Përse shumë gra duan të martohen me futbollistë
Së fundmi, shumë skandale kanë përfshirë botën e futbollit. Bëhet fjalë për skandale seksuale, që kanë diskredituar edhe ata kampionë të cilët janë adhuruar e konsideruar idhuj. E megjithatë ëndrra e madhe e disa femrave është që në jetën e tyre të martohen me futbollistë
Një “biznes” i tillë u mundëson një jetë mes luksit, paparacëve, pra një jetë krejt ndryshe nga ajo e një vajze apo gruaje të zakonshme. Por a është vallë kjo zgjidhja e duhur dhe fundi i problemeve për to? Dëgjojeni këtë histori. Një vajzë e bukur e shkollës së mesme është shumë e dëshiruar nga djemtë. Ajo është e bukur, tërheqëse, por ka një ide fikse në kokë dhe nuk gjen derman derisa ta realizojë. Vajza i ka vënë vetes një qëllim: të bëhet grua futbollisti. Për një vajzë të tillë nuk është e vështirë që të arrijë të futet e të bëhet pjesë e disa rretheve, mbrëmjet e të cilave frekuentohen edhe nga futbollistët. Mjaft të shprehë një dëshirë të tillë dhe ndonjë mbrëmje, një makinë do të vijë për ta marrë e për ta çuar në një festë. Aty pastaj mund të nisë një histori “suksesi” ose “dështimi”, por ka edhe nga ato që nuk ndalen as para dështimeve dhe me ngulmim vazhdojnë të provojnë e të provojnë derisa të gjejnë një futbollist, ndoshta jo të serisë së parë, me të cilin të mund të mbeten me barrë. Nëse një gjë e tillë arrihet pas një mundimi të madh e një këmbënguljeje të admiruar, atëherë jeta është e sigurt. Shpesh vajza pajiset me një “Golden card” dhe mund të shkojë e të bëjë pazar në dyqane të cilave më parë nuk ka mundur as t’u afrohet. Kjo në fakt nuk është historia e një vajze të vetme, por e një kategorie vajzash që qëndrojnë dhe “punojnë” për t’u bërë gra futbollistësh, për t’i dhënë jetës së tyre një shkëlqim, që në fakt nuk është aq i shndritshëm sa duket nga jashtë. Dhe këtë, më mirë se bashkëshortja e kapitenit të skuadrës kombëtare të Anglisë, John Terry, Toni Terri, apo gra të tjera, askush nuk mund ta dijë. Muajt e fundit kanë dalë në shesh një sërë skandalesh seksuale që kanë përfshirë shumë futbollistë të skuadrës britanike, duke nisur me marrëdhënien jashtëmartesore të Terry-t me Vanessa Perroncel, ish-partnerja e një tjetër futbollisti të Kombëtares, Wayne Bridge. Sigurisht që futbollistët aty ku kanë mundësi i mohojnë akuzat, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Ajo që bie në sy në shumë raste është fakti se ashtu sikurse vajzat e bukura nuk u rezistojnë dot futbollistëve të pasur, edhe anasjelltas futbollistët e pasur nuk dinë që t’u thonë jo bukurosheve, edhe kur janë të martuar dhe mund të kenë një tjetër bukuroshe përkrah. Sipas disa sondazheve të bëra në Itali dhe në Britaninë e Madhe, ku tendenca për t’u martuar me futbollistë të pasur është shumë më e madhe se sa në vende të tjera të Europës, del se jo vetëm që shumë vajza duan të kenë lidhje me futbollistë, por njerëzit e zakonshëm më shumë dinë emrat e grave apo të dashurave të futbollistëve, sesa emrat e politikaneve femra. Madje në “Facebook” ka edhe shumë grupime të veçanta dedikuar aspiratës për t’u bërë grua futbollisti. Njëri syresh titullohet “Kur të rritem, dua të bëhem grua futbollisti”, në të cilin jepen këshilla, madje edhe mundësi reale për t’u bërë një e tillë, duke e filluar që nga kontaktimi me njerëzit e përshtatshëm që do të të ndihmonin në arritjen e këtij qëllimi. Sipas pronarëve të lokaleve të natës, nëpër pube, sapo fut këmbën ndonjë futbollist, madje edhe nga ata fare të parëndësishmit, vajzat bëhen si të çmendura dhe befas djaloshi e sheh veten në një det vajzash. Por për ta besuar atë që ndodh me të vërtetë, duhet që gjërat t’i shohësh me sytë e tu. Obsesioni për të qenë grua futbollisti, pra për t’ju varur në qafë një mashkulli të pasur, të ri e të famshëm, për të përfituar të gjitha favoret e një jete të lehtë, mund të konsiderohet disi i dalë mode në një botë ku gratë po kërkojnë gjithnjë e më tepër të bëjnë karrierë me forcat e tyre e mbi të gjitha ta fitojnë vetë bukën e gojës, megjithatë ky është një fenomen që nuk po pakësohet, përkundrazi. Sipas disa specialistëve, fajin për këtë në masë të madhe e ka shtypi. Është shtypi që i jep vëmendjen e pamerituar dhe të ekzagjeruar jetës private të personave të caktuar, në këtë rast futbollistëve, e për më tepër grave të tyre. Është shtypi ai që ndërton modele lumturish e shkëlqimesh të rreme, të cilat verbojnë. Ideja e një martese të tillë është e njëjta me atë të shekullit XVIII ose XIX, kur një grua kishte një vlerë të caktuar falë martesës që bënte, apo pozitës dhe pasurisë së bashkëshortit, e jo sepse vetë personalisht ishte një person që kishte merita vetjake. Në rastin e martesave me një futbollist, përgjigjja ndaj pyetjes se cili është shkaku i një martese të tillë, është paraja. Një atraksion dhe tërheqje e tillë, veçanërisht në Britaninë e Madhe, nisi në vitin 1992, me lindjen e Premier League, në të cilën të ardhurat e futbollistëve u rritën jashtëzakonisht shumë, duke i shndërruar këta të fundit brenda nate nga varfanjakë, në pasanikë dhe shumë të dëshiruar nga një kategori e caktuar femrash. Dhe bashkë me këtë ndryshim ndryshoi edhe statusi i të fejuarave, apo grave të tyre, që falë parave nisën të vendosen në qendër të vëmendjes dhe të shndërrohen në subjekte të shtypit rozë. Kulmin gratë dhe të dashurat e futbollistëve të Kombëtares angleze e arritën në Botërorin e vitit 2006, që u zhvillua në Gjermani. Ato iu bashkëngjitën Kombëtares, duke tërhequr më shumë vëmendje se vetë futbollistët, e madje se vetë ndeshjet e kampionatit. Titujt e gazetave u mbushën me lajme për to, për mënyrën se si shëtisnin gjithë krenari nëpër qytete plot pompozitet dhe të shoqëruara nga truproja, se si bënin pazar në vendet më të shtrenjta e sesi dilnin nga dyqanet me çanta nëpër duar, krenare që ishin në atë pozicion, në fakt shumë të fryrë, qesharak dhe të vënë në qendër të vëmendjes në mënyrë të pamerituar. Befas, këto gra që nuk ishin askush, u shndërruan në yje, madje më të rëndësishme se sa vetë politikanët gjermanë, apo politikanët e vendeve të tyre. Nuk kaloi shumë kohë kur ato nisën që të publikonin njëra pas tjetrës biografitë e tyre, që u shitën në sasi marramendëse dhe të jepnin poshtë e lart intervista nëpër shtypin botëror. Merita e vetme e tyre ishte që të futeshin e të dilnin nga pishina me syze dielli shumë të mëdha, ndërsa u fërkonin nëpër shezllonë kurrizin të dashurve me vaj plazhi e duke pirë koktejle të shtrenjtë. Kishte edhe nga ata shkrimtarë e skenaristë që duke përfituar nga fenomeni gjithnjë e më i përhapur i preferencës për të qenë grua futbollisti, e mbi të gjitha i kuriozitetit të njerëzve për jetën e tyre, nisën që të shkruanin libra e skenarë telenovelash me një temë të tillë. Lindi kështu një industri e tërë e bazuar në ecejaket dhe jetën luksoze të disa vajzave, që me zhdërvjelltësinë e tyre të dyshimtë kishin futur në shtrat futbollistët e pasur dhe ishin shndërruar në persona të famshëm. Sigurisht, me ndihmën e pakursyer të shtypit. Ajo çka është më e gënjeshtërt, gjithmonë për sa i përket rolit të shtypit në raste të tilla, është se historitë e tyre u paraqitën si historitë e hirusheve moderne. Të gjitha vajzave u jepej një recetë e qartë për sa i përket shndërrimit nga një manikyriste e zakonshme që mezi nxjerr bukën e gojës, në një “princeshë”. Por historia e grave të futbollistëve është si një monedhë me dy anë. Nga ana e jashtme ato mund të duken se i kanë të gjitha, se s’u mungon asgjë, por në të vërtetë shpesh jeta e tyre është një kaos i ngatërruar, një nyje të cilën ato nuk dinë që ta shkoqisin. Një pjesë e madhe, të përfshira befas nga fama dhe vëmendja e të tjerave, kanë kaluar në depresion. Një pjesë tjetër e kuptojnë se bashkëshortët, apo të dashurit e tyre, nuk janë aspak besnikë dhe se, sikundër ato rendin pas parave, ata rendin pas fustaneve të femrave me të njëjtin zell dhe dëshirë. Ka nga ato gra që ndërgjegjësohen se kanë bërë një gabim të madh duke rendur pas parave dhe famës së një njeriu, sepse tashmë kanë humbur krejtësisht identitetin e tyre dhe janë shndërruar në objekte të pavlera. Në fakt, shumë aspekte të jetës së grave të futbollistëve të sjellin ndërmend modelin e grave në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Pra ato janë aty vetëm kur u kërkohet dhe kur nuk duhen, duhet që të dalin nga skena. I tillë ishte rasti kur në vitin 2007 futbollistët anglezë, të martuar apo të dashuruar, u kërkuan grave/të dashurave të tyre, që të qëndronin në shtëpi, ndërkohë që kishin organizuar një megaparty me vajza të reja e të zgjedhura për bukurinë e tyre, një mbrëmje që në fakt përfundoi keq, me shumë denoncime nga ana e vajzave për përdhunime. Një tjetër problem për to është edhe frustrimi që ndjejnë kur duhet që të lëvizin e të jetojnë në qytete të ndryshme, për shkak të ndryshimit të skuadrave të partnerëve. Ato shndërrohen në shtojca dhe ky shndërrim për çdo njeri sjell probleme psikologjike, edhe pse kushtet e jetesës mund të jenë jashtëzakonisht të mira. Një numër gjithnjë e më i madh bashkëshortesh të futbollistëve, pas viteve të martesës e ndjejnë se kanë arritur paratë dhe famën, por jetët e tyre janë inekzistente. Për një futbollist, loja në fushë është gjithçka, është jeta vetë dhe të tjerat. Për sa kohë ata luajnë, s’janë gjë tjetër veçse plotësime, përfshi edhe familjen. Të vetmuara në shtëpi, gratë e futbollistëve kanë frikë se mos një tjetër bukuroshe shumë shpejt mund t’ua zërë vendin, se mos një ditë do të shohin bashkëshortin e tyre në faqet e gazetave, duke u puthur me femra më të reja dhe më të bukura, për të cilat ata do të lenë grua e fëmijë. Dhe raste të tilla janë të shumta jo vetëm në Britaninë e Madhe. Ndërkaq, industria me emrin “gratë e futbollistëve” ka marrë përmasa të mëdha. Ato kanë zhvilluar një luk të tyrin, të variantit të kukullës “Barbi”, i cili është dukshëm i njohur në ambiente të caktuara. Të gjitha kanë një pamje jashtëzakonisht të ngjashme, duke filluar nga mënyra se si krihen, syzet që blejnë, çantat e dorës, e deri te parfumi që përdorin, apo lloji i këpucëve me taka që preferojnë. Duken e njëjta dorë, e njëjta prerje, i njëjti model. Në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, ato e dinë fare mirë rolin që duhet të bëjnë dhe dinë se çfarë pritet prej tyre. Mbi të gjitha detyra e tyre është që të nxisin mashkulloritetin e bashkëshortëve apo partnerëve të tyre. Kjo bën që të duan të duken sa më femërore që të jetë e mundur, por sigurisht që ka një sforco e një kosto shumë të madhe. Pyetja është: A do të donin vallë gra të shndërruara në objekte e në kukulla që të ktheheshin në të shkuarën, e mbase përmes punës dhe sforcove të kishin një profesion dhe një dinjitet? Një pjesë me siguri që po.