Mimoza Ahmeti
Do të ishin të pakta ditët në të cilat do të jetoja jetën time.
Ndërkaq, jeta ime zhvillohej përtej së përditshmes dhe ngandonjëherë kjo zonë, ky përtej, do të më përpinte tërësisht dhe jeta ime do të dukej e palidhur me mua, madje dhe trupi im i palidhur me shpirtin.
Ky spostim i jetës sime në një zonë të tjetërsueshme do të vendoste një mori raportesh të reja me gjithçka që lidhej me mua.
Kështu, papritur më qëllonte ta kapja veten duke biseduar orë të tëra pa pasur ndonjë interes për problemin e shtruar. Madje më çudiste insistimi im për të vazhduar biseda që s`kishin ndonjë lidhje ndjesore me mua. Dalëngadalë jeta ime po mbushej me të tilla biseda dhe vija re se të tjerët vuanin ashtu si unë të njëjtin insistim për gjendje krejt të padëshirueshme.
Ishin të shumtë njerëzit që i kishin kushtuar jetës sime atë përkushtim që i kishin kushtuar edhe së tyres: një diskutim pafund për gjëra pa interes.
Kjo ethe kishte pushtuar edhe fëmijët dhe ndërkohë më dukej se ajri ishte magnetizuar nga një valë e pafrenueshme bisedash të padëshiruara, aq më pak të nevojshme.
Diçka mund të evidentohej: të gjithë kërkonin të drejtën e tyre, por ndërkaq, trupat, fjalët, fytyrat ishin rrënuar nga diskutimi, saqë edhe po ta fitonin atë të drejtë, ata zor se do të ishin në gjendje të bënin diçka me të, sepse aq të lodhur ndiheshin.
Por ndërkohë, jam e bindur, nuk është vetëm sensasion, njerëzit nuk donin të fitonin. Iu vinte neveri të fitonin të drejtën e tyre. Fundja, jeta e këtyre krijesave të shkolitura nga dyluftimi i frazës nuk mund të kuptohej tani pa debat, sidomos pa debat pa zgjidhje.
Zgjidhje nuk ka. Nuk mund të ketë. Do ta refuzonim diçka të tillë, dukej sikur ulërinin marshet e nofullave të debatuesve.
Më të neveritshmit ishin ata që kishin pushtetin e së drejtës për të debatuar të mbrojtur nga ligji. Çuditesha me ta: përse e tirrnin kaq gjatë ndërsa kishin edhe gurin edhe lajthinë...
Por siç duket, as guri dhe as lajthia nuk shijonin aq sa kokrrat e llafit që i llomotitnin duke i nxjerrë nga goja.
Mendoni, mes kësaj katrahure logjesh unë duhej të kryeja mbijetesë, pra të ruaja qetësinë e fjalës.
Dëgjo këtu, thoshte njëra, do të fitojmë patjetër, është e sigurt këtë herë! Por pikë gëzimi nuk mund të dalloje në zërin e saj, jo sepse nuk i besohej në ato që thoshte, po as që kishte vërtet ndonjë yshtje për të fituar. As i fitohej!
Askush nuk do që të fitojë, ndërsa ulërijnë për të drejtën! Kush do ta marrë fitoren?
Ishte e çuditshme, fitorja më dukej kishte mbetur pa zot. Madje dhe luftës i qe zhgërryer hiri.
E dija se kjo sëmundje e lashtë sa bota, e të luftuarit për lesh, kishte gërryer perandori e shtjerrur ideale. Më dukej se të gjitha kafenetë e Tiranës lëngonin nga të humburit e ndërgjegjes.
Sheshet ushtonin për fitoren e padëshiruar dhe Parlamenti betohej se nuk e lëshonte fitoren e panevojshme dhe të gjitha radhët shtrëngoheshin me zemra të liruara për fitoren e bezdisshme që u kishte zënë këmbët.
Këta njerëz janë përgatitur për humbje të mëdha, më shkrepi befas.
Të kishin një robëri! Kushedi sa të lartësuar do të ndiheshin!
Pastaj përsëri ia kriste debati.
Dava leku! Unë ua fala piramidave paret e mia e nuk pashë as ndonjë faraon! Pashë turitë e Sudes!
Kush do fitojë kësaj radhe zgjedhjet, aman?
Unë dua mbretin.
Rri urtë se edhe ai është hajvan!
Më janë mërzit b...q...
S’i do ti, por i do bota se...
Unë them se kësaj here e kemi të sigurt.
T’u thaftë goja! Ç’e do pushtetin! Është si grua e keqe.
N’opozitë, o vëlla! Të duket pushteti si dashnore.
Por më e tmerrshmja ishte mbrëmja: debati televiziv i analistëve.
Studioja ndahej në dy pjesë, por në fakt ato ishin dy gjysma të një bashkësie burrash. Zakonisht nga mosha 28 deri në 40 e ca vjeç. Karriera e tyre ishte anonime deri dje, por ata zgjoheshin një mbrëmje me emrin “analist” dhe kjo nënkuptonte se ata ishin të famshëm.
“Analist” ishte një specie gjysmë e gatshme e përgatitur në laboratorët e luajalizmit global. Nga ata ne kuptonim cili ishte problemi ynë. Ata vendosnin rrugët e zgjidhjes dhe na jepnin të kuptonim se kush kish të drejtë. Ata mbanin gjallë ndërgjegjen sociale. Ishin krijuesit dhe zgjidhësit e problemit.
Në fillim ne ishim të çuditur nga një përfaqësim i tillë, thuajse të ofenduar, por më pas e gjitha kjo u kthye në zbavitje, një lloj sporti që e shikonim mbrëmjeve, ku përleshja e logos për problemin e ofruar mbaronte me kreditet e njërës palë dhe liabialitetin e tjetrës. Ajo që më bënte përshtypje ishte se, që të ishe analist, përveç kushtit që deri dje të ishe anonim, kërkohej të ishe ose qose ose me shumë lesh në fytyrë, gjithmonë mashkull.
Shpesh ata bënin poza, grimasa, ngrinin zërin apo shanin duke shkuar deri në poshtërim me njëri-tjetrin. Ne në fakt edhe qeshnim e kënaqeshim me ndeshjen e tyre, edhe pse problemi konsiderohej yni.
Ne megjithatë nuk e kuptonim i kujt ish problemi. Por kishim kënaqësinë e spektatorit. Dhe sinqerisht e falënderonim krijuesin e problemit, megjithëse jeta jonë e vështirë dhe aq e izoluar, i cili ishte realisht ky problemi ynë, as që bëhej fjalë të diskutohej aty. Protagonizmi ynë si qytetarë kishte vdekur. Por kishim kënaqësinë e spektatorit dhe privilegjin të shikonim një protagonizëm të panjohur që konsiderohej yni, dhe në mënyrë antropologjike të imagjinonim autorin e këtij protagonizmi dhe hallin e tij. Fundja ishte kënaqësi edhe vetëm të shikoje. Të paktën për sa kohë ishte paqe...
Sa për ne, ne si popull, mund të themi se në fillim të shekullit XXI përfaqësoheshim nga analisti dhe topiku i zgjedhur prej tij. Vazhdonim të jetonim nën diktatin e Sistemit, i cili na konsideronte të paintegruar, ose ndryshe njerëz në zhvillim.
Nga ana tjetër u mësuam me këtë handikap. Quhej Sistem, siç e thashë. Por për njeriun e thjeshtë ai ishte vetëm një vështirësi plus. Asgjë më tepër: nëse koha ishte e keqe, ishte edhe më e keqe. Nëse ishte vapë, ishte edhe më vapë. Kaq ishte për njeriun e thjeshtë dhe të paintegruar Sistemi, që ndryshe quhej fitorja: një vështirësi më shumë në environment.
Dalëngadalë asnjëri prej nesh nuk e donte më fitoren, madje ruhej prej saj. Ajo u mbeti të dobëtëve, të cilët për këtë arsye edhe ziheshin e nuk kënaqeshin kurrë me të.
Kishte ditë që edhe na vinte keq për vuajtjet e tyre dhe mendonim se sa të mallkuar kishin qenë ata të gjorë që kishin fituar.
Kështu erdhi krejt e natyrshme ideja se nëse dikush meritonte të dënohej, duhet të merrte fitoren, pra t’i jepej pushtet. Maksimumi i viteve të dënimit ishte 8. Por kishte nga ata që luftonin ta shtynin dënimin, pasi ishin implikuar rëndë brenda dënimit të parë, dhe ndiheshin të pasigurt t’i ktheheshin jetës së lirë të qytetarit.
Ndoshta për këtë arsye unë pata idenë që legjislacioni duhej të rishikohej, e t’u jepej garanci të gjithë liderëve që donin të ktheheshin në qytetarë të thjeshtë.
Fundja liria për t’u dezintegruar ishte po aq e çmuar sa edhe ajo e integrimit.
Por avokati i ligjit më pyeti me ton:
Zonjushë, ç’e kujtoni pushtetin ju? Një shkollë edukimi për vagabondët që dalin andej kur të duan?
Më falni zotëri, po e drejta për të qenë kurkushi është e drejta bazë e çdo qenieje!
E çdo qenieje, përveç politikanëve, tha ai. Ky është thelbi i përfaqësimit.
Domethënë ju do t’i mbani ata njerëz peng përgjithmonë, u qava unë.
Kjo është një çështje që u takon analistëve, ia bëri ai.
Por unë e dija që analistët nuk do të donin ta diskutonin këtë “topik”, pasi profesioni i tyre do të zhdukej.
Liria për të humbur ishte eliminuar një herë e përgjithmonë nga ideja e fitores!
Kjo ishte skllavëria më e rrezikshme që kishte krijuar njeriu në kërkim të triumfit! Gjynah, mendova! Gjynahu i Zotit! Ndoshta ndonjë mëshirë universale do të kujdeset për këtë. Duhet menjëherë të filloj lutjen.
Fillova lutjen:
O Atë, lejomë të dëgjoj nga vetja dhe nga ti
pa e humbur dëgjimin,
të jem i këshilluar prej teje dhe i lejuar për veprimin dhe mosveprimin,
fitues dhe humbës, pa u vrarë nga asnjëra,
i dashuruar dhe i tradhtuar, pa e humbur dashurinë,
më lejo të jem kurkushi kur refuzoj lavdinë!
O Atë, këtë lutje dëgjoje
dhe rrethin vicioz zhbllokoje!
E kreva dhe këtë punë, mendova. E vetmja media që më ka mbetur është qielli! Sigurisht më e sinqerta dhe pa dyshim më e mira.
Dola të shëtis në errësirën e natës, pa pasur frikë!