“Murtaja” e Camus, qe “Murtaja” jonë

Mira Meksi


Guri Filozofal

Homazh për Albert Camus në 50-vjetorin e vdekjes

Për ne, studentët e frëngjishtes të Fakultetit Filologjik të Tiranës, Albert Camus-ja ishte zyrtarisht shkrimtari i absurdit (nuk më kujtohet të përmendej çmimi “Nobel”), dhe në biografinë e tij rreshtoheshin thatë emrat e veprave: I Huaji, Miti i Sizifit, Kaligula-ja, Murtaja, Njeriu i revoltuar, Rënia. Asnjë nga veprat e tij nuk na lejohej ta lexonim, ndonëse, pothuaj të tëra gjendeshin në Lectorat, -- biblioteka e librit në frëngjisht në fakultetin tonë, - dhe gjithçka për veprën e tij merrej nëpërmjet leksioneve çyryke që pothuaj nuk thoshin asgjë thelbësore për të, e që na duhej t’i mësonim veç përmendësh, për t’i thënë. Në vitin e dytë të fakultetit, libri i tij Murtaja, na ra si nga qielli, - vinte nga biblioteka private e familjes Kokona (i vëllai i profesorit tonë të përkthimit, Vedatit, Nedim Kokona, një njeri i mençur dhe shumë i kulturuar, i cili, pas viteve që kish kaluar në burgun komunist, jetonte si i veçuar nga bota, në apartamentin e tij pranë Kafe Florës në Rrugën e Durrësit, ia kish dhënë librin në mirëbesim dhe për pak ditë një shokut tonë). Arritëm ta kopjonim librin në një javë, duke mbushur dy fletore shkollari me vija, nga ato që kishin 32 fletë; shkrimi brenda tyre ndryshonte shumë (ishin mbi 5-6 lloje shkrimesh) dhe hera-herës bëhej i palexueshëm, sidomos kur nga stilolapsi blu, kalonte në të blertë apo edhe të kuqe, pas gërvimave në letër shkaktuar nga mbarimi i bojës, - porse e kaluam të gjithë dorë më dorë dhe, ndoshta, qe libri që më tepër e shenjoi jetën tonë atyre viteve, pse e patëm mendjen top që vuanim po të njëjtin fat murtaje, brenda izolimit tonë monumental dhe absurd komunisto-socialist, si ai i Oran-it, qytetit të romanit. Pata mundësinë luksoze të lexoja vetë librin, brenda një nate, dhe ende mbaj në kujtesë figurën e kopertinës së tij mbresëlënëse: një qytet me trajta fantazme në Algjeri, mbështjellë nga mjegullina e kaltër dhe aty ku shkrihej qielli me ngrehinat, blana të një të verdhe të helmët si prej vdekjeje… Romani me pak fjalë:

Në Oran, minjtë ngordhin rrugëve me qindra. Murtaja, simboli i së keqes, i dënon njerëzit me ndarje, me vetmi dhe me vdekje. Përballë gjëmës, disa arratisen me të katra, të tjerë veç i shmangen, me mendje se as u përket dhe as i prek, por ka dhe nga ata që i bëjnë rezistencë, siç është doktor Rieux, i cili është edhe kronikani i këtyre ngjarjeve tragjike. Murtaja është një epidemi e llahtarshme, por edhe një flamë shpirti. Ajo është një alegori e absurdit, ndaj të cilit, çdo fitore është e përkohshme, pasi bacili i Murtajës, i së Keqes nuk vdes kurrë dhe se një ditë mund të rishfaqet…

Për çudi, filozofia që na frymëzoi libri i Camus-ë, bisedat e fshehta dhe të koduara për të cilin vazhduan shumë kohë dhe na morën shumë orë mbrëmjeve, qe krejt e kundërta e asaj të autorit. Kuptonim dhe ndjenim se gjendeshim, në të vërtetë, përpara absurdit të një fati të tillë murtaje, porse qe fati ynë, ishte fakt, sado absurd të dukej, njëlloj siç mund të qe fati i çdo kombi në botë në një periudhë të çfarëdoshme të historisë së tij; porse kurrsesi nuk pranonim (me optimizmin tonë adoleshent) që me t’u shporrur murtaja jonë (sepse do të shporrej patjetër një ditë), e Keqja, do të mund të shfaqej kur e kur, vetëm për hir të natyrës së saj të pavdekshme, të fshehtë dhe tinëzare. Ne, a të tjerë pas nesh, besonim, do të qenë në gjendje të mos ta lejonin këtë; ishim të paralajmëruar (kjo edhe në sajë të romanit të Camus-ë): kishim zgjedhur rezistencën. Murtaja e Camus-ë, larg çdo parashikimi, u bë për ne jo vetëm një libër identifikues, por edhe një libër shprese…

Pesëdhjetë vjet pas vdekjes tragjike në një aksident makine (1960) të shkrimtarit të madh francez, fitues i çmimit “Nobel” më 1957, Albert Camus, fama e autorit të librit i Huaji, nuk ka reshtur ende. Edhe sot e kësaj dite ai mbetet një fenomen botimi. Romane, ese, drama, Camus-ja ka zhvilluar një gamë shumë të gjerë zhanresh krijuese, për të shpallur më mirë mendimin e tij të absurdit. Sa për idetë e tij politike, rrjedhojë e ndjenjës së absurdit, ato shprehin mospajtimin dhe kundërshtinë ndaj totalitarizmit dhe nevojën për revoltë. Breza të tërë adoleshentësh kanë mbetur të turbulluar në thelb të shpirtit nga goditja në shenjë e fillimit të librit të tij Miti i Sizifit: “Ka vetëm një problem filozofik serioz: vetëvrasja”. Ndonëse Camus-ja e shpallte veten më tepër si artist se filozof, ai nuk mbahet si krijues formash. Në lidhje me librin e tij Rënia, thotë: “Formën ia përshtata subjektit, kjo është e tëra”. Në të vërtetë, ai kërkon stilin më të vështirë që mund të bëhet, për veprat e tij, atë që i nënshtrohet tërësisht objektit. Ai është autori që ka shkruar çdo roman me një stil të ndryshëm gjithë sa herë: thjeshtësi tek i Huaji, virtuozitet te Rënia, lirizëm te Njeriu i parë…pohon vetë Camus-ja në Fletoret e tij.

Më 10 dhjetor 1957, ditën e përvjetorit të vdekjes së Alfred Nobelit, u gjend në Stokholm, në Pallatin e Koncerteve, ku së bashku me laureatë të tjerë, mori nga dora e mbretit të Suedisë, Gustavit VI, diplomën prestigjioze të çmimit të madh. Kur erdhi koha të shprehte mirënjohjen, tha ndër të tjera:

“Roli i shkrimtarit nuk ndahet nga detyrat e vështira. Ai nuk mund të vihet sot në shërbim të atyre që bëjnë historinë: ai është në shërbim të atyre që e pësojnë. Në mos, ka për të qenë i privuar nga arti i tij. Tërë ushtritë e tiranisë, me miliona njerëzit që kanë, nuk mund ta nxjerrin dot nga vetmia, nëse shkrimtari bashkohet me hapin e tyre. Porse heshtja e një të burgosuri të panjohur, braktisur në poshtërim në anën tjetër të botës, mjafton për ta nxjerrë shkrimtarin nga syrgjyni, sa herë, të paktën, ai arrin, që në mes të privilegjeve të lirisë, të mos e harrojë këtë heshtje dhe ta bëjë të buçasë me mjetet e artit të tij. Askush prej nesh nuk është aq i madh për një të tillë vokacion. Por, në tërë rrethanat e jetës së tij, të errët, apo të famshme për momentin, hedhur në vargonjtë e robërisë apo i lirë të shprehet për një farë kohe, shkrimtari mund të rigjejë ndjenjën e një bashkësie të gjallë që do ta justifikojë, me kushtin e vetëm që ai të pranojë, aq sa të mundet, dy detyrat që përbëjnë madhështinë e mjeshtërisë së tij: shërbesën ndaj së vërtetës dhe ndaj lirisë. Meqenëse vokacioni i tij është të mbledhë sa më tepër njerëz që të jetë e mundur, ai nuk mund të pajtohet me gënjeshtrën dhe robërinë, që atje ku mbretërojnë, bëjnë që të gëlojë vetmia. Cilat do qofshin dobësitë tona personale, fisnikëria e mjeshtërisë sonë duhet të rrënjëzohet përherë në dy angazhime të vështira për t’u mbajtur: mospranimi i gënjeshtrës për gjërat që di, dhe rezistenca ndaj shtypjes”.

Së fundmi po flitet për vendosjen e Camus-ë në Pantheon, aty ku prehen të mëdhenjtë e Francës; në revistën Lire, në editorialin e saj, François Busnel shkruan: “Camus-ja në Pantheon? E përse jo… Por sa shkrimtarë gjenden aty për arsye që vlen, e vetmja që do të justifikonte turbullimin e gjumit të tyre të përjetshëm, - e kam fjalën për veprën e tyre? Pantheon-i është morg, Volteri mërzitet krah Zola-së, Hugo-it, Dumas-ë apo Malraux-së. Shumica e këtyre shkrimtarëve “u transferuan” (oh fjalë e ligë) drejt këtij varri të akullt për arsye politike dhe jo letrare. Përse i duhen vjedhur Camus-ë dafinat e Loumarin-it, era e Mesdheut, atje ku prehet? Atëherë Camus-ja në Pantheon? Sigurisht, për madhështinë e stilit dhe temperamentit të tij, për gjeninë e tij. Camus-ja mbronte lirinë, kritikonte komunizmin, kapitalizmin dhe kolonializmin, torturën dhe dënimin me vdekje, nuk kursente asnjë lloj konformizmi në të cilin shoqëria vdes… Por, mbi të gjitha, Camus-ja nuk qe shkrimtar i angazhuar. “Kundër letërsisë së angazhuar. Njeriu s’është veçse shoqërorja. Të paktën vdekja e vet i përket”, shkruan ai në Fletoret e tij. Porse Pantheoni i vërtetë për Camus është vepra e tij. Dhe para së gjithash, ai i lexuesve.