Poezi nga Agim Spahu
TI E DI SI DUHET VDEKUR
Ti e di si duhet vdekur të jetojë plisi i bardhë e
gjaku i valë,
tambli në sisë e fara në arë,
ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur, vullkan
i ndezur, vëllai im i tretur, i pabuzëqeshur,
i fyer e i poshtëruar,
vëllai im i panënshtruar…
Ka kaq shtatore në udhë e sheshe, bij-hyjni jetojnë
në ty
ata si farën në arë kryet lanë në kohën tonë prej
gjaku dhe ëndrre.
Ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur -
vullkan i ndezur-ti e di si duhet vdekur…
NENES
Te numeroj thinjat e tua
do me duheshin gjithe ditet e mia,
te mat dashurine tende,
do me duhej gjithe dashuria e botes,
te ndiej si ti per mua, lumturi,
do me duhej te rritja vete femije.
UNE,I ZAKONSHMI YT
Shpesh shpërthej e dal prej gjoksit tim si Drini
në vjeshtë,
shpesh, sa shpesh!
Ki durim! Jam në mrekullinë e krijimit.
Nga shtegtim’ i vrullshëm shpejt do kthej
te i zakonshmi yt i drojtur. Ki durim!
Asgjë e ligë s’del prej gjoksit tim. Ki durim
dhe besim,
edhe pse je e lodhur më ofro fisnikëri e mirësi
(Pak, oh sa pak!)
Dhe shih: kur të jem qetësuar një mal do të jap…
Dora jote mbi ballë,
një përkëdhelje dridhëse, e dashura ime,
një shëtitje dashamirëse e gishtërinjve
mbi vullkanin tim në shpërthim,
një fjalë e mirë… Heshtje, heshtje e mençur.
Dhe shih,
nga çasti solemn i krijimit do të kthejë
i mrekulluar e i çliruar dhjetëfish,
i drojturi, i treturi, i zakonshmi yt.
DHIMBJET E ZEMRES SE LARGET
E dashura ime i harroi fjalet
si te mos ishin kurre...
U dashurua me heshtjen.
Nje molle e kuqe-gjak si faqja jote
midis shpatullave me ra,-
asnje plumb s'ka me m'dhimbte me shume
ne vdeksha pa te pare...
Sa here mollet te piqen si kesaj dite
hidhi kokrrat udhes nga shkova,
dhe une do te ndiej dhimbje ku shitove,
e miro.
Ne u martofsh, molle mos paste kund ne bote!...
Ti me lot do t'i qash se here t'i shikosh,
une dhimbje do ndiej sa here ti prek, pse ta fsheh
Dhe ne diell te dyte s'te harroj, e miro!
PREK TRUPIN E NJERIUT
Dua të prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, të marr e të jap
dritë, guxim e mençuri… Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
E ndien veten të lodhur e të plakur nga një mendim nator,
që mbjell harresë e vetmi… Dhe trembesh si fëmijë.
Ç’rëndësi ka mosha?! Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
Prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, merr e jep dritë,
guxim e mençuri!
Vetëm prekja e njeriut është kundër shurdhimit,
harresës, vetmisë, vetëm prekja e njeriut.
Shëtiti mollëzat e gishtave mbi supe, krahë, ballë,
vetulla e sy, futi gishtat në shkurren e flokëve dhe dëgjo
si këndojnë zogjtë e dashurisë në buzë… Nesër
agu do ta largojë këtë mendim nator, më beso,
nesër do të jetë shuar krejt…
Do ta ndiesh veten të freskët, të lehtë,
do ta zgjedhësh fustanin luleshumë, buzëkuqin e ndezur,
do të krihesh me kujdes,
do ta shtosh buzëqeshjen… Nesër,
e mrekullueshme do të jesh nesër!
Si mëngjes mesprilli verior, si vajzë e dashuruar
do të ndihesh nesër, më beso,
nesër kur të prekë dita-jetë që sapo ka filluar…
Puthmë! Prek trupin e njeriut, marr e jap pafundësi,
mbushur plot e përplot shpresë e dashuri.
Kukës, 1986
QAJ,ZOGU IM QAJ!...
Mos qaj, zogu im mos qaj!
Kjo është veç një tymnajë… Në dhomën tonë
kënga do të nisë prapë
e prej cicërimës sate do të plasin lule të vockla
në ajër
e në sendet rreth e qark,
me jalëza të kaltra do të mbushet dhoma…
Kjo është veç një tymnajë kalimtare, një tymnajë
bredharake,
zëre se s’i hapëm dyer e dritare
dhe loton krejt pa shkak të vërtetë,
loton duke qeshur…
Hajt, pra, lotojmë duke qeshur (!)
… Po një pikë lot s’e nxirrja dot. Isha djalosh
pa asnjë dhimbje në gjoks.
Veç sot e asaj dite më thahet fytyra për ty,
e gjora ime… E krrejt papritur
më kap një mall i dhimbshëm dhe qaj
dhe qaj krejt papritur… Qaj, zogu im, qaj!
Ka kohë s’ka qarë askush për mua… Ka kohë! 1985





