Ramiz Kelmendi
Shkodranët thonë: pesë gjëra të mëdha ka bota mbarë, e katër prej tyre gjendeshin/gjenden edhe sot në Shkodër! Krejt bota ka vetëm Britaninë e Madhe, e Shkodra ka: 1. Malësinë e Madhe; 2. Kafen e Madhe; 3. Kishën e Madhe dhe 4. Arrën e Madhe. Mirëpo, në qoftë se ajo që thamë në krye, lidhur me ato pesë gjërat më të mëdha të botës, nga të cilat katër na qenkan në Shkodër, s’është gjë tjetër pos një barsoletë, shkodranët patën diçka që me të vërtetë as e pati dhe as e ka bota mbarë. Tani, me gjithë mend.
Bota ka aq muze të mëdhenj e të vegjël, të njohur e të panjohur, të përgjithshëm e të specializuar, sa të të mbushet mendja se s’ka gjë që nuk ka. Muze deri edhe nga ata që nuk t’i zë mendja fare. Nga ata më të çuditshmit e më të pabesueshmit.
Shkurt, bota ka aq muze, të mundshëm e të pamundshëm, sa s’të mbetet tjetër veçse të konstatosh se - të paktën për sa u përket muzeve - njerëzimi tashmë e ka thënë fjalën e vet.
Por ja që shkodranët, në një shenjë kohe, tashmë të shkuar dhe (pothuajse) të harruar, ua patën kaluar të gjithëve. Ia kaluan tërë botës. Bënë edhe shkodranët, posi, muzetë e tyre. Bënë: Muzeun e Qytetit. Bënë: Shtëpinë-muze të Migjenit. Bënë: Shtëpinë-muze të Luigj Gurakuqit. Bënë: Shtëpinë-muze të Pashko Vasës etj. Mirëpo, atë që nuk e bëri bota prej kaq shekujsh, e bënë ata, shkodranët.
Bënë më të parin dhe, me ç’thuhej deri atëherë, të vetmin muze nga gjithë muzetë e botës, edhe Muzeun Ateist. Muzeun e vetëm antifetar në botë e pati dje Shkodra. Ndaj dhe para se të vizitoja dhe të shihja ndonjërin nga ata katër gjërat e mëdha të Shkodrës nga gjithë të pestat e botës, për shembull, Kishën e Madhe, e cila u pat shndërruar në pallat të sporteve, mua më gllabëroi kërshëria të vizitoja pikërisht këtë muze aq të jashtëzakonshëm në një vend që kishte flakur krejtësisht institucionet fetare.
E thoshin edhe vetë shkodranët: jo rastësisht e hapëm këtu, në Shkodër, këtë muze. Përse? Për arsye që lidhen jo veç me Kishën e saj të Madhe...
Shkodranët më thanë atëbotë: Kemi vite e vite, vite të vogla e vite të mëdha, por në vargun e këtyre të fundit kemi edhe “Vitin e Madh 1967”, kur bëmë një kthesë të madhe. E filluan, më thanë, të rinjtë e Durrësit. E përkrahën edhe të rinjtë e qyteteve të tjera të Shqipërisë. Dhe, shtuan, e përkrahu pastaj mbarë vendi me parullën partiake: “Të mbyllim institucionet fetare! T’i shndërrojmë ato në vatra kulture, në shtëpi rinie, në pallate sporti, në vende argëtimi e arsimimi”.
Dhe ashtu u bë. U mbyllën në gjithë Shqipërinë 2071 institucione nga më të ndryshmet fetare: kisha, xhamia, teqe...
“Argumentet”: Muzeu Ateist nxori grafikun dhe ca shifra që e shoqëronin: vetëm në rrethin e Shkodrës, në vitin 1938, ishin plot 144 institucione të ndryshme fetare (kisha, xhamia, teqe etj.), kurse vetëm 48 arsimore dhe 1 (edhe me germa: një) institucion shëndetësor.
Në vitin 1973, ndërkaq, rrethi i Shkodrës, nga ato 144 kisha, xhamia e teqe, mbeti pa asnjë. Por shkodrani, në atë kohë, rrihte gjoksin se kishte jo më vetëm 48, si dikur, por plot 307 institucione (nga të cilat 32 shkolla të mesme, një institut të lartë dhe disa filiale fakulteti), kurse nga ai një institucioni i dikurshëm, i vetëm shëndetësor, kishte jo më pak se 371!
Pati e ç’nuk pati ai i vetmi Muze Ateist në botë! Kishe ç’të shihje: gjëra pothuajse të pabesueshme. “Të dhëna e fakte”, që të mahnitnin. Mendime duke nisur nga Barleti e deri te filozofët e shquar marksistë, se ç’paskëshin thënë për fenë dhe për rolin e saj në jetë e në shoqëri. Për luftën e pandërprerë të shkencës me të. Pale pastaj, shtuar së gjithash, deri edhe jo pak fjalë të urta të popullit për fenë.
Që nga viti 1973, kur u hap së pari Muzeu Ateist i Shkodrës joshi pareshtur vendas e të huaj kureshtarë. Më kërshërosi edhe mua. Më priti, mu në të hyrë, në ballë, thënia e prerë e Marksit: “Feja është opium për popullin”. Vijonin disa thënie të Barletit nga koha e Skënderbeut: “Vatikani e la në baltë heroin tonë, Skënderbeun, që mbronte atdheun dhe botën nga invadimi turk”. Dhe: “Populli shqiptar është më tepër një popull luftëtar sesa fetar”.
Më tej, në një vend të dukshëm, edhe fjalët e stolisura të Pashko Vasës nga koha e Rilindjes Kombëtare: “Çonju, shqyptarë, prej gjumit çonju, t’gjithë si vllazën, n’nji besë bashkonju, e mos shikoni kisha e xhamia, se FEJA E SHQYPTARIT ASHT SHQYPTARIA”!
Dhe kudo, mes fotografish, faktesh, faksimilesh, librash, figurash, “shtatoresh të shenjtorëve” e mrekullish të tjera të fesë, edhe ndonjë e thënë e popullit: “S’bëhet vreshta me urata, po me shata e me lopata”, ose: “Mos kërko miell në qiell”, ose: “Pa pare s’hip hoxha n’ minare”.
Më tej thëniet e Gëtes, Holbahut, Fojerbahut: “Feja është bija e injorancës”; Engelsit e Volterit: “Feja i kushton njerëzimit mbi 17 milionë jetë njerëzish, domethënë një milion viktima në çdo shekull”. E ciceroni i muzeut shtoi: Feja e krishterë vetëm kaq. Vetëm ajo. E po t’i shtojmë edhe viktimat e fesë muhamedane?! Nata e Shën Bartolomeut (24 gusht 1572), masakra e mijëra njerëzve nëpër rrugët e Parisit.
Galileo para gjyqit.
Djegia e Xhordana Brunos.
“Kush ha djathë të Hoxhës i pëlcet barku për ujë”, ose “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, nga urtia popullore.
Kisha e madhe e Shkodrës, pas Britanisë së Madhe të botës, gjëja e dytë e madhe, u shndërrua në fushë për volejboll e basketboll.
Pallati me 44 dhoma, që i shërbente dikur arkipeshkvit të Kishës Katolike në Shkodër, u bë hotel “Sporti”.
Xhamia e Madhe e Durrësit u bë Shtëpia e Madhe e Rinisë.
Kisha e Murgeshave u bë Sallon Teatri për Rininë.
Ndaj dhe unë shkrova asokohe: “E si të mos ua tokësh shkodranëve, kur kanë ç’nuk ka tërë bota? Bota ka vetëm Britaninë e Madhe, e Shkodra jo po ka Malësinë e Madhe, ka Kafen e Madhe, ka Kishën e Madhe dhe ka Arrën e Madhe!”
Po ja që pati dhe s’e ka më edhe kuriozitetin dhe përjashtimin më të madh në botë: Muzeun Ateist. Muzeun e vetëm nga gjithë muzetë e botës...
Djegia e Xhordana Brunos.
“Kush ha djathë të Hoxhës i pëlcet barku për ujë”, ose “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, nga urtia popullore.
Kisha e madhe e Shkodrës, pas Britanisë së Madhe të botës, gjëja e dytë e madhe, u shndërrua në fushë për volejboll e basketboll.
Pallati me 44 dhoma, që i shërbente dikur arkipeshkvit të Kishës Katolike në Shkodër, u bë hotel “Sporti”.
Xhamia e Madhe e Durrësit u bë Shtëpia e Madhe e Rinisë.
Kisha e Murgeshave u bë Sallon Teatri për Rininë.
Ndaj dhe unë shkrova asokohe: “E si të mos ua tokësh shkodranëve, kur kanë ç’nuk ka tërë bota? Bota ka vetëm Britaninë e Madhe, e Shkodra jo po ka Malësinë e Madhe, ka Kafen e Madhe, ka Kishën e Madhe dhe ka Arrën e Madhe!”
Po ja që pati dhe s’e ka më edhe kuriozitetin dhe përjashtimin më të madh në botë: Muzeun Ateist. Muzeun e vetëm nga gjithë muzetë e botës...






