Armiku i frikshëm

Tregim nga Jorge Bucay
























Ideja e këtij tregimi erdhi tek
unë duke dëgjuar një tregim
të Enrique Mariscal.
I lejova vetes duke u nisur nga
aty të zgjas tregimin duke e transformuar
në një tjetër histori me një
mesazh tjetër dhe një tjetër kuptim.
Kështu siç është tani ia dhurova
një natë mikut tim Norbi.
Na ishte një herë, në një
mbretëri shumë të largët dhe të
humbur, një mbret që i pëlqente të
dukej i pushtetshëm. Dëshira e tij
për pushtet nuk kënaqej vetëm duke
e pasur atë, ai, kërkonte për më
tepër, që të gjithë ta admironin se
ishte i fuqishëm, ashtu si njerka e
Borëbardhës që nuk ngopej së qeni
e bukur, ashtu dhe ai kishte nevojë
të shihej në një pasqyrë që t'i
thoshte se sa i pushtetshëm ishte.
Ai nuk kishte pasqyrë magjike,
por kishte një mal me servilë dhe
shërbëtorë rrotull tij të cilët i pyeste
nëse ai, ishte më i pushtetshmi i
mbretërisë.
Të gjithë i thoshin gjithmonë
të njëjtat gjëra:
- Lartësi, je më i pushtetshmi
por, ti e di që magjistari ka një pushtet
që asnjë nuk e ka: Ai, ai njeh të
ardhmen. (Në atë kohë, alkimistët,
filozofët, mendimtarët, fetarët dhe
mistikët quheshin, zakonisht
"magjistarë").
Mbreti ishte shumë xheloz për
magjistarin e mbretërisë sepse ai jo
vetëm që kishte famë si njeri shumë
i mirë dhe njerëzor, por për më tepër,
i gjithë populli e donte, e admironte
dhe e falënderonte që ai ekzistonte
dhe jetonte aty.
Nuk flisnin njësoj për mbretin.
Ndoshta sepse ai kishte nevojë
të tregonte që ishte ai që komandonte,
mbreti nuk ishte i drejtë dhe
shumë më pak zemërmirë. Një ditë,
i lodhur që njerëzit tregonin se sa i
pushtetshëm dhe i dashur ishte
magjistari apo duke pasur shkak
përzierjen e xhelozisë dhe të frikës
që sjell zilia, mbreti thuri një plan:
Do të organizonte një festë në
të cilën do të ftonte dhe magjistarin
dhe pas darke do të kërkonte vëmendjen
e të gjithëve. Do ta thërriste
magjistarin në qendër të sallonit
dhe përpara të gjithëve do ta
pyeste në ishte i sigurt që dinte të
lexonte të ardhmen.
I ftuari kishte dy mundësi: të
thoshte jo, duke zhgënjyer kështu
ata që e admironin, ose të thoshte
po, duke konfirmuar famën e tij.
Mbreti ishte i sigurt që do ndodhte
e dyta. Atëherë, do t'i kërkonte që
t'i thoshte datën kur magjistari i
mbretërisë do të vdiste. Ai do t’i
jepte një përgjigje, një ditë çfarëdo,
s'kishte rëndësi se cila.
Në këtë moment, bënte plan
mbreti, do të nxirrte shpatën e tij
dhe do ta vriste. Do të arrinte kështu
dy gjëra me një goditje të vetme:
e para, të çlirohej nga armiku i tij
përgjithmonë; dhe e dyta që magjistari
nuk kishte mundur të parashikonte
të ardhmen dhe kështu kishte
gabuar. Do të mbaronte gjithçka
në një natë të vetme. Magjistari dhe
miti i fuqive të tij...
Përgatitjet filluan menjëherë
dhe shumë shpejt dita e festës erdhi...
...Pas darkës së madhe. Mbreti
e thirri magjistarin në qendër dhe
në mes të heshtjes së të
gjithëve e pyeti:
- Është e vërtetë që mund të lexosh
të ardhmen?
- Pak - tha magjistari.
- Dhe mund të lexosh të ardhmen
tënde?
- Pak - tha magjistari.
- Atëherë dua të më japësh një
provë - i tha mbreti. - Në ç'ditë do të
vdesësh? Cila është data e vdekjes
tënde?
Magjistari qeshi, e pa në sy dhe
nuk u përgjigj.
- Çfarë po të ndodh magjistar? -
i tha mbreti duke buzëqeshur. - Nuk
e ditke? Nuk je i sigurt që mund të
shohësh të ardhmen?
- Nuk është kjo - i tha magjistari
- por, ajo që shoh, nuk më bën
që ta them.
- Si nuk të bën ta thuash? - tha
mbreti... - Unë jam sovrani yt dhe
të urdhëroj që të ma thuash. Duhet
të kuptosh që është shumë e rëndësishme
për mbretërinë, të dimë se
kur do t’i humbasim personalitetet
më të rëndësishme... Përgjigjmu
atëherë:
- Kur do të vdes magjistari i
mbretërisë?
Pas një heshtje të nderë, magjistari
e shikoi dhe i tha:
- Nuk mund të përcaktoj datën,
por e di që magjistari do të vdiste
saktësisht një ditë përpara mbretit...
Për disa momente, koha ngriu.
Një pëshpërimë kaloi mes të ftuarve.
Mbreti gjithmonë kishte thënë që
nuk besonte tek magjistarët dhe as
në parashikimet e tyre por, sigurisht
që nuk i bëhej të vriste magjistarin.
Ngadalë sovrani uli krahët dhe
mbeti i heshtur...
Mendimet i vërtiteshin në kokë.
E pa që kishte gabuar.
Urrejtja e tij kishte qenë
këshilltarja më e keqe.
- Lartësi, ke ngel i ngrirë. Çfarë
të ndodhi? - e pyeti i ftuari.
- Ndihem keq - u përgjigj monarku
- po shkoj në dhomën time, të
falënderoj që erdhe.
Dhe me një veprim konfuz u
rrotullua duke u drejtuar në dhomat
e tij... Magjistari ishte dinak, kishte
dhënë të vetmen përgjigje që do
të shmangte vdekjen e tij. Mos i
kishte lexuar mendjen? Parashikimi
nuk mund të ishte i saktë. Por...
nëse ishte? Ishte i trullosur. Mendoi
se do të ishte tragjike nëse do t'i
ndodhte diçka magjistarit kur të ishte
duke shkuar në shtëpi.
Mbreti u kthye mbrapsht në hapat
e tij dhe tha me zë të lartë:
- Magjistar, je i famshëm në
mbretëri për diturinë tënde, të lutem
që të kalosh këtë natë në pallat
sepse dua të konsultohem me ty në
mëngjes për disa vendime
mbretërore.
- Madhëri! Dotëjetënjënderimadh...
- tha i ftuari me një përkulje.
Mbreti iu dha urdhër rojeve personale
që ta shoqëronin magjistarin
deri në dhomat e miqve në pallat dhe
të ruanin tek porta e tij që të mos i
ndodhte gjë...
Atë natë sovrani nuk mundi të
flinte. Nuk ishte i qetë duke menduar
se çfarë do të ndodhte nëse
magjistarit do t'i kishte bërë keq
ushqimi, apo nëse do t'i kishte
ndodhur diçka natën aksidentalisht,
apo, thjesht, t'i kishte ardhur ora.
Herët në mëngjes mbreti trokiti
në dhomat e të ftuarit të tij.
Ai kurrë nuk kishte menduar të
konsultonte asnjë nga vendimet e
tij, por këtë herë edhe sepse magjistari
kishte pranuar, bëri një pyetje...
më tepër sepse kishte nevojë për një
justifikim. Dhe magjistari që ishte
një njeri i ditur, i dha një përgjigje
të saktë, krijuese dhe të drejtë.
Mbreti, gati pa e dëgjuar
përgjigjen lavdëroi të ftuarin për inteligjencën
e tij dhe i kërkoi që të
qëndronte një ditë më shumë, gjoja
për të "konsultuar" tjetër çështje...
(në fakt, mbreti donte vetëm që të
sigurohej që nuk do t'i ndodhte gjë).
Magjistari, i cili gëzonte lirinë
që vetëm të përndriturit e kanë, pranoi...
Që atëherë të gjitha ditët, në
mëngjes apo në mbrëmje, mbreti
shkonte deri në dhomat e magjistarit
për t'u këshilluar dhe t'i kërkonte
një tjetër këshillim për ditën tjetër.
Nuk kaloi shumë kohë përpara
se mbreti të shihte se këshillat e
këshilltarit të ri ishin gjithmonë të
sakta dhe vendimtare, gati pa u vënë
re, dhe kishin qenë të rëndësishme
në të gjitha vendimet.
Kaluan muaj dhe më tej dhe vite.
Dhe si gjithmonë... duke qenë afër
atij që di, ai që s'di bëhet më i ditur.
Kështu ndodhi: mbreti pak nga
pak filloi të bëhej përherë dhe më i
drejtë. Tani nuk ishte më despotik
dhe autoritar. Nuk kishte më nevojë
të ndihej i pushtetshëm, dhe sigurisht
që dhe të mos e tregonte pushtetin
e tij. Filloi të mësonte që
thjeshtësia mund të ishte fitimprurëse,
filloi të mbretërojë në një
mënyrë më të matur dhe shpirtmirë.
Dhe ndodhi që populli i tij filloi
ta donte, siç kurrë nuk e kishte
dashur më parë. Tani mbreti nuk
shkonte ta shihte magjistarin që të
sigurohej për shëndetin e tij, por
shkonte realisht për të mësuar, për
të ndarë një mendim apo thjesht për
të folur, sepse mbreti dhe magjistari
ishin bërë miq të shkëlqyer.
Një ditë, më shumë se katër vjet
më vonë asaj darke, dhe pa motiv,
mbreti u kujtua. Kujtoi atë plan që
një herë thuri për të vrarë në atë kohë
armikun e tij më të urryer.
Dhe ndjeu se nuk mund të vazhdonte
të mbante këtë sekret pa u
ndier hipokrit. Me kurajë, mbreti,
shkoi deri në dhomën e magjistarit.
Trokiti në portë dhe sapo hyri i tha:
- Vëlla, kam diçka për të të
treguar që po më shtyp gjoksin.
- Më thuaj - i tha magjistari -
dhe lehtësoje zemrën tënde.
- Atë natë, kur të ftova për darkë
dhe të pyeta mbi vdekjen, unë nuk
doja në realitet të dija mbi të ardhmen
tënde, kisha planifikuar të të
vrisja pavarësisht çdo gjëje që do
thoshe, sepse doja që vdekja jote e
papritur të humbte për gjithmonë
famën tënde si parashikues. Të urreja
sepse të donin të gjithë... Jam
shumë i turpëruar... Atë natë nuk
munda të të vras dhe sot që jemi
miq, dhe më shumë se miq, vëllezër,
u ktheva të mendoja atë që do të
kisha humbur nëse do ta kisha bërë.
Sot ndjeva se nuk mund të vazhdoj
të fsheh poshtërsinë time. Kam
nevojë të të them të gjitha këto që ti
ose të më falësh ose të më përbuzësh,
por pa u fshehur më.
Magjistari e pâ dhe i tha:
- U vonove shumë kohë për të
ma thënë. Por, megjithatë, më vjen
mirë, më vjen mirë që e bëre, sepse
kjo është e vetmja që mund të të
them, se e dija. Kur më bëre pyetjen
dhe ule dorën mbi bishtin e shpatës
tënde, ishte aq i qartë qëllimi yt, sa
që nuk kishte nevojë për ta parashikuar
që të kuptoja atë që ti po mendoje
të bëje, - magjistari qeshi dhe
vuri dorën e tij në supin e mbretit. -
Siç është e drejtë të paguaj sinqeritetin
tënd, duhet të të them që edhe
unë të gënjeva... Po të tregoj sot se
e shpika atë histori absurde të vdekjes
sime përpara tëndes për të të
dhënë një mësim. Një mësim që sot
je në gjendje ta kuptosh, kushedi
ndoshta gjëja më e rëndësishme që
të kam mësuar.
Jetojmë duke urryer dhe përbuzur
pamjen e të tjerëve aq shumë sa
që besojmë se ne vetë jemi të pavlerë,
kërcënues apo të padobishëm...
dhe pa dyshim, me kohën, arrijmë
të kuptojmë se sa shumë do të na
kushtonte të jetonim pa gjërat që
në një moment i kemi përbuzur.
Vdekja jote, i dashur mik, do të
vjen, do të vjen tamam në ditën
tënde të vdekjes, dhe asnjë minutë
më parë. Është e rëndësishme që të
dish se unë jam plak, dhe se dita
ime po afrohet me siguri. Nuk ka
asnjë arsye të mendosh që vdekja
jote të jetë e lidhur me timen.
Janë jetët tona ato që janë të
lidhura jo vdekjet tona.
Mbreti dhe magjistari u
përqafuan dhe festuan për besimin
që çdo njëri ndjeu në këtë marrëdhënie
që kishin krijuar së bashku...
Tregon legjenda ... që në mënyrë
misterioze... po atë natë... magjistari
... vdiq në gjumë. Mbreti dëgjoi
lajmin e keq në mëngjes... dhe u
ndie i pikëlluar. Nuk ishte në ankth
për idenë e vdekjes së tij, kishte
mësuar nga magjistari të ishte indiferent
deri në ditën e fundit të
jetës. Ishte i trishtuar, thjesht për
vdekjen e mikut të tij.
Çfarë rastësie e çuditshme kishte
bërë që mbreti t'i tregonte magjistarit
pikërisht atë natë? Ndoshta në
një mënyrë të panjohur magjistari
kishte bërë që ai të mund t'i tregonte
këtë për të hequr fantazitë e tij se
do vdiste një ditë më vonë.
Një akt i fundit i dashurisë për
t'u çliruar nga frikat e tij të kohëve
të shkuara...
Tregojnë që mbreti vetë hapi në
kopsht poshtë dritares së tij, një varr
për mikun, magjistarin. Varrosi atje
trupin e tij dhe pjesën tjetër të ditës
qëndroi në krah të togut të dheut,
duke qarë siç qahet për humbjen e
njerëzve të afërt.
Kur hyri nata, mbreti u kthye në
dhomë.
Tregon legjenda... që po atë
natë... njëzetë e katër orë më vonë
vdekjes së magjistarit, mbreti vdiq
në shtratin e tij duke fjetur... kushedi
ndoshta rastësi... kushedi ndoshta
nga dhimbja... kushedi ndoshta
për të vërtetuar mësimin e fundit të
mësuesit.

Përktheu: M. Lika