Pirandelo pranon…


image
Realiteti dhe iluzioni, e besueshmja dhe falsiteti - kjo farsë tragjike e Pirandelos në një nga veprat më të rëndësishme të tij, shkruar gati 100 vjet më parë, “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” më 3 dhe 4 prill, premierë në Teatrin Kombëtar. Me regji të Mehmet Xhelilit, aktorët që interpretojnë, janë të punësuarit në teatër
Kur Luigji Pirandelo shkroi veprën tragjikomike “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”, në vitin 1921, në dy gisht kartë ai shkroi arsyet si dhe pse e shkroi këtë vepër: pse ishte gati të braktiste shkrimin e veprës dhe si tërheqja mashtruese e një shërbëtoreje me humor përbuzës dhe tallës ishte në pritje të shkrimit të tij. E gjitha kjo një fantazi, edhe mashtruese e Pirandelos që e pranon. “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, shkruar në vitin 1921, e zhyt Pirandelon në pavdekësinë e krijuesit, çfarë është në gjendje të bëjë ai në këtë jetë dhe si arrin hedh farën e përjetësisë. “Një njeri do të vdesë, një shkrimtar, instrumenti i krijimit: por ai që ka krijuar nuk do të vdesë kurrë! Dhe për të qenë në gjendje, të jetojë përgjithnjë, ju nuk keni nevojë për dhurata të jashtëzakonshme ose të jetë i zoti të bëjë mrekullira. Kush ishte Sanço Panza? Kush ishte Prospero? Por ata do të jetojnë përgjithmonë sepse - të jetuarit e farës - ata patën fatin të gjenin një tokë të frytshme, një imagjinatë që u rrit dhe u ushqye - kështu që ata do të jetojnë përgjithnjë”, ky është shqetësimi i Pirandelos për krijuesin, duke iu drejtuar konkretisht veprës “Gjashtë personazhe kërkojnë një shkrimtar”. Tipike për Pirandelon është të tregojë se si arti apo miksimi i iluzionit me realitetin dhe se si njerëzit shikojnë gjërat në një mënyrë të ndryshme - fjalët nuk janë të besueshme dhe realiteti është në të njëjtën kohë i vërtetë dhe fals. Farsa tragjike e Pirandelos duken shpesh si paraardhëse e teatrit absurd. Dramaturgu që mori çmim “Nobel” në letërsi, në vitin 1934, për rinovimin e guximshëm dhe të shkëlqyer të dramës, për herë të parë do të njihet për publikun shqiptar me veprën e mësipërme, e cila do të jetë premierë në Teatrin Kombëtar, në datat 3 dhe 4 prill. Me regji të Mehmet Xhelilit, aktorët që luanë, janë Fatos Sela, Olta Daku, Eftiola Laçka, Suela Konjari, Dritan Boriçi, Marjeta Ljarja, Dea Xhelili, Flaura Kureta, Fadil Kujofca, Sokol Angjeli dhe Devis Muka. Në prezantimin e parë për mediat bërë kësaj vepre, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, është shprehur se është kujdesur të aktivizohet pjesa më e madhe nga aktorët e teatrit, duke pretenduar zgjedhjen e saktë të aktorëve. Ndërsa regjisori Mehmet Xhelili është shprehur se kjo vepër pritet të reflektojë një emocion të veçantë tek publiku, duke iu referuar lëndës dramaturgjike, historisë së saj. Sipas Xhelilit, vepra do t’i përmbahet vënies që ajo njeh në skenat botërore, asaj të midis tragjikes e komikes, fantastikes me realen, duke ndërtuar situata komplekse të dramës. “Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrëse, kurse komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë, sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje, përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se cilët janë më të rëndësishëm: ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë”. “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” sipas Xhelilit ka një natyrë të fuqishme tragjikomike që gjen pikëtakimin edhe me ekzistencën tonë, duke u konsideruar edhe si një dramë e fuqishme sociale që na prek plagët tona siç janë degradimi i familjes, varfëria apo prostitucioni. “Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli”.