Nga ditari i pabotuar i Dr. Zoi Xoxës




















Në vigjilje të 7 pril
lit, mbledhje e jas
htëzakonshme në
Parlament
Gjendje tepër kritike: Fjala
e Th. Orollogait
...Populli, i entuziazmuar,
bërtiste: Rroftë Shqipëria!
Rroftë mbreti! Armë! Armë! Na
jepni armë!
Të nesërmen mbreti thirri
në Pallat një Komision parlamentar:
dy për çdo prefekturë.
Nga Prefektura e Beratit
u caktuan Hysen Vrioni dhe
unë; nga Prefektura e Korçës:
Vasil Avrami dhe Thoma Orollogai:
nga Prefektura e
Gjirokastrës Fejzi Alizoti dhe
Hiqmet Delvina; nga Prefektura
e Dibrës: Hafëz Xhemali dhe
Fiqri Rusi etj.
Mbreti na priti në studion
e tij: ishte një sallë e madhe,
me një tryezë shkrimi në krye
dhe me kolltukë anës mureve.
Na priti në këmbë, na shtrëngoi
dorën dhe na bëri shenjë të
ulemi. Edhe ai vetë shkoi dhe u
ul në tryezën e tij. Unë, si më i
riu, zura vend në fund fare.
Për disa minuta mbretëroi
një heshtje e madhe. Mbreti
ishte i zymtë në fytyrë dhe i
menduar. Të gjithë sytë tanë
ishin ngulur tek ai me aq vëmendje,
sa na dëgjohej edhe
frymëmarrja. Të gjithë ishim të
ndërgjegjshëm se ishim thirrur
për një punë me rëndësi shumë
të madhe kombëtare. Në këtë
mbledhje ishin të pranishëm
kryeministri dhe ministri i Jashtëm,
Eqrem Libohova.
Mbreti e theu i pari heshtjen
dhe, me një zë të dridhur,
të tronditur dhe të mallëngjyer,
nisi të fliste aq ngadalë sa
unë, që isha nga fundi, zgjata
kokën dhe mpreha veshët për
të dëgjuar:
“-Zotërinj deputetë, Shqipëria
është në rrezik! Ka disa kohë që
Italia na ka dërguar një ultimatum,
të cilit i erdhi koha që ta
shpallim. Të parët duhet të merrni
dijeni ju, përfaqësuesit e popullit.
Gjer më sot e kemi mbajtur të fshehur,
se kemi shpresuar se mund ta
zbusim atmosferën me demarshe diplomatike.
Por Italia duket e patundshme
në pretendimet e saj. Për të mos acaruar
gjendjen, duke shpresuar akoma
gjer në fund, edhe tani menduam
të mos e shpallim këtë memorandum
në një mbledhje të hapur të Parlamentit
dhe të shkaktonim një debat publik. Kjo
do të thoshte prerja e marrëdhënieve
diplomatike me Italinë dhe prerja e marrëdhënieve,
në këto rrethana, do të
thotë luftë. Ne përpiqemi, me urtësinë
më të madhe, ta largojmë sa më shumë
këtë çast tragjik. Megjithatë, erdhi koha
që ju të thoni fjalën tuaj dhe të merrni
përgjegjësinë tuaj karshi kombit. Ju do
ta dëgjoni tani memorandumin tekstualisht
dhe do të shfaqni lirisht mendimin
tuaj, pa druajtjen më të vogël,
duke më konsideruar edhe mua, në këtë
çast, vetëm një shokun tuaj”.
Dhe i bëri shenjë Eqrem Libohovës
ta lexonte. Eqrem Libohova e nxori
nga xhepi dhe filloi ta lexojë përkthimin
në shqip, duke belbëzuar, qoftë nga
emocioni, qoftë sepse kishte një shqiptim
jo të përkryer. Në shumë vende disa
qenë të detyruar ta ndërprisnin dhe t’i
luteshin që ta përsëriste fjalën, sepse
s’e kishin dëgjuar mirë.
Në të tjera fjalë, memorandumi
bënte një përshkrim të gjatë të gjendjes
ndërkombëtare dhe e binte shumë të
afërme dhe të pashmangshme një luftë
të dytë botërore. Bota kapitaliste po
bënte përgatitje të zjarrta luftarake për
të zhdukur fashizmin, që ishte vendosur
ngadhënjimisht në Itali, në Gjermani,
në Japoni dhe po përhapej në
shumë vende të tjera të botës. Italia
s’kishte asnjë rrezik nga Shqipëria
mike dhe aleate, por duhej të mbrohej
nga fqinjët e kësaj, që anonin nga shtetet
kapitaliste. Vetëm për këtë arsye
Italia detyrohej të merrte disa masa,
që nuk duhej në asnjë mënyrë të interpretoheshin
si një cenim i sovranitetit
dhe pavarësisë së Shqipërisë. Këtë sovranitet
dhe pavarësi Shqipëria e vogël
nuk ishte në gjendje ta mbronte dhe ta
siguronte nga fqinjët e saj grabitqarë;
prandaj Italia e madhe fashiste duhej
të përdorte të gjithë autoritetin dhe
peshën e saj ushtarake. Këto, dhe vetëm
këto, ishin arsyet që e detyronin Italinë
të merrte në dorë ekonominë shqiptare
dhe përgatitjet ushtarake. Për
zbatimin e këtij programi strategjik
duheshin njerëz kompetentë, të aftë dhe
të zgjuar në punët e ushtrisë dhe të
ekonomisë, prandaj paraqitet e domosdoshme
që pranë ministrave shqiptarë,
të ndodhen edhe nënministra italianë,
të cilët do të jenë ekspertët dhe
këshilltarët e Qeverisë Shqiptare”.
Ta pret mendja që të gjithë ne e
dëgjuam me vëmendjen më të madhe.
Askush nuk pipëtinte. Vetëm
nja dy a tri herë Hafëz Xhemali e
kishte ndërprerë leximin e Eqrem
Libohovës, pse s’i kishte marrë
vesh disa fjalë.
Me të mbaruar leximi, pllakosi
një heshtje e rëndë. Të gjithë
mbetën të dalldisur në mendime:
situata ishte tragjike, memorandumi
ishte i prerë.
Këtë heshtje i pari e prishi
mbreti, i cili tha me një zë që mezi
dëgjohej:
“Zotërinj deputetë,
Ju thashë që rreziku që na kërcënohet
është shumë i madh nga ç’mund të
mendohet dhe ne jemi përpjekur diplomatikisht
se mos gjejmë ndonjë
rrugëdalje, që të pajtohej me pavarësinë
dhe me dinjitetin tonë kombëtar.
Nuk ia arritëm dot këtij qëllimi.
Ç’duhet bërë? Ju lutem ta shfaqni lirisht
mendimin tuaj”.
Menjëherë e mori fjalën Hafëz
Xhemali, i cili pyeti:
-A janë vënë në dijeni Shtetet
e mëdha dhe fqinjët tanë mbi rrezikun
që na kërcënon?
-Le të përgjigjet ministri i Jashtëm,
z.Eqrem Libohova, - tha
mbreti dhe mbështeti kokën në
pëllëmbën e dorës.
Dhe Eqrem Libohova zuri të
thoshte se interpeluan të gjitha
Shtetet e mëdha, si dhe fqinjët
tanë, po të gjithë, mjerisht, na
kanë lënë në mëshirën tonë.
E mori fjalën, menjëherë pas tij,
F. A. dhe tha se Italia nuk kishte
asnjë interes që të shkelte indipendencën
tonë; se “edhe ne duhet t’i
kuptojmë nevojat e saj ekonomike
e strategjike”. Në këtë drejtim ai
foli për një kohë të gjatë. Por,
megjithëse bënte çmos që të mos
e zbulonte shkoqur mendimin, të
gjithë e nuhatën se ai mbronte më
shumë interesin e Italisë sesa pavarësinë
e Shqipërisë.
Orollogai elektrizoi të pranishmit
Edhe disa të tjerë, që folën pas
tij, këtë udhë ndoqën, udhën e
kapitullimit.
Po, pas tyre, e mori fjalën Thoma
Orollagaj, të cilin atë ditë e
admirova më shumë se kurrë ndonjëherë
tjetër, për ndjenjat e tij të
zjarrta patriotike. Ai foli me një
guxim dhe me një gojtari, që i
shpërthyen nga shpirti i tij i lënduar.
Dhe iu drejtua drejtpërdrejt
mbretit, pothuaj pa na përfillur
fare ne të tjerët. Tha që memorandumi
nuk linte as dyshimin më të
vogël mbi qëllimet satanike dhe
gjakatare të Italisë. “Konditat e vëna
në atë memorandum ishin një cenim
flagrant i sovranitetit dhe i pavarësisë
së Atdheut tonë. Që edhe Shtetet e
mëdha, siç na tha Eqrem beu, po na
lënë në mëshirën tonë, kjo do të thotë
që Musolini ka marrë pëlqimin e tyre,
të shprehur apo të heshtur, për zaptimin
e Shqipërisë.
Tani, ç’duhet të bëni ju, Lartmadhëri,
përpara kësaj situate kritike
dhe tragjike? Ju populli ju ka proklamuar
mbret; statuti ju ka dhënë të
drejtat e komandantit suprem të të
gjitha forcave të armatosura dhe populli,
për vite me radhë, ju ka kënduar
himne dhe ju ka mbiquajtur Skënderbe
të dytë. Jam i mendjes që ju të trego-
heni në lartësinë e këtij misioni të lartë
dhe të shenjtë dhe të përmbushni
dëshirat dhe aspiratat e një populli të
tërë, që është xheloz për indipendencën
e vendit të vet dhe, nën udhëheqjen tuaj,
do të dijë ta derdhë gjakun, ashtu siç
diti ta derdhë, për 25 vjet me radhë,
edhe nën udhëheqjen e Skënderbeut të
parë”.
Të gjithë po e dëgjonin pothuaj pa
marrë fryme. Mbreti kish mbeshtetur
të dy bërrylet në tryezë dhe, me grushtat
në tëmthtat, ia kish ngulur aq
shumë sytë, sikur donte ta përpinte.
Unë isha ulur pranë tij dhe e pashë se
po dihaste, i nxehur dhe i skuqur në
fytyrë. Pa marrë leje, siç e donte protokolli,
nxori kutinë nga xhepi dhe
ndezi një cigare. Askush nuk e vuri re
këtë shkelje protokollare.
Si thithi nja dy herë cigaren me
një afsh të thellë, ai vazhdoi më i qetësuar:
“Mbase do të thoni se unë flas si
nga stratosfera, si të jem një idealist i
krisur dhe jo një diplomat i matur. Dhe
mund të më pyesni: - “A mund të luftojë
dot një milion popull kundër 45 milionëve
dhe, sidomos, kundër një Italie,
të armatosur gjer në dhëmbë me
mjetet më moderne?” Dhe unë ju
përgjigjem: - A më i fortë ishte
Skënderbeu nga Sulltanët e Perandorisë
otomane? A më e fortë ishte
Vlora e 1920-s nga Italia e atëhershme?
Fundi i fundit, a më të fortë qenë të
300 vetat e Leonidhës kundër hordhisë
së panumërt persiane? Po do të thoni se
Leonidha vdiq me të 300 ushtarët e tij!
Bukur! Le të vdesim edhe ne si Leonidha!
Sigurisht, nuk do vdesim që të një milionët
dhe do të mbeten aq shqiptarë që të
mburren me këtë fletë të ndritur që shkruan
prindërit dhe gjyshërit e tyre, me
Skënderbeun e dytë në krye.
Po në këtë çast tragjik unë nuk dua
të më merrni as për të krisur, as për
poet, as për ëndërrimtar. Dua të jem
njeri realist e pozitiv. Me argumente
dhe me gjakftohtësinë më të madhe, dua
t’ju bind se kjo është rruga që duhet të
ndjekim – rruga e pushkës dhe e gjakut
– dhe ja sepse:
Unë jam më tepër se i bindur që
okupacionin e Shqipërisë nga ana e
Italisë, në shpirtin e tyre, nuk e dëshirojnë
as Shtetet e mëdha – as Anglia
dhe Franca – as fqinjët tanë-: Shtetet
e mëdha nuk e dëshirojnë, sepse nuk
ua do interesi që Italia të shtojë influencën
e saj ndërkombëtare, duke u
zgjeruar edhe mbi popuj të tjerë; nuk
mund ta duan medoemos edhe fqinjët
tanë. Sepse ata e kuptojnë fare mirë
që Italia në Shqipëri është një kërcënim
i përhershëm edhe për pavarësinë e
tyre. Si pasojë, sado që ata nuk na
inkurajojnë dot haptazi, sepse Italia
ka veshur lëkurën e luanit dhe ka ngritur
shpatën duke bërtitur për çdo hap
casus belli, prapëseprapë édhe fqinjët
tanë do ta shihnin me sy të mirë një
qëndresë të vendosur nga ana jonë. Dhe
unë mendoj se, po të jemi të zotët të
rezistojmë edhe për një kohë të shkurtër,
keni për të parë se nga çdo anë do të
kemi ndihmë, më parë tërthorazi dhe
fshehurazi, por më vonë edhe haptazi.
Unë jam i bindur se qëndrimi ynë i
vendosur do të ndërrojë faqen e historisë
dhe populli dhe mbreti ynë do të
shkruajnë një faqe të lavdishme të historisë
sonë kombëtare. Unë jam pro
për luftë, luftë të pamëshirshme dhe gjer
në largimin e plotë të kërcënimit
kundër pavarësisë kombëtare. I bëni
një thirrje të nxehtë popullit dhe vihuni
në krye të tij. I madh e i vogël do
t’ju ndjekin besnikërisht, duke mos e
kursyer jetën e tyre.


Biografia e Zoi Xoxës



Lindi në Berat në prill të vitit 1904. Në dokumentin e
identifikimit ditëlindja shënohet: 1902. Rritet mosha 2 vjet, për
t’iu përshtatur kandidaturës për deputet.
Në Shën Mitër Korone, fshat arbëresh në Kalabri, kryen
mësimet e fillores dhe të mesme.
E ndjente shpirtin e gazetarit - siç thoshte më vonë - që në
moshën 12-vjeçare. Botimet e para e kanë nisjen në këtë moshë.
E nisi me gazetën “Drita” të Veli Hashorvës (Gjirokastër).
Vazhdoi në revistën “Atdheu” të Vlorës, në gazetën “Politika” të
Halim Xhelos dhe në “Hyllin e Dritës” të Shkodrës. Për këtë të
fundit pati një korrespondencë, që në moshë fare të re, me At
Gjergj Fishtën. Artikujt e parë që u botuan në “Hyllin e Dritës”
ishin me përmbajtje letrare. Vlerësonin figura të spikatura të
letërsisë, si de Radën, Naimin, Fishtën.
Në kolëgjin e Shën Mitër Korones u bë nismëtar për ngritjen
e një pllake përkujtimore në kujtim të de Radës, por ndeshi
në kundërshtimin e një profesori italian, me të cilin shpërtheu
një polemikë në revistën “La Nazione Albanese” të arbëreshit
të shquar Anselmo Lorekio.
Pas mbarimit të shkollës së mesme (1922) shkoi në Romë
për të ndjekur studimet universitare në Drejtësi, édhe këtu me
bursë. Tanimë fillon bashkëpunimin me “Diellin” e F. Konicës, që
botohej në Boston.. Si nënfletë të “Diellit” botoi dramën “Kurora
Shqiptare”. Ka botuar edhe një dramën tjetër: “Kapedan Leonidha”.
Ishte një admirues i gjuhës dhe i stilit të Faikut. U mor me
gjuhësi dhe letërkëmbimi me Konicën për çështjet gjuhësore do
të ishte me interes. Humbi gjatë kontrolleve të hetuesisë, ashtu
siç ndodhi edhe me letërkëmbimin me Shtjefën Gjeçovin, me Fishtën,
etj.. Gjatë asaj kohe humbën edhe: Romani “Luan Golemi”,
vepër voluminoze, me elemente biografike, “Nga Porta Romana në
Burgun Politik”, si edhe transkriptimet në vargje të epigonëve të
letërsisë arbëreshe: të de Radës, Serembes, Darës, Skiroit, etj.
Pas 24 dhjetorit të ’24-s (dështimit të kryengritjes) Z.X. u
arratis në Itali, si fanolist. Rifilloi bashkëpunimin me “Diellin”.
Ndërkaq u lidh me gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës
(Rumani), duke u bërë drejtor i saj ( Korrik,1925). Drejtimi i
kësaj gazete qé i suksesshëm. Atje pati bashkëpunimin e “firmave
të llojllojshme nga Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja,
Asdreni, Gjergj Bubani, Andrea Ktona, Dr. Kallogjeri, Dr. Ibrahim
Temo, etj”. Ky i fundit kishte ndikim të madh në Rumani, sepse
qé zgjedhur senator dhe njihej si një patriot që kishte bashkëpunuar
në rininë e tij me Naimin, Samiun e Vaso Pashën.
Në “Kujtimet e një gazetari” shkruan se entuziazmi i 1925-
s filloi të binte më vonë. Jo të gjithë emigrantët ditën ta ruanin të
paprekur figurën e tyre. Ahmet Zogu në Tiranë ndiqte një politikë
të pajtimit kombëtar. Zëdhënës i kësaj politike pajtuese në
Rumani ishte amabasadori Selahedin Blloshmi. Në ambasadë
cilido shqiptar, pavarësisht nga bindjet, ishte i mirëpritur. Në
festat kombëtare ftoheshin intelektualët shqiptarë, qofshin edhe
antizogistë, për “të qenë të grumbulluar së bashku” në përkujtim
të ngjarjeve si ajo e Pavarësisë, etj.. Antizogizmi në Rumani po
zbehej dhe 1927-a, me traktatin e Marrëveshjes e miqësisë
dhe ndihmës reciproke me Italinë, acaroi shtypin grek dhe atë
jugosllav.. Francezët dhe anglezët e quajtën këtë traktat si një
kështjellë kundër sllavizmit. Shtypi rumun ishte pro marrëveshjes.
Jakomoni, në “kujtimet e tij: Pasiçi i tha Zogut, kur u ndanë:
“Lamtumirë miku im i sotëm dhe armiku im i nesërm”!). Faik
Konica u afrua me Zogun. Dr. Ibrahim Temo e përshëndeti traktatin.
Veprimtaria për pajtim kombëtar u tregua e frytshme. Politikani
i shquar italian, Aleksandër Lesona, i ngarkuar nga Musolini për
traktativa, e kishte vënë re patriotizmin e A. Zogut dhe kishte shkruar
në “Kujtimet” e tij se “Zogu kishte ambicien që të ishte kryetar i një
shteti sovran, me të drejta të barabarta, jo kryetar i një shteti vasal”.
Më 1 shtator 1928 Asambleja Kombëtare e Tiranës e
proklamoi Zogun I mbret të shqiptarëve. Thuajse menjëherë të
gjitha shtetet e njohën Monarkinë. Në Rumani e miratoi pjesa më
e madhe e mërgimit. Zogu I premtoi dekretimin e Kodit Civil. Tha
se propagandimi për dasitë fetare ishte i ndaluar: myslimanë e të
krishterë janë një. Ishte kundër krahinarizmave. Paralajmëroi edhe
Reformën Agrare, por pa grabitur pronarët.
Kjo perspektivë u mirëprit nga të rinjtë dhe intelektualët. Pati
ndonjë reagim nga disa faudalë të mëdhenj, që mendonin se mund
të cenoheshin në interesat e tyre të feudeve. Edhe disa fanatikë që
nuk e pranonin divorcin kundërvepruan.
Këto gjendje përshkruhen hollësisht në “Kujtimet e një gazetari”.
Në Tiranë kërkohej me ngulm krijimi i një gazete te përditshme.
Kryeministri Kota ishte ngarkuar nga mbreti, që të kërkonte
bashkëpunimin e Z.X-s për të drejtuar një gazetë të tillë.
“Gazeta e Re” ishte gazeta e parë që drejtoi Zoi në Shqipëri.
Drejtoi edhe gazetat “Vullneti”, pastaj “Vullneti i Popullit” . Por
Gazeta më e madhe e përditshme që drejtoi ai ishte “Drita”, kur
ishte edhe deputet. Ndërkaq ai punësoi në këtë gazetë si redaktorë,
édhe njerëz që nuk shiheshin me sy të mirë nga ministri i
Brendshëm, Musa Juka, si Mustafa Gjinishin, Stefan Shundin etj.
Veçse këta persona punuan të patundur dhe të qetë në gazetë,
sepse drejtori gëzonte edhe imunitetin parlamentar dhe iu kundërvu
ministrit duke i thënë se për gazetën përgjigjej ai dhe vetëm ai.
7 Prilli i 1939-s i dha fund çdo aktiviteti politik të Zoi Xoxës.
Gjatë pushtimit italian, autori i këtyre “kujtimeve” pësoi nga pushtuesi
italian burgun e prillit të ’39-s, internimin e mëvonshëm në
“Porta Romana” dhe, pastaj, në Burgun politik të Tiranës.
Gjatë diktaturës nuk shkroi asnjë rresht në organet e shtypit.
Në këtë kohë punoi për një kohë thuajse 20-vjeçare për një Fjalor
frazeologjik dygjuhësh, të cilin studiuesi Jup Kastrati e ka përcaktuar
në një revistë gjuhësore si fjalorin më të madh të këtij lloji në
Shqipëri. Ka lënë si dorëshkrim edhe një Fjalor të vogël të gjuhës
arbëreshe. Disa përkthime librash të Alëksandër Manxonit, të
Vild Durantit, të V. Hygoit ruhen në arkivin e familjes. Ka bashkëpunuar
me përkthyes të talentuar për bashkëpunim, në përkthime
(natyrisht pa emrin e tij) të disa librave të Zhyl Vernit, për
biografinë e Volterit, për përkthime skenarësh të operave, të gjitha
këto për t’i ardhur në ndihmë familjes në varfëri. Nuk arriti të
merrte veçse gjysmë pensioni në kohën e pakët që ka punuar si
korrektor bocash nga gjuhët e huaja, në periudha të veçanta të
zbutjes së përkohshme të luftës së klasave. Disa libra letrarë ia ka
dhënë ndonjë plagjiari , profan në letërsi, por që ka marrë, megjithatë,
tituj honorifikë në atë kohë të mbrapshtë. Familjes i ka mbetur
edhe një “Ditar”, peripecitë e asaj kohe.
Në shkurt të vitit 1951, u arrestua në Kavajë, ku ishte shpërngulur
nga Tirana. Kjo ndodhi me rastin e së ashtuquajturës “bombë
në Ambasadën Sovjetike”. U lirua si i pafajshëm, pas 9 muaj
hetimësh. Pavarësisht se “i pafajshëm”, bëri disa kohë në kampin
e Bedenit (Kavajë), në saje të një “mobilizimi” vendor, kur ishte
me banim në Fier. Vdiq në qershor të vitit 1987.