Publikimi i librit “Jezusi i Nazaretit”, nderim për autorin Joseph Ratzinger dhe pontifikatin e tij

Nga Ramiro Moliner Ingles, ambasador i Vatikanit n




Tre vjet më parë, pikërisht më 13 prill 2007, në një klimë pritjeje të jashtëzakonshme dhe i shoqëruar me një përhapje të gjerë mediatike, u paraqit zyrtarisht në Sallën e Sinodit, në Qytetin e Vatikanit, libri me titull “Gesù di Nazaret - Jezusi i Nazaretit”. Autori i tij: Joseph Ratzinger-Benedikti XVI. Personi i ngarkuar për paraqitjen qe Arqipeshkvi i Vienës, Kardinali Christoph Schoenborn, dishepull brilant i Profesor Ratzingerit. Në tribunë gjendeshin, ndër personalitetet e tjera të shkëlqyera, Profesorët Daniele Garrone, Dekan i Fakultetit Valdez të Teologjisë, në Romë, dhe Massimo Cacciari, Profesor i Estetikës i Universitetit Vita-Salut San Rafaele, në Milano. Eventi u koordinua prej Atë Federico Lombardi, s.j., Drejtor i Zyrës së Shqypit të Selisë së Shenjtë dhe të Radio Vatikanit. Ceremoni të ngjashme u zhvilluan në shumë qytete dhe institucione në pesë kontinentet. Libraria Botuese e Vatikanit, që e kishte shtypur librin, e vetëdijshme për rëndësinë botërore që do të kishte botimi, ia kishte kaluar të drejtat e përkthimit, shpërndarjes dhe të shitjes në të gjithë botën Shtëpisë Botuese Rizzoli, e cila, nga ana e saj, ia kishte transferuar Herder Verlag të drejtat e përkthimit për Gjermaninë. Tri ditë mbas paraqitjes zyrtare, më 16 prill, datë në të cilën Autori i librit Jezusi i Nazaretit kapërcente pragun e 80-vjetorit të lindjes, më shumë se gjysmë milioni kopjesh, në gjuhën italiane, gjermane dhe polake, ishin tashmë në dispozicion të publikut, ndërsa 22 botime në gjuhë të tjera ishin në proces. Tetë muaj më vonë, në fillim të vitit 2008, numëroheshin mbi 40 botime të librit dhe ishin shitur tashmë më shumë se dy milionë kopje. Jezusi i Nazaretit ishte bërë, pa diskutim, një “best seller”! Sot, falë angazhimit guximtar të Shtëpisë Botuese “55” - në mënyrë të veçantë të Presidentit të saj, Zotit Fahri Balliu, dhe të grupit të profesionistëve të kualifikuar të angazhuar drejtpërdrejt tek ky projekt, ky botim i jashtëzakonshëm u bë i prekshëm edhe për lexuesin në gjuhën shqipe. Si Përfaqësues i Papa Benediktit XVI në këtë Vend, dëshiroj të falënderoj publikisht drejtuesit e kësaj Shtëpie Botuese për iniciativën e bukur dhe t’u shpreh përgëzimet më të thella për suksesin e arritur dhe për shërbimin e bërë popullit shqiptar, si dhe për këtë ceremoni paraqitjeje të botimit të parë në gjuhën shqipe të librit Jezusi i Nazaretit, që do të doja ta interpretoja edhe si një nderim për Autorin e tij, Joseph Ratzinger - Benedikti XVI, e pikërisht në këtë javë të prillit është pesëvjetori i zgjedhjes së tij dhe i fillimit të Pontifikatit të tij. Falënderim që me kënaqësi e shtrij edhe për Rektoratin e Universitetit të Tiranës, në personin e Rektorit të tij, Prof. Dr. Dhori Kule, këtu i pranishëm, që pranoi mirësisht ftesën për të marrë pjesë, së bashku me Nunciaturën Apostolike, në bashkëorganizimin tripalësh të këtij eventi të rëndësishëm. Nga ana ime, jam gjithashtu mirënjohës që më dhatë privilegjin - dhe përgjegjësinë - të ndaj bashkë me këtë auditor të ngritur disa meditime të lindura gjatë leximit të këtij “xhevahiri”, librit që kemi ndër duar. Uroj që fjalët e mia modeste të mund të shërbejnë si nxitje dhe, në një farë mënyre, edhe si ndihmë për lexueset dhe lexuesit e nderuar për të kontestualizuar dhe lehtësuar kuptimin e një teksti tejet të bukur dhe aq të pasur në përmbajtje, i cili, gjithashtu, lexohet me gëzim të madh shpirtëror, dhe ku çdo fjalë është zgjedhur prej Autorit me saktësi, kujdes dhe dashuri të jashtëzakonshme. Kardinali Karlo Maria Martini, sj., Arqipeshkvi i Milanos në pension, autoritet i njohur në fushën e ekzegjezës biblike, ka vërejtur se në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX dhe deri më sot, janë botuar në mbarë botën shumë libra mbi Jezusin, në gjuhë të ndryshme dhe të shkruar prej alternativave të ndryshme kulturore. Sipas tij, kjo nënvizon aktualitetin e jashtëzakonshëm të figurës së Jezusit dhe larminë e afrimeve dhe perspektivave prej të cilave personi i tij perceptohet dhe studiohet. Por nuk kishte ndodhur kurrë deri më sot që të dilte një libër i një Pape mbi Jezusin. Është e vërtetë, saktëson Kardinal Martini, se gjatë pontifikatit të gjatë të Gjon Palit II u botuan disa libra të shkruar prej tij që i referoheshin më shumë jetës së tij. Por kjo është hera e parë që del një libër i një Pape që rreh drejtpërdrejt temën kaq të vështirë dhe të gjerë sikurse është jeta e Jezusit dhe kuptimin e veprës së tij. Sikurse dihet, vëllimi i botuar deri tani është pjesa e parë e librit Jezusi i Nazaretit, dhe nuk bëhet fjalë në mënyrë të mirëfilltë për një biografi të Jezusit sipas stilit klasik. Në fakt, në këtë vëllim Autori kufizohet vetëm me analizimin e disa momenteve themelore të jetës së Jezusit, që i korrespondojnë periudhës mes Pagëzimit në lumin Jordan dhe Shndërrimit në malin Tabor. Gjithsej janë dhjetë momente, mbi të cilët Autori reflekton në po aq kapituj: Pagëzimi i Jezusit; tundimet; “predikimi në mal”; lutja e Zotit (Ati Ynë); nxënësit; mesazhi i shëmbëlltyrave: simbolet e mëdha të shën Gjonit apostull; rrëfimi i Pjetrit, shndërrimi dhe pohimet e Jezusit për vetveten. Dimë gjithashtu se pjesa e dytë e librit (vëllimi i dytë), tashmë i lajmëruar, do të flasë për fëmijërinë e Jezusit dhe për mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e tij. Por, para së gjithash, si shpjegohet suksesi i botimit që ka patur deri tani libri Jezusi i Nazaretit, aq sa të bëhet një “best seller” në shkallë botërore? Mendoj se përgjigja e parë gjendet pikërisht në Autorin e jashtëzakonshëm dhe në vetë përmbajtjen e librit. Fakti që një Papë flet apo shkruan për Jezusin e Nazaretit nuk duhet të habisë askënd. Përkundrazi, kjo është detyra e tij e parë dhe më imperative. Në rastin tonë, ajo që habit është mënyra tërësisht origjinale se si Autori i librit e ka bërë atë. Dhe kjo na nxjerr një pyetje të dytë: dhe është ajo për të ditur nëse fjalët që gjenden në vëllimin që sot po paraqesim janë fjalë të pajisura me atë forcë “magjisteriale” karakteristike të dokumenteve papnore (si për shembull 3 Enciklikat e botuara deri tani prej Benediktit XVI: “Deus caritas est”, “Spe salvi”, “Caritas in veritate”), apo, përkundrazi, bëhet fjalë për meditime të një studiuesi që shpreh bindjet e tij personale, edhe pse vijnë prej një familjariteti të gjatë të Autorit me temën e tij dhe nisen prej pjesëmarrjes personale të tij në jetën e Kishës dhe në ndjekjen e Krishtit. Në të vërtetë ishte vetë Autori që zgjodhi qysh prej fillimit, me thjeshtësinë dhe përvujtërinë e tij të zakonshme, një dykuptimësi të tillë të mundshme. Në fakt, në fund të Hyrjes së librit, lexohet: “Nuk kam nevojë ta them hapur se ky libër nuk është aspak një veprim mjeshtëror, por është vetëm shprehje e kërkimit tim vetjak të “fytyrës së Zotit tonë” (krh Psalm. 27,8). Autori shpjegon se është fjala për frytin e pjekur të një ecjeje të gjatë shpirtërore në kërkim të fytyrës së vërtetë dhe autentike të Jezusit të Nazaretit, të “Jezusit të historisë”. Duke mos qenë, pra, një akt “magjisterial”, ai e pranon se përmbajtja e librit mund të diskutohet e madje të kritikohet: “Kushdo është i lirë të më thotë të kundërtën” - shkruan. “Por u kërkoj lexueseve dhe lexuesve atë paradhënie simpatie pa të cilën nuk mund të ketë kurrfarë mirëkuptimi” (fq 18). E vetmja gjë që kërkon prej lexuesit është një afrim dashamirës, domethënë pa paragjykime. Në fakt, në pjesën e sipërme të kopertinës së librit duken dy emra: Joseph Ratzinger dhe Benedikti XVI. I pari është emri me të cilin Autori kishte firmosur gati njëqind libra përpara se të zgjidhej më 19 prill 2005 prej Kolegjit të Kardinalëve si Ipeshkëv i Romës, dhe, pra, Papë, i 265 pasardhës i Pjetrit Apostull në këtë Selì, duke mbledhur trashëgiminë e pasur të lënë nga paraardhësi i tij, Gjon Pali i Dytë. Benedikti XVI është emri i zgjedhur prej tij mbas zgjedhjes; dhe është emri i dytë me të cilin ka dashur të firmosë gjithashtu librin Jezusi i Nazaretit. Një detaj i “vogël”, i bërë qëllimisht që përbën një “risì” të rrallë, dhe që sigurisht ka kontribuar për të shtuar kuriozitetin dhe vëmendjen e mediave mbi botimin. Nga ana tjeter, të gjithë e dinë se Joseph Ratzinger e Benedikti XVI janë i njëjti person! Nga kjo mund të mendohet se gjendemi përpara një libri në të cilin Autori kufizohet të tregojë, në një mënyrë krejtësisht subjektive, vetëm një “dëshmi personale” të Jezusit? I lartpërmenduri Kardinal Schoenborn mbështet idenë se ky nuk do të ishte lloji i literaturës për të cilin Ratzinger është i njohur. Ai, në fakt, është pak i prirur për nga “subjektivizmi” dhe për të është i huaj çdo lloj ekzibicionizmi i personalitetit të vet. Sipas Kardinalit, për Joseph Ratzinger – Benedikti XVI “në radhë të parë qëndron ballafaqimi i palodhshëm intelektual, mundimi i konceptit, forca e argumenteve, pasioni për kërkimin objektiv të së vërtetës, përpjekja për t’u dhënë një përgjigje të gjithë atyre që lypin apo kërkojnë arsyen e shpresës së tyre” (krh 1Pt 3,15). Me këtë botim ai shkon në Agorà, në sheshin e debatit publik, në Aeropagun e larmisë së opinioveve të ditëve tona, dhe aty shfaq vizionin e tij të Jesusit të Nazaretit, dhe vendos, me guxim dhe pa frikë nga e vërteta, një kriter të epërm cilësor:“Kushdo është i lirë të më thotë të kundërtën”. Ai kërkon vetëm atë afrim dashamirës, pa paragjykime. Autori është njeri i fesë, njeri i Hyjit, por edhe njeri i mendimit, njeri që beson thellësisht në arsyen, si shkëndijë pjesëmarrëse e arsyes së pakrijuar: një arsye jo e kufizuar dhe jo e mbyllur në vetvete, por e hapur edhe kah transhendenca. Autori është i bindur se nuk ekziston kontradiktë, sikurse pretendojnë disa, mes arsyes dhe besimit (ose mes besimit dhe arsyes), por më tepër ekziston plotësueshmëri dhe ndihmë e ndërsjelltë. Dhe shpesh e bën të vetën pikëpamjen paraardhësi i tij Gjon Pali II fillon Enciklikën e tij të famshme Fides ed ratio: “Besimi dhe arsyeja janë si dy flatra me të cilat shpirti njerëzor lartësohet drejt soditjes të së vërtetës”. Objekti i arsyes nuk mund të jetë tjetër përveçse e vërteta, sikurse e Vërteta është gjithashtu objekt i besimit. Autori, gjatë periudhës së studimeve dhe të mësimdhënies së tij në Universitetet gjermane ka mundur të ndjekë peripecitë e ndryshme gjatë hulumtimit historik mbi Jezusin. Çështja për të ditur nëse është e mundur të thuhet diçka historikisht e sigurt mbi jetën e Jezusit është bërë gjithnjë dhe më e ndezur dhe shqetësuese, dhe është shtuar prirja për ta ndarë Jezusin e historisë prej Jezusit të besimit. Duke lexuar faqet e librit gjenden shpesh referime që lidhen me sfondin historiko-ekzegjetik (interpretues), duke filluar prej distancimit që Autori bën prej një ekzegjeti katolik bashkëkohor, sikurse është Rudolf Schnackenburg, qysh prej faqeve të hyrjes: “Është e qartë, lexohet në faqen 17, se me këtë vizion të figurës së Jezusit, unë shkoj përtej asaj që thotë, për shembull Schnackenburgu, si përfaqësues i një pjese të mirë të ekzegjezës bashkëkohore”. Ajo “na ka vënë përpara një sasi të madhe lënde dhe njohurish, përmes të cilave figura e Jezusit mund të na bëhet e pranishme me një gjallëri dhe thellësi që pak dhjetëvjeçarë më parë nuk arrinim dot as t’i merrnim me mend”. Dhe megjithatë Autori dëshiron të zbatojë “kriteret e reja metodologjike që na japin mundësi të bëjmë një interpretim të mirëfilltë teologjik të Biblës dhe prandaj kërkojnë besimin, por me këtë, pa dashur dhe pa mundur aspak të hiqet dorë nga serioziteti historik” (fq.17). Duke u kthyer tek përmbajtja e librit, bie në sy se Autori kalon me lehtësi prej shqyrtimit të fakteve që lidhen me Jezusin tek rëndësia e tyre për shekujt e pasues dhe për Kishën. Libri gjithashtu është plot me aluzione për çështjet bashkëkohore. Për shembull, duke folur për tundimin në shkretëtirë ku Djalli i ofron Jezusit sundimin e botës, Autori pohon se “përmbajtja e tij e vërtetë bëhet e dukshme, kur konstatojmë se merr gjithnjë formë të re në rrjedhën e historisë. Perandoria e krishterë u përpoq fare herët ta shndërronte besimin në një faktor politik për unitetin e perandorisë [...]. Dobësia e besimit, dobësia tokësore e Jezusit duhej të mbështetej nga pushteti politik dhe ushtarak. Në rrjedhën e shekujve ky tundim – ta sigurosh besimin me anën e pushtetit – ka dalë në shesh herë pas here në forma të ndryshme, dhe besimi kurdoherë ka qenë në rrezik që të mbytet pikërisht nga ai përqafim nga ana e pushtetit” (fq.54). Ky lloj vlerësimi mbi historinë mbas Jezusit dhe mbi aktualitetin, i jep librit një gjërësi dhe një shije që librat e tjerë mbi Jezusin, të zënë me diskutimin tepër të përpiktë për ngjarjet e jetës së tij, nuk e zotërojnë. Autori tregon gjithashtu se pa realitetin e Jezusit, realitet i bërë prej mishi dhe gjaku, krishtërimi do të rrezikonte të kthehej në një moralizëm të thjeshtë dhe një çështje intelekti. Për këtë arsye ai është edhe i shqetësuar për ta ngulur fenë e krishterë në rrënjët hebraike dhe e bën duke iu referuar profecisë së Moisiut në Librin e Ligjit të Përtërirë 18,15.18: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjojeni. [...] në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij”, profeci që ai e shikon të realizuar në Jezusin. Në fakt, Jezusi ka një vizion për Hyjin të cilin nuk e ka asnjë njeri tjetër, sikurse lexojmë në hyrjen e Ungjillit të Gjonit: “Hyjin askush kurrë nuk e pa: Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet” (Gjn 1,18). Kjo është pikënisja prej nga ku është e mundur që të kuptohet figura e Jezusit. Autori përdor shpesh fjalët e Besëlidhjes së Vjetër për të ravijëzuar kuadrin brenda të cilit t’i kuptojmë fjalët dhe gjestet e Jezusit. Gjithashtu i kushton hapësirë të madhe një debati me rabinin amerikan Jakob Neusner “A Rabbi talks with Jesus - Një Rabin flet me Jezusin” (1993) i shkruar me respekt kundrejt Jezusit dhe me nderim të thellë për përkatësinë e tij ndaj popullit dhe traditës hebraike, prej të cilit nxjerr përngjasimet dhe ndryshimet mes Jezusit dhe hebraizmit. Autori përfundon se “gërshetimi i drejtë i Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re ishte dhe është një element përbërës për Kishën”. Nga gjithë kjo kuptohet qartësisht metoda e punës e ndjekur prej Autorit. Ai është tërësisht kundra asaj që kohët e fundit, sidomos në literaturën amerikane anglosaksone, është quajtur “imperializmi i metodës historike kritike”. Autori pranon se një metodë e tillë është e rëndësishme, por ajo rrezikon që ta copëtojë tekstin dhe t’i bëjë të pakuptueshëm faktet të cilave u referohet teksti. Ai vendos pra që t’i lexojë tekstet e ndryshme në kuadrin e Shkrimit të Shenjtë në tërësi. Në këtë mënyrë duket qartë se “në tërësi ekziston një drejtim, se Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri janë të lidhur ngushtë ndërmjet tyre. Sigurisht, ermeneutika kristologjike, që sheh te Jezusi çelësin e gjithçkaje dhe, duke u nisur nga Ai, mëson të kuptojë Biblën si unitet, ka si parakusht (presupozon) zgjedhjen për të besuar dhe nuk mund të burojë thjesht nga metoda historike. Por kjo zgjedhje besimi ka nga ana e vet arsyen, një arsye historike dhe lejon të shihet uniteti i brendshëm, i ngushtë i Shkrimit dhe të kuptohen kështu në mënyrë të re copat e veçanta të rrugës, pa u hequr atyre origjinalitetin e mirëfilltë historik” (fq.13-14). Autori refuzon, pra, kontradiktën mes besimit dhe historisë, sepse është i bindur se Jezusi i Ungjijve është një figurë historikisht kuptimplote dhe koherente dhe se besimi i Kishës nuk mund të ekzistojë pa një bazë historike. Gjithë kjo do të thotë në praktikë se Autori, sikurse shprehet ai vetë, u beson Ungjijve, ndonëse duke integruar gjithë këtë që ekzegjeza moderne thotë për to. Nga gjithë kjo rezulton një Jezus real, një Jezus historik në kuptimin e vërtetë dhe të mirëfilltë të fjalës, figura e të cilit është shumë më logjike dhe, nga pikëpamja historike, edhe më e kuptueshme se sa rindërtimet me të cilat na është dashur të ballafaqohemi në dhjetëvjeçarët e fundit (krh fq.16). Autori është i bindur se “vetëm nëse ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme, në rast se figura dhe fjalët e Jezusit kishin tejkaluar në mënyrë rrënjësore pritjet e epokës, shpjegohet kryqëzimi dhe efektshmëria e tij” (fq. 16). Ajo efektshmëri e cila i ka bërë dishepujt e tij të njohin në Jezusin, në harkun e njëzet vjetëve, nderimin dhe adhurimin, që, me anë të profetit Isaia, Hyji i kishte shpallur si të rezervuara vetëm Atij (krh Is 45,23). Si pasojë e kësaj, Autori shpreh bindjen e tij “se tema më e thellë e lajmit të Jezusit ishte misteri i tij vetjak, misteri i Birit, në të cilin Zoti është mes nesh dhe e mban fjalën e dhënë” (fq 193). Kjo është e vërtetë në veçanti për predikimin e Jezusit në mal, të cilit Autori i kushton dy kapituj, si dhe për mesazhin e shëmbëlltyrave dhe për të tjera fjalime të Jezusit. Në lidhje me suksesin global të këtij libri, Autori tregon, siç e përmenda më sipër, që ai është rezultat i një ecjeje të gjatë shpirtërore (fq.7-18). Ka filluar të punojë për këtë libër gjatë pushimeve të vitit 2003, dy vjet para zgjedhjes së tij, kur Kardinali Joseph Ratzinger ishte ende Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Por vepra është rezultati i një meditimi dhe i një studimi që kanë marrë gjithë jetën dhe që tashmë duken në një libër tjetër të rëndësishëm të tij të botuar në vitin 1969 “Hyrje në krishtërim”. Ai ka nxjerrë përfundimin se Jezusi nuk është një mit, por një njeri prej mishi dhe gjaku, një njeri real që ka jetuar në një moment të caktuar të historisë dhe në një zonë gjeografike konkrete. Mund të ndjekim udhët që ai ka përshkuar. Mund të dëgjojmë fjalët e tij falë dëshmitarëve, disa okularë, që kanë jetuar me të. Ai lindi, vdiq dhe u ngjall. Sipas mendimit të Kardinal Martinit, të përmendur më lart, ky libër përbën “një dëshmi të zjarrtë të një studiuesi të madh” - që qysh prej 19 prillit 2005 është ngarkuar me përgjegjësinë më të lartë në Kishën Katolike - “mbi Jezusin e Nazaretit dhe mbi rëndësinë e tij për historinë e njerëzimit dhe për perceptimin e figurës së vërtetë të Hyjit”. Është një libër që “lexohet edhe me një farë lehtësie [...] Nuk është një libër i vështirë, ndonëse është një libër që të bën të mendosh”. Gjithashtu nuk kufizohet vetëm me aspektin intelektual. Autori na tregon rrugën e dashurisë për Hyjin dhe për të afërmin, sikurse është thënë duke shpjeguar shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë: “Tani e kuptojmë se kemi nevojë për dhuratën e dashurisë shpëtimtare të vetë Zotit, që të mund të bëhemi edhe ne persona që duam. Kemi nevojë gjithmonë për Zotin që bëhet i afërmi ynë, që të mund të bëhemi edhe ne të afërm” (fq.206). Në libër trajtohet edhe tema e “dështimit të profetit”, të çdo profeti të vërtetë: “Mesazhi i tij është tepër në kundërshtim me opinionin e zakonshëm, me zakonet e përditshme. Vetëm nëpërmjet dështimit fjala e tij bëhet e efektshme. Ky dështim i profetit rëndon si një kërkesë e errët mbi tërë historinë e Izraelit dhe përsëritet në një farë mënyre vazhdimisht në historinë e njerëzimit. Mbi të gjitha, është përherë i ri fati i Jezu Krishtit. Ai përfundon në kryq. Por pikërisht nga kryqi buron frytshmëria e tij e madhe” (fq. 195). Me siguri kjo temë do të thellohet akoma në vëllimin e dytë tashmë të lajmëruar të Jezusit të Nazaretit. Fjala e mbajtur nga Nunci Apostolik i Vatikanit në Tiranë, gjatë ceremonisë së promovimit të librit të Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”
...