“Camaj, i paragjykuar prej gegërishtes”

Në 85-vjetorin e lindjes, studiuesi Behar Gjoka sjell si një botim më vete, titulluar “Rikthimi i Martin Camajt”, analizën e tekstit dhe formave letrare të shkrimtarit. Përvjetori i shkrimtarit pritet të kujtohet në konferenca shkencore brenda Shqipërisë dhe me një projekt për botimin e plotë të veprës letrare nga dega e Albanologjisë në Munih
Në cilësinë e studiuesit të letërsisë, Behar Gjoka, ka disa vite që merret me Martin Camajn. Analiza e teksteve dhe formave letrare që ai lëvroi, eksperimentet e një krijuesi që punën e kreu larg Shqipërisë, janë argumentet kryesore të një libri që sapo është dërguar në shtyp. “Rikthimi i Martin Camajt” vjen pikërisht në vitin e përvjetorit të shkrimtarit. Në korrik të këtij viti, nëse do të ishte ende gjallë do të duhej të festonte 85-vjetorin e lindjes. Parimisht është folur se në Tiranë do të organizohen konferenca shkencore në kujtim të Camajt. Nga ana tjetër, si një iniciativë e mëvetësishme, dega e Albanologjisë në Uni Munih në bashkëpunim me shoqatën kulturore "Martin Camaj" në Lenggries ka ndërmarrë dy projekte botimi. Bardhyl Demiraj, drejtues i degës së Albanologjisë, ku në gjallje Martin Camaj ka dhënë kontributin e tij të madh, bën me dije se në shtyp është dërguar një vëllim përkujtimor shkencor me kontribute nga albanologë të vendeve të ndryshme të Europës dhe SHBA-ve, ndërsa një tjetër projekt që pritet të marrë formë, është botimi i plotë i veprës letrare në 10 vëllime. Vëllimet e para mendohet që do të jenë në tregun shqiptar që në maj të këtij viti, për të marrë formën e plotë në prag të Panairit të Librit. Sipas Gjokës, mbetet për t’u shpresuar që ky përvjetor të mos jetë vetëm një akt homazhi, por një nxitje për të nisur botimi i plotë, leximi dhe pranimi i Camajt shkrimtar.

Ju sapo keni dërguar në shtyp librin kushtuar Martin Camajt. Në ç’këndvështrim i qaseni ju kësaj figure?

Libri titullohet “Rikthimi i Martin Camajt”, kuptohet i teksteve dhe shenjave letrare që ato bartin se vetë shkrimtari qysh me ikjen në vitin 1948, nuk e pa më dheun e të parëve. Shpresojmë që së paku të hapet udha për veprat e tij. Edhe ndaj Camajt, ashtu si me autorët e tjerë të letërsisë shqipe, qasja është në këndvështrimin e analizës së teksteve dhe të formave të ndryshme letrare që ai i lëvroi me kaq sukses dhe si një sprovë letrare e përfunduar. Janë marrë në shqyrtim tekste me poezi, një pjesë e krijimtarisë së tij e pranuar edhe nga studimet e shqipes, por edhe prozën, që përgjithësisht nuk është zbërthyer dhe vlerësuar sa duhet, si dhe dramatikja e autorit, pothuajse e harruar, ndërsa shqyrtimet gjuhësore vetëm sa janë përmendur, sepse në fokus kam pasur letraren dhe vlerat që ajo përcjell.

Ndonëse kanë kaluar disa vjet, Camaj mbetet ende shumë pak i pranuar. Cila është arsyeja sipas jush?
Kanë kaluar njëzet vjet nga viti ’90, një vit që zgjoi jo pak shpresa edhe për vlerësimin dhe rivlerësimin e autorëve dhe teksteve të tyre, padyshim edhe të Martin Camajt, të poezisë, prozës, dramës, shqyrtimeve gjuhësore dhe letrare, por krahasuar me nevojën dhe mundësitë, mendoj se është bërë pak. Në rastin e Camajt nuk ka vetëm një arsye, por do të veçoja një kryearsye, që është shkrimi i tij në variantin e gegërishtes, por edhe me jo pak fjalë nga arbërishtja, si një mënyrë shprehje e ndaluar qysh me kongresin e drejtshkrimit në vitin 1972. Një arsye tjetër, jo më pak e pranishme në qëndrimin ndaj Camajt (teksteve të tij letrare), është fakti se ai në shumicën e teksteve ka eksperimentuar, ka kërkuar dhe sendërtuar tekste që më së shumti i përkasin ligjërimit modern. Po, ashtu, ndaj tij ka pasur edhe një qëndrim specifik, prej studimeve shqiptare, madje edhe nga ndonjë akademik ai paraqitet si shkrimtar i së kaluarës. Pra Camaj, duket si jashtë kohe, jashtë hapësire, jashtë rrjedhave të letrave shqipe, me synimin e pashpallur për ta lënë jashtë panteonit të letrave shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, por në fakt duke e lënë jashtë, vetëm sa thellojmë mungesat e shumta që ka letërsia shqipe.

Mendoni se ka një heshtje institucionale në këtë drejtim?

Prej viteve ’90 ka ndonjë institucion që është kujtuar për autorin dhe tekstet e tij. Në vitin 1996, Ministria e Kulturës ka mbështetur botimin e shumicës së veprave të Camajt. Është futur në programet e shkollave të mesme dhe të larta. Por me shkrimtarin dhe tekstet e tij, institucionet e shqyrtimit dhe të vlerësimit të shenjave dhe vlerave të tij, kanë një heshtje të dyfishtë: heshtja e tipit të leximit të leximeve të palexuara, për shkak të shkrimit të variantit të gegërishtes, pra një heshtim i arsyeshëm, natyrisht sipas optikës zyrtare të ligjërimit të letërsisë me standardin e njësuar, heshtja duke folur, sepse ka përpjekje për të mërguar nga koha moderne, pra nga bashkëkohësia të cilës i përket më së shumti si tekst dhe formësim letrar.

Fakti që Camaj krijoi jashtë vendit bën që një pjesë e veprës së tij të mos ketë mbërritur te lexuesi shqiptar. Cilin dimension të Camajt nuk njohim?
Një pjesë e krijimtarisë poetike të Camajt, përkatësisht dy librat e parë janë njohur dhe lexuar nga lexuesi shqiptar i Kosovës, që i përkasin kohës kur ai jetonte në Prishtinë, ndërsa deri në vitet ’90, në Shqipëri, pra lexuesi shqiptar i kësaj ane nuk i dinte as emrin. Lexuesi shqiptar nuk ka rënë në kontakt me tekstet e tij të shumta jo thjesht prej faktit sepse krijoi jashtë, porse së brendshmi u bënë përpjekje të shumta, për t’ia fshirë emrin dhe krijimtarinë e larmishme letrare. Mendoj se jemi në fillesat e leximit dhe pranimit të kësaj dukurie letrare, e cila duhet perceptuar si e tillë prej shkrimit të pashkëputshëm të variantit të gegërishtes, të ligjërimit të të tri gjinive, të shumicës së llojeve letrare, të lëvrimit të letrares si eksperiment i pashkëputur, si dhe të materializimit të një letërsie që vendos ura komunikimi të letërsisë shqipe me letraren e kontinentit, si një rast i koherencës së ligjërimit të letërsisë moderne. Tekste të tilla në poezi si: Nema, Buelli, Palimpsest, në tekstet e sinkretikës letrare si Djella dhe Dranja, po ashtu edhe romani fantastik “Karpa”, materie artistike ku eksperimenti shënon majën e vet, janë shenja letrare që i kapërcejnë sinoret e letrave shqipe.

Sivjet shënohet 85-vjetori i lindjes së Camajt. Për çfarë duhet të shërbente ky përvjetor?

Shpresoj dhe do të dëshiroja që ky përvjetor të mos jetë vetëm akt homazhi, me ndonjë veprimtari të zakonshme përkujtimore, ku referohet pafundësisht për arsyet e mosarsyeve të ndalimit, pra të vështrimit heroik dhe biografik, të sprovave të leximit të kumtesave, kujtuese dhe përkujtuese, ku të shpalosen flamujt e shpëtimtarëve të kulturës dhe të shkrimtarëve, disidentë dhe të përzënë. Camaj dhe vepra e tij është ndryshe, nuk është e rëndomtë që të guxojmë ta përkujtojmë me mediokritetin e përhershëm, me vagullinë se po ia kthejmë borxhin që i kemi. Le të botohet i plotë, le të nisë leximi dhe pranimi i tij, le të hapim mendjen se letërsia nuk shkruhet me porosi dhe me norma, le ta hapim qiellin vetëm një çast për Camajn, se pastaj na hyn në shpirt dhe nuk na braktis asnjëherë...

(Shqip)


Related Posts: