të shfaqjes, zotimeve arkaike dhe sekrete. Në edukimin sentimental të Rovenës së re, miratimi fillestar i dhënë prej ciganes së vjetër për fjalën emancipuese është i nevojshëm. Shqiptarja e re kupton shpejt se disa nga fjalët e plakës peshojnë më rëndë se i gjithë mësimi i dhënë prej diktaturës. Megjithatë, afrimi i trupave është i vështirë dhe zhveshja merr aspektin e një rituali. Marrëdhënia fizike shpie në “kalime të kundërnatyrshme, njëfarë incesti së prapthi, ku gjaku fisnor dhe gjaku i huaj, gabimisht, ndërrojnë vendet”. Akti seksual është një gjë e vështirë, sidomos kur e dashura ka përshtypjen se bëhet e padallueshme nga një prostitutë. Seksi femëror, së fundi, mbetet “gremina e errët, aty ku ligjet ishin të tjera dhe pakti, po ashtu”. I konsideruar si “vegël sipërane”, që ruan mëvetësinë e tij, ai është i aftë t’u rezistojë të gjitha katedraleve dhe doktrinave, aq e madhe është forca e tij e përmbysjes.
Te Kadareja, qenia njerëzore është mbartëse gjenesh mitike, mes rikthimit të përjetshëm dhe hiçit. Çifti rikalon përjetime arkaike: “Ai vazhdonte të flinte, si të mos kishte ndodhur asgjë dhe ajo, ashtu si një mijë vjet më parë, iu shtri përbri”. Prandaj ëndrra zë një vend kaq të rëndësishëm. Kështu që nuk është befasuese të shikosh një motel të zakonshëm të transformohet në mauzole. Hetuesi shkon deri atje sa të pyesë shoferin e shpëtuar, nëse, në çastin e rënies, kishte dëgjuar një si trokth kali. Të njëjtë me atë të legjendës shqiptare të Ago Ymerit, që, pas nëntë vjet burgosjeje, fiton lejen për të dalë prej burgut për të ndaluar rimartesën e bashkëshortes së tij, e cila e dinte të vdekur. E rigjen në kohë dhe i zbulohet. Dashuria që gruaja e tij ka për të është e paprekur...
Rrëfimi e shpie modernitetin e një çifti nomad dhe universal, në zemër të legjendës së Orfeut, me vështrimin e shoferit të taksisë në pasqyrëzën e brendshme... Por si vallë mos të shikosh mbrapa atë që ka humbur ose, të paktën, atë që ka ndryshuar pashmangshmërisht, ashtu siç ke ndryshuar ti vetë... Rikthimi i përjetshëm vlen për njerëzimin; qenia njerëzore, në kapacitetin e saj të vogël, nuk mund të përfitojë prej kësaj kohe ciklike. “Never more” e sfilit. Prandaj dhe i dashuri e pyet të dashurën e shastisur, nëse pranonte të bëhej “ish-gruaja e tij”. Orfeu, ndoshta, nuk e ka humbur Euridiken. Ka mundësi që ai nuk e donte më, gjë që legjenda nuk guxonte ta shpallte hapur... A është e mundur, pra, të humbësh një grua, për ta rifituar përsëri? Veçse në qoftë se, më thellë akoma, kjo histori dashurie bashkëkohore, në sfond protestash shqiptare, fëmijësh serbë të vdekur nën bombardimet dhe komunistësh të vjetër të bërë pronarë, s’do të ishte gjë tjetër veçse një histori shpirtrash të vjetër që u mungonin trupat...
Në këtë kontekst, dimri, stinë kadareane, par excellence, dominon gjithmonë: “Qyteti ngjante i hirnosur nga dimri. S’ka shpresë, mendonte, pa e ditur as vetë pse”. Mbretëresha e vjetër, kaq e famshme, Geraldina, vdes, e po ashtu edhe bashkëshortja e trashëgimtarit. Dy zhguna të Hamletit, devotshmërisht të ruajtur në një teatër të vjetër provincial, i merr era pas një stuhie të egër. Nuk është befasuese të vëmë re se shprehjen që rivjen vazhdimisht në veprën e Kadaresë: “Tepër vonë”, e rigjejmë në gojën e një pijaneci në delir.
Ky roman ambicioz, kundër rrymës - e pakta që mund të themi për të - shkëlqen në një arsyetim të stërholluar, tepër tërheqës, që bëhet magjepsës me të gjitha pistat që hap. Raportet e çiftit kthehen në një antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si “rrëfimi i të vdekurve”. Kadareja gjykonte dikur se censura staliniste kishte vrarë para kohe në trurin e tij “qelizat pararojë, vetë ato që ripërtërijnë artin” (Bisedë me Eric Faye, Corti, Paris, 1991). Sidoqoftë, disa prej tyre duhet t’i kenë rezistuar goditjes... Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr. Ai harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh, sepse është i bindur se “pasqyrat, tek të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin, ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shpërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndër mend të merrej me to”.
* “La Quinzaine Litteraire”