Dikur, në kohën kur i ati, Boris Jelcin, ishte President i vendit, konsiderohej si gruaja më e fuqishme e Rusisë, si vendimmarrësja e vërtetë në Kremlin. Më pas Tatjana Yumasheva, vajza e preferuar e ish-presidentit, u zhduk nga qarkullimi për t’u rishfaqur sërish tani përmes blogjeve të internetit. Atë madje e cilësonin “lady Rasputin” dhe duket se ambicia e saj nuk është pakësuar, madje shumëkush shfaqjen e saj të fundit e ka komentuar si një përpjekje për të marrë sërish pushtetin, këtë herë në një tjetër formë
Zonja Yumasheva është 50 vjeçe dhe nuk rresht së shkruari në një blog të sapoçelur në internet dhe gjejeni se për kë shkruan më së shumti? Për njeriun të cilit i ati, një ditë të ftohtë dhjetori të vitit 1999 i dha pushtetin, edhe pse mandati nuk i kishte mbaruar. Ky njeri ishte ish-presidenti i Rusisë dhe aktualisht Kryeministri i saj, Vladimir Putin. Ajo po përpiqet që të zhbëjë imazhin e tij si një njeri i fuqishëm që e shpëtoi Rusinë nga shpërbërja dhe rrokopuja e viteve të qeverisjes së Boris Jelcinit. Ndër të tjera, në blogun e saj ajo shkruan se kur Boris Jelcini i kërkoi Putinit që të bëhej pasardhësi i tij, ky i fundit u tmerrua aq shumë sa i tha Jelcinit që ta mendonte edhe njëherë propozimin e tij. “Për tim atë janë thënë dhe shkruar shumë gjëra të pavërteta, si edhe për ngjarjet e viteve ’90. Unë dua që njerëzit ta kuptojnë dhe të mësojnë të vërtetën për ngjarjet e ndodhura nga këndvështrimi im, që jam një person ku kam asistuar personalisht në shumë prej vendimeve të marra në Kremlin. Dua që të nxjerr një tjetër realitet, të ndryshëm nga ai të cilit i është mëshuar deri më sot nga njëra palë në dëm të së vërtetës”, shkruan Tatjana. Në një shoqëri si ajo ruse, ku çdo lloj kritike ndaj Putinit kontrollohet rreptësisht dhe censurohet nga televizioni rus dhe media e kontrolluar nga shteti, vlerësimet e vajzës së Jelcinit në lidhje me politikën ruse, atë të së shkuarës, por edhe atë aktual, përbëjnë një sfidë goxha të madhe për reputacionin e Putinit. Dhe, mbi të gjitha, koha kur po zhvillohet një gjë e tillë është shumë sensitive. Zgjedhjet presidenciale janë në horizont. Ato do të zhvillohen në vitin 2012 dhe ende është e paqartë se si do të shkojë gara e mundshme mes Putinit dhe Presidentit aktual të vendit, Medvedev. Të dy në mënyrën e tyre kanë deklaruar se janë pretendentë të postit dhe nuk heqin dorë nga ambicia presidenciale. Ka nga ata që në një atmosferë të tillë mendojnë se mos ndoshta e bija e ish-presidentit ia ka vënë vetë syrin postit të rëndësishëm në krye të Kremlinit. Këtë do ta tregojë e ardhmja, por cilado qoftë axhenda e saj, blogu në të cilin ajo shkruan po shndërrohet në një ndër më popullorët në Rusi dhe ajo vetë thotë se do ta shndërrojë një blog të tillë në një armë të vërtetë për të luftuar gënjeshtrën dhe manipulimet e bëra. Gjatë periudhës që i ati ishte në pushtet, Tatjana ishte krahu i djathtë i tij. Ajo e ndihmoi atë që të merrte vendime të rëndësishme në ndryshimin e kabinetit qeveritar, në përzgjedhjen e njerëzve më të rëndësishëm në drejtim të vendit. Ajo ishte përfaqësuesja kryesore e një grupi njerëzish të fuqishëm dhe këshilltarësh, që njiheshin si “njerëzit e familjes”. Në këtë grup bënin pjesë edhe disa nga oligarkët, që më pas u sulmuan nga Presidenti Putin, si Boris Berezovski, i cili aktualisht është rezident i Londrës dhe është shndërruar në një nga armiqtë më të betuar të Putinit. Për shumë rusë, Jelcin dhe Putin përfaqësojnë dy stade krejt të ndryshme të periudhës postkomuniste në Rusi. Jelcin jo rrallë shfaqej i dehur në publik dhe drejtoi një Rusi ku kishte më shumë liri dhe të drejta, por që ishte, nga ana tjetër, një Rusi kaotike dhe e mbushur me krime, për të mos folur për situatën e rëndë ekonomike dhe pabarazinë. Ndërsa epoka e Putinit, ish-spiunit të KGB-së, u karakterizua nga qeverisja e një njeriu që nuk vinte alkool në gojë dhe që zëvendësoi stabilitetin me lirinë. Shumë rusë ishin të dëshpëruar dhe të etur për pak qetësi e siguri në rrugë dhe u detyruan kokulur që në këmbim të lirisë të përjetonin qetësinë. Megjithatë, vajza e Jelcinit ngulmon dhe thekson se epoka e qeverisjes së të atit nuk ishte një periudhë e shkuar kot dhe e humbur për rusët.
Tatjana është martuar tri herë dhe ka tre fëmijë. Aktualisht po merret vetëm me blogun e saj për të diskutuar edhe për rolin e grave në politikë. Nga shkrimet e saj duket edhe promovimi që kërkon t’u bëjë oligarkëve të tillë, si Berezovski dhe Abramoviç. Por komentet ndaj Putinit kanë ngjallur shumë tension në rrethet që e mbështesin Kryeministrin. Duke shmangur kritikën e drejtpërdrejtë ndaj tij, Tatjana vë në dyshim versionet e fundit dhe ato zyrtare të historisë, që tentojnë të justifikojnë tundimin autoritar dhe autokrat të Putinit. “Unë dua që rusët ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur realisht në vendin tonë 10 vitet e fundit. Dua që t’u jepet fund miteve dhe gënjeshtrave në lidhje me vitet ’90. Ne duhet të dimë të vërtetën për historinë tonë”, shkruan ajo. Për momentin, gruaja që dikur është konsideruar si më e fuqishmja e Rusisë nuk duket se është prekur nga inati i mundshëm i Putinit dhe mbi të gjitha ajo thotë se në javët në vijim ka për të thënë shumë të vërteta që do t’i vijnë hidhur ish-presidentit Putin.