Melhem Mobarak, kujtimet e pazakonta për Shqipërinë

Naum Prifti

Librin me kujtime për Shqipërinë autori e ka titulluar “Mémoires d’un al banosaure 1965-1991" (Kujtime të një albanosauri 1965-1991). Gjatë një hapësire kohe prej 26 vitesh Mobaraku e vizitoi Shqipërinë katër herë, duke mbajtur shënime të hollësishme për takimet dhe për çdo gjë që i kapte syri në Tiranë dhe në rrethet ku shkelte. Nga kjo anë ai shënon një rekord, sepse deri tani nuk dimë asnjë të huaj tjetër ta ketë vizituar kaq dendur Shqipërinë brenda një çerek shekulli. Kjo pa dyshim dëshmon interesimin e tij dhe përkushtimin ndaj atdheut tonë. Interesi për Shqipërinë nisi qysh kur shkoi nga Libani për të kaluar pushimet verore në Korfuz. Cili qe ai shtet që dukej përkundrejt? A mund të shkonte atje? Rastësisht kur u kthye në Beirut gjeti te një bukinist librin Shqipëria dhe Napoleoni të Boppe-s e pastaj librin Shqipëria hap kufijtë, të Albert Mahuzier, që e familjarizoi pak a shumë me Shqipërinë moderne. Që prej asaj kohe ai u interesua ta pasuronte bibliotekën e tij me shënimet e udhëtarëve të huaj, me libra studimesh rreth problemeve shqiptare, me gravura, harta të vjetra e piktura të ndryshme. Sot besohet se ka koleksionin më të pasur albanologjik ndër miqtë e dashamirësit e atdheut tonë. 
Periudha e vizitave të tij koincidon me lidhjet e forta të miqësisë së madhe, të ashtuquajtur “miqësi luftarake” midis Shqipërisë komuniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit. Kritikët kanë shprehur mendime se te libri i tij vihen në dukje fazat e ndryshme të aleancës midis diktaturës së Enver Hoxhës dhe asaj kineze, deri në thartimin e tyre për shkak të vizitës së papritur të Niksonit në Kinë. Udhëheqja shqiptare u frikësua se Kina po e ndryshonte kahjen politike. Mobaraku po ashtu përjetoi periudhën fillestare të belbëzimeve të demokracisë shqiptare në fillim të viteve 90. Letrën e shkrimtarit Ismail Kadare, dërguar autorit, pasi e lexoi dorëshkrimin, M. Mobaraku e ka përdorur si parathënie të librit. 
Mobaraku lindur në Bejrut të Libanit, pinjoll i një familje intelektuale me tradita patriotike dhe diplomatike. Në vitet ’70 autori themeloi Shoqërinë Libaneze të Amatorëve të sixhadeve murale antike dhe më 1975 botoi një libër me lutjet e shkruara në to, dëshmi e kulturës popullore libaneze. Pas vitit 1978 për shkak të luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, ai u shpërngul nga Libani dhe u vendos në Montreal, Kanada, ku vazhdon të jetojë edhe sot. Nga emri e mbiemri duket si mysliman, ndërsa në të vërtetë Melhemi i përket fesë katolike. Dashuria për vendin tonë e shtyri të mësojë edhe gjuhën shqipe, mes vështirësive të mëdha, sepse në Montreal nuk kishte emigrantë shqiptarë. Ai pohon se lexon shqip, por e ka vështirë të flasë nga mungesa e kontakteve dhe e përvojës. Gjithsesi, për një kohë bukur të gjatë ai ka ndjekur aktivitetet shqiptare të kulturës dhe artit të zhvilluara në Amerikë, çka i dha rast të njihej me personalitete të botës shqiptare, sikurse Prof. Arshi Pipa, Peter Pifti, Sami Repishti, Nicholas Pano, Martin Camaj, Anton Logoreci, Elez Biberaj, me redaktorin e Buletinit Katolik Gjon Sinishta, me biznesmenin Anthoni Athanas, e ndërkohë edhe me albanologë të shquar si Alan Ducellier dhe Janet Byron. 
Po sjell një pasazh të shkurtër nga mbresat e udhëtimit të parë në veri të vendit tonë, tetor 1967. “Por, Zoti nuk ekziston më në vendin e shqiponjave. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë. Kjo pamje e trishtuar kontraston me ngjyrat e bukura të vjeshtës të maleve rreth e qark”. Shoqëruesi Alkyz (Cerga) e këshillon të mos fotografojë fëmijë zbatharakë, as gomerë, as xhami të rrënuara, por traktorë, bulevarde, blloqet ndërtesash të reja, etj. 
“Kisha një etje të madhe për çdo gjë që kishte lidhje me Shqipërinë”, pohon Mobaraku. Ai nisi të qëmtojë nëpër bukinistët e Parisit, Londrës, Athinës, duke siguruar vepra të rralla për historinë e Shqipërisë, për Skënderbeun, për Ali Pashë Tepelenën, Ismail Qemalin, Mehmet Aliun etj, e midis tyre edhe veprën e Disraelit të botuar në New York në vitet 1920 për Skënderbeun, me titullin “The Rise of Iskander”. Autori rrëfen për takimin që ka patur në Liban, me Lekën, djalin e Zogut, për ndjenjat e simpatisë së Zogut ndaj popullit Palestinez. Mobaraku mësoi për përgatitjet që po bëheshin për njëqindvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe me atë rast u njoh me figurën e Vaso Pashës, guvernator i Mont-Libanit nga 1883 deri më 1892-in. Përpjekjet e atasheut tonë tregtar në Egjipt, Dalan Buxhelit, për transferimin e eshtrave të Vaso Pashës në atdhe dështuan, këtë punë e vazhdoi me sukses Melhem Mobaraku. Ai i shkruajti ambasadës sonë në Kairo për këtë çështje. Propozimi u mirëprit dhe atij iu akordua viza menjëherë. “Tirana, gjithsesi, shkruan Mobaraku, më jep mbresën e një qyteti që nuk është zgjuar akoma nga gjumi i thellë.” Jemi në vitin 1978 dhe ai vë re më pak kinezë në rrugët e kryeqytetit. Ai pohon: “Në universin komunist mosmarrëveshjet nuk formulohen kurrë në mënyrë të qartë dhe eufemizmat gëlojnë ngado. Megjithatë, një vërejtës i mprehtë vë re se muaji i mjaltit me Kinën tani i përket së kaluarës.” 
Me t’u kthyer në Liban ai boton një seri artikujsh me mbresat e tij te e përditshmja La Jour. Një kopje ia dërgoi edhe Dalan Buxhelit në Kairo, duke pritur prej tij falënderime. Mirëpo Dalani i prekur nga dëshmitë e tij jo aq pozitive, nga një mik që po e prezantonte realitetin aq ashpër, e këshilloi që herës tjetër të tregohej më mirëdashës. Kur erdhi së dyti në Shqipëri pas dhjetë vitesh Mobaraku u interesua të takohej me Dalan Buxhelin, mirëpo mori përgjigjen e çuditshme se një person i tillë nuk njihej, nuk ekzistonte. Çfarë kishte ndohur me të? Mobaraku s’e mori vesh kurrë. 
Mobarakun e shoqëroi kësaj here Misto Treska, çka tregonte vlerësimin e autoriteteve për mikun libanez. Në atë kohë ai qe ambasador i Shqipërisë në Francë. Ata shkuan së bashku në Krujë, Rrëshen, Lezhë, Fier, Vlorë e Gjirokastër. Mobaraku shfaqi dëshirën të takohej me Enver Hoxhën për ta intervistuar, mirëpo Mistoja me humorin e tij, iu përgjigj: “Është më lehtë të kapësh pleshta me dorëza boksi, se sa të takosh Enver Hoxhën!” Dëshira e Mobarakut nuk u plotësua kurrë, sado që kërkoi edhe ndihmën e mjekut francez Pol Milliez. Hoxha nuk pranonte takime me të huajt, sidomos me gazetarët. Mobaraku u befasua kur takoi në Rrëshen Kristaq Hobdarin, ish-zëvendëskryetar i Komitetit për marrëdhënie kulturore me Botën e Jashtme, tashmë i transferuar mësues atje. E pyeti Miston si kishte ngjarë ajo hata dhe ai iu përgjigje se ndofta nuk ka ditur t’i tërheqë mirë frerët. Pra bota komuniste nuk ishte aq monolite sa dukej në pamje të parë. 
Peter Prifti, që ka pasur rastin ta vizitojë në Montreal, shkruan: “Kam kënaqësinë t’u prezantoj lexuesve të ‘Diellit’ një mik të shquar të Shqipërisë —Melhem Mobarakun. E them me mirëbesim se ai qëndron në radhët e para të atyre që e kanë bërë Shqipërinë vokasionin kryesor të jetës së tyre.” Ai vëren se Mobaraku zbuloi në Libohovë, gurin e varrit të Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës, pasi vizitoi varrezat dhe zbuloi stelën e shkruar arabisht. Për këtë zbulim e falënderoi Lefter Diloja, drejtor i Muzeut te Gjirokastrës, ku ruhet stela. Mobaraku pohon se Ismail Qemali ka qenë vali në Bejrut më 1883-in dhe pak veta e dinë se ka pasur lidhje të ngushta me Vaso Pashën. Shërbimi më i shquar që kreu Mobaraku për vendin tonë, qe transferimi në atdhe pas 86 viteve, i eshtrave të Vaso Pashës, të gruas së tij dhe të vajzës, nga varrezat Hazmieh pranë Bejrutit. U deshën përpjekje të njëpasnjëshme, për të siguruar lejën, sepse Hazmieh qe vakëf dhe kishte rregullat e tij. Së fundi pengesat u kaluan. Ai shkruan: “Më 31 maj 1978, një detashment ushtarësh bëri nderimet e rastit pranë tre arkivoleve mbuluar me të bardha. Në radhët e para duken, Sulejman Tomçini, ambasador i Shqipërisë në Kairo, përfaqësues të qeverisë libaneze, i ngarkuari me punë i Turqisë dhe pjesëtarë të familjes së Vaso Pashës. Pas fjalimeve të rastit, të pranishmëve iu servirën biskota dhe verë. Pastaj tre arkivolet u përcollën në Shqipëri me aeroplan.” Më tej Mobaraku shkruan: “Fati është tekanjoz. Vaso Pashës që kishte deklaruar vetë se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria,’ nuk besoj t’i kishte shkuar ndërmend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij pasi të merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.” Qe viti 1978, kur Shqipëria qe deklaruar shteti i parë ateist në botë. 
Peter Prifti, miku i tij i hershëm, u mrekullua nga pasuria e madhe e gravurave, e hartave të vjetra dhe librave të botuara rreth çështjeve shqiptare nga miqtë dhe armiqtë e saj. Atij iu duk vetja sikur po vizitonte një muzeum shqiptar. “Shkurt fjala, zoti Mobarak është pronari i një koleksioni të mrekullueshëm librash dhe veprash arti për Shqipërinë. Me aq sa di unë, ky është koleksioni më i pasur i këtij lloji jashtë Shqipërisë,” thotë Peter Prifti. Për fat, ungji i tij Camille Aboussuan, ambasador i Libanit në UNESCO – Paris, qe njeri artdashës dhe ai i fali Mobarakut disa vepra unikale për Shqipërinë, të cilat sot janë krenaria e koleksionit të tij. 
Mobaraku ka marrë pjesë në të gjitha forumet shkencore të organizuara në ShBA për Shqipërinë dhe për Kosovën. Veç të tjerave ai zbuloi veprimtarinë e abatit Preng Doçi, që besohet të jetë i pari shqiptar që ka shkelur në Amerikë jo si emigrant, por me mision fetar. Më 1987 Mobaraku botoi një ese për të. Ai ka ndjekur me kujdes të gjitha botimet për Shqipërinë, disa prej tyre të panjohura për bibliografët tanë, sikurse libri i Rita Toçi Alena, për babain e saj Terenc Toçi, themelues i gazetës ‘Taraboshi’ në Shkodër më 1911-ën, e para e përditshme shqipe. Më 1988 ai organizon për herë të parë në Universitetin Quebec në Montreal një cikël konferencash për Ismail Kadarenë dhe për Kosovën. Më 1989-ën ai boton një studim për familjen Skenderbeg që jetonte në Kanada. Pas dy vjet studimesh ai e gjeti enigmen e familjes Skënderbeu. Në të vërtetë ata ishin islandezë, të cilët të joshur nga fama e Skënderbeut, i vunë emrin Skënderbe djalit të tyre, sipas një tradite islandeze. Në bibliotekën e Reikjavikut ruhen një duzinë dorëshkrimesh kushtuar Skënderbeut, të shkruara midis viteve 1803-1905 pohon Mobaraku. 
Gjatë udhëtimit të tretë në vendin tone, ai u njoh me gazetarin Mishel Setboum, ardhur nga Franca dhe me Vincenzo Nigron, i gazetës Republica, ardhur nga Italia për të pasqyruar ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri. Misheli pa me sytë e tij sulmin e tiranasve mbi librarinë “Flora”, por i mbeti merak që nuk mundi të filmonte heqjen e monumentit të Stalinit nga Parku Rinia, edhe pse hotel Dajti ishte jo më larg se njëqind metra, mirëpo veprimi u krye natën fshehurazi. Sikur ta kishte filmuar Stalinin me kavon rreth qafës teksa e vendosnin mbi kamion, do të dukej si i varur dhe fotoja do ta kishte bërë të famshëm në gjithë botën, mirëpo ngjarjen e jashtëzakonshme e zbuloi vetëm të nesërmen. 
Pas çdo vizite Mobaraku zgjeronte rrethin e të njohurve dhe përftonte mbresa më autentike për vendin e shqiponjave. Ai u takua me Ismail Kadarenë, Bashkim Shehun, Prof. Arben Puton, Ilia Zhulatin dhe me personalitete të tjerë. Në kapitullin kushtuar vizitës së tretë, ai flet edhe për takimet që pati me mua dhe me familjen time. E shoqëruam disa herë dhe një natë e ftuam për darkë në apartamentin tonë modest. Me të bisedonim pa druajtje dhe e informonim saktësisht për çka ndodhte në vendin tonë. Në Shkodër Mobaraku shkoi te varrezat e dëshmorëve të vendoste një tufë me lule mbi varrin e Vaso Pashës, një gjest simbolik nga ana e tij për një varr të harruar. 
Gjatë vizitës së katërt ai vë re ndryshimet e mëdha, sikurse vizita e sekretarit të OKB-së, Perez de Cuellar në mars, kriza futjes së shqiptarëve nëpër ambasadat në korrik, arratisjen e Kadaresë në Francë në tetor, meshën e parë publike në Shkodër nga Dom Simon Jubani në nëntor, lejimi i largimit të familjeve izraelite, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën, të ndërprera gati për gjysmë shekulli, menjëherë pas lufte. Ai zbulon falsitetin e bibliotekës së Enver Hoxhës, ku vetëm kapakët e librave ishin të vërtetë, ndërsa brenda ishin mbushur me tekste nga Lenini e Stalini, një gënjeshtër e kryer me art e shpenzime të larta. Edhe makina “Fiat” me targë Tiranë 685, gjasme e përdorur prej tij gjatë luftës, ishte pa motor. “Mistifikim i përsosur” e cilëson Mobaraku. Ai vë re me dhimbje se Nënë Terezës iu deshën njëzet vjet të merrte vizën për të vendosur një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj. 
Gjatë vizitës së katërt në shtator 1991, kësaj here i ftuar nga Prof. Arben Puto, president i Forumit për të drejtat e njeriut, Mobaraku sheh më qartë anën tjetër të medaljes. Çdo gjë ka ndryshuar, statuja e Enver Hoxhës është rrëzuar nga monumenti dhe te Piramida, Mauzoleumi i tij, tani për ironi të historisë është hapur një ekspozitë me karikatura për të. Më së fundi Mobaraku arriti të takohej me Nexhmije Hoxhën, pasi më parë ajo kishte refuzuar ta priste. Sipas zakonit të saj, “pantera,” “vejusha,” “zonja me të zeza”, e ngopi me gënjeshtra, midis të cilave gjejmë edhe pohimin se Ramiz Alia i paska propozuar postin e sekretares së parë të Partisë, kur vdiq Enveri, por ajo s’paska pranuar për shkak të moshës. Këtë “fakt” s’e kemi ditur dhe me sa duket është produkt i fantazisë së saj. 
Libri “Kujtime të një Albanosauri 1965-1991” është dëshmi mbresëlënëse e dukurive që ndodhën në Shqipëri në këtë fund shekulli. Me kujtimet e tij të sinqerta dhe objektive Melhem Mobarak servir një lloj ditari, ku spikat dashuria e pakufishme për vendin tonë. Më kujtohet se gjatë një bisede ai më tha se donte t’ia falte koleksionin e tij të pasur Bibliotekës Kombëtare, me kusht të vihej në dukje dhurata e tij, por kërkesa...