Home »
» I NJËJTI YLL - Poezi nga JANIS RICOS
I NJËJTI YLL - Poezi nga JANIS RICOS
PO ATË GJEMB
Në darkë na qëndronte përballë si fasada
e një jetimoreje dykatëshe me dritare mbyllur.
Të nesërmen një grua poshtë pemëve
hiqte një gjemb nga thembra e saj -
po atë gjemb që shkelim përnatë.
BINDJE
Gruaja ishte ende e shtrirë në shtrat. Ai
hoqi syrin prej qelqi, e vuri mbi tryezë,
bëri një hap, u ndal. Tani më beson? - i tha.
Ajo mori syrin prej qelqi, e çoi pranë syrit të vet; dhe e pa.
THUAJSE PLOTËSI
Ti e di, nuk ka vdekje, i tha.
Po, e di, gjersa jam e vdekur, u përgjegj.
Dy këmishat i ke të hekurosura në sirtar,
vetëm një trëndafil i vogël më mungon.
DUART
Shpesh duart janë si fytyrat,
ose si kurme të tëra. Këto duar
rrinë mospërfillshëm në pranverën e hershme,
teshtijnë, kolliten, grinden, heshtin,
si dy pleq ulur në fron të shkopsitur,
me organet e tyre gjenitale të fyshkura në diell.
Kundruall një grua mënd foshnjën.
Duart e saj, edhe pse si të ngrira, janë
dy vrapues të zhveshur në një arenë të madhe mermeri.
KALENDAR TRYEZE
Muaj pas muajsh, javë dhe ditë - kohë e panxënshme.
Prilli me syzet miopike në stolin e kopshtit.
Korriku s’të lë të flesh i vetëm.
Shtatori sjell ndër mend shtëpitë e kyçura -
dy lule prej letre dhe një krehër i zi në tryezë.
Një burrë në nëntor mban në gju një gur.
Janar e shkurt të gjithë janë mërguar.
Gjeste të dëshpëruara të erës
para derës prej xhami të bujtinës së mbyllur.
Pastaj del pastruesja e heshtur në agim
me një sfungjer të madh që të fshijë xhamat.
MODESTI
Asgjë nuk dua, thoshte. Jam i qetë kështu.
Në gjithë gjatësinë e vjeshtës duken
xhamat e mbyllur të azilit të pleqve.
Ajo tërkuzë që lidhnim kalin
tani mbeti vetëm në trungun e pemës.
I NJËJTI YLL
Çatitë shkëlqejnë të qullura në dritën e hënës. Gratë
mbështillen në shallin e tyre. Shpejtojnë të fshihen brenda shtëpisë,
nëse rrinë edhe pak, hëna do t’ i shohë duke qarë.
Ky burrë dyshon se brenda çdo pasqyre
ka një tjetër grua të tejdukshme, mbyllur në lakuriqësinë e vet -
sado të bësh që ta zgjosh, ajo prapë nuk zgjohet.
Gjumi e zuri tek po i merrte erë një ylli.
Edhe ai i merr të njëjtit yll ndërsa zgjuar po rri.
I SOLLI NË GJUHËN SHQIPE NGA ORIGJINALI
GREQISHT ARISTOTEL SPIRO