Hakmarrja e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë së mundur



"Është më njerëzore të rrëmbehen me forcë nga shtëpitë e tyre plakat dhe fëmijët për t'i bërë të vdesin larg atdheut sesa të vrasësh hebrenj nëpër kampe përqendrimi".
Qenë midis 13 dhe 15 milionëve gjermanët e përzënë nga territoret lindore të Rajhut në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky eksod dramatik dhe mijëra krime kundër popullsive civile me të cilat u njollos Ushtria e Kuqe, janë objekti i një kërkimi pasionant të historianit Guido Knopp.
Në tetor të vitit 1945 filozofi Bertrand Russell shkruante tek "Times': "Në Europën Lindore aleatët tanë po procedojnë me depërtime masive në kuadër të një situate të paprecedent. Në mënyrë të dukshme jemi në prani të një tentative të qëllimshme për të shfarosur miliona gjermanë, jo me gaz, por duke u marrë atyre banesat dhe ushqimet, për t'i bërë që ta humbin jetën nga vdekja e ngadalshme dhe e tmerrshme e urisë. [...] Është ndoshta më njerëzore të rrëmbehen nga shtëpitë e tyre plakat dhe fëmijët për t'i bërë të vdesin larg nga vendlindjet e tyre sesa të mbysësh hebrenj në dhomat e gazit?".
Thirrja e alarmit arrinte e vonuar, pasi në atë datë përzënia e popullsive gjermane që banonin territoret lindore të Gjermanisë përpara lufte praktikisht kishte arritur në përfundim. Nën goditjet e Ushtrisë së Kuqe, në harkun e shkurtër kohor të disa muajve gjermanët nga shtypës qenë transformuar në të shtypur. Viktima sakrifikuese të një dënimi absurd shpagimi, të një ligji talioni që i transformoi ushtarët rusë (por edhe partizanët çekë e polakë) në "hakmarrës" të pamëshirshëm nga sa u ishte dashur të pësonin gjatë pushtimit nazist të vendit të tyre.
Shifrat janë akoma sot kontradiktore, por po të duash t'i sintetizosh flasin për 13-15 milionë qytetarë të Rajhut të shkëputur nga territoret e Silezisë, të Prusisë Lindore dhe të Sudeteve midis vjeshtës së vitit 1944 dhe muajve të parë të vitit 1945, 2 milionë prej të cilëve të vrarë gjatë fazave tragjike të përzënies. Këtyre të dhënave pastaj u shtohet rreth 1 milion të depërtuar në periferitë e largëta të Bashkimit Sovjetik.
Për këtë odise të pafundme dihej pak apo asgjë. Ndërsa libra të panumërt investigojnë çdo vit ndodhitë e Rajhut të Tretë në anët e saj më të plota, nga figurat e klasës drejtuese, tek politika e konsensusit, tek shfarosja e hebrenjve, zërat për këtë përzënie janë mbajtur për një kohë të gjatë në heshtje.
Më së fundi e mbush këtë boshllëk një vëllim i Guido Knopp, historian gjerman ndër njohësit më të mëdhenj të ndodhive të nazizmit. Dhe bën këtë gjë në polemikë me atë që akoma sot e konsideron argumentin delikat dhe provokator. "Aty-këtu, shpjegon ai në hyrje, ngrihen akoma zëra që do të donin t'u kontestonin gjermanëve të drejtën për të evokuar vuajtjet e tyre: sepse ka qenë Hitleri ai që ka filluar luftën, sepse holokausti ka qenë një krim i kryer nga gjermanët. Megjithatë, unë mendoj se një qëndrim mendor i ngjashëm është arrogant dhe i padrejtë. Të rimendosh me trishtim për ata që vdiqën në dimrin e '45-ës gjatë rrugëve të akullta të Prusisë Lindore apo që u mbytën me anijet e tyre në Detin Balltik, të kujtosh ata që u depërtuan në Siberi si njerëz me punë të detyruar dhe që shumë u shuan gjatë eksodit të detyruar, nuk ka të bëjë aspak me revizionizmin, relativizmin apo deri me kompensimin. Aftësia për të rimenduar me trishtim procedon me hap të njëjtë me kurajën për të kujtuar. [...] Europa që po rritet nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që të largojë e të harrojë hijet e zeza të sa kaluarës pa i përpunuar siç duhet. Fajet nuk kompensohen, kjo është e vërtetë, por diskutohen në mënyrë të hapur. Sepse pajtimi ka nevojë sidomos për sinqeritet".
Metoda e Knopp është pak akademike, në kuptimin që investigimi i tij nuk i drejtohet një publiku studiuesish të specializuar, por një lexuesi që do të kuptojë dhe që do të dëgjojë dëshmitë e atij që i përjetoi ato personalisht. Është kështu që, pasi ka konsultuar arkiva publike e private dhe grumbulluar një dokumentacion të mrekullueshëm, ai ka zgjedhur që t'i japë hapësirë të gjerë punës "në terren", duke intervistuar protagonistët, dëshmitarët, familjarët dhe trashëgimtarët e tyre.
Dëshmitë e çmuara të mbledhura nga Knopp i japin një kontribut shtesë zhvillimit të rrëfimit. Si kujtimi i një vajze të vogël: "Ime ëmë dhe unë jemi hedhur nga shkallët, rrahur e përdhunuar deri sa kemi humbur ndjenjat [...]. Motra e një shoqeje, e sëmurë nga tifoja dhe e shtrënguar për të qëndruar në shtrat, është vrarë me shtatë të shtëna pistolete. Vetëm pse nuk është ngritur kur ata i kanë ulëritur: "Davaj, davaj!". Donin që të ngrihej menjëherë, por ajo nuk mundej". Siç është thënë tashmë, qenë Prusia Lindore, Silezia dhe Sudetet teatrot e këtyre krimeve. Në qershor të vitit 1944, Grupi Qendër i Vermahtit ishte gjunjëzuar nën presionin sovjetik. Ia kishin paguar haraçin 25 divizione. E çara e madhe e prodhuar ua kishte lënë rusëve rrugën e lirë drejt zemrës së Prusisë. Duke kryer pothuajse 1000 kilometra në pak më shumë se 45 ditë, tanket T-34 i kaluan kufijtë e Rajhut në tetorin e 1944, ku gjetën qytete dhe fshatra akoma të banuara. Gauleiteri Erich Koch, përgjegjës i mbrojtjes së rajonit, kishte zbatuar fjalë për fjalë urdhrin e Hitlerit për të rezistuar deri në njeriun e fundit dhe në një ushtri tashmë në fundin e forcave të saj. "Njerëzit e fundit" qenë ata të inkuadruar në radhët e reparteve Volkssturm, milicisë popullore të përbërë nga pleq të paaftë për luftë dhe djem akoma të rinj sa për t'u inkuadruar në Vermaht. "Domethënë, shpjegon Knopp, u pretendua që një ushtri burrash me flokë të bardha dhe fëmijësh me këpucë të lehta të ndalonin sulmin e ushtrisë më të madhe të historisë".
Shtytja përfundimtare në Prusinë Lindore ndodhi në janar të vitit 1945, por Hitleri nuk i mori parasysh asnjëherë numrat lidhur me superioritetin e ushtrisë sovjetike. Të dhënat që flisnin për një raport forcash prej 20 topash rusë për çdo qytetar gjerman, prej 7 tankesh me një, prej 20 njerëzish me 1 dhe i një superioriteti të frikshëm ajror qenë për të "bllofi më i madh nga kohët e Xhengis Khanit". Gabohej. Midis Balltikut dhe Karpateve rusët kishin rreshtuar një mesatare prej 230 pjesësh artilerie në çdo kilometër front. Armatat e marshallëve Zhukov dhe Koniev numëronin më shumë se 2 milionë njerëz, rreth 6000 tanke dhe 5000 avionë: as duke e vënë së bashku gjithçka mbetej nga ushtria e tij, Hitleri nuk do të kish mundur ta barazonte atë fuqi zjarri të pamasë. Popullsitë gjermane, të cilave tani u ishte vendosur dënimi me vdekje, për të mos braktisur qytetet (ndërsa u hartuan me ngut të madh planet për zbrazjen e kampeve të përqendrimit!), papritmas u ndodhën në vijën e parë. Vetëm kur tashmë përleshjet ndodhnin shtëpi më shtëpi, kolona të pafundme refugjatësh mund të derdheshin në rrugët drejt perëndimit, të shtyra nga tanket ruse që lëshoheshin mbi ta duke i shtypur me zinxhira. Përgjegjësisë së rëndë të autoriteteve civile dhe ushtarake gjermane iu shtua nxitja për plaçkitjen e dhënë nga Stalini njerëzve të tij. Të tradhtuar nga gauleiterët e tyre, popullsitë u larguan nga Heimat-i i tyre shekullor prusian të shtyrë nga çdo njeri i veçantë i Ushtrisë së Kuqe, në mendjet e të cilëve jehonte urdhri i Josif Stalinit: liri dhune mbi gratë gjermane dhe e drejtë për të dërguar në shtëpi një herë në muaj 8 kilogram mall të "shpronësuar". Në fletushkat propagandistike të destinuara për trupat shkrimtari Ijlia Ehrenburg nxiste që të vritej të paktën një gjerman në ditë, pa u shtyrë për të bërë dallime midis ushtarakëve dhe civilëve.
Midis historive të shumta të atyre ditëve njëra spikat në mënyrë të veçantë: tragjedia e mbytjes së Gustloff, anijes dikur krenaria e flotës gjermane. Për nga numri i viktimave qe ndosha katastrofa më e madhe e të gjitha kohëve në historinë e lundrimit (tek ky episod është frymëzuar edhe romani i Gynter Grasit, "Hapi i karkalecit të detit"). Edhe drama e Gustloff futet në ndodhinë e popullsive civile të arratisura nga Prusia. Flukse gjiganteske pleqsh, grash e fëmijësh qenë drejtuar drejt brigjeve të Detit Balltik, ku Admirali Karl Doenitz kishte ngritur nje urë gjiganteske detare drejt porteve të sigurta të Rostokut dhe Lybekut. Midis janarit dhe prillit të vitit 1945 qindra anije ushtarake, tregtare dhe peshkimi bënë rrugën midis bregut të Kurlandisë, ku prisnin refugjatët dhe porteve akoma jo të kontrolluara nga rusët, në një prej operacioneve më mbresëlënës të shpëtimit nëpërmjet detit të historisë, më shumë akoma se ajo e kryer nga anglezët në Dunkerk në vitin 1940. Totalisht u evakuan 2 milionë e gjysëm njerëz. Në operacione vdiqën 33000 njerëz, midis ushtarëve dhe civilëve. Nga këta, 9000 vdiqën në mbytjen e Gustloff, e mbushur me rreth 10000 refugjatë. Natën e 30 janarit 1945 tri silurë të lëshuar nga një nëndetëse sovjetike e kapën mu në mes. Ky është kujtimi i kryemakinistit: "Ata që përfundonin në ujë menjëherë humbisnin ndjenjat dhe vdisnin pothuajse menjëherë. Mbi sipërfaqen e detit kishte kudo kufoma të mbajtura nga kamerdaret e shpëtimit. Nuk kam arritur të kap lëvizje apo ulërima. Nuk kishte më asgjë për të dëgjuar". Një pjesëtare e Trupës Ndihmëse të Grave i përshkroi kështu skenat për t'u ngjitur në varkat e shpëtimit: "Në një moment të caktuar jam gjendur më së fundi e ulur mbi një varkë, në të djathtën time ishte një vajzë e vogël që qante duke thirrur të ëmën. Në të majtë mbledhur kruspull një djalë i ri që më villte në kurriz. Përreth, njerëz që donin të ngjiteshin. Por përgjigjja për të gjithë ishte: 'Varka është plot'. I godisnim ato me lopata nëpër duar derikur ta lëshonin varkën". Nga ujërat e akullta shpëtuan një çikë më pak se 1000 vetë. Vdiqën pothuajse 5000 fëmijë.
Ndërsa ndodhte e gjitha kjo, në frontin silezian kryheshin tragjedi të tjera. Silezia, që përpara lufte me 5 milionë banorët e saj ishte rajoni lindor më i populluar i Gjermanisë, në periudhat e fundit të konfliktit, domethënë dhe pas shkatërrimit te qendra prodhuese të Ruhrit, ishte shndërruar në motorin industrial të Rajhut. Prej largësisë nga fronti, kryeqyteti Breslavia (sot Vroclav) konsiderohej praktikisht jo i sulmueshëm nga bombardimet ajrore. Dhe është për këtë motiv që atje kishin gjetur strehim refugjatë të shumtë, të cilët, megjithatë, nuk e dinin se Hitleri kishte vendosur që qyteti duhej të transformohej në një kështjellë në kuptimin e vërtetë të fjalës për të penguar marshimin sovjetik drejt Berlinit. Gauleiteri Karl Hanke refuzoi që ta evakuonte në mënyrë të vrullshme popullsinë dhe kur rusët e mbyllën qytetin në një si darë tashmë ishte shumë vonë. Fati për kë u ndodh në brendësi të tij qe martirizimi. Vetëm pak arritën që të largohen. Në një shpërthim urtësie, Hanke në fakt pranoi largimin e grave dhe fëmijëve. Por tashmë ishte kulmi i dimrit dhe nuk ishte e disponueshme asnjë mbështetje logjistike. "Marshimi i vdekjes i nënave të Breslavias", të nisura më këmbë drejt perëndimit ndërsa fillonte një furtunë dëbore dhe temperatura cekte 20 gradët nën zero, i kushtoi jetën 18000 civilëve, të vdekur nga të ftohtit apo të masakruar nga rusët që ndalonin këdo që të dilte nga rrethimi. Pleqtë dhe kalamajtë e mbetur në "kështjellë" u inkuadruan në repartet Volkssturm dhe për muaj të tërë Ushtria e Kuqe u lodh që ta mundte kundërshtarin. Një i ri i atëhershëm kujton: "Nga të gjithë shokët e mi të klasës, pas lufte kishin mbetur gjallë vetëm dy: njëri që punonte në fshat dhe unë. Të tjerët janë dërguar të gjithë për të vdekur në barrikada". Por më shumë se artileritë ruse, që rrafshuan të gjithë qytetin, me përjashtim të Bashkisë së vjetër, qe rezistenca fanatike e Hanke ajo që e bëri gërmadhë Breslavinë. Dorëzimi i të rrethuarve ndodhi vetëm një javë pas vdekjes së Hitlerit. Komandantët rusë të hyrë në qytet u thanë njerëzve të tyre se për tri ditë mund t'i konsideronin gjermanët si "egërsira" në dispozicionin e tyre.
Në maj të vitit 1945, me luftën e sapopërfunduar, regjimi i terrorit i vendosur nga trupat sovjetike në Silezi nuk dha shenja qetësimi. Përkundrazi, nga instrument lufte, u transformua në element presioni politik për të përzënë numrin më të madh të gjermanëve nga Heimat-i i tyre. Dhe Konferenca e Potsdamit, e përfunduar në gushtin e 1945, e miratoi faktin e kryer. Aspak nuk shërbyen objeksionet pak të bindura britanike. Nota përfundimtare e konferencës lexonte kështu: "Të tri qeveritë pranojnë se duhet proceduar me transferimin e popullsisë gjermane apo pjesëve të saj që kanë mbetur në Poloni drejt Gjermanisë. Veç kësaj, ranë dakord mbi faktin se secili prej këtyre transferimeve duhet të ndodhë në formë të rregullt dhe njerëzore". Në thelb, bëhej fjalë për të plotësuar punën e përzënies të nisur tashmë në muajt e fundit të luftës. Dhe policia polake, e mbështetur nga fitimtarët rusë, u ndje e legjitimuar që të vazhdonte në gjuetinë e gjermanëve. Kampet e përqendrimit më parë të zëna nga hebrenjtë u mbushën me civilë "arianë". U procedua me evakuime të detyruara: refugjatët duhet t'i përmbaheshin evakuimit në harkun e 24 orëve duke mbajtur me vete një valixhe të vetme. Dhe gjatë rrugës drejt perëndimit, në këmbë ose me trena në vagonat e bagëtive, shpurat e refugjatëve sistematikisht plaçkiteshin nga partizanët polakë apo nga milici grumbulluese. Dëshmoi në ato ditë një e përditshme zvicerane: "Përtej linjës Oder-Neisse fillon toka pa siguri, toka pa ligj, toka e njerëzve të cilët gjuhen sikur të jenë bisha".
Pothuajse një vit nga mbarimi i luftës, në mars të vitit 1946, Winston Churchill, jo më Kryeministër dhe tashmë i vetëdijshëm se ishte mashtruar nga Stalini, shkruante: "E nxitur nga rusët, qeveria polake është inkurajuar që të kryejë shkelje dhe paligjshmëri shumë të mëdha në dëm të Gjermanisë dhe aktualisht, në përmasa të paimagjinueshme, po verifikohen përzënie masive të gjermanëve". Edhe në rajonin e Sudeteve, i aneksuar Rajhut me marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938, u prek nga një spastrim në shkallë të gjerë. "Kur më 5 maj të 1945 çekët u ngritën në Pragë kundër forcave gjermane të pushtimit, shpjegon Knopp, nuk bënë dallime midis ushtarakëve, nëpunësve dhe qytetarëve paqësorë. Kush u njoh si gjerman nga kryengritësit u tërhoq zvarrë nëpër kamionë, me forcën e shkopinjve dhe u internua në shkolla, salla kinemaje apo kazerma. Pak më vonë gjermanët prej andej u dërguan në fshatra me punë të detyruar ose u mbyllën nëpër kampet që ndërkohë qenë evakuuar prej atyre të burgosur nga autoritetet gjermane, ku nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të prisnin përzënien. Fakti nëse bëhej fjalë për funksionarë të partisë naziste, për refugjatë nga Silezia apo për njerëz familjet e të cilëve jetonin në Pragë prej shumë brezash, rezultoi krejtësisht joinfluent". Në Çekosllovaki gjermanëve iu imponua që të mbanin nga byzylyk të bardhë apo një copë stofi të qepur në gjoks me germën N e fjalës Nemec, "gjerman". Praga - bashkë me të edhe lokalitete të panumërta - qenë teatro histerish dhe hakmarrjesh: gra të përdhunuara, pleq të rrahur, fëmijë të hedhur në Moldavë. Në demonstrim të faktit se sa urrejtje kish tërhequr mbi vete ish-pushtuesit ia vlen shembulli i qytetit Aussig. Këtu, në korrik të vitit 1945 shpërtheu një depo municionesh. U dyshua se ishte sabotimi i një rrjeti rezistence nazist fantazim. Në harkun e një ore një turmë e egërsuar u lëshua mbi një kolonë qytetarësh gjermanë që po ktheheshin nga puna e detyruar. Vranë më shumë se 200 vetë.
Përpara spastrimit etnik sovjetikët vendosën që të tërhiqeshin. Në fakt, nuk kishte aspak nevojë që të jepeshin urdhra të mëtejshme. Objektivi ishte që të spostoheshin sa më shumë të ishte e mundur kufijtë lindorë të Gjermanisë drejt perëndimit dhe qeveria e përkohshme çekosllovake, e kryesuar nga Edvard Beneš, nuk kishte nevojë për sugjerues. Praga kishte vendosur që ta ndalonte Gjermaninë "nga abuzimi edhe në të ardhmen e minorancave kombëtare të saj për qëllime pangjermanike". Kështu, Beneš u autorizua nga qeveria ruse dhe nga ajo amerikane që ta reduktonte në masën më të madhe të mundur numrin e gjermanëve në Çekosllovaki. "As edhe një fshatar i vetëm gjerman nuk duhet të ketë më një metër katror tokë nën këmbët e tij", i deklaroi në një diskutim të zjarrtë bashkëkombasve të tij. Në Sudete u arrit që të rrafshoheshin disa fshatra, ndërsa shpronësimi pa kriter (natyrisht, pa shpërblim) i të gjitha pronave të gjermanëve të Çekosllovakisë i shtyu edhe më kokëfortët që ta braktisnin vendin.
Një kapitull më vete do të meritonte diskutimi mbi viktimat e kësaj tragjedie, fëmijët dhe gratë. Knopp kujton shumë herë tërbimin barbar e ngjallur nga fjalët e Ijlia Ehrenburg: "Vrisni! Nuk ka asnjë të pafajshëm midis gjermanëve, as midis atyre që akoma jetojnë, as midis atyre që nuk kanë lindur akoma! [...] Copëtojeni me shumë forcë mendjemadhësinë e grave gjermanike! Merrini si prenë tuaj legjitime!". Dhe akoma: "Gratë gjermane do të mallkojnë minutën në të cilën kanë nxjerrë në botë fëmijët e tyre gjakatarë. Ne nuk do t'i përdhunojmë, ne nuk do t'i mallkojmë. Ne do t'i vrasim". Mijëra fëmij gjermanë, të ndarë nga nënat, filluan që të nisen drejt Lituanisë, duke vagabonduar apo duke u fshehur nëpër pyje. I quajtën "fëmijët e ujqërve", harruan gjermanishten dhe disa prej tyre sot po kërkojnë që të rindërtojnë ndodhitë e familjeve të tyre. Të tjerë u depërtuan në stepat e Kazakistanit apo në Siberi. Janë fëmijtë e humbur të shekullit XX. Përveç milionave të kapur, edhe shumë civilë u depërtuan në regjime skllavërie në Bashkimin Sovjetik. Në origjinën e vendimit të një urdhri famëkeq të Stalinit, atij me Nr.7161 të dhjetorit 1944, që ngarkonte NKVD-në të kërkonte "të gjithë gjermanët e aftë - meshkujt nga 17 deri në 45 vjeç, gratë nga 18 deri në 30 vjeç - për t'i caktuar në punë në Bashkimin Sovjetik". Në muajt konfuzë pas mbarimit të konfliktit, rusë detyronin burra e gra që të nënshkruanin verbalë në të cilat, për të riparuar krimet e kryera nga Hitleri, pranonin depërtimin. Prej tyre vetëm 5 përqind u kthye.
Një e dhënë e fundit. Pothuajse asnjë gjermanolindore nuk i mbijetoi e paprekur furisë shkatërrimtare të muajve të fundit të luftës dhe atyre, njëlloj të errëta, të hakmarrjes. Dhe sot të mbijetuarit, tashmë të dorëzuar për humbjen e Heimat-it, kërkojnë një gjë të vetme: "Që t'u jepet e drejtë, që të dëgjohen kur tregojnë fatkeqësitë e tyre. Duan që të mund të ndjehen edhe ata viktima të asaj lufte të mallkuar".
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Related Posts: