Një libër për të ndryshuar mendimin për studimin e letërsisë

Shaban Sinani

Libri “Sfida teorike të historiografisë letrare” i studiueses Floresha Dado është një vepër ku shqetësimet shkencore të këtyre dy dekadave shqiptohen nëpërmjet konceptesh dhe idesh majoritare, larg mërzive dhe mërive të pashmangshme edhe në fushë të studimeve letrare
Shqetësimi shkencor për një histori të re të letërsisë shqipe është nyjëtuar qysh në kufijtë e viteve 1980-1990: në formën e një qortimi dhe refuzimi të vendosur të “Historisë së letërsisë shqiptare” - botim akademik i vitit 1983; në formën e një vullneti të ri për ta rishkruar historinë e letërsisë; në formën e grindjes metodologjike dhe të mospajtimit për hierarkitë e vjetra dhe të reja të botës së letrave. Në dy dekada debat, gjatë të cilave janë për t’u veçuar disa nisma institucionale: konferenca shkencore, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, ka pasur propozime e ide me interes për të përballuar me dinjitet përgjegjësitë e kërkimit shkencor në periudhën e re letrare, por ka pasur gjithashtu dhe shumë vogëlsi, inate, krekosje të breznive të studiuesve ndërsjellëtazi, vënie para përgjegjësie dhe shpesh edhe mungesë dëshire për të dëgjuar e pranuar njëri-tjetrin, pa folur për mundësinë e krijimit të atij kushti pune në grup që shpesh quhet synergie. Ndërkaq, nismat vetjake, mospërfillëse ndaj këtyre rreshtimeve, shenjuan në këto njëzet vjet një ndryshim numerik e cilësor në studimet letrare. Mund të thuhet se tashmë është kapërcyer mosnjohja e autorëve dhe veprave të ndaluara, është tejkaluar disiplina ideologjike, ngushtësia metodologjike dhe fryma e përjashtimit brenda për brenda botës së krijuesve, një brez i ri po paraqitet me të dhëna të vërtetueshme për të marrë përgjegjësinë e paraprirjes dhe kryerjes së këtij procesi të vështirë.

Libri “Sfida teorike të historiografisë letrare” i studiueses Floresha Dado është një vepër ku shqetësimet shkencore të këtyre dy dekadave shqiptohen nëpërmjet konceptesh dhe idesh majoritare, larg mërzive dhe mërive të pashmangshme edhe në fushë të studimeve letrare; larg synimeve për të ndrequr diçka qoftë dhe duke shkatërruar diçka të mëparshme; larg asaj vogëlsie inatçore, të mbushur me nënçmime e madhështime tekanjoze njëherazi; larg mendimit vullnetmirë të papërligjur prej kompetencës profesionale; që shpesh ia kanë zënë vendin mendimit të urtë dhe e kanë vonuar subjektivisht shkrimin e një historie të re të letërsisë.

Ky është një libër që e bën historianin dhe përgjithësisht studiuesin e letërsisë të ndihet keq duke vërejtur, përmes logjikës së krahasimit dhe të kontrastit, kohën e humbur, energjitë e harxhuara në kotësi ose frytshmërisht të kufizuara, ngulmimet kokëforta në çështje të rendit dytësor, anarkinë e konfuzionin e termave; zëvendësimet e shpeshta të pjesës me të tërën dhe përfundimisht stërzgjatjen dhe shtyrjen pa ndonjë afat të përgjegjësisë për hartimin e së paku një teksti akademik-universitar të historisë së letërsisë, të këshillueshëm e të mirëpritur prej një rrjeti shkollash të larta gjithnjë në zgjerim në gjithë hapësirën shqiptare.

Me këtë vepër, që mund të cilësohet më e arrira në përpunimin e mendimit teorik-shkencor shqiptar për historishkrimin letrar të këtyre dy dekadave, studiuesja ka arritur të argumentojë shumanshmërisht se periudha e diskutimeve tashmë është mbyllur dhe kaluar dhe se është koha jo për të folur, por për ta shkruar një histori të re të letërsisë shqipe. Duke e përmbyllur këtë periudhë, me një monografi ku vështrohen në mënyrë paradigmatike të gjitha çështjet e mjedisit të studimeve të kësaj fushe: në rrafsh teorik, në rrafsh estetik, në rrafsh historiografik, në rrafsh mirëfilli letrar, Floresha Dado arrin të detyrojë shkurt e qartë përfundimin: “Mjaft më!”. Është koha për ta rishkruar historinë e letërsisë shqipe, jo për t’iu ruajtur apo për t’iu mburrur njëri-tjetrit: dikush me përvojën, dikush me epërsinë metodologjike, dikush me raportet me të shkuarën, dikush me shkollën ku është formuar. Zakonisht kjo detyrë i bie brezit të ri të studiuesve. Floresha Dado, me librin e saj, i bën brezat e studiuesve të ndihen më pranë njëri-tjetrit.

Majorizimi i problematikës së historishkrimit letrar në librin e Floresha Dados para së gjithash shprehet në shtjellimet origjinale për shkallën e lartë të implikimit parimor të teorisë së njohjes, të teorisë së letërsisë, të filozofisë së historisë dhe të estetikës së përgjithshme në mënyrën si shkruhet dhe rishkruhet historia e letërsisë. Këto shtjellime fare pak kanë qenë të pranishme në debatet shkencore për këtë çështje. Mosvëmendja ndaj këtyre kushtëzimeve ndërdisiplinare në gjithë procesin e deritashëm të kërkimeve dhe diskutimeve në një farë mënyre përbën një shkak themelor për kufizimet që janë vërejtur. Nga kjo anë, libri i Floresha Dados e shpengon mendimin historik-letrar dhe kështu e bën më të mundshme një histori të re të letërsisë shqipe. Njëherësh dhe e mbron nga sjelljet vetjake, shpesh tekanjoze, në procesin e njohjes dhe të rinjohjes së trashëgimit letrar.

Duke e vënë gjendjen e historishkrimit letrar në Shqipëri në një kontekst ndërkombëtar për shkak të parimësisë së çështjeve të trajtuara; duke certifikuar dhe shpjeguar rrugën dhe shkaqet që e kanë çuar historiografinë letrare në shkallë globale në një krizë të thellë; duke theksuar mosbesimin e rritur për mundësinë teorike të ekzistencës së një historie letërsie; duke përmendur konfuzionin e tashpërtashëm terminologjik në këtë fushë studimesh, studiuesja e relativizon nervozizmin e tepërt që ekziston në mjediset tona, një nervozizëm që vjen sa prej kriticizmit të ndërsjellë si mënyrë komunikimi me njëri-tjetrin, aq dhe prej humbjes objektive të kohës dhe shmangies prej përgjegjësive për një projekt në zbatim. Në sfondin e kësaj krize të përgjithshme të mendimit historik-letrar, të funksionimit të një terminologjie të paskajuar, të ballafaqimeve metodologjike në vend të zgjidhjes së detyrave të kthyera në sfida, gjendja e historishkrimit letrar shqiptar paraqitet më pak e zymtë dhe dëshpëruese se sa duket e përftohet.

Për shkaqe të njohura, historike dhe letrare, procesi letrar në Shqipëri është zhvilluar në një mënyrë atipike krahasimisht me zhvillimet e rrjedhshme në shumicën e vendeve europiane dhe ballkanike, ku jo ngjarjet e mëdha politike dhe shoqërore, por rrjedhat e mendimit dhe të ideve, lëvizjet mendore, kanë përgatitur, paraprirë dhe përmbyllur njëri-tjetrin. Pikërisht kjo ka përcaktuar që zhvillimi i letërsisë shqipe të jetë më i kushtëzuar nga historia e popullit dhe studiuesja Floresha Dado me të drejtë ndalet gjatë në këto raporte, të përgjithshme e të përveçme, midis historisë dhe letërsisë si të tillë, midis historiografisë kombëtare dhe historishkrimit letrar, midis historicizmit dhe estetizmit në paraqitjen e zhvillimeve letrare. Frika prej kompromiseve në dëm të letrarësisë, që është krejt e natyrshme midis radhëve të studiuesve dhe përgjithësisht në mendjet kritike, gjen një varg argumentesh emancipuese në librin “Sfida teorike të historiografisë letrare”. Pamundësia teorike e ndarjes së letërsisë prej realitetit parësor; pamundësia e abstragimit të letrarësisë prej kumtit; karakteri i ndërlikuar i krijimtarisë letrare, që bashkon gjendjen emocionale, psikologjinë e krijimit, mjeshtërinë e fjalës, fuqinë e ideve, njeriun e brendshëm dhe botën rreth e qark tij, e kthejnë gjetjen e një raporti të përligjshëm midis së bukurës dhe së vërtetës, estetikes dhe historikes, jo për komoditet krijues, por pikërisht për të qenë dhe metoda e kërkimit ashtu si vetë objekti i kërkimit. Historia e përgjithshme e implikon dhe e kushtëzon historishkrimin letrar jo më pak se raportet me mendimin teorik-estetik.

Një pjesë të rëndësishme të librit e zë vlerësimi prapavajtës i traditës shqiptare të historishkrimit letrar, që gjithë-gjithë përmbyllet në më pak se një shekull. Studiuesja ia ka nënshtruar gjykimit kritik këtë traditë, duke specifikuar se çfarë mund të mbahet e çfarë duhet të hidhet nga secila vepër që bën pjesë në këtë traditë. Ka pasur dhe ndonjë sprovë tjetër për të vënë traditën e historishkrimit letrar në dobi të zgjidhjes së detyrave të tashme, por kryesisht në funksion të përkufizimit të një bibliografie të domosdoshme për cilindo që do të dëshironte t’i hynte një pune të tillë. Por studimi monografik i Floresha Dados, duke i rimarrë një nga një arritjet e mëparshme të historisë së letërsisë, kudo që janë shenjuar, pohon e konteston, përzgjedh e dyshon, duke pasur një qëllim të lartë: çfarë është zgjidhur mirë e drejt nga paraardhësit s’ka pse të rigjykohet, pa kufizuar të drejtën e çdo brezi për të përftuar leximin e vet nga letërsia e traditës. Studiuesja gjen vlera të mendimit historik-letrar shqiptar në historitë zyrtare të letërsisë dhe në ato që u paraqitën si nisma vetjake, prej G. Schiro (J) deri tek A. Pipa e R. Elsie. Është me interes të përmendet se disa vlera të qëndrueshme studiuesja i gjen edhe në tekstin më të qortuar të gjithë traditës së historiografisë letrare, në “Historinë e letërsisë shqiptare” të botuar në vitin 1983, e cila shumë shpejt iu nënshtrua një gjyqi të ashpër kritik dhe prej një shumice specialistësh refuzohet në mënyrë tërësore dhe parimore.

Duke u marrë me vlerësimin retrospektiv të traditës së historiografisë letrare studiuesja vjen te një prej çështjeve më të ndërlikuara të hartimit të një historie të re të letërsisë: te parimet shkencore që duhet dhe mund të ndiqen në zgjidhjen e kësaj detyre. Vetë natyra e ndërlikuar e procesit letrar të zhvilluar në botën shqiptare e bën të vështirë ndjekjen e një parimi përjashtimor në të gjitha periudhat dhe thuajse të pamundshëm ndarjen prej periodizimit të përgjithshëm të historisë së vendit. Letërsi qëllimore në pjesën më të madhe të jetës së saj, forma dhe letrarësia si objekt do të ishin të pamjaftueshme dhe kufizuese për një histori të re letërsie. E ndarë në ishuj në pikëpamje të përftimit, madje dhe të komunikimit të këtyre ishujve me njëri-tjetrin deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, shpesh një ligjërim i ndërmjetëm midis atij letrar dhe gojor, teoritë moderne të receptimit dhe rireceptimit do ta gjymtonin pamjen e përgjithshme të traditës letrare. E zhvilluar në formë të plotë si drejtime letrare vetëm gjatë shekullit të romantizmit dhe shekullit të realizmit, përgjithësimi i parimit të drejtimit do të linte jashtë historisë së letërsisë shqipe epoka letrare të rendit parësor. E pandashme në pjesën më të madhe të saj prej gjuhës, funksioneve joletrare, gjedheve dhe kodeve poetike të ardhura së jashtmi prej sistemesh letrare të tjerë, synimeve politike, morale dhe ideologjike; polifunksionale në periudha të gjata; ndarja e asaj që përbën letërsi të mirëfilltë prej të ngjashmes me të dhe dukurisë ndërkulturore më gjerësisht gjithashtu do të varfëronte pamjen e trashëgimit letrar shqiptar edhe pa të jo aq të pasur. Pretendimi për të gjetur te çdo zhvillim apo personalitet krijues jehonën e një zhvillimi të mëhershëm europian; zelli për të rritur vlerën e tyre me anë të termit; gjithashtu do ta varfëronin studimin e historisë së letërsisë. Papërkryerja e shkollës, papërcaktueshmëria e rrjedhës, shpërpjesëtimet tematike dhe gjinore, rendi i çrregullt në ardhjen e një mode apo moderniteti letrar gjithashtu përmbajnë rrezik kufizues në njohje dhe vlerësim. Të gjitha këto argumente e çojnë studiuesen në përfundimin se një histori e re e letërsisë shqipe është e mundshme, është e nevojshme, është detyrë urgjente dhe jo një çështje forumesh, që mund të kryhet duke gjetur për çdo zhvillim kriterin shkencor që mundëson leximin maksimal të vlerës.

Libri “Sfida teorike të historiografisë letrare” është një “limitus ante quam non”, një kufi pas të cilit diskutimi se si, kur, kush dhe mbi ç’bazë teorike, metodologjike dhe parimore do të realizohet rishkruarja e historisë së letërsisë shqipe, nuk do të kishte më kuptim.