Të studiosh i bën mirë zemrës

Kush ka kaluar të paktën tetë vjet pas bankave të shkollës ka më pak mundësi të preket nga infarkti me kalimin e viteve
Të studiosh i bën mirë zemrës. Kush ka kaluar më shumë se tetë vjet mes bankave të shkollës ka një rrezik më të vogël për të kaluar ndonjë infarkt. Edhe pse mund t’u duket vërtet e çuditshme, kjo lidhje është rezultat i një studimi të gjerë, të publikuar në revistën “Heart”. Studimi është kryer në 52 vende krahasuar me rreth 12 mijë persona të sëmurë dhe 14 mijë që gëzonin shëndet të plotë. Deri tani e dinim se një stil i shfrenuar jetese, pak aktivitet fizik, shumë cigare, të hash pak fruta dhe perime mund të vinin përpara një prove të vështirë rrezikun e zemrës sonë. Studime të ndryshme në vende perëndimore kanë vënë në dukje një lidhje mes statusit social-ekonomik dhe rrezikut më të vogël për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare. Megjithatë, ende nuk ishte e qartë nëse treguesit e ndryshëm të përdorur për të treguar kushtet social ekonomike, si për shembull shkollimin, të ardhurat familjare, llojin e punës së kryer, ishin njëlloj të rëndësishëm. Ndërkaq dihej shumë pak se si statusi social ekonomik ndikon mbi rrezikun kardiovaskular në vendet në zhvillim.

Studimi i ri
Tani, një grup kërkuesish suedezë kanë zbuluar se mësimi, i pavarur nga të ardhurat familjare, nga puna e bërë apo nga të mirat e zotëruara, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikun e një ataku në zemër. Në veçanti, ja si e shpjegon një prej autorëve të kërkimit, doktoresha kardiologe në “Sahlgrenska University Hospital”, Goteborg: “Një nivel edukimi i barabartë ose më i vogël se tetë vjet, do të thotë një rrezik më të madh për të pasur një infarkt, madje rreth 30 për qind më shumë në krahasim me ata që janë më të shkolluar. Kjo lidhje është më e fortë në vendet e zhvilluara, por është evidente edhe në vendet më pak të zhvilluara”. Motivet? “Edhe pse është ende e nevojshme për t’u thelluar më tej, mendohet se i detyrohen njohjes më të mirë të faktorëve të rrezikut, rrjedhimisht edhe një parandalimi më të mirë”, thekson Rosengren. Sipas studimit, përqindjet më të larta të obezitetit, zakoneve të këqija si duhani, aktiviteti i paktë fizik dhe konsumi i ulët i frutave dhe perimeve, shpjegojnë rreth gjysmën e rrezikut të lidhur me nivele të ulëta edukimi.

Parandalimi
“Nuk ka asnjë dyshim se kush është më i shkolluar i njeh më mirë faktorët që e vënë zemrën në rrezik”, konfirmon profesor Filippo Crea, drejtor i departamentit të sëmundjeve kardiovaskulare në poliklinikën “Agostino Gemelli” në Romë. Parandalimi është arma më e mirë kundër sëmundjeve kardiovaskulare. Të mbash gjithmonë në kontroll peshën, kolesterolin, tensionin e gjakut, diabetin, të mos pish duhan, të bësh shumë aktivitet fizik dhe të hash vazhdimisht fruta e perime, ndihmon në reduktimin dhe mundësinë për t’u prekur prej këtyre sëmundjeve të rrezikshme. “Nuk mund të harrojmë rezultatet e kënaqshme që kemi arritur deri më tani, por s’duhet të ndihemi të sigurt asnjëherë. Mos harroni se është gjithmonë më mirë të parandalosh se sa të kurosh”, vazhdon kardiologu.

Perspektivat
“Për momentin rezultatet sugjerojnë se të përmirësosh nivelin e edukimit në vendet në zhvillim mund të jetë një kompromis i vlefshëm për të frenuar përhapjen e shpejtë të sëmundjeve të zemrës edhe në këto vende”, përfundon Rosengren. “Në Kinë deri 15 vjet më parë nuk kishte fëmijë të shëndoshë. Sot obeziteti te fëmijët është bërë një epidemi që e vendos zemrën përpara një rreziku serioz. Për këtë është e nevojshme që nga bankat e shkollës të mësohesh me zakone të shëndetshme, si ushqyerje e rregullt, jo duhan dhe shumë aktivitet fizik”.

Infarkti
Është sëmundja më e rrezikshme që prek zemrën, si edhe një nga më të shpeshtat që shoqërohet me djersë të ftohta dhe hipertension të theksuar. Faktorët më të mëdhenj të rrezikut, sipas studimeve të fundit, janë: hiperkolesterolemia, pirja e duhanit, diabeti, hipertensioni dhe obeziteti. Jo çdo formë e stresit ndikon në aktivitetin kardiak. Vetëm ai negativi, i cili lidhet me ndjenjën që nuk i përballon dot problemet. Një efekt negativ ka edhe një dietë e çekuilibruar.

Masat
Çfarë të bëjmë për të parandaluar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare? “Është stili i jetesës perëndimore ai që shkakton pjesën më të madhe të patologjive koronare. Duhani, një dietë e pasur me yndyra, aktiviteti i paktë fizik, obeziteti, diabeti, alkooli i tepërt, ndikojnë në përkeqësimin e patologjive koronare. Këta faktorë të rrezikshëm janë përgjegjës në më shumë se 80% të patologjive kardiovaskulare, të cilat mund të reduktohen duke ndryshuar stilin e jetesës. Duhani është vërtet një “vrasës"” i pamëshirshëm. Përveç dëmeve që provokon në aparatin e frymëmarrjes, është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Për shembull, ai është përgjegjës për rreth 50% të të gjitha vdekjeve që mund të shmangen. Në këtë pikë, të gjithë studiuesit janë dakord që rekomandimi i parë për parandalimin kardiovaskular është të mos pish duhan", thotë një profesor gjerman.

Dieta
Për të pasur një zemër në formë të mirë, dieta më e këshillueshme nga specialistët është ajo që përmban shumë fruta dhe zarzavate, si edhe substanca antioksiduese. Ajo duhet të jetë e pasur me peshk, zarzavate dhe karbohidrate integrale, që përmirësojnë prognozën. “Ndërsa për sa i përket peshës, ka një lidhje të ngushtë mes peshës dhe patologjive kardiovaskulare. Një rritje e vogël e peshës e katërfishon rrezikun e diabetit te meshkujt dhe e tetëfishon te femrat”.

Studimi
Të studiosh i bën mirë zemrës. Kush ka kaluar më shumë se tetë vjet mes bankave të shkollës ka një rrezik më të vogël për të kaluar ndonjë infarkt. Edhe pse mund t’u duket vërtet e çuditshme, kjo lidhje është rezultat i një studimi të gjerë.