Haraçi që nuk donte Zorba


Rrëfehet një prej trashëgimtareve të Zef Zorbës, e bija Eleni. Orët e fundit të poetit, jeta me babain që bisedonte, krijonte poezi, dëgjonte muzikë dhe gdhendte në dru krejtësisht i lirë. Brenda mureve të shtëpisë si perceptohej dija dhe dashuria për artin në derën e Zorbajve. Eleni tregon ditët e zakonshme të poetit të pangopur me kohën, trashëgimia që ka lënë edhe si përkthyes; gati vepra e plotë poetike e Tomas Eliotit, poezitë e Montales, Ungaretit dhe Kuazimodos
ZEF ZORBA

Eleni apo siç e thërrasin të shtëpisë, Lela, që ka ruajtur mbiemrin e derës nga ka dalë, Zorba - thotë se tek oxhaku i shtëpisë vazhdojnë të flasin vetëm për dritën, që nuk mbaron kurrë, ashtu siç bënte dikur babai i tyre, në kuzhinën e vogël, në tavolinën e vogël ku shkruante dhe bisedonin në liri për teatrin, poezinë, muzikën. Ndërsa jashtë ishte terr, dhe brenda ishte dija dhe mirësia - që të bëjnë njeri.
“…drita nuk mbaron kurrë” - është frazë-varg, me të cilën Eleni lidh takimin e djeshëm, shkëputur nga vëllimi poetik i Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, që vjen pas botimit të parë më ’94, i përmirësuar, pasi janë shtuar dy poezi dhe një baladë e mrekullueshme, të cilën Zorba ia ka së bijës së verbër.
Eleni tregon ditët e zakonshme të Zorbës, të pangopur me kohën, e lidhur sërish me vargjet e tij se “unë kam shumë gjana me ba/ kohë më ka mbet pak”. Flitet për punën sistematike dhe voluminoze të poetit edhe në përkthim, në shkrime të tjera letrare të cilat i ka lënë trashëgimi, në dorëshkrim, krejt të përgatitura për botim.
Eleni thotë se ka në sirtar poezinë e plotë, veprën e kolosit anglez Tomas Eliotit që do ta botojë. Ndërsa punët e Zorbës lidhen kryesisht me frymëzuesit e tij të parë, shkollën prej nga mori dashurinë e parë për poezinë; tre hermetikët italianë Ungaretin, Kuazimodon dhe sidomos Montalen.
 Gjithë këto “detyra” me letërsinë Zorba i mbante fshehtas, pa dalë asnjë në dritë derisa ra perdja e diktaturës, dhe një vit pas ikjes së tij nga jeta, më ’94-n, botohet për herë të parë vëllimi vetëm poetik, “Buzë të ngrira në gaz”. E bija, në intervistën e mëposhtme, tregon se ai e dinte se ishin “të lënë mënjanë” dhe për këtë arsye sidomos pas daljes nga burgu, nuk donte t’i shtonte brenga familjes së tij, lirisë brenda mureve të shtëpisë. Dhe ky ishte haraçi që nuk donte të paguante Zorba.
Ky ribotim është cilësuar si i përmirësuar, pse?
I përmirësuar për faktin se brenda librit është shtuar një poezi e vogël dhe një baladë që është shkruar më 1975. Nuk e di arsyen pse baba nuk e kishte përfshi në atë kohë, në kopjen që e kishte lënë të gatshme. Por u gjykua se ishte baladë e mrekullueshme dhe u përfshi dhe ajo në këtë tekst.
Zorba dimë që fillimisht i ka shkruar poezitë në gegnisht. Pse i ndryshoi në versionin letrar?
Është e vërtetë që në fillimet e tij, baba i ka shkruar poezitë në versionin gegnisht. Më vonë më kalimin e viteve ime motër ndikoi tek ai dhe i thotë se meqë letrarja është gjuhë letrare zyrtare, pse nuk i jep një lezet letrarisht. Baba edhe si studiues që merret me gjuhën pranon. Por libri vazhdon të ruajë nuancat e gegnishtes, dhe me nuancë shumë të fortë, ndërsa nga ana tjetër ka i përzier poezitë me një letrarishte, një kombinim mes gegnishtes dhe toskërishtes në mënyrë që të bëhet i lexueshëm dhe i kuptueshëm. Duke pasur brenda dhe fjalë mjaft të përpunuar, kuptohet se është jashtëzakonisht më i afërt me letrarishten.
Në atë mjedis aq të zymtë, persekutues, cilët kanë ndikuar në krijimtarinë e Zorbës?
Mund të them se kultura dhe gjenet janë jashtëzakonisht të rëndësishëm në jetën e Zorbës. Ai ka qenë një ndër nipat e Kolë Idromenos, piktor, skulptor dhe arkitekt i famshëm shkodran. Është rritur në një familje ku flitej shumë për artet dhe brenda tij kishte lind shumë herët, kjo dashuri për artet. E para dashuri e tij ka qenë për teatrin sepse e shohim djalë të ri kur merret me regjinë e disa dramave, në viteve ‘45-’46. Më pas e futën në burg. Më vonë i është drejtuar poezisë. Poezia është pjesa më e dhimbshme e Zorbës. Një artist që e ndjen brenda vetes mungesën e lirisë, revoltën më të madhe mendoj se në poezi mund ta shprehë më mirë se askund tjetër.
A fliste ndonjëherë Zorba, sidomos me ju, pse nuk po i botonte poezitë?
Zorba nuk donte t’i botonte poezitë në atë kohë, ishte i bindur për këtë. Sepse siç e ka thënë edhe Kadare në parathënie të ribotimit “Buzë të ngrira në gaz”, do duhej të paguante një haraç shumë të madh. Ashtu siç paguanin edhe një pjesë e madhe e autorëve të cilët botonin në atë kohë. Imagjino me pesë vite burg mbi shpinë se çfarë haraçi do ju donte të paguante për të botuar poezitë e tij. Për këtë arsye, ai nuk donte të paguante asnjë lloj haraçi.
Si e bënte jetën Zorba?
Nëse do të kishte një njeri të cilit i mungonte gjithmonë koha, ky ka qenë Zef Zorba. Ai kishte gjithmonë kohë pak, sepse siç thotë diku në një varg poezie: “Unë kam shumë gjana me ba/ kohë më ka mbet pak”. Gjithë dita e tij ishte sistematikisht me lloje të ndryshme punës, të cilat kuptohet ishin të lidhura gjithmonë me gjenitë e artit. Lexonte, përkthente, gdhendte në dru. Mrekullisht kemi punimet e tij, janë mbi 20 punime të gdhendura në dru. Shihte televizor, ndërsa mbasdite kishte biseda me ne. Kemi qëndruar te kuzhina e tij, kemi kaluar një universitet nga bisedat me të.
Prej Zorbës kemi të botuar deri tani vetëm një vëllim poetik, cila është trashëgimia tjetër letrare që ka lënë?
Ka shumë dorëshkrime. Është një dramë e shkruar “Si nata me ditën”, vënë në skenën e teatrit “Migjeni”. Është shkruar kur doli nga burgu rreth viteve ’62-‘63. Ka edhe përkthime të mrekullueshme duke u marrë për 20 vjet me tre nobelistët italianë, poetë hermetikë, si Ungareti, Montale dhe Kuazimodo. Duke qenë një njohës shumë i mirë i gjuhës italiane, sepse ka mbaruar universitetin në Itali, ai ka përkthyer në një mënyrë të mrekullueshme. Në të ardhmen sigurisht që do të botohen. Ka botuar Tomas Eliot, gjithashtu edhe filozofë si Kroçen nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Ka komplet veprën e plotë të Tomas Eliotit të përkthyer, një nga kolosët e poezisë angleze.
Ka mbaruar universitetin në Itali, por i ndërpreu studimet, pse?
Diplomën nuk ka arritur ta mbrojë, për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Por ai ka studiuar për shkencat politike dhe dashuria për poezinë pikërisht aty i ka filluar, aty është njohur me veprat e tre poetëve të mëdhenj italianë.
Si e përjetonte mungesën e lirisë, diktaturën, persekutimin e elitës, kishës a fliste për regjimin me ju, në shtëpi?
 Jashtë mureve të shtëpisë kishte vetëm terr dhe vite të mbushura me blozë, ndërsa brenda mureve të shtëpisë ne ishim krejt të lirë me njëri-tjetrin. Nëse jashtë ishte terr brenda ishte dija dhe mirësia, - që të bëjnë njeri. Unë qysh e vogël e kam ditur se i përkasim një familjeje që është ndryshe nga të tjerat, një familje që do të rrinte mënjanë. Ne e dinim. Prindërit e mi kanë qenë të sinqertë nuk e kanë bërë asnjëherë hipokritin.
Si ka qenë orët e fundit të Zorbës?
Vdekja e Zorbës ka qenë brenda 24 orëve. Kam qenë pranë tij në orët e fundit dhe mund të them se ai e ka ditur se kush është. Unë e kam gjetur atë ditë në këmbë dhe ka hyrë 10 orë në koma. Mbas 24 orëve dha shpirt, me dy pika lot në janar të vitit 1993. Një vit më vonë bëmë botimin e veprës.
Çfarë e nxiste në krijimtari Zorbën, konkretisht si krijonte ai?
Do të tregoj thjesht një episod se si u krijua poezia “Një gozhdë”. Është një sekret midis meje dhe atij. Isha vajzë e re, 16 vjeçe, kur babai më çoi në ambulancë për një dhimbje të fortë dhëmballe. Në momentin që hymë atje, në mur ishin anëtarët e Byrosë Politike dhe sapo kishin hequr Beqir Ballukun dhe kishte mbetur një gozhdë pa foto. Dhe unë i them: “Babë, shiko si ka mbetë gozhda, pa portret”. Ai e shikoi dhe qeshi. Kur e ka shkruar më vonë, më tha se kjo ishte inspiruar nga unë: “Një gozhdë e varur në mur/ mbetur e tharë/ mbetur thik”. Një tjetër poezia “Shkallët e Kakarriqit”, erdhi nga një histori e vërtetë. Kur të dy prindërit e mi dolën prej burgut, dikush i tha të dilnin jashtë shtetit, por ai nuk pranoi duke shkruar poezinë, që mendoj se shërben edhe sot si mesazh patriotik. Ndërsa tek ky vëllim është një poezi, “As ma ndërtoni shtëpinë”, që për mua mbetet e mrekullueshme. 

Related Posts: