Evertoni i fortë për Cityn

Trajneri i Cityt, Roberto Mancini. Manchester City është mposhtur para tifozëve të vet nga Evertoni me rezultat 2-0 duke rrezikuar maksimalisht pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Takimi ishte dinamik që nga fillimi dhe skuadrat bënin luftë të pakompromis në mesfushë. Përkundër posedimit të lartë të topit dhe rasteve të shumta, City nuk arriti të triumfojë dot në fund.
Kapitullimi i vendasve nga Mançesteri u vulos herët, pas golit të Cahill që doli të jetë vendimtar për vazhdimësinë e takimit (33’). Mikel Arteta vendosi rezultatin përfundimtar për 2-0 dhe fundosjen e Cityt (85’).
Manchester City me këtë humbje ia vështirëson vetes punët për vendin e katërt, pasi që gjendet dy pikë prapa Tottenhamit që mban atë pozitë.
Sunderlandi në anën tjetër arriti të nxjerrë një barazim shumë të vlefshëm 1-1 ndaj Aston Villës në Villa Park.